Postuar më: 06/01/2010
Deputeti socialist Erion Brace, një një komunikim me mediat, ka bërë apel, të mërkurën në mesditë për të gjithë banorët e Shkodrës të cilët e kanë jetën në rrezik, që të pranojnë të evakuohen. Brace gjatë deklarimit për shtyp ka bërë thirrje “ kjo është sakrifica juaj për të shpëtuar jetën e mijëra shqiptarëve të tjerë, nga rreziku i thyerjes së digave më të mëdha në Shqipëri, vënë nën këtë rrezik nga Qeveria e Shqipërisë!”
Së pari: Dua të apeloj fort për të gjithë banorët e Shkodrës, ata në zonën e katastrofës por edhe ata në zonën e rrezikut, të evakuohen! Sa më parë! Rreziku është shumë i lartë dhe situata do të bëhet edhe më e rrezikshme, në një zonë edhe më të gjerë, për jetën e tyre e të familjeve të tyre! Jeta është shumë më e shtrenjtë, na ka mbetur për të kujdesemi vetë, pa pritur të na i marrë Qeveria!
Këtë apel PS po e përcjell në mënyrën më të përgjegjëshme, me cdo mjet e mënyrë komunikimi, me të gjithë forcën e strukturën e saj, në terren, për më shumë se 48 orë, me qëllim mbijetesën e cdo shqiptari nga Shkodra e Lezha i ndodhur në rrezik familjarisht!
Së dyti, e shoh në sy dhe e ndjej me zemër cdo shqiptar të Shkodrës për të apeluar tek ata: Largohuni! Kjo është sakrifica juaj! Qeveria ka lënë vetëm një mundësi në këto kushte: Shkarkimin e ujit në sasi të mëdha nga liqenet e hidrocentraleve dhe zgjerimin e zonës së katastrofës nën ujë! Po e përsëris: Largohuni! Kjo është sakrifica juaj për të shpëtuar jetën e mijëra shqiptarëve të tjerë, nga rreziku i thyerjes së digave më të mëdha në Shqipëri, vënë nën këtë rrezik nga Qeveria e Shqipërisë!
Nëse “Gërdeci material” po konsumohet, ju keni në dorë të ndalni “Gërdecin njerëzor”
Së treti, katastrofa që po konsumohet në dëme të medha materiale-pronësore e që rrezikon të thellohet, në dëme njerëzore, materiale-pronësore, ekonomike gjithashtu, nuk është produkt i kushteve atmosferike.
Të gjitha të dhënat që ne disponojmë, që janë zyrtare e publike, dëshmojnë për një vjeshtë e dimër të saponisur në kushte normale, me rreshje të trendit të zakonshëm, aspak të jashtëzakonshme në kufij që mund të justifikoj këtë gjëmë.
Numrat rrëzojnë alibinë me “ngrohje globale” të Kryeministrit Sali Topalli, po aq sa kori popullor “na myti shteti” adreson përgjegjësinë penale tek Qeveria! Alibia e “aksidentit teknologjik” në Gërdec e përsëritur në formën e “katastrofës natyrore” në Shkodër nuk shpëton më dot kërkënd!
Së katërti, katastrofa që po konsumohet është pasojë direkte e paaftësisë kriminale, papërgjegjshmërisë ligjore e administrative, korrupsionit vrasës të Qeverisë së Sali Berishës. Kjo nuk është akuzë politike por një renditje faktesh zyrtare!
1- E gjendur në situatë të vështirë ekonomike për shkak të të ardhurave të munguara, Qeveria vendosi të bëjë biznes me ujin në hidrocentrale për të shpëtuar llogaritë e saj
2- Prodhimi dhe eksporti i fortë i energjisë elektrike- praktikisht ky është anormal në segmentin krahasues të disa periudhave-është parë si mundësia reale që Qeveria të rregullojë llogaritë e saj
3- Për këtë arsye është stimuluar fort mbledhja e ujit në liqenet e hidrocentraleve të kaskadës së Drinit, vecmas në Fierzë, hidrocentrali atje, në nëntor e dhjetor nuk ka punuar thuajse fare në të gjithë agregatët e tij
4- Ky qëllim i Qeverisë, ka detyruar një rregjim të fortë importi për OSSH-CEZ, import që vijon edhe tani. Por, në mënyrën më të habitshme e gjitha kjo ka ndodhur kur të paktën Ministria e Ekonomisë ishte në dijeni të gjendjes së vështirë në liqenet e kaskadës së Drinit. 20-30 ditë më herët, në datë 8 nëntor Ministri i Ekonomisë kishte ngritur një komitet të posacëm për të menaxhuar situatën hidroenergjitike në vend. Dëshmi e fortë se menaxhimi i tillë me rregjim importi dhe mbledhje uji në liqene ka qenë i qëllimtë
5- Menaxhimi i ujit në liqenet e kaskadës së Drinit për qëllime biznesi, duke shkelur cdo ligj, cdo rregullore të administrimit të tyre në fuqi, cdo rregull bazë të sigurisë kombëtare, bëri që në Fierzë, Qeveria të conte nivelin e ujit në liqenin e hidrocentralit në mbi 195 m, 5 m mbi nivelin e sigurisë e disa metra të tjerë mbi nivelin e lejuar të periudhës. Dje, Ministri i Ekonomisë dëshmoi se, me vetdije, për 10 ditë, Qeveria e ka mbajtur Fierzën në këtë nivel të lartë rreziku që tani po shkakton këtë katastrofë. Fierza vijon të jetë në këtë nivel rreziku, mbi nivelin e sigurisë edhe tani, si prova më e qartë e shkakut të katastrofës dhe menaxhimit kriminal të Qeverisë
6- Paradoksale është por nga e gjithë kjo katastrofë, nga pikpamja ekonomike financiare Qeveria po del me fitim. Dy ditë më parë Drejtori i KESH i tha medias se paratë që po bënin nga biznesi me ujin përmes eksportit do t’i përdornin për të shlyer kreditë dhe detyrime të tjera ndaj Qeverisë
7- Paligjshmëria dhe shkelja e rregullave të administrimit, sipas dëshmive është e qartë edhe në gjendjen e gadishmërisë së portave të punës dhe të avarisë në të tre hidrocentralet e Drinit, gjë që rrezikon ta bëjë të pakthyeshme situatën e rrezikut dhe të përhapë zonën e katastrofës edhe më gjerë
Nisur nga sa më sipër, evident është fakti se veprat penale po kryen në kushtet e flagrancës, provat janë mëse të qarta.
Ne vërejmë me keqardhje të thellë se Prokuroria e Republikës, pavarësisht faktit të konsumimit të veprave penale në kushte flagrance, është tërësisht jashtë funksioni, nuk po bën detyrën e saj kushtetuese, në mënyrë të përsëritur, sic para 8 javësh në tunelin e Kalimashit.
Po apelojmë sot edhe një herë, në kushte thellësisht të tjera dhe reflektimi, Prokuroren e Përgjithshme, të urdhërojë nisjen e hetimeve brenda kopetencës së saj kushtetuese, të nisë sa më parë veprimet hetimore për të disponuar provat që janë publike e në rrezik eleminimi të pakthyeshëm, administruar dëshmitë e vetë ministrave e administratorëve të tjerë, të përfshirë qartësisht në vepra penale me pasojë këtë katastrofë!







