Postuar më: 30/03/2010
Rikthehet epoka e kolektivizimit, por këtë herë për interesa të një grushti individësh të lidhur politikisht ose biologjikisht me Berishën. Në këtë konkluzion ka dalë deputeti socialist Fatmir Toçi gjatë një analize për ligjin e njohur si ”toka e takon atij që e punon”. Në komunikimin me mediat deputeti Toçi tha se në këtë ligj arrihet në absurdin ku edhe dhënia me qira nga ana e shtetit të tokës së privatit do të bëhet pa dijeninë dhe aprovimin e të zotit të pronës bujqësore. Edhe ky projektligj theksoi deputeti është një tjetër arsye që shqiptarët t’i bashkëngjiten protestës mbarëpopullore kundër një qeverie që ka prioritet pasurimin e sekserëve dhe oborrit të saj
Më poshtë deklarata e plotë e deputetit Fatmir Toçi:
Para pak ditësh në komisionin e veprimtarisë prodhuese është diskutuar dhe miratuar vendimi i Këshillit të Ministrave për propozimin e projektligjit “Për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara”, i cili do t’i paraqitet këto ditë Kuvendit të Shqipërisë.
Miratimi i këtij ligji do të ishte një shprehje tjetër e politikave grabitëse të tokës së banorëve të fshatrave nga ana e shtetit. Pas rrëzimit të ligjit 7501 që jua merr tokat e ish ndërmarrjeve Bujqësore atyre që kanë 20 vjet që i punojnë, pas synimeve dhe përpjekjeve të paskrupullta për grabitjen e tokave në bregdet, që nga Velipoja e deri në Ksamil, pas katrahurës që po ndodh me ndarjen e tokës si pasojë e mbivendosjes së pronave, legalizimeve të pronës së tjetrit etj., vjen tani nga qeveria një ligj që kërcënon 460 mijë familje bujqish, që përfaqësojnë rreth 60 % të popullsisë së vendit.
Nuk bëhet fjalë më vetëm për mashtrime e demagogji, vetëm për presione e kërcënime duke përdorur edhe forcat e rendit në shërbim të një klani pushtetarësh, vetëm për grabitjen me ligj të tokës, por për rrëmbimin pa lejen e të zotit, pronarit të ligjshëm, të rreth 50 mijë ha nga sipërfaqja në pronësi private. Madje, duke arritur deri aty sa edhe dhënia me qira nga ana e shtetit të tokës së privatit do të bëhet pa dijeninë dhe aprovimin e tij.
Shqiptarët tashmë e dinë mirë se gjendja e pastabilizuar e fshatit dhe shtimi i sipërfaqeve të tokave të pakultivuara ka ardhur tërësisht nga mungesa e masave dhe programeve mbështetëse nga ana e shtetit, si dhe mungesa totale e politikave që do të ndikonte dhe nxiste rritjen e mundësive për vënien në përdorim e shfrytëzim të tokave bujqësore të pakultivuara.
Përvojat e vendeve të zhvilluara apo të ngjashme me Shqipërinë, si dhe interesi i vendit për të mos ngjallur e nxitur konflikte në mes banorëve të fshatit shqiptar dhe drejtuesve komunarë tregon se ka plot forma e mjete të tjera për nxitjen e shfrytëzimit sa më mirë të tokave bujqësore; të tilla janë diferencimi i taksës për tokën midis asaj që punohet dhe atyre që janë lënë djerrë, politika fiskale nxitëse për kultivimin e tyre, programet mbështetëse dhe masat konkrete nga shteti për zhvillimin e fshatit dhe të forcave prodhuese në fshat, etj.
Miratimi i këtij ligji nga Kuvendi përbën një shkelje e rëndë Kushtetutës së Shqipërisë, dhe na kthen edhe njëherë në epokën e errët të kolektivizimeve , për më tepër ky ligj provon edhe njëherë qartë se prioriteti i qeverisë Berisha nuk është aspak mbrojtja e interesave të shqiptarëve, por grabitja dhe pasurimi në kurriz të tyre.
Sot pas të gjitha konflikteve për pronat në Shqipëri, që nga Orikumi e deri në Himarë, Porto Palermo e Borsh, që nga Velipoja e deri në Jalë e Kakome shfaqen gjithnjë të njëjtët sekserë të lidhur politikisht apo biologjikisht me Sali Berishën.
Tanimë me këtë ligj sekserët e tokave të lidhura me qeverinë do të kenë mundësinë të grabisin shqiptarët me mbështetjen e paskrupullt ligjore nga qeveria Berisha.
PS është sot dhe do të jetë gjithmonë përkrah njerëzve të sulmuar nga shteti për interesa të një grupi që kërkon të mbretërojë në këtë vend, si dhe duke qenë përkrah tyre në protestën mbarëpopullore për mbrojtjen e tokës, të pronës dhe të ardhmes sonë të përbashkët.







