Postuar më: 05/01/2010
Deputetja e qarkut të Korcës Mimi Kodheli ka ngritur të martën në mesditë shqetësimin për mijëra emigrantë që sorollaten dhe harxhojnë ditët e pushimit në rradhë të gjata. Rradhë në kufij për të hyrë e për të dalë nga vendi, e si të mos mjaftonin këto, shqiptarëve që jetojnë e punojnë jashtë vendit u duhet të mbajnë rradhë edhe për t’u pajisur me pasaporta. Një situatë që përsëritet tashmë, tha Kodheli, duke kujtuar rradhët e gjata të emigrantëve gjatë verës. Qeveria edhe pse e di fluksin e emigrantëve që vijnë cdo prag festash apo kohë pushimi s’merr asnjë masë për t’u garantuar një herë të vetme komoditet këtyre qytetarëve që kontribuojnë aq shumë për vendin.
Më poshtë vijon deklarata e deputetes së qarkut Korcë, Mimi Kodheli:
Partia Socialiste denoncon paaftësine e kësaj qeverie në përballimin e fluksit të shqiptarëve që vijnë në atdhe për të kaluar disa ditë pushimi.
Kjo qeveri, e cila duhet t’u jetë mirënjohëse të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë, të cilët me kontributin e tyre mbajnë në këmbë ende ekonominë e brishtë të Shqipërisë, duhet që të paktën një herë në vit, kur ata kanë nevojë për asistencën e qeverisë së tyre, të jetë e aftë ta bëjë këtë.
Është i disati vit që emigrantët i kalojnë pushimet jo me të afërmit e tyre, por në rradhë të gjata e kilometrike. Rradhë në kufij, por ajo cka është më e papranueshme tashmë, janë dhe rradhët e gjata në zyrat e aplikimit për pasaportat biometrike.
Edhe gjatë verës e njëjta situatë, rradhët po ashtu ishin të gjata, emigrantët tanë përsëri kaluan ditë e javë për të marrë një dokument dhe më pas në rradhë kilometrike për t’u larguar nga vendi.
Partia Socialiste denoncon jo vetëm paaftësinë e kësaj qeverie, por edhe mungesën e vullnetit të saj për t’i paraprirë situatave të cilat nuk janë fenomene natyrore, por normalisht të pritshme e të njohura.
Qeveritarët të lënë shfaqjet televizive e t’ju mundësojnë shqiptarëve që duan të pajisen me pasaporta biometrike kushtet minimale dhe mos i sorollasin në rradhë të pafundme vetëm e vetëm se nuk mendojnë për ta.







