Postuar më: 24/11/2009
Të nderuar miq sindikalistë, më lejoni në radhë të parë të shpreh kënaqësinë që ju pash të gjithëve bashkë me Kol Nikollën dhe Gëzim Kalanë.
Sepse ka ardhur ora të bashkojmë zërat për të shpëtuar demokracinë, shtetin e së drejtës, ekonominë shqiptare nga kërcënimi i një krizë shumë të rëndë.
Ka ardhur ora të bashkojmë forcat për ta shpëtuar familjen shqiptare nga rrokullima në një humnerë të re rrënimi politik dhe ekonomik.
Ka ardhur ora e një ballafaqimi të madh të popullit opozitar, me një pushtet të grabitur, që synon të grabisë Shqipërinë dhe të kthejë vendin tonë në një skemë të mbyllur, pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa prokurori dhe gjykata të pavarura, pa prona të sigurta për askënd që s’ka lidhje farefisnore apo klanore me pushtetin, pa konkurrencë të lirë e respekt për meritën e secilit. Për dialogun social që s’është bërë ndonjëherë fjalë dje, kur Sali Berisha kishte një qeveri legjitime, jo më sot, që ka vetëm një pushtet ilegjitim.
Demokracia është marrë peng nga ky pushtet ilegjitim, shteti i së drejtës ka rënë në gjunjë përballë këtij pushteti, që i friket drejtësisë si “djalli temjanit”, ekonomia shqiptare ka hyrë në të tatëpjetën e një krize sistemike, të cilën pushteti i abuzimeve më të mëdha ekonomike e financiare në historinë e vendit, jo vetëm se mban dot në kontroll, por e ka nxitur me një politikë tërësisht të çartuar shpenzimesh për interesa të mirëfillta familjare, klienteliste dhe elektorale.
Është vetëm pjesërisht e vërtetë që Shqipëria nuk u prek shumë nga kriza globale në fazën kulmore të saj, kryesisht për shkak të pozicionit tonë më shumë se sa periferik në hartën e zhvillimeve ekonomike e financiare globale. Por është ama plotësisht e vërtetë që mohimi kokëfortë i efekteve të krizës, të cilat gjithsesi paralajmëronin kohë të vështira përpara, si edhe mungesa fatale e largpamësisë lidhur me krizën që me patjetër do të mbërrinte edhe në Shqipërinë periferike, na ka sjellë sot në një situatë përditë e më dramatike.
Mungesa kronike e prodhimit dhe deficiti i lartë tregtar, ngjajnë sot edhe më problematike dhe do të ngjajnë të tilla çdo ditë e më shumë në këtë kohë krize që thellohet. Dërgesat e shqiptarëve në emigracion shënojnë rënie të vazhdueshme. Investimet të huaja direkte nuk ka dhe financimi i huaj do të mungojë ende të paktën për disa vite.
Për fat të keq shoqëria disponon të dhëna publike përgjithësisht të falsifikuara, me qëllim, nga pushteti i interesave vetjake që kanë asgjësuar vijimësisht interesin publik.
Megjithatë, edhe të dhënat publike, kështu siç janë, janë alarmante. Madje, qeveria po vonon të publikojë të dhënat e tetorit, gjë që s’ka si të mos lidhet me rëndimin e gjendjes dhe me konfuzionin e pushtetit përballë krizës.
Në 6 muajt e parë të vitit, tregtia me pakicë ka pësuar rënie të ndjeshme në raport me një vit më parë. Ka rënie 4% sipas të dhënave zyrtare, më shumë padyshim në të vërtetë.
Në 6 muajt e parë të vitit janë mbyllur apo kanë ngrirë aktivitetin 4 herë më shumë ndërmarrje të vogla e të mesme se sa vitin e kaluar, kjo padyshim do të thotë se edhe bizneset e vogla që kanë mbijetuar, kanë shitur më pak, sa për të mbajtur frymën gjallë dhe s’kanë mundur të rritin as pagat, as punësimin jo e jo.
Sikur të mos mjaftonte vetë barra e frikshme e krizës që rëndohet, biznesin e vogël shqiptar, pjesën më serioze por edhe më delikate të tij me xhiro mbi 5 milionë lekë në vit, e pret një Viti i Ri me thesin e taksave të biznesit të madh, TVSH dhe tatim mbi fitimin.
Nëqoftëse Sali Berisha nuk e tërheq vendimin e tij makabër për biznesin e vogël në këtë kohë krize dhe do të këmbëngulë në rritjen deri në 3 herë të barrës fiskale për këtë biznes, atëherë pa as më të voglin dyshim, do të jenë me mijëra e mijëra sipërmarrësit e vegjël që do të dorëzohen, familjet që do të mbeten pa asnjë të ardhur, të papunët që do t’i shtohen vargut të gjatë të atyre që nuk e gjejnë dot një punë në këtë vend, ku nuk qeveris arsyeja e të zgjedhurve, por sundon arbitrariteti i të pavotuarve.
Si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, së bashku me Kryebashkiakët e Kryekomunarët e opozitës në të gjithë Shqipërinë, i kemi bërë një apel publik Sali Berishës, ku kërkojmë anulimin e kësaj barre të re fiskale të jashtëlogjikshme dhe të papërballueshme për biznesin e vogël.
Nuk do të mjaftohemi me fjalë, do të reagojmë fortë me veprim aktiv në mbrojtje të dhjetëra mijëra familjeve që mbahen përmes biznesit të vogël, në mbrojtje të të gjithë qytetarëve që në janar do të gjenden përballë çmimesh të rritura më larta akoma, në mbrojtje të buxheteve lokale që pa kontributet e biznesit të vogël nuk mund t’u shërbejnë normalisht komuniteteve me pastrim, ndriçim, gjelbërim, çerdhe, kopshte, shkolla, rrugë e me radhë.
Një Kryeministër që qeveris vendin e tij në demokraci, nuk mund të mbrojë me forcën e policisë së shtetit elefantët e evazionit fiskal, sepse ndan me ta përfitime të paligjshme marramendëse, nëpërmjet shkeljes flagrante të ligjeve dhe të shtyp nën një barrë fiskale të papërballueshme njerëzit e thjeshtë të biznesit, sepse do të mbushë arkën e zbrazur të shtetit, duke i rrjepur ata.
Ja pse sipërmarrësit e vegjët duhet të bashkohen me protestën e opozitës. Ja pse protesta e opozitës sot është për të shpëtuar Shqipërinë, jo vetëm në thelbin e demokracisë, por edhe në ekuilibrat e vet shumë të brishtë ekonomik. Por Sali Berisha e bën këtë pikërisht se nuk është një Kryeministër që qeveris zgjedhësit e tij në demokraci, por një kryefamiljar që qeverinë e vendit e ka vënë në shërbim të interesave të familjes së tij, në një llumokraci të cilën kemi të gjithë detyrën dhe të drejtën ta refuzojmë me çdo mjet, deri në bllokimin e qeverisjes.
Opozita e ka shpallur vullnetin e saj për të rezistuar deri në fund, deri në largimin e këtij pushteti që degjeneron përditë në një regjim interesash ekonomike të familjarëve, shërbëtorëve e klientëve të Sali Berishës.
Ftesa ime për Sali Berishën është e qartë dhe e drejtpërdrejtë: Reflekto për këto ditë që ke kohë. Ndërsa për të gjithë ju është po ashtu e qartë dhe e drejtpërdrejtë: Ejani të gjithë me ne, jo për t’u rreshtuar majtas apo djathtas, por për të qëndruar në këmbë përballë këtij regjimi të korrupsionit, deri në fund, deri kur në Shqipëri llumokracia të zhbëhet dhe demokracia të ribëhet, me zgjedhje të lira e të ndershme, me konkurrencë të lirë për të gjithë dhe me meritën e secilit me punë dhe dialog social.
Ka vetëm një shans Sali Berisha, për të fituar një kohë të çmuar paqeje shoqërore dhe ringritur urën e bashkëpunimit që hodhi në erë duke grabitur zgjedhjet: të bëj transparencën në Parlament të zgjedhjeve të 28 qershorit, duke filluar nga hapja e kutive, ku mban peng votat e një populli të tërë.
Pa humbur kohë dhe pa rënduar veten me provokime banale dhe replika fyese ndaj opozitës së këtij vendi. Sot opozita më e bashkuar se kurrë përfaqëson e vendosur më shumë se kurrë një nevojë të hershme të paplotësuar kurrë të gjithë shqiptarëve për liri e demokraci të vërtetë, e cila buron nga zgjedhje vërtetë të lira e vërtetë të ndershme, pa të cilat s’ka as drejtësi as mirëqenie, por vetëm padrejtësi e fukarallëk.
Sektori i ndërtimit, motori i zhvillimit ekonomik për vite të tjera është i bllokuar. Ndërtuesit raportojnë sot prej më shumë se 4 mijë apartamente të pashitura për shkak të krizës. Pas tyre qëndrojnë mijëra punëtor që nuk kanë marrë rrogat prej disa muajsh, dhe nuk kanë shans t’i marrin edhe për disa muaj të tjerë, ashtu si kundër qëndrojnë pas ndërtuesve të rrugëve të papaguara të fushatës elektorale mijëra të tjerë që rrezikojë të humbasin punën. Kompani të tëra që nuk janë pjesë e monopolit që Sali Berisha ka ndërtuar dhe po blindon me kontrata investimesh publike, pa gara të vërteta e transparente, por përmes farsash të turpshme që i din të gjithë ata që e ndjekin këtë proces rrezikojnë falimentin. Dhe nuk është thjesht borxhi i madh ku këta ndërtues kanë hyrë për shkak se qeveria nuk i paguan lekët për punimet e kryera, por krijimi i këtij monopoli që padyshim do t’i lërë pa punë ata të gjithë në të ardhmen e afërme.
Ja pse sipërmarrësit e mëdhenj, duhet të bashkohen me protestën tonë.
Eksporti i mineraleve është ndërprerë dhe për pasojë qindra punëtor nuk kanë punë, ndërkohë që minatorët, më të sakrifikuarit në vend, trajtohet nga Sali Berisha jo si njerëz të denjë, por si minj që mund të ngordhin galerive, duke mos u bërë familjeve as ngushëllimin formal, për vdekje që nuk vijnë për arsye natyrore, por për arsye të mungesës skandaloze, të turpshme, të pafalshme të sigurisë në punë.
Eksporti i fasoneve është 15 % më i vogël se një vit më parë dhe fasonistët kanë raportuar shkurtimin e 10 mijë vendeve të punës pa hyrë ende kriza në fazën e vetë më goditëse. Pra, kudo më pak punë, më pak të punësuar. Më shumë papunësi e më shumë varfëri
Më pak të punësuar në industrinë e ndërtimit, në industrinë me material porositësi, më pak të punësuar në nxjerrjen e mineraleve, më pak të punësuar në biznesin e vogël, më pak të punësuar kudo në një Shqipëri që nuk prodhon, por vetëm konsumon. Pa folur fare për ata që e kanë mbyllur punën e tyre dhe që meritojnë një muzg më të mirë për jetën e tyre, për pensionistët, të cilët sot mbajnë zemrën në pritje të faturës së re të energjisë, ndërkohë që ilaçet nuk arrijnë dot më t’i paguajnë.
Punësim, punësim, punësim, ulërinin Sali Berisha me Ilir Metën në fushatën e zgjedhjeve. Papunësi, papunësi, papunësi, është sot jehona e zgjatur e atyre zgjedhjeve të grabitura nga zullumqarët, e premtimeve të pambajtura dhe zullumeve të papërmbajtura.
Njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, u është dashur të marrin para’ borxh në shtator, që të blejnë librat shkollor të fëmijëve. Sikur të mos mjaftonin të gjitha ato që diheshin, vetëm para një muaji, qeveria e Sali Berishës vendosi që shqiptarët e varfër e të pa punë, duhet të paguajnë të gjithë pa përjashtim edhe për vizitën e tyre shëndetësore në spital. 800 mijë shqiptar që për shkak të varfërisë, të papunësisë, nuk arrijnë dot të paguajnë sigurimet shëndetësore duhet të paguajnë 4 deri në 5 herë më shumë për t’u vizituar, ku piku i hallit i çon në spitalin e Sali Berishës.
Ja pse alternativa jonë për sistemin shëndetësor universal ishte i vetmi shpëtim dhe ja pse alternativa e sigurimeve shëndetësore të kthyera në një tjetër kanal korrupsioni që të çon në përfitime të paligjshme në atë drejtim ku shkojnë të gjitha, është një dështim dhe një rrënim i mëtejshëm të gjithë atyre që për shkak se janë të vonuar, nuk arrijnë t’i paguajnë sigurimet shëndetësore. Ja pse duhet të bashkohen me ne, edhe ata 800 mijë shqiptar, që nuk do të presin ditën kur do të sëmuren për të paguar një shërbim shëndetësor i cili u kërkon të paguajnë atë që nuk e paguajnë dot, sepse puna e ndershme shkelet përditë.
Në këtë sallë nuk ka njerëz që merren me bujqësi, por edhe ky sektor është në vështirësi të jashtëzakonshme. Njerëzit e fshatit Sali Berisha i quan të vetëpunësuar ndërkohë që vetëm pak ditë më parë ministri i bujqësisë së Sali Berishës tha atë që ne të paktën e themi prej 2 vjetësh, me forcë, me zë të lartë dhe pa pushim. 2/3 e të ashtuquajtura ferma shqiptare nuk arrijnë të nxjerrin prodhimet e tyre në treg, dhe në të shumtën e herëve ai prodhim që është fryt i një sakrificë kalbet në duart e atyre që me atë prodhim ëndërrojnë të shkollojnë fëmijët e tyre. Për pasojë janë çdo ditë e më të shumtë njerëzit që po e braktisin fshatin, i braktisin fushat, e braktisin ëndrrën e tyre të prodhimit dhe tokën e të parëve të tyre e vijnë drejt qyteteve me shpresën se do të gjejnë punë. Por punë nuk ka dhe ndërkohë nuk ekziston asnjë lloj politike punësimi, asnjë lloj politike për punësimin sezonal, asnjë lloj politike për t’i ndarë njerëzit e pa shpresë nga rrugët e punës në të zezë.
Viti i ardhshëm do të jetë shumë i vështirë për Shqipërinë dhe shqiptarët që nuk jetojnë në oborrin e Sali Berishës, do të jetë i vështirë, sepse do të ketë akoma më pak punë dhe akoma më shumë të papunë.
Sikur të mos mjaftonte e gjitha kjo, vitin e ardhshëm do të duhet të shpenzojmë më shumë se çdo vit tjetër për të larë borxhet e pakontrolluara që ka krijuar Sali Berisha për të financuar pushtetin e tij përmes punësh të cilat marrin të mira publike, siç është rasti i rrugës së kombit dhe tunelit të shembur të këtyre borxheve dhe atij korrupsioni që Sali Berisha, Sokol Olldashi dhe Lulëzim Basha duhet të paraqiten para drejtësisë shqiptare si të pandehur.
Miqtë e mi, edhe dy fjalë drejtpërdrejtë për ju.
Nuk jam këtu për t’ju dhënë këshilla, nuk kam këshilla për të dhënë, sepse besoj që ju i dini më mirë, problemet dhe punët tuaja. Por vetëm një opinion, në këndvështrimin tim Sali Berisha mendon se ju nuk ekzistoni dhe kjo është arsyeja që edhe pronat tuaja, të vetmen gjë të cilat mund të mbajnë me punë të ngrirë një fuqi të vërtetë sindikale, e cila nuk është e bakshisheve të pushtetarëve, Sali Berisha do t’ua marrë deri në fund për kthyer jo në prona të gjithë shqiptarëve, por në prona të familjes së tij dhe të njerëzve të pushtetit të tij. Ju çfarë do të thoni? Do të shikoni se si me ato prona të cilat duhet të financonin lëvizjen sindikale do të pasurohet Sali Berisha, do të shtoj pasuritë e patundshme të familjes që nuk do të tundet nga pushteti dhe që nesër do ta përdor pushtetin për vetë fitimet e paligjshme, të cilat janë një fuqi verbuese përballë varfërisë, papunësisë, rënies së skajshme të të gjithë atyre milionave shqiptare, i sheh ose si ushtar të armikut, ose si skllevër të tij.
Unë ju ftoj që ju të mos ua lëshoni Sali Berishës ato prona dhe ju siguroj që ka vetëm një rrugë për t’i ruajtur, për çdo shqiptar, liritë dhe të drejtat pronat e shpresat e veta: të dalë në rrugën protestës së pandalshme, deri në largimin e Sali Berishës.







