Postuar më: 21/04/2010
Intinerari i protestave që janë përhapur tani në gjithë Shqipërinë e ka gjetur Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Ramën në qytetin e Lezhës, qytet ky i cili bashkë me zonën përreth është përmbytyr për të katërtën herë brenda këtij viti.
Gjatë fjalës së tij Rama ka folur për problemin më të madh të kësaj zonë, që është ai i përmbytjeve. “Gjëra që ndodhin një herë në 100 vjet në qeverinë dhe pushtetin e korruptuar të Saliut që nuk e bëjmë dot mbret, ndodhin dhe tre herë në katër muaj”.
Në këtë takim me banorët Rama shoqërohej dhe nga aleati Spartak Ngjela, i cili ka hedhur akuza të ashpra për qeverinë dhe si Rama u ka bërë thirrje banorëve të bashkohen në protestën e 30 prillit.
“Në 30 prill të gjithë në Tiranë që t’i japim jetë së bashku një proteste që të mbyllet një kapitull i shëmtuar padrejtësisht, që i ka rrënjët pikërisht tek kutitë e mbyllura.” - ka thënë Rama në mbyllje të bisedës së tij.
Më poshtë fjala e Kryetarit Rama në Lezhë:
Kur Shkodra dhe Lezha u përmbytën katër muaj më parë Sali Berisha tha: “Kjo ndodh njëherë në 100 vjet.” Mbas një muaji dhe pa kaluar i dyti, Shkodra u përmbyt përsëri, sot përsëri po përmbytet . Pra, gjëra që ndodhin një herë në 100 vjet në qeverinë dhe pushtetin e korruptuar të Saliut që nuk e bëjmë dot mbret, ndodhin dhe tre herë në katër muaj.
Kjo është qeveria që të gjithë e kanë marrë vesh që i vodhi zgjedhjet. Të gjithë po e marrin vesh që pushteti i vjedhur nuk mund të hapë vende pune, por vetëm mund të përmbysë tre herë më katër muaj, duke shkaktuar dëme të pashkaktuara në 100 vjet dhe flak çdo ditë njerëz në rrugën e papunësisë.
Të gjithë po e shohim se me votat e vjedhura Sali Berisha, nuk po e nxjerr ekonominë nga kriza, po vetëm po shton borxhet, po rrit çmimet dhe po zmadhon gënjeshtrat.
Sot e dinë jo vetëm ata që e kanë kryer krimin elektoral, por e kanë marrë vesh të gjithë se më 28 qershor Partia Socialiste i fitoi zgjedhjet dhe nuk u zgjodh, vetëm sepse zgjedhjet u vodhën, duke mbushur kutitë si në Ruzhdie, edhe këtu në rrethinat e Lezhës, edhe më tutje, deri në Tropojë.
Sot Shqipëria nuk qeveriset nga ata që ka zgjedhur, por nga ata që nuk e lanë popullin të zgjedhë. Më keq akoma sot, pushteti i Sali Berishës nuk ka fundosur vetëm zgjedhjet, por ka fundosur dhe ekonominë shqiptare, duke bërë të humbasin 71 mijë vende pune vetëm në tre muajt e fundit. Më shumë se 100 mijë vende pune kanë humbur që nga 28 qershori kur Sali Berisha i premtonte shqiptarëve se do hapte 80 mijë vende të reja pune.
Ekonomia shqiptare po fundoset sepse po rritet përditë fatura e ushqimeve, të energjisë, të ujit, ilaçeve, ndërkohë që po zvogëlohen përditë mundësitë për të gjetur një punë.
Protesta jonë për hapjen e kutive është dhe barrikada jonë kundër rrënimit ekonomik. Unë ju jam mirënjohës të gjithëve ju që keni dalë sot në këtë protestë dhe keni sfiduar frikën që po mundohet të kallin në çdo shtëpi këta njerëz që pasi vodhën votat, duke shkatërruar edhe ekonominë tuaj, kërkojnë që ta sundojnë këtë vend përmes frikës. Nuk janë të aftë ta qeverisin këtë vend duke i dhënë njerëzve mundësi që të zhvillojnë talentet e tyre, që të jetojnë normalisht me punën e tyre të ndershme dhe që t’i votojnë dhe t’ju shërbejnë ashtu siç duhet. Pikërisht për këtë kërkojnë që t’i sundojnë shqiptarët përmes frikës, duke ju thënë mos dilni në protestë sepse do t’ju heqim nga puna, jo më juve që ju kemi hequr, por do t’u heqim edhe kushërinjtë tuaj, edhe kushërinjtë e kushurinjëve.
Ndërkohë që ne nuk mund ta pranojmë që në Shqipërinë e vitit 2010 kjo të kthehet në një normë dhe të qeverisemi jo nga ata që zgjedhim, por nga ata që nuk na lënë të zgjedhim. Ndaj unë ju ftoj të gjithëve ju që bashkë me miqtë tuaj, bashkë me fqinjët tuaj, bashkë me familjarët tuaj, në 30 prill të vini në Tiranë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të kërkuar me forcë të gjitha liritë dhe të drejtat e shkelura. Për Shqipërinë që meritojmë pa vjedhje votash, pa grabitje pronash publike e private, pa nëpërkëmbje njerëzish për shkak të bindjeve të tyre dhe pa plehra dhe shkatërrim të natyrës kudo ku hedh sytë.
Në 30 prill në Tiranë për të fituar të drejtën që ta gjykojmë me votë një pushtet që po i detyron të gjithë ta paguajnë përditë e më shtrenjtë faturën e grabitjes. Në 30 prill në Tiranë për votën e vjedhur për dritat e ujin e shtrenjtuar, për çmim e papërballueshëm të ushqimit, për humbjen e vendit të punës, për derën e mbyllur të shpresës.
Shqiptarët nuk mund ta paguajnë përditë e më shtrenjtë nga xhepi i tyre çmimin e krimit elektoral, duke humbur vende pune, duke humbur fuqi blerëse, duke humbur pavarësi ekonomike në një tunel borxhesh, kur Sali Berisha po shet të ardhmen për karrigen e tij dhe për interesat e pushtetit të tij. Ky është një pushtet pa të ardhme që e mban peng Shqipërinë me armët e të shkuarës. Me zgjedhje si në Ruzhdie nuk ka asnjë mundësi të ketë demokraci, drejtësi, ekonomi si në Europë, prandaj hapja e kutive të të gjitha Ruzhdieve dhe garancia se ato që ndodhën në 28 qershor nuk do të përsëriten më kurrë përbën një kusht themelor jo thjesht për të dalë nga kriza politike, por dhe për të filluar shërimin e ekonomisë së vendit, duke shëruar ekonominë e çdo familjeje Shqiptare.
Një qeverisje që populli nuk e ndryshon do me votë është një sundim që nuk ndjen asnjë përgjegjësi për punën dhe pronën e askujt, për ekonominë dhe për korrupsionin në kurriz të të gjithëve, për të sotmen e për të ardhmen e të gjithë atyre që nuk jetojnë në oborrin e familjarëve dhe klientëve të pushtetit, të cilët majmen duke tjetërsuar pikërisht liritë, të drejtat, pronat e një populli të tërë.
Prandaj të bashkohemi të gjithë në 30 prill në Tiranë për t’i refuzuar faturat e papërballueshme të kësaj qeverie që zhytet përditë në borxhe, që i marrin ata, por që i paguani ju.
Në 30 prill në Tiranë për të marrë në dorë fatin e çdo familje e për të dalë nga kurthi i kësaj krize ekonomike që çdo ditë që kalon e bën më të vështirë fundin e muajit për çdokënd që nuk jeton në oborrin e pushtetit.
Miqtë e mi unë kam bindjen se rruga e protestës është e vetmja rrugë e arsyeshme për të zmbrapsur arsyen e forcës që na është vënë përballë, duke na penguar, jo thjesht që të zgjedhim me votë, por dhe që të zgjidhim çdo hall e problem që nuk mund të zgjidhet në rast se qeveria nuk del nga vota e zgjedhëse, po nga zgjedha mbi votën.
Kutitë e mbyllura në 28 qershor nuk janë arka që mbajnë brenda disa fletë, por janë bankat ku çdo qytetar ka investuar ëndrrat e veta, ka investuar dëshirat e veta, ka investuar shpresat e veta. Për këtë arsye beteja jonë për hapjen e këtyre kutive nuk është një sherr për një pronë, për të cilën grinden dy palë, por është një betejë që më në fund qeveria në këtë vend të jetë e popullit, me popullin, për popullin e jo e një grushti njerëzish që nuk e lënë popullin të votojë dhe pastaj nuk kanë vesh për ta dëgjuar dhe as sy për ta parë se ku populli jeton, duke e përmbytur kur nuk ka asnjë arsye për përmbytje, duke e grabitur, kur në fakt janë të gjitha arsyet që ai të jetë i mirëqenë.
Të bashkuar ne mund t’i japim fundin që meriton këtij pushteti që pasi fundosi zgjedhjet po fundos edhe ekonominë duke i lënë njerëzit përditë e më të papunë, përditë e më të pashpresë. Në 30 prill të gjithë në Tiranë që t’i japim jetë së bashku një proteste që të mbyllet një kapitull i shëmtuar padrejtësisht, që i ka rrënjët pikërisht tek kutitë e mbyllura, ku mbahet peng me dhunë vullneti i populli sovran, të cilin populli duhet ta marrë në dorë për ta zgjedhur me dorën e vet çdo qeveri dhe për ta vënë atë përpara gjykimit të vet sa herë që vijnë zgjedhjet. Përndryshe një qeveri që e merr votën edhe kur qytetari nuk ja jep nuk ka nevojë fare që të mendojë për qytetarin, por mendon vetëm për pushtetarin.
Në qoftë se shqiptarët nuk duan ta mbajnë më tutje në kurriz këtë sundim dhe këtë pushtet atëherë është fare e thjeshtë, e kanë në dorë që ta largojnë duke i dalë përballë ashtu si çdo popull që nuk e negocion lirinë dhe dinjitetin e vet dhe që nuk e shet për asnjë arsye në botë të drejtën e tij sovrane.







