Postuar më: 06/11/2009
Opozita ka protestuar sërish duke kërkuar hapjen e kutive, këtë herë në qytetin e Elbasanit. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama e ka hapur fjalën e tij duke përmendur rastin e dhunimit të gazetarit nga një biznesmen i lidhur ngushtë me Familjen në pushtet, si shembullin më të fundit të abuzimeve nga pushteti i mbrapshtë i Sali Berishës. Ai është shprehur se oreksi i familjes dhe klaneve të lidhura me të tashmë po bëhet i pandalshëm, duke gllabëruar jo vetëm paratë, por edhe pronat e shqiptarëve. Edi Rama ka theksuar po ashtu domosdoshmërinë e hapjes së kutive dhe zbardhjen e manipulimeve të votës, si një parakusht për t’i dhënë fund këtij pushtetit familjar e klanor që po e zhyt vendin çdo ditë e më shumë në një krizë ligjore, morale e politike. Më poshtë pjesë nga fjala e Kryetarit të PS Edi Rama në protestën e zhvilluar në qytetin e Elbasanit: “Një gazetar i padishërueshëm për pushtetin e familjes së Sali Berishës, u gjakos nga një biznesmen i familjes, i cili falë mbrojtjes së paligjshme të Sali Berishës, nuk paguan taksat dhe i përzë me policë shteti punonjësit e tatimeve që trokasin në dyert e biznesit të tij, sepse në Shqipëri nuk ka shtet ligjor, por pushtet fisnor. Shteti i shqiptarëve ka dalë nga binarët e Kushtetutës dhe të ligjit dhe është vënë në shërbim të familjes në pushtet, duke shpërfillur dhe shkelur brutalisht liri dhe të drejta kushtetuese kudo ku pushteti i familjes ka interesa ekonomike, abuzive, korruptive. Pushteti i dalë nga padrejtësia mbi zgjedhjet e 28 qershorit, e ka kthyer tërësisht shtetin e së drejtës në një fuqi të padrejtë që nuk i shërben ligjit dhe as qytetarëve shqiptar, por Sali Berishës dhe familjarëve të tij. Sali Berisha i grabiti zgjedhjet për të vazhduar të grabisë Shqipërinë dhe shqiptarët. Pushteti i familjes Berisha dhe i sojit e sorrollopit të tij, tanimë është shfaqur me të gjithë arrogancën dhe injorancën e vet. Sali Berisha e ka kthyer tryezën e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë në një shesh ku çdo mbledhje bën një përshesh, për oreksin e pashuajtshëm të familjes së vet. Pronat publike dhe private bëhen tanimë çdo javë kurban në tryezën e qeverisë dhe kthehen direkt ose indirekt në prona të familjes që qeveris Shqipërinë. Sali Berisha nuk do që kutitë e votimit të 28 qershorit të hapen, sepse brenda në ato kuti është fundi i pushtetit të familjes së tij, që për interesa pronësore dhe financiare, e ka zhytyr në krizë demokracinë, shtetin e së drejtës, ekonominë e familjeve shqiptare. Rastet rënqethëse të bregdetit të Shqipërisë, ku Sali Berisha ka tjetërsuar miliona metra katror prona në favor të tij dhe soj e sorrollipit të tij, janë një dramë e jashtëzakonshme për mijëra, ndoshta për dhjetra mijëra familje shqiptare, që pasi kanë jetuar 20 vjet me ëndrrën e kthimit të pronës së gjyshërve të tyre, po jetojnë tanimë me makthin e tjetërsimit të saj të dhunshëm, në adresë të njerëzve të lidhur me familjen Berisha. Këta “pronarë” të krijuar në labirinthet e korrupsionit mafioz të pushtetit të Sali Berishës me pronat gjatë 4 vjetëve të shkuara, po shfaqen pas zgjedhjeve të 28 qershorit, për të transformuar letrat e nxjerra nga ato labirinthe në investime që legalizojnë një grabitje tokash me përmasa kolosale. Sali Berisha nuk do që ato kuti të hapen, sepse hapja e kutive të 28 qershorit, i hap rrugën drejtësisë për të gjykuar lirisht dhe ndëshkuar me forcën e ligjit fajtorët për tragjedinë e Gërdecit dhe për grabitjen marramendëse të fondeve të rrugës së kombit. Tuneli i Kalimashit u mbyll pa afat, sot media lajmëroi për shembje në një pjesë të tij, që ka ardhur për shkak të dëmtimeve të rënda. Kjo është një një vepër madhore e kombit, po për fat të keq edhe në rrugën e kombit Sali Berisha gjeti rrugë për të vjedhur paratë e shqiptarëve. Hapja e kutive është çlirimi i shqiptarëve nga vetë Sali Berisha. Nëse ne do të pranojmë se kutitë e 28 qershorit nuk do të hapen për ne dhe për gjithë popullin shqiptar nën dritën e diellit, me të drejtën që ligji dhe me të drejtën që Zoti i jep popullit sovran, atëherë kemi pranuar për kushedi sa kohë akoma zgjedhën e këtij pushteti të padenjë për këtë vend. E kemi shpallur në çdo qytet ku ka kaluar lëvizja jonë për hapjen e kutive të 28 qershorit dhe po e përsërisim edhe këtu mes jush, se në 20 nëntor, ne do të rimblidhemi të gjithë në Tiranë. Më të shumtë e më të vendosur se kurrë, për të kërkuar me më shumë forcë se asnjëherë tjetër një të drejtë që nuk na e ka dhënë Sali Berisha dhe nuk na e mohon dot kurrë Sali Berisha. Jam i bindur se ka ardhur koha. Jam i bindur se është pikërisht ky momenti historik kur Shqipëria dhe shqiptarët duhet të ndahen një herë e mirë, në mënyrë të pakthyeshme nga tradita e mbrapshtë e zgjedhjeve të deformuara dhe të kontestuara, nga standardet e padenja për një vend evropian, nga politika e vjetër e pushtetarëve të korruptuar e korruptues që i grabisin zgjedhjet e shqiptarëve për të forcuar zgjedhën e interesave të tyre mbi shqiptarët. Mospranimi për t’i hapur kutitë e votimit dhe për t’i dhënë popullit sovran të drejtën e transparencës për zgjedhjet që ka bërë më 28 qershor, është prova e frikës së madhe që ka Sali Berisha nga e vërteta, por edhe prova e së vërtetës së madhe që ne do të mbrojmë pa frikë dhe pa lodhje deri në fund, deri kur të realizohet kërkesa jonë legjitime. Deri kur Shqipëria të jetë përgjithmonë e qytetarëve të saj dhe kurrë më preja e pushtetit të radhës. Kërkojnë të përcajnë opozitën me diversione të turpshme,e iu thonë të pavërteta nga një përditë, lidhur me mandatin e deputetëve të PS, ne nuk hyjmë dhe nuk do të hyjmë në Kuvend për t’u bërë bashkëfajtor në mbylljen e syve përpara të vërtetës dramatike të 28 qershorit, por nga ana tjetër mandatet e deputetëve të Partisë Socialiste nuk digjen dhe nuk do të digjen sepse i kanë ato mandate për t’i dhënë fund zgjedhës së interesave të pushtetit familjar të Sali Berishës. 20 nëntori është një ditë e shënuar në këtë përpjekje historike, për t’u ndarë nga një traditë e shëmtuar që arriti kulmin në 28 qershor. Në 20 nëntor, jo vetëm që ju jeni këtu, por së bashku me fqinjët, miqtë e të afërmit, së bashku me të gjithë ata që mund të lajmëroni, duhet të vini medoemos në Tiranë, në sheshin “Skënderbej”, për një manifestim të madh, në emër të lirisë. Të cilën nuk na e ka dhënë Sali Berisha, por na e ka dhënë Zoti, që na ka bërë të gjithëve njësoj, dhe e drejta jonë e fituar në një përpjekje kundër një diktature të vjetër, që nuk mund të rikthehet në rrugën tonë, në asnjë formë të re.”
Ka qenë deputetja e qarkut, Valentina Leskaj, ajo e cila ka mbajtur fjalën hapëse në protestën e opozitës në Elbasan:”Ky pushtet po na jep ç’do ditë provat e ngushtimit të lirive dhe të drejtave njerëzore, si kurrë ndonjëherë në këto 20 vjet. Gjithçka po dhunohet në emër të familjes në pushtet, në emër të monarkëve të rinj, duke vrarë lirinë tonë dhe demokracinë. Më pas duke ju referuar tragjedisë së Gërdecit, ajo tha se “Plaga e hapur në Gërdec kërkon drejtësi, por kryepërgjegjësi, që rri në krye të qeverisë, vazhdon të punojë për vete, jo për shqiptarët.” Leskaj ka theksuar se ne duhet të jemi të gjithë bashkë për të kërkuar drejtësi dhe se “Drejtësia fillon nga vjedhja e votës, e cila shërben si jorgan për shkaktarët e tragjedisë Gërdecit, shërben si jorgan për varfërinë, korrupsionin dhe të gjitha zullumet e kësaj qeverie. Sipas deputetes së PS, Shqipëria sot nuk qeveriset po sundohet dhe është Sali Berisha që mban peng të vërtetën në kuti. “Dua t’i them atij, se ne jemi të vendosur sot më shumë se kurrë të mbrojmë kauzën tonë të drejtë. Hapja e kutive është detyrimi i madh për tu kthyer qytetarëve, liritë e cënuara, dinjitetin e nëpërkëmbur, shtetin e së drejtës. Në fund të fjalës së saj Leskaj ju ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që në 20 Nëntor, të jenë të gjithë bashkë në Tiranë, në sheshin Skënderbej.
Deputeti socialist i Elbasanit, Ilir Bejtja është shprehur se opozita dhe qytetarët janë mbledhur në shesh “për të bërë njëherë e mirë ndarjen nga ajo e kaluar e shëmtuar e zgjedhjeve, me standarde të deformuara”. Sipas tij ka mbaruar koha kur shqiptarët të drejtohen nga qeveri që ngrihen nga vjedhja e votës. Bejtja theksoi se ka vetëm një arsye pse nuk hapen kutitë e votimit. “Ata duan të vendosin pushtetin e korruptuar mbi pushtetin tuaj”. Deputeti socialist tha se shtrembërimi i votës dhe vullnetit të popullit do të thotë edhe standarde të deformuara dhe këto nuk garantojnë hyrjen në Bashkimin Evropian, përkundrazi. Prandaj opozitës dhe popullit opozitar i mbetet vetëm një rrugë. “Ato parrulla që keni në duar duhet të jetë motoja jonë. Edhe në Elbasan rezultati është po aq i shtrembëruar sa në gjithë Shqipërinë. Vota jonë është e dhunuar dhe ndodhemi këtu për të protestuar për të hapur kutitë. Të shohim votën tonë. Nga sot deri në hapjen e kutive, vetëm një objektiv, një kërkesë e panegociueshme: Të hapen kutitë”. Bejtja u shpreh se protesta do të vazhdojë në formë demokratike dhe me shumë intensitet deri në Tiranë sepse shqiptarët duhet ta lexojnë votën e tyre ashtu si e kanë hedhur.
“Të gjithë së bashku dhe kështu do të jemi derisa kjo qeveri e korruptuar të hapë kutitë e votimit që të gjithë ne, çdo shqiptar të marrë vesh maskaradën që është bërë në 28 qershor”. Deputeti socialist i Elbasanit, Agim Leka tha se kërkesa për hapjen e kutive është një e drejtë që nuk mund të mohohet. “Duhet të hapen kutitë, që e vërteta e fshehur në ato kuti të dalë në shesh. Nuk mund të ketë demokraci pa transparencë të votës së lirë, pa votime të lira. T’i japim fund korrupsionit dhe prapambetjes që po krijon ky pushtet obskurantist në Shqipëri” përfundoi ai.
Deputeti socialist i Elbasanit, Skënder Hasa u shpreh në fjalën e tij se në 28 qershor, vota u grabit dhe tjetërsua, pavarësisht se cili qe vullneti i zgjedhësve. “Një qeveri e dalë nga vjedhja e votës nuk sjell zhvillim”. Sipas Hasës, një qeveri e tillë pjell vetëm paaftësi dhe korrupsion, prova që po i tregon dukshëm qeveria aktuale. “Berisha ka frikë nga e vërteta në kutitë e votimit, prandaj nuk i hap ato” u shpreh deputeti i PS. “Ne socialistët jemi të bindur në qëndrimin tonë për të mos shkuar në parlament derisa të hapen kutitë” theksoi Hasa, duke shtuar se me këtë qëllim nuk i shërbejnë vetëm Partisë Socialiste dhe opozitës, por gjithë shqiptarëve.
Deputetja e Partisë Socialiste, Shegush Ligori deklaroi se opozita është e vendosur në qëndrimin e saj për transparencën e zgjedhjeve dhe Berisha dhe maxhoranca duhet të hapin rrugën. “Në ato kuti është e ardhmja evropiane e Shqipërisë” tha ajo, duke shtuar se Berisha dhe njerëzit e tij jo vetëm që duan të mbajnë vendin larg nga Evropa, por vazhdojnë të marrin vendime të jashtëligjshme, duke ushtruar presion edhe mbi gjykatën. “Na kërcënojnë se do të humbasim mandatet. Qesharakë! Ata kërkojnë të bëhemi pjesë e mashtrimit” deklaroi deputetja Ligori. “Jemi qytetarë që duam ta kemi Evropën në Shqipëri. Ne refuzojmë të bëhemi noterë të krimit. Mandati ynë është i juaji, që na keni votuar”. Sipas saj, Elbasani do të jetë vazhdimisht trashëgimi e njerëzve të fortë. “Duke qëndruar jashtë parlamentit të dhunuar, ne do të mbrojmë lirinë tonë. Shqipëria mund të bëhet o sot o kurrë”. Deputetja e Elbasanit ka përfunduar fjalën duke ftuar gjithë shqiptarët, anë e kënd saj që të mblidhen të gjithë bashkë në 20 nëntor në Tiranë, për hir të lirisë, të qytetarisë dhe të ardhmes së fëmijëve.
“Pjesëmarrja juaj masive konfirmon drejtësinë e kauzës sonë. Zëri juaj kumbon gjithmonë e më fort, përveç se në veshët e armikut të votës së lirë”. Deputeti i qarkut të Elbasanit, Damian Gjiknuri, në fjalën e tij përpara protestuesve ka hedhur poshtë pretendimet e Berishës për të mos hapur kutitë e votimit, duke pretenduar se nuk e lejon vendimi i Gjykatës. Sipas tij, ky pretendim nuk mund të qëndrojë për një kryeministër që ka shkelur 15 herë Kushtetuën vetëm në mandatin e parë, një kryeministër që fsheh ministrat e tij nga gjykata dhe “i cili servir përralla të tilla vetëm se ka frikë të hapë kutitë”. Gjiknuri tha se: “Asnjë vendim kushtetues nuk e pengon parlamentin të hetojë këto kuti votimi. Ne kërkojmë vetëm zbardhjen dhe ndëshkimin e atyre që futën duart në këto kuti”. Duke sjellë në kujtesë deklaratën e Kryeministrit për hapjen e kutive, që janë cilësuar si “ogur i zi”, deputeti socialist u shpreh: “Nëse Berisha është i vendosur në fitoren e tij le të hapë kutitë dhe të demaskojë kauzën e opozitës”. Në përfundim të fjalës së tij, Gjiknuri shtoi: “Beteja jonë për transparencën e zgjedhjeve është betejë për të shpëtuar zgjedhjet e ardhshme, për sovranitetin popullor mbi të cilën nuk mund të dalë as Sali Berisha dhe as ndonjë tjetër që kërkon ta shesë këtë kauzë në emër të integrimit”.
“Ndihem i emocionuar që për herë të parë në Shqipëri, si një llavë, po shpërthen protesta për votën e lirë”. Kreu i PLD, Spartak Ngjela u shpreh se kjo dëshmon se shqiptarët do ta realizojnë më në fund ëndrrën e tyre. “Të rrojnë me dinjitet, të ndërrojnë qeverinë sa herë të duan, që në muajin e pare, nëse ajo shkel mbi shpatullat e shqiptarëve”. Duke folur përpara protestuesve në Elbasan, Ngjela theksoi se kërkohet transparenca për votën, të mbërthyera në kutitë e Berishës, që ai e ka cilësuar si vjedhësin më të madh të historisë shqiptare. “Kryeministri Sali Berisha është jo vetëm një kryeministër i paaftë, uzurpator, por është edhe një e keqe e madhe për Shqipërinë që duhet ta shporrim sa më parë”. Sipas kreut të PLD, kryeministrit nuk i mjaftoi që vodhi prona e toka të Shqipërisë dhe shqiptarëve, por futi duart edhe në vota. “Ai mori inciativën për të manipuluar zgjedhjet për herë të dytë. Kjo është e rëndë dhe ai rëndë do ta paguajë”. Ngjela u shpreh se sa më shumë të zvarritet transparenca e votës, aq më shumë inkriminohet kryeministri. Kryetari i partisë për Ligj dhe Drejtësi akuzoi drejtpërdrejt kreun e qeverisë si pengesë kryesore që mban shqiptarët larg nga integrimi evropian. “20 nëntori do të jetë dita e ndarjes me të keqen. Asaj do t’i themi ndal përfundimisht për të fituar lirinë tonë të nëpërkëmbur prej 7 apo 8 dekadash”. Ngjela theksoi se transparenca e votës do të jetë një normë që pasi të vendoset nuk do të hiqet asnjëherë nga historia e zgjedhjeve në Shqipëri.
Deputeti socialist i Librazhdit, Taulant Balla, ka deklaruar përpara qytetarëve të Elbasanit se Kryeministri i vendit nuk pranon të hapë kutitë e votave të 28 qershorit, sepse nuk ka mbyllur akoma pazaret në kurriz të ligjit dhe shqiptarëve dhe në përfitim të Familjes së tij. Pazari më i fundit është ai i tokës së qendrës së Tiranës që ka deklaruar se do të shesë me 2 mijë euro, para të cilat do t’i fusë në xhepin e tij. “Berisha nuk i hap kutitë sepse do të shesë tokat shtetërore dhe do të legalizojë vilat e familjes” tha Balla. Sipas tij, Berisha nuk do që të hapë kutitë për të vazhduar marrëdhëniet korruptive me klientin e tij ARMO dhe Taçin. “Berisha nuk pranon t’i hapë kutitë sepse ministrat e tij janë në kërkim”. Deputeti socialist tha se nuk është në nderin e Elbasanit, të ketë për deputet një ministër në kërkim, siç është ministri aktual i Brendshëm. “Gërdeci rëndon rëndë në përgjegjësinë dhe moralin e Sali Berishës” theksoi Balla. Ai u shpreh se duke mbajtur të mbyllura kutitë e votave, kryeministri kërkon që të mbajë edhe shqiptarët të mbyllur në kutitë e vizave.”Prandaj duhet të jemi të gjithë bashkë në 20 nëntor për të larguar njëherë e mirë këtë të keqe të madhe që e ka emrin Sali Berisha dhe turma e tij”.
Kreu i G99, Erion Veliaj ka përshëndetur qytetarët e Elbasanit për mbështetjen dhe pjesëmarrjen në protestën e opozitës. “Kjo lëvizje është duke u forcuar çdo ditë që nga dita kur filloi në Tiranë dhe në çdo qytet” tha ai. Duke iu drejtuar të rinjve, Veliaj u shpreh: “Dua të flas me të rinjtë se dua të kuptoni ju, bashkëmoshatarë që kemi një shanc për të bërë histori”. Kreu i G99 theksoi se të pakta janë mundësitë për të ecur përpara për ata të rinj shqiptarë që nuk e kanë babanë kryeministër dhe nuk kanë mbiemrin Berisha, por sipas tij, çdo njëri prej nesh ka mundësinë për t’i përmirësuar vetë shanset e veta. Duke iu referuar debatit të dy ditëve më parë në një prej televizioneve kombëtare, Veliaj shtoi: “Në media patë dje debate ku disa zyrtarë të veshur me pushtet që thonë se të gjithë ata që nuk kanë të njëjtin mendim me Berishën duhen rrahur. Këtyre qenve që lehin, por nuk kafshojnë ne u themi që nuk kemi frikë dhe këtë e tregon se sa shumë jemi sot. U themi se do t’u vijmë në dyert e shtëpisë në 20 nëntor” përfundoi kreu i G99.







