Postuar më: 26/01/2012
Më poshtë do të lexoni fjalën e deputetit të PS, Ilir Gjoni, në Kuvend:
Në kriminalogji profili kriminal jep indicie për llojin e personit që ka kryer krimin duke u fokusuar në disa tipare sjelljeje apo të personalitetit. Ka dy disiplina që përdorin teknikat e profilimit të vrasësve- klinikat e shëndetit mendor që shpjegojnë veprimet kriminale përmes koncepteve psikike dhe ekspertët e agjencive ligjzbatuese që përcaktojnë metodat e sjelljes kriminale përmes koncepteve investiguese.
E për të bërë profilin e kryeministrit tonë lidhur me atë çka gjithkush di sot për ecurinë e ngjarjeve të 21 janarit, është e nevojshme të bëjmë një përpjekje jo shumë të mundimtë për të profilizuar veprimtarinë e kryeministrit në shkelje të vazhdueshme të ligjeve dhe Kushtetutës të cilat ai supozohet se duhet t’i mbrojë e zbatojë pa hezitim duke u bazuar në faktet që mund të përfshihen në të dyja disiplinat e sipërpërmendura.
Në një perspektivë më të largët mjafton të përmenden faktet, e pranuara edhe prej vetë subjektit në shqyrtim, siç është rasti i shkeljes së ligjit ndërkombëtar me thyerjen e embargos së OKB ndaj Serbisë, për të vazhduar në planin e brendshëm me fshehjen e të dhënave për vrasjen e Azem Hajdarit dhe refuzimin e tij për të dëshmuar në prokurori, urdhërimin e ushtrisë dhe shërbimit informativ për të goditur popullsinë civile në 1997. Më lejoni të risjell në kujtesën e qytetarëve se çfarë shkruante shtypi Perëndimor vite më parë. Andrew Gumble Regjimi gangster qe ne financojmë thotë: “Shqipëria është kthyer në një shtet monopartiak dhe shtypës, në të cilin korrupsioni është përhapur në të gjitha nivelet e ekonomisë, në pjesën më të madhe bazuar në veprimtari mafioze, që janë nën kontrollin e rreptë klientelist të partisë në pushtet.” The Independent", 14.2.1997); Aaron Rhodes, i Christian Science Monitor në artikullin “Ëndrra Demokratike e Shqipërisë Avullon” shtron pyetjen a ka bërë ndonjë gjë regjimi i Berishës për të krijuar besim në zgjedhjet e lira dhe institucionet demokratike? Përgjigja është: Sigurisht që jo! Sistemi drejtësisë është thellësisht i politizuar…Qeveria Berishës ka kërcënuar e persekutuar median e pavarur dhe OJQ… Ka pasur manipulim masiv të votave…etj”; për të vazhduar më tej me tentativën për grusht shteti në shtator 1998 dhe sulmet ndaj institucioneve në periudhën e fundvitit 2000 e përsëri në 2004. Pra siç shihet lehtë subjekti ka një marrëdhënie aspak miqësore me institucionet e shtetit dhe me ligjin, përkundrazi. Rasti i 21 janarit përbën dhe rastin më të fundit ku spikat dukshëm kjo marrëdhënie duke na e plotësuar qartë profilin e kryeministrit, por ndoshta kjo është hera e parë që gënjeshtrat e tij janë të provuara në mënyrë të pakontestueshme nga FBI.
Këto prova e nxjerrin kryeministrin një gënjeshtar patologjik i cili vuan sot pasojat e gënjeshtrave ndaj të cilave ai tashmë ndihet skllav. Çfarë ka thënë ky njeri një vit më parë?
Në 21 janar 2011 tha se opozita kishte përdorur stilolapsa pistoleta,çadra raketa e ku di unë çfarë. Tha që viktimat janë vrarë nga distancë e afërt me plumba me kalibër të vogël që nuk janë në dispozicion të forcave të sigurisë, se ishin gjetur 40kg tritol në një makinë që tentonte të hynte në kryeministri tha se presidenti ishte puçist, kryeprokurorja akoma më keq, kreu opozitës arkitekti i pucit, banda e të katërve( gazetarët) truri i pucit. Të gjitha këto sajesa e gënjeshtra të shkërmoqura para syve të tij njëra pas tjetrës.
Refuzoi të lejonte zbatimin e urdhërarresteve për gardistët pasi ata, sipas tij, ishin heronj duke bërë kështu që për herë të parë në historinë e një shteti ligjor, një kryeministër vetshpallet vetë agresor, vetë gjykatës, vetë prokuror dhe vetë garant i Kushtetutës. Në të vërtetë ky ishte i vetmi element real i Grushtit të Shtetit atë ditë.
Deklaroi se kishte kërkuar “hetim të menjëhershëm kryeprokurores… dhe se i ka kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave të vërë në dispozicion të Prokurorisë të gjithë videon e kryeministrisë[pasi] në bindjen e tij ”kishte një material të plotë për të saktësuar se nga erdhën plumbat, si u vra dhe ku u vranë, pra të gjitha rrethanat.” Jo më larg se dje akuzoi përsëri kryeprokuroren si puçiste, presidentin si puçist e kështu me radhë. Po ja po i marim të mirëqena këto por profile i tij na thotë se të njëjtën gjë ka bë ka bërë dhe Maks Haxhinë dhe me Arben Rrakipin, Zef Brozin, dhe me presidentin Meidani dhe me presidentin Moisiu.
Provat e paraqitura nga Prokuroria e Përgjithshme, të vërtetuara nga FBI, amplifikojnë në formën më krudo atë çka pjesa dërrmuese e shqiptarëve di, ndërkohë që nxjerrin dukshëm në dritë një kryeministër të përfshirë thellësisht e në mënyrë intime në një abuzim të pastër pushteti të formës më të lartë që është vrasja shtetërore. Prandaj qëndrimi i prerë i partnerëve ndërkombëtarë për t’i shkuar deri në fund kësaj çështje duke synuar urdhërdhënësit e jo vetëm nivelet e dyta e kanë ngjallur frikë e panik në radhët e oborrit kryeministror të larë me gjakun e Ziver Veizit, Faik Myrtos, Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës.
Analisti njohur Gabriel Partosh do t’i konsideronte akuzat e reja si “shumë serioze, për shkak se përfshijnë një komplot në nivele të larta brenda qarqeve qeveritare për të fshirë provat e asaj që duket se është një aktivitet kriminal.” Bob Hand nga ana e tij ngriti dje pikëpyetje për aftësinë e kryeministrit për të drejtuar Shqipërinë, njësoj siç bënin këtu e 15 vjet më parë gazetat e kancelaritë perëndimore. Sjellja e Kryeministrit me institucionet, ashtu si dhe 15 vjet më pare ka tronditur gjithë komunitetin ndërkombëtar-Uashingtonin, Brukselin e presidencën Daneze. Nuk besoj se e kanë fjalën për ligjet me 3/5. Hajde prit pastaj integrim të Shqipërisë në BE e të vazhdojmë të flasim për 12 pikat.
Ngjarja e 21 Janarit do ta ndjekë si hije kryeministrin dhe gjithë kohortën e tij vrastare pasi ai qe një krim i pastër politik i kryer në gjakftohtësi, me urrejtje e burracakëri. Populli ja ka bërë profilin kriminal. Tashmë është çështje kohe. Drejtësia do të bëhet!







