Postuar më: 23/04/2010
Kryetari i PS Edi Rama në një bashkëbisedim me gazetarët foli sot mbi dy raportet e fundit ndërkombëtare të cilat konfirmojnë situatën e rëndë të demokracisë dhe atë ekonomike në Shqipëri. “Hetimi i procesit zgjedhor në Ruzhdie dëshmoi një shkallë të lartë të manipulimit, - theksoi lideri i opozitës së majtë
Më poshtë bashkë bisedimi i plotë me gazetarët:
Bashkëbisedimi i përjavshëm mbi dy çështje që, reflektojnë edhe pikat tona të referimit në qëndrimin e shpallur. Nga njëra anë publikimi i një raporti të pavarur të një organizate të njohur jo qeveritare, FRIDE, dhe nga ana tjetër publikimi i një tjetër raporti të një kompanie konsulence të angazhuar nga qeveria shqiptare për të konstatuar aftësinë huamarrëse të vendit, Standard &Poor’s. Bazuar në raportin e FRIDE-s besoj se është e vështirë mos të ndahet opinioni që çka themi dhe rithemi me këmbëngulje, lidhur me gjendjen e demokracisë, lidhur me shtetin e së drejtës dhe po ashtu, të ekonomisë, nuk është një këndvështrim ekskluziv i opozitës, por është një këndvështrim më i gjerë, mbi plagë të rënda që nuk i shpëtojnë as syrit të vrojtuesve të pavarur dhe të interesuar vetëm për faktet e jo për interesat e palëve.
Duke ju referuar këtij raporti, të cilin ju me siguri e keni në dorë dhe unë nuk dua që t’ju humbas kohë për të lexuar gjatë, por mjaftojnë disa paragrafë sintetik për të kuptuar se jetojmë në një vend ku demokracia është shumë larg standardeve europiane. Treguesit e respektit për shtetin e së drejtës janë larg mesatares së rajonit, bazuar në indikatorë të marrë si të mirëqenë të vetë Bankës Botërore, ku ligji zbatohet në mënyrë selektive, e si pasojë e kësaj, në Shqipëri promovohet kultura e moszbatimit të ligjit, dhe burim i këtij promocioni është pushteti.
Shteti i së drejtës praktikisht është nënshtruar, pavarësia e sistemit gjyqësor është e kërcënuar nga ekzekutivi. Arsyet e gjendjes alarmante në të cilat noton pushteti gjyqësor kanë të bëjnë me politizimin e korrupsionin e përhapur, me mungesën e burimeve njerëzore, me vënien nën thundrën e ekzekutivit, dhe mungesën e standardeve të qarta në lidhje me pavarësinë. Duke u fokusuar tek këndvështrimi mbi zgjedhjet është fare e qartë se gjithçka ne marrim në konsideratë në pozicionin që kemi zgjedhur nuk është një këndvështrim vetëm i yni, por është një këndvështrim shumë më i gjerë. Ku të tjerë, në rastin konkret një organizatë e huaj e pavarur jo qeveritare, ka konstatuar se parregullsitë që kanë shoqëruar procesin zgjedhor të 28 qershorit, e kanë dëmtuar procesin, duke demonstruar në të njëjtën kohë dështimin e Shqipërisë në organizimin e zgjedhjeve transparente.
Hetimi i procesit zgjedhor në Ruzhdie dëshmoi një shkallë të lartë të manipulimit. Megjithëse vend anëtar i NATO-s, Shqipëria ende nuk ka realizuar zgjedhje të lira e të ndershme në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare. Shqipëria paraqitet larg mesatareve të vendeve të rajonit përsa i përket përmbushjes së standardeve zgjedhore. Më tutje, korrupsioni dhe krimi i organizuar në Shqipëri përbëjnë një kërcënim të madh dhe serioz për funksionimin e institucioneve demokratike. Pra, përfshirë dhe zgjedhjet, dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri, pra përfshirë gjithçka ka të bëjë me ligjin dhe me jetësimin e tij. Hetimi dhe gjykimi i korrupsionit në zyrtarët e lartë përbën një sfidë. Mosgjykimi i rasteve të ministrave nga organet e drejtësisë, bazuar në procedura të dyshimta ka përkeqësuar perceptimin e opinionit lidhur me korrupsionin, duke promovuar një kulturë mosndëshkueshmërie. Pra, bëhu me pushtetin se nuk ndëshkohesh. Bëj atë që bëjnë të gjithë ata që janë me pushtetin, duke filluar nga i pari i punës, se nuk ka problem.
Ndërkohë që në çështjen tjetër, atë që ka të bëjë me ekonominë, vlen të theksohet se analiza e kompanisë, Standard& Poor’s, një nga tre kompanitë më të specializuara në këtë fushë, është kërkuar nga vetë qeveria shqiptare. Specialistët e financave publike, vendas e të huaj e konsiderojnë analizën e kësaj kompanie, si një vlerësim realist. E sipas këtij vlerësimi financat tona publike kanë marrë notën B+, që e thënë më thjeshtë, nëse nota më e lartë e përdorur nga kjo kompani është 1 dhe më e luta është 18, Shqipëria është vlerësuar me notën 15. Duke u renditur në të njëjtin nivel me Kamboxhian, Sri Lankën, Ugandën, Senegalin, Mozambikun dhe me radhë. Në këtë aspekt dëshiroj të theksoj se bazuar edhe në këtë vlerësim kompetent, çka kemi thënë jo vetëm rezulton të jetë e bazuar mbi të vërtetën, por mbetet alarmante. Sepse problemet që e rendisin Shqipërinë kaq keq në këtë klasifikim, kanë të bëjnë me borxhin tepër të lartë, e shkallën e ulët të mirëqenies ekonomike. Kompania vërteton në vlerësimin e saj, shqetësimin tonë, se borxhi ynë publik ka arritur shifra të papërfytyrueshme dhe është më shumë se dy herë më i madh, se totali i të ardhurave që arrin të mbledhë qeveria shqiptare. Pra, përfytyrojeni një familje që ka një borxh dy herë më të madh se totali i të ardhura që arrin të fitojë. Që do të thotë se futja e mëtejshme në borxhe për të larë borxhet është një spirale që shkon duke e thelluar, një gropë që nuk ka shanse të mbyllet, në rast se nuk ndryshon skema e modelit ekonomik që është në fakt arsyeja e këtij prag falimentimi të ekonomisë.
Përgjigjet e pyetjeve:
1. Pyetje e fortë, pyetje e vlefshme, pyetje e hidhur, të cilës nuk mund ti përgjigjem me një improvizim apo me një reagim të menjëhershëm. Duhet ti përgjigjem pasi të kemi bërë një analizë të së dhënave të kësaj liste të cilës ju i referoheni.
2. Kjo nuk është një ndeshje me një kohë të kufizuar, rezultati i së cilës përfundon kur mbaron koha e kufizuar. Ky është një proces në një betejë për demokracinë, për shtetin e së drejtës dhe për ekonominë që të mbajë në këmbë dhe tu hapë perspektiva të gjitha familjeve shqiptare. Dhe në këtë kontekst duhet kuptuar shumë qartë që ne në 30 prill do bëjmë një përshkallëzim të kësaj beteje dhe ndërkohë përsërisim domosdoshmërinë që zoti Berisha dhe pushteti i dalë nga vota e grabitur të mos bëjë shurdhin dhe as qorrin përballë të vërtetës së madhe se ky vend nuk mund të kthehet në një mbretëri të pa shpallur ku pasuritë e përbashkëta trajtohen si asete në funksion të pasurimit të një grushti njerëzish, ku ligji zbatohet për ata që nuk kanë lidhje me pushtetin, ndërkohë që kush e përfaqëson pushtetin i shpëton zbatimit të ligjit dhe jeton në hapësirën pa ligj dhe ku burimi i gjithë ekuilibrave të një shoqërie me liri, pavarësisht se me demokraci shumë të cunguar, vota duhet të garantohet për secilin dhe për të gjithë. Në rast se politika e shurdhërisë dhe e verbërisë do vazhdojë të jetë përgjigja për përpjekjen tonë, përpjekja jonë do vazhdojë pa u ndalur dhe e përsëris me durim, me kurajë dhe me një këmbëngulje shembullore. Duke qenë se ne jemi të shprehur si mishërimi i një kulture demokratike të mirëfilltë kundër çdo lloj vokacioni dhune, atëherë kjo një rezistencë paqësore e njerëzve që nuk e shesin demokracinë dhe as e negociojnë shkallën e lirisë së tyre, padyshim është një betejë e shtrirë në kohë dhe padyshim nuk është një akt force, por është forca e arsyes e vendosur përballë një pushteti që funksionon mbi arsyen e forcës.
Askush nuk duhet të përfytyrojë një përplasje të dhunshme, por horizonti i përfytyrimit të një rezistence popullore, paqësore, të vendosur, këmbëngulëse, është kaq e gjerë falë dhe shumë e shumë shembujve ku përpjekjet e njerëzve për të garantuar liri dhe dinjitetin e tyre brenda gjithë hapësirës së një jetë të vërtetë demokratike kanë pasur sukses pikërisht falë forcës së arsyes dhe jo arsyes së forcës.
Të gjitha këto duan të thonë se kjo nuk është një çështje afatesh, kjo është një çështje e përparimit të përditshëm dhe këmbëngulës pa u ndalur dhe pa u kthyer mbrapsht. Ka gjithmonë një moment kur e vërteta triumfon dhe kur këtë të vërtetë e përfaqëson një popull i tërë i cenuar në një liri themelore, atëherë pa asnjë dyshim kjo e vërtetë nuk ka asnjë mundësi që të varroset, cilido qoftë pushteti, kudo ndodhtë në histori.
Të gjitha konstatimet tona lidhur me gjendjen e ekonomisë burojnë nga një këndvështrim alternative i saj dhe pikërisht se ne kemi një vizion dhe kemi një ide tërësisht të ndryshme për politikën ekonomike jo vetëm konstatojmë çka ndodh, por jemi në gjendje të themi se ajo çka konstatojmë është alarmante. E kemi thënë edhe në asamblenë e posaçme për krizën ekonomike, do ta përsërisim edhe në një forum që po organizojmë po për krizën ekonomike, se jemi në kushtet e falimentimit të një modeli, nuk jemi në kushtet e një krizë kalimtare ka falimentuar një model ekonomik i ngritur në një politikë ekonomike të çartur. Një politikë ekonomike është thjesht dhe vetëm në funksion të delirit për pushtet dhe i etjes për pasurim përmes pushtetit. Në një politikë ekonomike që ka shkatërruar të gjithë sistemin ekonomik dhe financiar të vendit, i ka hapur rrugë një kapjeje të të gjithë skemës së aseteve publike apo private përmes forcës së shtetit të vënë në dispozicion të interesave të pushtetit. Dhe gjithçka ne shohim në sipërfaqe është rezultat i një sëmundjeje që i ka rrënjët shumë thellë në gjithë bërthamën e organizmit politik në funksion të kapjes së ekonomisë. Politika populiste me premtime dhe harbimet e shfrenuara, me shpenzime marramendëse në funksion të mbajtjes së pushtetit dhe pastaj vënia e pushtetit në përdorim, duke e kthyer shtetin në një makineri fitimprurëse dhe eliminuar tërësisht çdo pengesë ligjore, duke nënshtruar pushtetin gjyqësor, ka sjellë në këtë pikë që nuk është ende më e keqe, ka akoma më keq. Pikërisht për këtë arsye ne vazhdojmë të ngremë zërin dhe të vëmë alarmin sepse është e pamundur që kjo situatë të mbahet nën kontroll nga pikëpamja e balancave ekonomike për çdo familje, në rast se familjet vazhdojnë të ngarkohen me fatura të papërballueshme. Ndërkohë që vetë shteti zmbrapset përditë përpara borxheve që bëhen çdo ditë e më të mëdha dhe të ardhurave që nuk arrijnë dot të përballojnë dot asgjë në raport me borxhet. Mbingarkimi me faturat rasti vulgar dhe i pa tolerueshëm i faturave skandaloze të energjisë për shkollat dhe për kopshtet në Tiranë dhe gjetkë, tregojnë një turravrap për të mbledhur para në adresë të gabuar, jo se këto fatura detyrimesh që ju takojnë nuk duhet ti paguajnë që të gjithë, pa dyshim që po, por se ndërkohë këto fatura ata që paguajnë s’mund ti paguajnë dhe ngarkohen dy herë, tre herë, ka raste si në një shkollë të Tiranës 10 fish në raport me vetë kontraktorin e energjisë. E pra ky është një shembull i thjeshtë brenda një zinxhiri shembujsh që ju mund ta konstatoni dhe në jetën e përditshme, ku i pambrojturi, i palidhuri me pushtetin, i pamunduri për të përfituar nga kjo skemë e mbyllur interesash të pushtetit, paguan përditë e më shumë dhe ka përditë e më pak mundësinë të marrë frymë nën këtë barrë detyrimesh, ndërkohë që ata që janë përfaqësuesit e pushtetit dhe ata që e mbajnë pushtetin në këmbë me shërbimet e tyre, me shërbime të dukshme dhe të padukshme në administratë apo në korridoret e errëta të pushtetit përfitojnë e përfitojnë dhe kjo situatë nuk ka se si të garantojë ekuilibra demokratikë dhe nuk ka sesi pastaj të gjithë këto problem të mos mblidhen nyje në qafën e vendit. Është një lak që po shtrëngohet përditë në qafën e vendit, që po i merr frymën ekonomisë të vendit, e cila vazhdon të mbahet në këmbë falë forcës së kapitalit shqiptar. Është një organizëm me një zemër që ende punon dhe që është kapitali i vendit, privat flas dhe me një tru të atrofizuar që është qeveria e vendit.
3. Përpjekjet për perceptim publik sikur ne duam të marrim pushtetin me dhunë e krijoni ju të televizioni Shqiptar, e krijojnë altoparlantët e tjerë të pushtetit që i bëjnë jehone deklaratave të turpshme dhe të neveritshme të një pushteti që është përditë e më i shqetësuar dhe aty kanë të drejtë, nga reagimi i një populli që nuk ka ndërmend ti shkojë pas këtij pushteti si një kope delesh që përfundojnë në humnerë. Përsa i përket pastaj termit që ju përdorni është një term që ka gjithë reputacionin dhe fisnikërinë e tij dhe nuk ka lidhje fare as me dhunën dhe as me marrjen e pushtetit me dhunë. Ka lidhje vetëm me shprehjen publike të një reagimi popullor kundër një pushteti që uzurpon liritë dhe të drejtat e njerëzve, duke filluar nga vota, duke shkuar tek gjykatat dhe duke përfunduar pastaj deri në xhepin e çdo familje ku ka përditë e më shumë vrima e përditë e më shumë fatura të papërballueshme për tu paguar. Si i bëhet? Si mundet që njerëzit e pambrojtur, si mundet që njerëzit e pamundur të vazhdojnë të paguajnë? Jo sepse të gjithë paguhen, jo sepse rruga e përbashkët është e vështirë për të gjithë, por sepse një skenë e falimentuar e një politike komplet të çartur ekonomike vazhdon të jetë në funksion të interes të një grupi politik që ka uzurpuar pushtetin dhe ka vënë shtetin në shërbim të pushtetit. Ky është thelbi dhe këtë po jetojnë sot shqiptarët dhe ato kutitë për të cilat ne kemi folur e vazhdojmë të flasim, e përsëris, nuk janë një objekt, një pronë për të cilin janë në sherr dy palë. Jo! Ato janë burimi i kësaj të keqeje dhe ato janë arsyet se përse njerëzit do dalin dhe do vazhdojnë të protestojnë dhe pse protesta do të përshkallëzohet në 30 prill, dhe pse do ta shikoni që gjithmonë e më shumë shqiptarët dhe shqiptaret do të kuptojnë dhe do të reagojnë duke besuar se nuk mund të vazhdohet më kështu. Dhe nuk mund të vazhdohet më kështu jo sepse duhet të iki një pushtet, duhet të vijë një pushtet tjetër, por nuk mund të vazhdohet më kështu sepse u bënë 20 vjet dhe çdo ditë kemi rast për të parë se si na shikojnë të tjerët, se si na konsiderojnë dhe se si na gjykojnë të tjerët. Dhe raportet që unë ju solla këtu përpara, njëri krejtësisht shkencor, tjetri tërësisht i pavarur në gjykimin e standardeve demokratike, ju thonë se jeni larg mesatares së vendeve të rajonit dhe ju, gjeneratë e re 30 vjeçarësh vazhdoni dhe dyshoni se kjo situatë nuk duhet kontestuar dhe se me këtë situatë ne mund të vazhdojmë të bashkëjetojmë.
4. Ne nuk kemi nevojë për asnjë hije, ne i kemi të gjitha gjërat të qarta dhe janë në dritën e diellit dhe në dispozicionin e të gjithëve. Nuk janë çelësa magjikë që mbahen fshehur në një kasafortë dhe që një ditë do dalin dhe do të zgjidhin sot me nesër të gjitha problemet e këtij vendi, por janë ide të shtruara shumë qartë në një platformë programatike, të cilën ne e ofruam edhe në 28 qershor duke thënë që kemi një skemë të modelimit të ekonomisë që nuk mund të shkojë më tutje, sepse është drejt falimentit dhe duke bërë propozime konkrete për mënyrën se si ne mendojmë se ekonomia shqiptare duhet të qeveriset duke thënë se pa rimëkëmbur fshatin dhe pa i dhënë fshatit mundësi të prodhojë. Nuk kemi asnjë mundësi të rrisin fuqinë e brendshme të kësaj ekonomie dhe do vazhdojmë të varemi në litarin e një deficiti tregtar, i cili është përditë e më i papërballueshëm. Kemi thënë se nuk mund të vazhdojë ky sistem i financimit të shëndetësisë. Ju kujtohet besoj, kemi folur për një sistem alternative financimi, na është thënë se kjo që themi është shumë e vjetër ndërkohë që me këtë të renë ju e shikoni që jemi në kushtet ku spitalet nuk po arrijnë dot të blejnë ilaçet.
Dhe kjo është një histori më vetë. Kemi thënë se ky model i zhvillimit të arsimit është një parakusht për një katrahurë kulturore dhe arsimore në Shqipërinë e nesërme pasi gjithë ky lum i madh njerëzish që derdhen jashtë një shtrati të mirë organizuar janë një energji e cila jo vetëm nuk administrohet sot, por që nesër mund të na japë rezultate të tmerrshme kur do të na duhet që me ata që po edukojmë sot të edukojmë ata që vijnë nesër dhe më radhë. Kemi folur për domosdoshmërinë e kthimit të vëmendjes nga prodhimi, jo vetëm në fshat, por dhe ai industrial nuk ka asgjë, është e gjitha një shthurje dhe një shpërbërje e të gjitha pasurive të vendit dhe në funksion të mbajtjes së shtetit po shitet e ardhmja e vendit. Po luhet kumar me përfitimet e menjëhershme me të ardhmen e vendit dhe këtu është i gjithë problemi, për të menaxhuar një situatë e cila do të shkojë e do të bëhet përditë e më e rëndë në momentin kur qeverisë, cilado qoftë ajo ti vijnë mendtë. Do të jetë gjithnjë e më e vështirë për faktin e thjeshtë sepse të gjitha pikat ku mund të vendosen kolonat e një rimëkëmbjeje janë duke u asgjësuar, të gjitha burimet e pasurisë të përbashkët të këtij vendi janë duke u tjetërsuar, duke u kanalizuar në drejtime të paditura. Ky është një problem shumë i madh dhe nesër vendi rrezikon të mbetet pa burime ku të mbështetet për tu rimëkëmbur këto procese privatizimesh barbare që kanë synim vetëm mbajtjen e pushtetit, të marrim c’të mundemi që të mbajnë pushtetin dhe pastaj sigurisht pushteti na duhet që të vazhdojmë të marrim sa të mundemi. Janë procese kriminale në kuptimin e plotë të fjalës dhe të gjitha këto kanë filluar ta japin efektin tek njeriu i zakonshëm dhe familja e tij. Ky është problemi sot i ekonomisë dhe ky është një problem që nuk zgjidhet dot në rast se vazhdon të mbulohet e vërteta vazhdon tu thuhet shqiptarëve se jo vetëm s’kemi asnjë krizë, por jemi një model planetar. Ndërkohë që nga kjo analizë që i është bërë financave publike rezulton se jemi në kushtet kur çdo borxh tjetër që do marrim, do jetë një super ngarkesë sepse të ardhurat që ne gjenerojmë janë gjithmonë e më të pamundura për të përballuar borxhet dhe ky është gjithë thelbi. Sigurisht që borxhi është një element universal i një ekonomie tregu, por ama kur merr borxh me interes më të larta, për të larë një borxh që e ke marrë me interesa më të ulëta dhe ndërkohë nga ana tjetër nuk ke asnjë zhvillim që të gjenerojë të ardhura që ti të përballosh borxhet që merr dhe në fund të arrish një balancë atëherë në fakt po hap një gropë të madhe, duke prerë degën ku rri. Ky është gjithë problemi. Është rasti i thjeshtë i çdo familje sot, shkruajnë emrin nëpër lista, këtë bën qeveria shqiptare, shkon vë emrin nëpër lista për të marrë borxh. Familjet thonë na jepni sot se do t’ua lajmë nesër ndërkohë çmimi i atyre mallrave që marrin vazhdon rritet, ndërkohë që të ardhurat e tyre nuk rriten, përkundrazi borxhi zë borxhin, borxhi zë borxhin dhe familjet e papuna që nuk kanë gjasë të rrisin të ardhurat, për ti përballuar këto borxhe gjenden përpara humnerës. Ja kështu po shkon dhe po gjendet e gjithë familja shqiptare për shkak të keqqeverisjes dhe këto nuk janë fjalë që i themi ne që jemi në opozitë dhe duhet patjetër të themi diçka që është e keqe. Këto janë konstatime që janë rezultat i një sinteze vlerësimesh që vijnë nga të katër anët. Është e kotë të fshihemi pas deklaratave diplomatike për progresin e bërë, por ndërkohë duhet akoma progres. Keni shkuar përpara, por dhe më përpara duhet të shkoni, se ja dhe pak dhe do bëni këtë, ja dhe pak dhe do bëni atë, ndërkohë që ne jemi gjithmonë e më mbrapa e gjithmonë e më të fundit në një Europë ku duam të integrohemi. Sigurisht që Europa duhet ti liberalizojë vizat për Shqipërinë dhe unë kam qenë gjithnjë i bindur qysh në krye të herës, qysh më para se të merresha me politikë zyrtare që liberalizimi i vizave për rajonin tonë nuk duhej të lidhej fare me asnjë proces burokratik, por sigurisht nga ana tjetër një sërë çështjesh si regjistrimi i popullsisë, si pasaportat duhet të ishin zgjidhur me kohë dhe nuk u zgjidhën kurrë. Dhe vijmë sot që kemi mbetur në fund dhe vazhdojmë shtyjmë gjashtë mujorë pse ndodh kjo? Për çfarë arsye ndodh kjo? Për arsyen e thjeshtë sepse ne jemi shumë larg Evropës në shumë pikëpamje dhe kjo largësi me Evropën vazhdon thellohet jo në sensin e procesit të liberalizimit që edhe sikur më në fund fare ne të qëndrojmë në vend dhe mos bëjmë asgjë do ta marrim, por në kuptimin e aftësive që ka ky vend për të qenë i integruar në të gjithë fushat, për të jetuar në Europë me Europën. Jo për të jetuar ne me Europën siç jeton sot një fshat i humbur pa energji elektrike në majë të malit me Shqipërinë. Ai fshat është pjesë e Shqipërisë, ata njerëz që jetojnë në atë fshat mund të vijnë në tiranë por në atë fshat nuk jetohet. Këtë Shqipëri duam ne? Kjo është Shqipëria evropiane që kërkojmë ne? Në asnjë mënyrë jo, e pra që Shqipëria mos ti ngjajë atij fshatit atje në mal, pranë Martaneshit, ku ka vite pa drita dhe ndërkohë ata sigurisht mund të lëvizin, mund të vijnë e mund të shkojnë, por atje në vendin e tyre nuk bëjnë dot asgjë ne duhet të kuptojmë se Evropa është ajo që duhet të ndërtojmë ne këtu.







