Postuar më: 10/12/2009
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka mbledhur të enjten në mesditë deputetët e grupit parlamentar por edhe kryetarë të PS nga degë të ndryshme të vendit në një ceremoni për anëtarësimin e PSSH në Partinë e Socialistëve Europianë. Rama gjatë fjalës së tij e quajti një moment historik për Partinë Socialistë dhe për të gjithë anëtarët e saj, socialistë e progresistë, pranimin e forcës politike që drejton në gjirin e PSE në kongresin e Pragës. Edi Rama theksoi se ky është një ogur i mirë që erdhi pikërisht në një datë të shënuar 19 vjet pas daljes nga bunkeri komunist.
Më poshtë fjala e plotë e Kryetarit të PSSH, Edi Rama:
8 dhjetori i pardjeshëm ishte një ditë e shënuar. Historike për Partinë Socialiste.
Partia jonë, me unanimitet të plotë, u pranua nga Kongresi i PES-it si anëtare me të drejtë vote në partinë e socialistëve dhe progresistëve europianë. Sot ne kemi përfaqësuesin tonë edhe në presidencën e kësaj force të madhe të politikës europiane.
Kemi mbërritur një stacion me rëndësi strategjike për të nesërmen, jemi integruar në një realitet të ri europian dhe na takon të festojmë, me të gjithë ata që e sollën Partinë Socialiste të Shqipërisë deri këtu, në një festë brezash që do ta bëjmë në ditët e para të vitit të ardhshëm, me praninë e gëzueshme simbolike këtu në Tiranë të miqve të vjetër e partnerëve të rinj të Partisë Socialiste Europiane.
Por sot, së bashku me anëtarët e delegacionit tonë në kongresin e Pragës, dëshiruam të ndanim me ju, me të gjithë deputetët tanë në radhë të parë, këtë moment të veçantë të historisë sonë të përbashkët. Një histori që si të gjitha historitë ka momentet e veta të bukura dhe ato të trishta. Por, pa asnjë dyshim, historia jonë është ana më njerëzore e historisë së politikës shqiptare, pamja më intriguese e saj me debate, sfida e drama të një familjeje politike që asnjëherë askush tjetër s’qe në gjendje t’ia ofronte publikut në këta 19 vjet, paçka se ndodhi jo një herë që demokracia e brendshme të kthehej në një telenovelë të zakonshme. Nuk do të ngurroja ta quaja ogurmirë futjen tonë në Partinë Socialiste Europiane në 8 dhjetor, 19 vjet pas 8 dhjetorit që lëvizi derën e bunkerit ku Shqipëria qëndroi e ndryrë dhe krejt e izoluar nga Europa e bota për thuajse gjysëm shekulli. S’ka dyshim s’e askush prej nesh atëherë, në ditët e ndryshimit të madh të epokave, s’mundej të parafytyronte dot shumë nga gjërat që ndodhin sot, kaq shumë vjet më vonë, kur me sytë e atëhershëm na dukej se pas njëzet vjetësh do të kishim mbërritur në hënë përderisa arritëm të dalim nga bunkeri i komunizmit.
Kush mund ta parafytyronte atëherë se do të ishim sot ende kaq të varfër e të papunë, kaq të prapambetur në arsim e shëndetësi, kaq të pambrojtur nga barbaria kulturore e mjedisore dhe, mbi të gjitha ndoshta, që qytetarët e Shqipërisë do të ishin sot kaq pa shtet, kaq pa drejtësi, kaq pa siguri në këtë vend ku ligjet i shkelin të parët ata që i bëjnë e ku kush nuk ka lidhje me pushtetin s’ka gjasë të zgjidhë hall me shtetin? Ashtu sikundër askush nuk mund ta parafytyronte atëherë se, në 8 dhjetor të vitit 2009, pikërisht partia e dalë prej lëvizjes që shembi bunkerin komunist, do t’i mblidhte njerëzit në sheshin Skënderbej me hir e me pahir për të festuar nën tingujt e gjuhës së urrejtjes ndaj opozitës.
Por le të mos shpenzojmë sot më shumë kohë e fjalë për ç’ka nuk ka shkuar në drejtimin e ëndrrës europiane, e cila në 8 dhjetor 1990 nxori në rrugë studentët e ndryshimit epokal dhe le të mjaftohemi në këtë moment duke shtuar në bilancin pozitiv të partisë sonë 8 dhjetorin 2009, ditën që na bashkoi ne, Partinë Socialiste të Shqipërisë, me Europën e socialistëve e të progresistëve. Dhe le të shërbejë kjo arritje e bukur si një burim i ri energjie dhe vendosmërie në betejën e madhe për demokraci, ku Partia Socialiste është angazhuar aktualisht me të gjitha forcat dhe ku, me patjetër, do të arrijë qëllimin e saj për t’i dhënë Shqipërisë, më në fund, mundësinë të zhvillojë zgjedhje vërtet të lira e vërtet të ndershme të standardeve europiane, për një Shqipëria ku demokracia funksionon, ku shteti i së drejtës është një realitet për të gjithë dhe ku ekonomia zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme. Unë dua t’i falënderoj të gjithë, në radhë të parë të gjithë deputetët tanë, që po luajnë me kurajë e largpamësi një rol të pazëvendësueshëm në këtë betejë jetike për demokracinë e shtetin e së drejtës dhe dua të uroj shëndet e mbarësi për çdo anëtar të familjes sonë të madhe politike.
Gëzuar!







