Postuar më: 11/12/2009
Sot ka shkuar në dhjetë numri i padive civile dhe dhjetë numri i padive penale që vetëm unë, personalisht, kam hapur ndaj Sali Berishës, qysh prej ditës së çmendimit të tij në foltoren e parlamentit e deri tani.
I bëj thirrje, njeriut që ndot me papastërti të patolerueshme foltoren e parlamentit dhe të Këshillit të Ministrave, të provojë përpara gjykatës, qoftë edhe njërën nga shpifjet e tij.
Opinioni publik shqiptar ka të drejtën të mësojë të vërtetën, gjithë të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës, për gjithë sa ka dalë nga goja e njeriut që sot drejton Shqipërinë me vota të vjedhura.
Ndërkohë i bëj thirrje Prokurores së Përgjithshme të Republikës, të hapë hetimin e të gjitha akuzave të kryeministrit të vendit ndaj meje dhe të kërkojë, nga Sali Berisha, prova e fakte lidhur me dhjetë paditë penale që kam depozituar deri sot në prokurori për këto akuza, pikërisht për të zbardhur, në çdo detaj, gjithshka është thënë gjatë këtij sulmi barbar.
Le të bëhet burrë i paburri Sali dhe le të tregojë se ka qoftë edhe një provë të vetme në dollapin e dosjeve të politikës së tij të shpifur të shpifjeve e gënjeshtrave me të cilat po bën pis Shqipërinë, po trazon çdo familje shqiptare, po turpëron çdo qytetar të këtij vendi.
Ky sulm mesjetar nuk ndryshon asgjë në qëndrimin e opozitës, madje fakti që barbaria e pushtetit është kthyer në agresion kundër shumë njerëzve, familjeve, sipërmarrjeve private, jo vetëm provon drejtësinë e qëndrimit tonë në kushtet e rënies së shtetit të së drejtës, por edhe forcon bindjen e vullnetin tonë për të vazhduar betejën me protesta të mëtejshme ndaj këtij pushteti.
Gjatë gjithë javës së ardhshme do të protestojmë në të gjithë vendin për krizën e demokracisë e të ekonomisë së familjeve shqiptare.
Ne jemi të bindur se Sali Berisha po e çon vendin në greminë duke grabitur zgjedhjet, fshehur forcërisht të vërtetën në kutitë e mbyllura, thelluar gropën e korrupsionit, shpallur opozitën si mafien më të rrezikshme në Ballkan, kërkuar të mbushë arkën e shtetit duke rënduar biznesin e vogël dhe terrorizuar biznesin e madh, rritur koston e jetesës së familjeve shqiptare përkundër rënies dramatike të fuqisë blerëse të tyre.
Bombat sociale që do të shpërthejnë në shtëpitë e shqiptarëve në janar, me çmimin e rritur të energjisë, taksat e rritura të biznesit të vogël, papunësinë e rritur çdo ditë bashkë me pafuqinë blerëse e me radhë, nuk mund të përballohen nga njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, po duhet të futen që të gjitha në faturën e Sali Berishës.
Ne do të shkojmë javën që vjen, qytet më qytet, për ta mbledhur këtë faturë, shesh më shesh, dhe për ta bërë gati popullin opozitar për betejën e madhe të rrugës për demokraci e drejtësi që opozita do të hapë vitin e ardhshëm e do të vazhdojë deri në rivendosjen e normalitetit demokratik.
Sali Berishën e gënjen mendja se do të na zmbrapsë duke na gjuajtur me gurët e pagdhendur të politikës së vjetër të urrejtjes, shpifjes, sharjes, por në fakt, ai vetëm po na frymëzon për ta çuar më tej aksionin tonë të drejtë, deri në largimin e tij nëqoftëse kutitë e votimit nuk hapen.
Ka marrë peng me vota të vjedhura parlamentin e qeverinë dhe e gënjen mendja se do të na marrë peng të gjithëve përmes parlamentit e qeverisë.
Asnjë hap mbrapa nuk bëjmë.
Le të rrijë pa opozitën në parlamentin e marrë peng, të cilin e ka kthyer së fundi në prokurori e në gjykatë të paligjshme, ku ngrihen akuza të çmendura dhe jepen sentenca të marra për kundërshtarët politikë apo për sipërmarrës që Sali Berisha i quan kundërshtarë, thjesht sepse nuk i ka klientë të pushtetit të familjes së tij.
Ne do të qëndrojmë jashtë atij parlamenti të dalë nga dhunimi i votës së qytetarëve, që dhunon rregullisht liri e të drejta qytetarësh, dhe do të jemi me qytetarët në një betejë për liri e të drejta që nuk shiten, nuk blihen, nuk negociohen.
Miqve tanë ndërkombëtarë u kemi qenë e do t’u jemi mirënjohës për gjithçka, edhe për shqetësimin serioz e këshillën e urtë për dialog dhe u përsërisim se bojkoti ynë nuk është shkaku i krizës së demokracisë dhe rënies së shtetit të së drejtës, po vetëm një pasojë e kësaj krize që dita – ditës po cenon liri e të drejta të pacënueshme.
Që të ketë dialog Sali Berisha duhet të mbarojë monologun grotesk të luftës me opozitën mafioze dhe duhet të mos bëjë më sikur nuk e kupton që kërkesa jonë për hapjen e kutive nuk ka lidhje me gjykatën e me vendimet e saj.
Fundin e bojkotit nuk e kemi në dorë ne, por shkaktari i tij, pra Sali Berisha. I cili duhet të pranojë hapjen e kutive, për të rikthyer menjëherë opozitën në parlament. Pa u hapur kutitë nuk ka më asnjë garanci për zgjedhjet në Shqipëri, por nuk ka po ashtu asnjë zgjedhje tjetër për opozitën veç përshkallëzimit të protestës popullore.
Do të protestojmë papushim dhe do ta bëjmë këtë në mbrojtje të parimeve e të vlerave të demokracisë, po edhe në mbrojtje të çdo qytetari e sipërmarrjeje që do vihet në shënjestrën e këtij pushteti për arsye dhe në rrugë të jashtëligjshme.
Asnjë sipërmarrje të mos i nënshtrohet shantazheve e kontrolleve të paligjshme që bën pushteti duke keqpërdoruar shtetin e shpërdoruar detyrën.
Asnjë sipërmarrës mos t’u hapë derën atyre të cilët, nën uniformën e shtetit, u shkojnë në derë për orekset e paligjshme të pushtetit, që së fundmi kërkon të mbushë arkën e zbrazur për qëllime elektorale të Sali Berishës, duke vënë gjoba arbitrare.
Askush të mos ngurrojë të na kërkojë ndihmë nëqoftëse nuk mbron dot, nga sulmi i paligjshëm i pushtetit, të drejtën që i jep Kushtetuta dhe ligji e nuk mund t’ia dhunojë Maliqi.
U ribëj apel drejtuesve të Policisë së Shtetit të mos e bëjnë policinë mish për topat e pushtetit.
Mjaft është sakrifikuar e përvëluar policia në të shkuarën për deliret dhe tarbjatet e këqija të pushtetit të interesave të vogla.
Mjaft janë keqpërdorur policët e këtij shteti për orekset e çdo pushteti.
Mjaft janë dërrmuar moralisht në vite burrat e djemtë që, nën uniformën e policit të shtetit të të gjithëve, janë bërë vegël në duart e pushtetit të disave.
Policia e Shtetit nuk mund dhe nuk duhet të jetë më, në asnjë rast e për asnjë arsye, jashtë binarëve të ligjit, jo më të nxirret rrugëve për të larë hesapet e Sali Berishës me opozitën e këtij vendi e me kundërshtarët që i dalin në ëndërr njeriut që fle mbi kutitë e mbyllura të zgjedhjeve të grabitura.
Ne jemi të vendosur, më të vendosur se kurrë, për t’i treguar Sali Berishës se ai nuk bëhet dot mbret dhe nuk vendos dot në Shqipëri kurrfarë rendi tjetër përveç rendit kushtetues e ligjor, sipas të cilit ky zotëri s’ka e s’mund të ketë asnjë liri e të drejtë më shumë sesa kushdo tjetër në këtë vend.







