Postuar më: 09/03/2010
Partia Socialiste dënoi sot me forcë aktin e shëmtuar kriminal që ka ndodhur në fshatin Ruzhdie, ku një nga komisionerët e Partisë Demokratike ka dhunuar një simpatizant të Partisë Socialiste, vetëm e vetëm sepse ky i fundit kishte shprehur në media mendimin e tij mbi manipulimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Sipas deputetit Pirro Lutaj, është e papranueshme që qytetarët shqiptarë të dhunohen, sepse guxojnë të shprehin mendimin e tyre të lirë.
Më poshtë, lexoni të plotë deklaratën e deputetit Pirro Lutaj:
Në emër të Partisë Socialiste dënoj me forcë aktin e shëmtuar kriminal që ka ndodhur në fshatin Ruzhdie, kur një nga komisionerët e Partisë Demokratike ka dhunuar një simpatizant të Partisë Socialiste vetëm e vetëm sepse ky i fundit kishte shprehur në media mendimin e tij mbi manipulimin e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Është e papranueshme që qytetarët shqiptarë të dhunohen sepse guxojnë të shprehin mendimin e tyre të lire, qoftë edhe kur ky mendim bie ndesh me interesat e partisë në pushtet.
Për këtë arsye në emër të Partisë Socialiste i kërkoj Kryeministrit Berisha dhe Partisë Demokratike që të distancohen publikisht nga ky akt i shëmtuar i ndërmarrë nga një prej përfaqësuesve të kësaj force, që për më tepër është nën hetim për krimin e manipulimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Në të kundërt, kemi arsye të dyshojmë se kryerja e këtij akti vetëm një ditë pas vizitës së Sokol Olldashit në atë zonë, nuk është e rastësishme.
I kërkojmë gjithashtu Kryeministrit Berisha dhe Partisë Demokratike që të heqin dorë nga gjuha e konfliktit dhe urrejtjes që kanë prodhuar deri tani shumë raste të rënda sulmesh, madje edhe atentatesh ndaj përfaqësuesve të Partisë Socialiste.
Prokuroria ka provën më të qartë se dhunuesi i votës së lirë që dhunon gjithashtu pa të keq e në mes të ditës një qytetar, nuk duhet të ketë më vend në liri, por vetëm përballë drejtësisë.






