Postuar më: 24/05/2010
Kreu i PS, Edi Rama ka mbledhur sot aleatët e PS, për të biseduar pas negociatave të fundit në Strasburg.
Në takim me Ramën ishin të pranishëm Skënder Gjinushi, Kreu i PSD-së, Spartak Ngjela, kryetari i Partisë Ligj për Drejtësi, Nard Ndoka, Kreu i PDK-së si dhe Erion Veliaj, Kreu i G99.
Fjala e kreut të PLD, Spartak Ngjela pas takimit me aleatët:
Jemi në përkrahje të plotë të qëndrimit europiano-amerikan, të të gjithë botës perëndimore pjesë së cilës jemi, në lidhje me zgjidhjen e krizës. Kam dalë të bëjë me dije opinion publik që Shqipërisë i është vënë ultimatum i rreptë, nga i cili mund të ngrihen të gjitha marrëdhëniet me BE dhe me të gjithë botën perëndimore, në rast se palët nuk bien dakord të bëjnë transparencën, me hapjen në fillim të kutive zgjedhore, ngrirjen e kutive të fletëve të votimit, derisa të bëhet hetimi. Të gjitha veprimet e tjera që fliten lart e poshtë sot, nga papërgjegjshmëria e partisë tjetër, janë në kundërshtim me të ardhmen perëndimore të Shqipërisë.
Sali Berisha duhet të jetë i saktë se në rast se do dali kundër draftit perëndimor, nuk do ketë më revolta ose protesta për hapjen e kutive, por për pranimin e konceptit perëndimor në Shqipëri.
Është ultimatum i hapur, të cilin ne sot e pranuam si draft. Kryetari i Partisë Socialiste që ka qenë në Strasburg e ka pranuar, sot e rikonfirmuam dhe jemi në pritje të pranimit të palës tjetër.
Fjala e kreut të G99, Erion Veliaj, pas takimit me aleatët:
Ajo që ndodhi është që patëm një azhurnim. Kësaj here zoti Rama na konfirmoj atë që na kishin konfirmuar edhe burimet nga ndërkombëtarët dhe grupi diplomatik, që zoti Berisha është vënë me shpatulla pas murit. Duhet të zgjedhi ose ti bashkohet komunitetit oriental të cilët nuk respektojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk respektojnë transparencën, zgjidhen në mënyrë të pa ndershme, votojnë për emigrantët ose për njerëz të vdekur që nuk ekzistojnë. Ose duhet të zgjedhi që Shqipërinë ta fusi në grupin e kombeve të qytetëruara, që transparencën e kanë bazë të çdo gjëje që ndodh.
Së pari ky është një lajm shumë i mirë sepse greva e arriti qëllimin e vet. Ajo që po negociohet është jo të ndalohet transparenca, po sa thellë do e çojmë transparencën. Që kutitë do të hapen, kjo është pak por e sigurt. Sesa do të hapen është ende një bisedë, po unë besoj se kësaj historie do ti shkojmë deri në fund.
Besoj që qëllim tjetër i opozitës është që këtë transparencë mos ta lënë tek kutitë. Sot shqiptarët kanë kuti të mbyllura në çdo aspekt të jetës së tyre. Kanë kuti të mbyllura në mënyrën sesi ju faturohet energjia, kuti të mbyllura në mënyrën sesi ju kthehet prona. Kuti të mbyllura si punësohen, kuti të mbyllura sesi i marrin notat e provimeve dhe unë them se është nder për opozitën që këtë qëllim ta çojë në çdo qelizë të shoqërisë, ku shqiptarët kërkojnë këtë lloj transparence.
Së fundmi, ndoshta ka ardhur koha të reflektojmë bashkë sesi do bashkojmë kombin. Zoti Berisha shfrytëzoj këtë betejë për transparencë si një shpatë për ti ndarë njerëzit në të mitingjeve dhe të anti mitingjeve. Të një grupi elitar dhe të një grupi tjetër. Dhe unë them të gjithë ata shqiptar që kanë zemrën dhe mendjen në vend, duhet të reflektojnë pak sesi ky njeri, një njeri po na detyron në këtë vëlla vrasje demokratike që është absolutisht e pa pranueshme. Kështu që investimi i radhës në opozitë, do të jetë veç transparencës dhe bashkimi dhe pajtimi i njëri tjetrit. Jemi shumë pak shqiptarë për tu ndarë për hir të Sali Berishës.







