Postuar më: 16/06/2010
Gjatë deklaratës së saj për shtyp, nënkryetarja e Grupit të PS-së, Vasilika Hysi, ka vënë theksin tek raport i Departamentit Amerikan të Shtetit për 2010, i cili e rendit Shqipërinë në listën e vendeve problematike të trafikimit të qënieve njerëzore. Ky raport thekson se ministria e brendshme nuk përmbush as standartet më minimale për eleminimin e këtij trafikimi. Në fund të deklaratës së saj i bën thirrje në emër të Partisë Socialiste, qeverisë, që të marrë masa konkrete në luftën kundër trafikimit të qënieve njerëzore, e jo të dal e të flas për suksese të paqëna.
Më poshtë fjala e plotë e nënkryetares së Grupit të PS, Vasilika Hysi:
Vetëm dy ditë, pasi zëdhënësi i ministrit të brendshëm deklaroi publikisht se trafiku i njerëzve nga Shqipëria është një trillim i opozitës, raporti i DASH për trafikimin e qenieve njerëzore për 2010 edhe njëherë e rendit Shqipërinë në listën e vendeve që janë burim trafikimi i burrave, grave e fëmijëve për punë të detyruar e prostitucion.
Raporti thekson se ministria që drejton z. Lulzim Basha nuk përmbush as standardet minimale për eleminimin e trafikimit, se kjo ministri nuk u ofron mbrojtje viktimave të trafikimit që marrin guximin të bashkëpunojnë me drejtësinë duke kompromentuar rëndë nxjerrjen përpara drejtësisë së fajtorëve për këto krime, se në disa prej agjencive kyçe nën varësinë e kësaj ministrie ka mungesë vullneti politik në luftimin e këtij fenomeni, se korrupsioni i kudogjendur përbën një nga pengesat kryesore në parandalimin dhe luftimin e trafikimit.
Ministri Basha do të bënte mirë të jepte llogari për këtë situatë të papranueshme dhe këtë njollë të turpshme mbi imazhin e vendit, përgjegjësia për të cilën bie parasëgjithash mbi të. Përpara se të flasë për arritje të paqena, Ministri i Brendshëm do të bënte mirë të shpjegonte para qytetarëve të këtij vendi se ç’masa është duke marrë për të ndihmuar viktimat e trafikut? Ai do të bënte mirë të dilte përpara publikut shqiptar e të tregonte se si po e lufton mungesën e vullnetit politik për t’i dhënë fund trafikimit?
Sa për korrupsionin e kudogjendur ndoshta ministri Basha nuk është personi më i përshtatshëm për t’i bërë një pyetje të tillë.
Nuk është aspak për t’u çuditur që edhe në rastin e trafikimit, korrupsioni në radhët e qeverisë shfaqet si një ndër pengesat kryesore në luftën kundër këtij fenomeni nëse kemi parasysh se njeriu që e drejton Ministrinë e Brendshme ka meritën të jetë ministri i më i korruptuar i një kabineti qeveritar të zhytur në korrupsion.
Partia Socialiste i kërkon qeverisë shqiptare:
1. Të lërë mënjanë retorikat lidhur me rezultatet e shkëlqyera të luftës kundër trafikimit dhe shfrytëzimit kriminal të njerëzve, fëmijëve dhe grave dhe të marrë masa konkrete për parandalimin e ndikimit të faktorëve që nxisin këto trafiqe.
2. Të marrë masa reale dhe lehtësisht të matshme për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave të trafikimit, shfrytëzimit për punë të detyruar dhe aktivitete ilegale.
3. Të masë rezultatet e parandalimit të trafikimit me rastet reale të parandaluara dhe me numrin e viktimave të mbrojtura realisht dhe jo me rastet e proceduara dhe të dënuara.







