Postuar më: 04/11/2009
Dje u mbushën plot gjashtë muaj që Fatmir Xhindi nuk jeton më. Po dje familjarët, qytetarët e Roskovecit dhe të tjerë shokë dhe miqtë e tij me përjashtim të pushtetarëve qendrorë dhe lokalë të partisë në pushtet, e kujtuan dhe e nderuan atë me shumë dhimbje,me shumë lot dhe me shumë lule. Fatmir Xhindi nuk u nda nga kjo jetë për arsye moshe,sepse ishte shumë i ri.
Fatmir Xhindi nuk u nda nga kjo jetë për arsye shëndetësore,sepse ishte shëndoshë e mirë.
Fatmir Xhindi nuk u nda nga ndonjë aksident i rastit sepse ishte i kujdesshëm dhe i përpiktë për gjithshka.
Fatmir Xhindi u nda nga jeta sepse e vranë.
Sot e 6 muaj nëna e tij 85 vjeçare pyet: Kush ma vrau djalin?!
Dhe Sali Berisha me të tijtë hesht.
Sot e 6 muaj bashkëshortja e tij pyet: Kush ma vrau burrin?! Dhe përsëri Sali Berisha me të tijtë hesht.
Sot e 6 muaj fëmijët e tij pyesin: Kush na e vrau babain?! Përsëri Sali Berisha dhe pushteti hesht.
Sot e 6 muaj vëllezërit e motrat e tij pyesin: Kush na e vrau vëllain?! Përsëri pushteti bën shurdhin dhe memecin.
Sot e 6 muaj, madje edhe dje e të dielën qytetarët e Roskovecit e të gjithë Fierit pyesin: Kush na e vrau deputetin?! E në vend të saj dëgjojnë Sali Berishën të thotë se ka fituar betejën ndaj krimit dhe kriminelëve.
Partia Socialiste sot e 6 muaj pyet: Pse u vra përfaqësuesi i saj në prag të shtëpisë dhe në prag të fushatës elektorale?! Pse sot e 6 muaj kjo vrasje e këtij politikani nuk ka autor?!
Përgjigjet pa përgjigje të pushtetit të Sali Berishës deri më sot kanë hedhur në tavolinë të organeve kompetente të gjitha pistat e mundshme. Po sipas verdikitit të tyre të gjitha nuk qëndrojnë. Aktualisht ka mbetur vetëm një pistë: Fatmir Xhindi është vrarë vetëm për arsye politike.
Pistë që nuk është hedhur para organeve kompetente. Këtë pistë nuk mund ta hedhë pushteti i Sali Berishës.
Është pista politike sepse pas 6 muajsh pas vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi, veprimet hetimore rezultojnë tërësisht të stopuara. Është pista politike pasi Policia e Shtetit nuk është duke kryer asnjë veprim hetimor për zbulimin e autorëve dhe gjetjen e provave.
Është pista politike pasi vendi dhe rrethanat e tjera të kryerjes së krimit si dhe cilësitë e posaçme të ngjarjes dëshmojnë se zbulimi i këtij krimi nuk përbën për specialistët një rast pa zgjidhje. Është pistë politike, sepse ligji i ka përcaktuar detyrimet konkrete të Policisë së Shtetit përmes strukturave të posaçme të ngritura prej saj, të cilat kanë për detyrë të kryejnë veprime për zbulimin e çdo lloj ngjarjeje kriminale, aq më tepër për një ngjarje të tillë me sfond politik.
Është politike sepse Policia e Shtetit me qëllim u është larguar detyrave të caktuara nga ligji për zbatimin dhe zbulimin e kësaj ngjarjeje. Rasti i hetimeve për vrasjen e deputetit tregon qartë se policia nuk dëshiron ta zbardhë këtë krim, fakt që provon natyrën politike të këtij krimi. Përkundër detyrimit që ka në zbatim të ligjit segmente të larta të shtetit, të politizuara deri në palcë, në vend që të kryejnë veprimet e tyre kushtetuese në mbrojtje të rendit publik, të jetës dhe të pronës së shtetasve provokojnë konflikte të pashembullta me agjencitë e tjera ligjzbatuese. Pra, tashmë është e qartë për të gjithë që Policia e Shtetit është vënë hapur në mbrojtje të bizneseve dhe interesave të pista të Familjes Kryeministrore dhe të klanit të tyre.







