Postuar më: 31/01/2012
Ashtu siç u pati premtuar qytetarëve të Luginës së Preshevës vetëm dy ditë më parë, Kryetari i PS Rama të martën në mesditë lançoi nismën e forcës politike që drejton për të bërë të mundur që Shqipëria të financojë ndërtimin e dy shkollave shqipe dhe një materniteti. Rama në mbledhjen e parë të grupit parlamentar ka falenderuar të gjithë qytetarët e Preshevës dhe të zgjedhurit atje për pritjen që i rezervuan
“Programi ynë i ri “Për një Rilindje Shqiptare” ka një kapitull që i kushtohet ribashkimit me Europën, në frymën e gjithë përpjekjes historike të shqiptarëve për të qenë pjesë e pandarë e Europës”, nënvizoi lideri i opozitës, duke shtuar se “ky kapitull do të kthehet në një angazhim të detajuar qeverisës të Partisë Socialiste në prag të zgjedhjeve të ardhshme.”
Por Rama theksoi se nuk ka kohë për të humbur. “Le ta formulojmë sa më parë një nisëm ligjore parlamentare dhe t’i vëmë këto financime në dispozicion të administratës vendore atje.”u shpreh ai në mbledhjen e grupit.
Lideri i socialistëve i la angazhim komisionit parlamentar të integrimit të përgatisë me kolegë e me ekspertë një paketë të plotë propozimesh në funksion të një strategjie të përbashkët bipartizane për adresimin sa më të efektshëm të problematikës shqiptare në rajon.
Më poshtë pjesë nga fjala e Kryetarit të PS, Edi Rama në mbledhjen e grupit të deputetëve socialistë:
Lejomëni si fillim të ndaj me ju mbresat e forta të vizitës që bëmë në luginën e Preshevës, së bashku me kryetarin e komisionit parlamentar të integrimit Ditmir Bushati dhe Sekretarin e Partisë Socialiste Erion Veliaj. U jam mirënjohës gjithë jetën preshevarëve që dolën me mijëra për të na pritur në borë, pavarësisht motit shumë të ftohtë, si edhe drejtuesve vendorë të Preshevës e të Bujanovcit që na rezervuan një mikpritje vëllazërore dhe ndan me ne halle e shqetësime të mëdha. U premtova se do të jemi shumë pranë tyre edhe sot në opozitë, edhe nesër në qeveri. Dhe u shpjegova se, pse dhe si, roli ynë në politikën rajonale të Shqipërisë do të vijë duke u rritur.
Në këndvështrimin tim sot ka një domosdoshmëri për të plazmuar një vizion të kthjellët shqiptar për të ardhmen e shqiptarëve në rajon dhe të vetë rajonit, përmes politikash të reja, të cilat duhet të adresojmë me një strategji të qartë dhe të dakordësuar mes gjithë faktorëve shqiptarë, sipas specifikave të çdo territori ku shqiptarët jetojnë të ardhmen. Programi ynë i ri “Për një Rilindje Shqiptare” ka një kapitull që i kushtohet ribashkimit me Europën, në frymën e gjithë përpjekjes historike të shqiptarëve për të qenë pjesë e pandarë e Europës. Ky kapitull do të shtjellohet e plotësohet në rrugën e programit dhe do të kthehet në një angazhim të detajuar qeverisës të Partisë Socialiste në prag të zgjedhjeve të ardhshme. Por, ndërkohë, nuk ka kohë për të humbur dhe menjëherë ne duhet të vihemi në lëvizje për të mundësuar një ndihmë të parë krejt të mundshme për bashkësinë shqiptare të Luginës së Preshevës. Kujt mund t'i duken vogëlsira një maternitet i ri dhe të paktën dy shkolla të reja shqipe në atë zonë për të cilat shteti ynë duhet të financojë sot, jo nesër nga buxheti i tij, unë i them të parafytyrojë më parë se të gjitha nënat e reja shqiptare të asaj zone duhet të ikin larg nga aty për të lindur fëmijët e tyre. Ashtu si edhe për shkollimin e atyre fëmijëve s’është ngritur ende asnjë shkollë e re në 20 vitet e fundit. Sepse administrata vendore shqiptare nuk e ka një buxhet që t’ua mundësojë këto investime jetike shqiptarëve të asaj zone. Ndërkohë që shqiptarët e Luginës së Preshevës vënë mbi çdo gjë tjetër nevojën për një arsimim të denjë të fëmijëve në gjuhën shqipe.
Le ta formulojmë sa më parë një nisëm ligjore parlamentare dhe t'i vëmë këto financime në dispozicion të administratës vendore atje. Asgjë kundër vendimit të qeverisë shqiptare për të ndihmuar me një financim restaurimin e një kishe serbe në Graçanicë. Por pse të mos financojë Shqipëria edhe investime kaq jetike për shqiptarët e luginës së Preshevës. S’ka asnjë arsye për të mos e bërë dhe asnjë arsye për të menduar se qeveria shqiptare do ta kundërshtojë këtë nisëm tonën. Prandaj ta formulojmë dhe depozitojmë pa humbur kohë.
Ndërkohë, kryetari i komisionit parlamentar të integrimit Ditmir Bushati do të përgatisë me kolegë e me ekspertë një paketë të plotë propozimesh në funksion të një strategjie të përbashkët bipartizane për adresimin sa më të efektshëm të problematikës shqiptare në rajon.







