Postuar më: 18/01/2012
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama priti në takim Ambasadoren e Britanisë së Madhe Fiona McIlwham.
Në vijim të interesimit të Ambasadores McIlwham, zoti Rama informoi për përpjekjet dhe sfidat me të cilat ndeshet Partia Socialiste për realizimin në kohë dhe me cilësi të reformës zgjedhore, parlamentare dhe të sistemit të drejtësisë në përgjithësi dhe falenderoi për vëmendjen dhe ndihmën konkrete të Britanisë së Madhe në këtë drejtim.
Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim lidhur me rëndësinë e funksionimit të sistemit të drejtësisë në një shtet ligjor dhe domosdoshmërinë e hetimit të paanshëm të ngjarjes tragjike të 21 janarit të vitit të kaluar.
Zoti Rama përsëriti angazhimin e Partisë Socialiste për kryerjen e reformave të duhura për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, si dhe kontributin e bashkësisë ndërkombëtare në këtë proces. Ambasadorja McIlwham rinkonfirmoi mbështetjen e vazhdueshme dhe inkurajimin e Britanisë së Madhe për përmbushjen e standardeve për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.







