Postuar më: 24/01/2012
Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar, Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, u nis drejt Durrësit, për një drekë pune me Presidentin kroat, Ivo Josipovic.
Së bashku me z. Rama dhe z. Josipovic, në drekën e organizuar nga i zoti i shtëpisë, Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, merrte pjesë edhe Ministri i Rendit të Kroacisë, Ranko Ostojic.
Edi Rama përfitoi nga rasti të përshëndesë rezultatin shumë pozitiv të arritur në referendumin e zhvilluar dy ditë më parë në Kroaci, lidhur me anëtarësimin e saj në BE, në 1 korrik të vitit 2013. Rama shprehu besimin se suksesi i Kroacisë, është një shembull i mirë për të gjithë vendet si Shqipëria, që aspirojnë integrimin europian.
Nga ana e tij, Presidenti Josipovic, e vlerësoi referendumin si një moment të rëndësishëm për Kroacinë dhe bashkë me falenderimet, u shpreh se Kroacia do të bëjë të gjitha përpjekjet për të mbeshtetur vendet e Ballkanit, në rrugën e tyre drejt antarësimit në BE.
Në cilësinë e Kryetarit të Partisë Socialiste, Rama i kërkoi Presidentit Josipovic të lobojë për statusin kandidat për Shqipërinë në BE, si dhe u interesua për përvojën kroate sa i përket transparencës zgjedhore.
Në përgjigje të kësaj, Presidenti kroat, premtoi një vëmendje të shtuar ndërkombëtare për zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri. Z. Josipovic premtoi gjithashtu se do të lobonte si shteti më i ri në BE, për integrimin e Shqipërisë.
Rama nuk harroi të përgëzojë ministrin Ostojic për fitoren e socialistëve në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke i uruar sukses qeverisë së re të porsaformuar nga socialistët kroatë.
Më tej, Rama vuri në dukje eksperiencën pozitive të bashkëpunimit në procesin e integrimit të njëkohshëm në NATO dhe rolin që ka luajtur PSSH në këtë proces të rëndësishëm për Shqipërinë
Gjatë drekës u shkëmbyen mendime lidhur me situatën ekonomike në të dy vendet, potencialet që ekzistojneë për zhvillimin e tyre ne fusha me interes reciprok.
Josipovic nuk ngurroi të shprehë admirimin e tij për punën e Ramës në transformimin e Tiranës.
Anëtarësimi i Kroacisë në Bashkimin Europian, përbën një shtytje të mëtejshëm për forcimin e dimensionit europian të rajonit dhe do të nxisë më tej bashkëpunimin e të gjithë vendeve të rajonit.







