img
“Shqipėria nė krizė, arsyet e protestės”

Postuar më: 04/02/2010

“Shqipëria në krizë, arsyet e protestës”. Kjo ishte tema e takimit që Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, organizoi me gazetarët në sallën e Akademisë së Arteve. Në fjalën e tij përshëndetëse, lideri socialist theksoi se ky është takimi i parë që fillon me Tiranën dhe do vazhdojë më pas edhe në qytete të tjera të vendit, për të shpjeguar pse Shqipëria sot ndodhet në një krizë të thellë politike, ekonomike dhe të demokracisë. Takimi nisi me pyetje të gazetarëve të pranishëm në sallë. I pyetur nëse kusht i pranisë së opozitës në tryezën e dialogut, që pritet të organizohet së shpejti nga Presidenti Topi, është hapja e kutive të votimit, Rama tha se PS nuk ka vënë kusht hapjen e kutive për tu ulur në tryezë por do të ulet në tryezë për të hapur kutitë.

 

“Sot ne nisim një udhëtim shpjegues në të gjithë Shqipërinë, lidhur me gjendjen e vendit, me krizën që kalon sot Shqipëria, si edhe me të gjitha arsyet e protestës tonë. E pamë të udhës ta ndërtojmë këtë takim, kështu në këtë formë të re, duke dashur që qetësisht, urtësisht dhe qartësisht me ndihmën e zëdhënësve të opinionit publik, disa prej të cilëve janë në këtë tavolinë, të shpjegojmë sa më thjesht dhe sa më në detaje jo vetëm situatën në të cilën ndodhet vendi, por edhe të gjitha arsyet për çka kemi bërë deri sot dhe çka dëshirojmë të bëjmë nesër e më tutje.

Ky takim është i pari, fillon me Tiranën dhe do të zhvillohet duke u bazuar kryesisht në pyetjet e gazetarëve të pranishëm, ndërkohë që ftesa jonë për të gjithë gazetarët që duan të marrin pjesë në takimet e ardhshme është e hapur, pa asnjë paragjykim dhe pa asnjë pengesë, mjaft që të na bëjnë me dije dëshirën e tyre më parë, ashtu si kundër rregullat e takimit janë ato të një paraqitje normale publike, me pyetje dhe përgjigje e pastaj më tutje në rast se do të ketë kohë dhe nevojë, mund të bëhen pyetje nga salla. E rëndësishme është që çështja të trajtohet në gjerësinë dhe thellësinë e saj, sepse momenti që po kalon vendi është një moment jashtëzakonisht i vështirë, delikat dhe i ndërlikuar. Ashtu si edhe rruga që kemi zgjedhur, është rruga ku ne duam të jemi bashkë me të gjithë qytetarët e qytetaret e këtij vendi, pavarësisht përkatësive dhe interesit për politikën e ditës. I pyetur për gatishmërinë e Partisë Socialiste për uljen në tryezë pa hapjen e kutive, Rama tha:”Këto janë dy gjëra të ndryshme. Ne nuk kemi vënë kusht hapjen e kutive për tu ulur në tryezë, por do të ulemi në tryezë për të hapur kutitë”.
 
Koha për dialog, jo kohë për të përgjumur opozitën

 

Unë po flas për arsyet e protestës dhe jo për datën e demonstratës. Ne jemi në protestë edhe tani, ne jemi qysh ditën kur kemi vendosur të refuzojmë të marrim pjesë në një parlament, i cili në këndvështrimin tonë duhet të legjitimoj vetveten, duke pasur kurajën të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese përmes vullnetit për të hetuar vetveten.  Kështu që Arsyet e protestës janë të gjitha arsyet pse ne jemi në pozicionin që jemi sot, ku jemi prej kaq muajsh jashtë parlamentit, të gjitha arsyet pse jemi dhe do të jemi në betejë, pavarësisht nëse do të ketë ose jo manifestim proteste në varësi nga dialogu dhe rezultati i tij, pikërisht për ta respektuar këtë dialog dhe për të mos krijuar asnjë ekuivok, apo për të mos ushqyer asnjë justifikim për palën që nuk është e interesuar ta zgjidh çështjen tonë. Ne nuk kemi shpallur datën e protestës, por nga ana tjetër nuk do të thotë që kur po përgatitet të zhvillohet dialogu, ne të mos përgatitemi intensivisht edhe për alternativën e dialogut, që është protesta. Unë e kam thënë, dhe të tjerë kolegë e kanë thënë, Sali Berisha nuk mund ta përdorë kohën për dialog si një kohë për të përgjumur opozitën.

 
Dialog për krizën tërësore në Shqipëri
 
Kriza në Shqipëri është një krizë tërësore, është krizë shumë përmasore. Ne e kemi përcaktuar si një krizë, e cila po rrënon ekonominë, e cila po rrënon shtetin e së drejtës, dhe demokracinë. Ka shumë gjëra për të folur, ashtu si edhe shumë gjëra për të trajtuar. Dialogu pa dyshim do të shtrihej në të gjitha aspektet e kërkesës tonë publike, për të pranuar të hyjmë në Parlament në rast se kjo kërkesë nuk do të kushtëzohej me mos hapjen e kutive. Pra, në rast se objekti i hetimit do të ishte i lirë dhe shumica e komisionit hetimor e përbërë nga opozita do të lejoj që objektin e hetimit ta shtrinte në gjithë horizontin e deformimit të procesit zgjedhor, atëherë dialogu do të trajtonte të gjitha pikat dhe sigurisht ne jemi gati të flasim për të gjitha pikat, që përfshijnë jo vetëm transparencën e kutive, por përfshijnë të gjitha presionet dhe deformimet para dhe pas zgjedhore, që nga elementi i cenimit të lirisë së rrogëtarëve të shtetit përmes trysnisë të drejtorëve, funksionarëve që kërkonin votën brutalisht, duke ua kondicionuar vendin e punës me këtë votë, tek heqjet nga puna për arsye të mos dhënies së votës apo të pjesëmarrjes aktive në aktivitetet e opozitës, tek kushtëzimi brutal i ndihmës ekonomike, sidomos në fshat nga kryetar komunash dhe pushtetarë të vegjël, shërbëtor të pushtetit të madh me votën për PD, tek lirimi në shkelje të plotë të ligjit i kriminelëve nga më të rrezikshmit të dënuar nga gjykata e krimeve të rënda, për të ushtruar presion mbi zgjedhësit, duke shkuar më tutje te deformimi i patolerueshëm i pasqyrës mediatike përmes abuzimeve të rënda me buxhetin e gjithë shqiptarëve për propagandë të partisë në pushtet, abuzimin me TVSh për të njëjtën propagandë, shkatërrimi i të gjitha balancave ligjore dhe demokratike në institucionet monitoruese, qoftë në këshillin kombëtar të radiove dhe televizioneve, qoftë në TVSh, më pas tek misteri ende i pa hetuar, por përkundrazi i errësuar edhe më shumë i vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi, mu në prag të fushatës elektorale, e me radhë për të ardhur deri tek anonçimi ogurzi i marrjes së Shërbimit Sekret Shqiptar nën kontrollin e Kryeministrit, të gjitha këto gjëra, që në një shtet të së drejtës me balanca demokratike, me respekt të ndërsjellët midis palëve janë të patolerueshme. Por, fatkeqësisht kjo nuk është një shtrirje e mundshme në të gjithë gjerësinë e vet, sepse është kushtëzuar me kufizimin e objektit të hetimit. Që nuk do të thotë se ne nuk do të diskutojmë këto gjëra, por që kërkesat tona nuk janë një listë për pazarin e ditës, duke shkuar dyqan më dyqan, derisa të jetë kryer pazari. Kërkesat tona kanë një rend prioritetesh, që nuk mund të vendosen në kandar as me numër e as me peshë. Që do të thotë, se nuk mund të thuhet por mirë, ju hiqni dorë nga kutitë, ne po ju lëmë këto të tjerat. Jo. Sepse, në rast se nuk hetohen kutitë, nuk ka hetim të zgjedhjeve, por ka vetëm një ardhje për qark qendrës së gravitetit të krimit elektoral. Nëse ka krim elektoral, këtë mund ta provoj vetëm transparenca e kutive në radhë të parë. Pa kutitë të gjitha të tjerat relativizohen tërësisht.


Në demokracinë që nuk funksionon, nuk ka parlament

Ajo që dua të them, është se nuk ka asgjë më serioze se beteja për një liri, si liria e votës. Më lejoni tu shpjegoj pse hyrja në parlament, jo vetëm nuk do të krijonte kushtet për ta fituar këtë beteje, dhe me fitore të betejës nuk kuptoj rrëzimin në tavolinë të qeverisë dhe as rishpërndarjen në tavolinë të mandateve, por kuptoj fundin e një historie zgjedhjesh 20 vjeçare, të zgjedhjeve të kontestuara e të deformuara, që nuk shkojnë duke u bërë më mirë, por shkojnë më keq, pavarësisht se në dukje përmirësohet mekanizmi i tyre, por në fakt sofistikohet mekanizimi i deformimit të tyre. Kjo nuk është betejë e PS kundër PD, por është një betejë për liri të votës të çdo qytetari të këtij vendi, për ndershmëri në procesin e numërimit të votimit dhe për transparencë të këtij procesi përballë publikut shqiptar. Parlamenti ndryshe nga çdo lloj tjetër teatri dhe spektakli që zhvillohet në një skenë përballë publikut, është i vetmja shfaqje që nuk drejtohet nga një regjisor, por drejtohet nga publiku, i cili përcakton rolet. Çdo shfaqje tjetër rolin e përcakton regjisori, teatër, koncert, sport. Parlamenti është e vetmja shfaqje e cila në demokraci nuk kushtëzohet nga vullneti i një regjisori, por nga vullneti i publikut. rolet kush do qëndroj në pozitë apo kush do të qëndrojë në opozitë i përcakton publiku përmes votës. Shfaqja 4 vjet vlen që publiku të gjykojë se si këta aktor të interesit publik i luajnë këto role dhe pas 4 vjetësh kur i vjen radha të ripërcaktoj rolet thotë në këtë rol ju nuk bërët atë që ju kërkohet, kështu që do të ndërroni rolet, ju të tjerët merrni rolin tuaj. Por në momentin që kur publikut i hiqet e drejta të përcaktoj rolet, atëherë parlamenti skam ë vlerë, atëherë parlamenti bëhet teatër si të gjitha shfaqjet e tjera, të cilat ndryshojnë pastaj se të gjitha shfaqjet janë argëtuese, kurse parlamenti nuk është më argëtues, por është një shëmti, farsë, maskaradë, që luhet në emër të demokracisë, por në fakt nuk e garanton demokracinë. Çdo të thotë të kesh shumë numra në opozitë në rast se publiku është zhveshur nga roli i tij? Asgjë. Në asnjë parlament normalisht opozita nuk ia ndërron dot mendjen shumicës se flet bukur apo se jep argumente. Madje, nuk është fare ky qëllimi në fund të fundit, përkundrazi opozita luan rolin e saj, për ti dhënë publikut mundësinë të gjykojë në bazë të atyre se ku po gabon qeveria, si po gabon dhe pse kjo që po bën është e dëmshme. Për më tepër pastaj në Parlamentin tonë, me atë forcë që qeverisë dhe me atë kazermë që vepron në union symbyllur, nuk ka asnjë shans që opozita të arrij ndonjë gjë që kërkon, duke u futuar aty brenda dhe duke u bërë pjesë e atij teatri ndërkohë që i është prekur e drejta për gjykim e publikut. Ndërkohë që publikut nuk i jepet e drejta të gjykojë me votë dhe ajo që ne kërkojmë, është t’i rikthejmë atij teatri unik, që është teatri i demokracisë dhe që funksionon sipas vullnetit të popullit, fuqinë që e ka te vota e popullit. Mos hyrja në Kuvend, është refuzimi për ta mbyllur kapitullin e deformimit të fundit elektoral dhe kapitullin e deformimeve 20 vjeçare. Hyrja në Parlament do të ishte krejt e kundërta, thjesht dhe vetëm mbyllja e syve përpara asaj që ndodhi dhe pastaj shkuarja symbyllur në një tjetër masakër elektorale, me po ato fenomene dhe ndoshta me ndryshimin që shumëkush këtë radhë besoi te vota e lirë, nuk do të besoj me të vota e lirë. Shumëkush që këtë radhë besoi tek angazhimi i lirë nuk do të besoj më tek ky angazhim, shumëkush që këtë radhë sakrifikoi në procesin e administrimit si komisioner e më pas u hoq nga puna për këtë, jo vetëm që nuk do të rikthehet më, por përkundrazi do të thotë, se nuk ia vlen më kjo gjë. Sepse është humbja e besimit të popullit, e besimit të njerëzve te vlera dhe fuqia e votës. Kjo është arsyeja pse nuk duhet bërë gabimi fillestar. Në demokraci është Parlamenti vendi ku vendosen gjërat. Po, por në një demokraci funksionale. Një demokraci që nuk funksionon, nuk mund të ketë një parlament që funksionon. Dhe rifunksionimi i parlamentit vendoset jo nga shfaqja pa spektator, por nga vullneti i palëve, për të rivendosur kriterin themelor, lirinë dhe paprekshmërinë e votës.

Bojkoti, ilaç për sëmundjen e rëndë të zgjedhjeve

 

Bojkotin e kam kritikuar dhe do ta vazhdoj ta kritikoj. Nga ana tjetër, e kam thënë që në krye të herës që bojkoti nuk është një gjë e ëmbël për askënd, por është një ilaç i hidhur për të kuruar një sëmundje të rëndë. Kur ju thoni bojkoti ka dëmtuar demokracinë nuk e di ca keni parasysh, por kjo lloj demokracie nuk ka shans të shëmtohet nga bojkoti sepse është aq e dëmtuar sa bojkoti mund të ndikojë si një ndër instrumentet për shërimin e saj.
Në këtë sallë në 1991 kemi goditur Hoxhën, sistemin e të kaluarës, jo për pak demokraci por për demokraci të plotë, që nuk është një gjë që negociohet dhe delegohet. Siç ndodhi për 50 vjet me popullin shqiptar që i delegoi lirinë e të drejtën e votës diktaturës, dhe nuk ka më vullnet për të deleguar liri e të drejta dhe relativizimi i demokracisë do të thotë pajtimi me shkeljet e të gjitha natyrave.

Nuk shkojmë drejt një thertoreje tjetër elektorale

 

Dini ndonjë rast kur për shkak të oponencës në parlament në të shkuarën, ky pushtet ka ndërruar ndonjë mendje apo ligj?! Ligjet për të cilat kemi luftuar deri në fund në parlament sepse kemi besuar te gjykimi i publikut, i cili në momentin e duhur në 28 qershor do të jepte verdiktin e tij për rolet e luajtura në shfaqjen demokratike të parlamentit duke dhënë votën për ndryshimin e roleve. Kemi besuar jo sepse kishim ndonjë iluzion pse pushteti i Berishës ishte më i interesuar papritur për të drejtat e zgjedhësve, por sepse kemi bërë marrëveshje në qendër të saj ka pasur një pikë, gravitetin e zgjedhjeve. Dy komisionerë hapin kutitë. Ky ka qenë çelësi i gjithë procesit konsensual që ju keni parë, me besimin se sado deformime në fund do të ekspozoheshin në dritën e diellit, në tryezën e KQZ me kërkesën e dy anëtarëve. Në momentin kur forcërisht shumica përfaqësuese e pushtetit vendosi të mos hapë kutitë, vendosi të mos ketë opozitë në parlament. Këtu fillon historia e kësaj çështjeje dhe këtu duhet të shohim arsyet pse PS bashkë me opozitën nuk është e gatshme t’i besojë përmirësimit të kuadrit ligjor dhe të shkojë në një tjetër thertore elektorale. Por kërkojmë jo përmbysjen e rezultatit në tavolinë, po transparencën për të nxjerrë në sytë e shqiptarëve çfarë ka në kutitë e votimit dhe për të ekspozuar gjithë problematikën e këtyre kutive me një qëllim. Nuk është ndryshimi i pushtetit në tavolinë, por fundi i sistemit të korrupsionit elektoral që do të thotë se në rast se nga kutia e materialit zgjedhor dhe e votave në x fshat rezulton se jo 500 votues siç është shënuar në procesverbal por as gjysma e tyre kanë marrë pjesë, prezenca e të tjerëve është siguruar me konsensusin korruptiv të komisionerëve. Nëse ekzistojnë 500 vota në kuti, komisionerë socialistë dhe demokratë të përgjigjen para drejtësisë, për t’u thënë të tjerëve në vend se të marrësh pjesë në administrimin e zgjedhjeve nuk është biznes, por detyrim dhe përgjegjësi para ligjit. Ndryshe ky proces do të vazhdojë të përsëritet dhe ne na kërkohet të themi “o zot bëje ëndërr se herën tjetër do të jetë më mirë”.

Një pushtet legjitim nga zgjedhjet, nuk sillet si “Berisha”

 

Në rast se gjithçka do të ishte fryt i një imagjinate le të themi politike, në funksion të një strategjie politike dhe nuk do të ishte bazë në realitetin e gjërave, sot ne nuk do të kishim një pushtet që prej 28 qershorit sillet dy herë më keq se para. Një pushtet që do të kishte dalë nga zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe do të buronte nga vullneti i spektatorit nga shfaqja 4 vjeçare, nuk do të bënte kurrë ato që ka bërë gjatë kësaj periudhe të një shteti që ka grabitur zgjedhjet për të vazhduar të grabisë Shqipërinë, një model ky jo funksional europian, por i ngjashëm me ish republikat sovjetike ku procesi është fals. Si ka mundësi që ku opozita është jashtë parlamentit dhe kriza është tërësore, kryeministri i akuzuar për orkestrimin e vjedhjeve të zgjedhjeve, në nevojë për normalitet në parlament, shkon dhe godet marrëveshje të bëra më parë për KKRT, duke ia hequr opozitës edhe atë anëtar që kishte mbetur aty si rezultat i një marrëveshjeje të mëparshme dhe duke vënë në kundërshtim me ligjin, anëtarë që vijnë nga paradhoma e kryeministrit dhe kryetares së Kuvendit, në një kohë kur marrëveshja është për balancimin e KKRT. Një pushtet legjitim nuk vepron kështu, një pushtet që nuk ka prekur zgjedhjet nuk ka arsye të veprojë kështu, po përkundrazi i lejon opozitës edhe atë vendin tjetër dhe i thotë: “kur të vish në parlament hajde merre”.

Me 18 shkelje Kushtetute në 4 vjet

 

Një njeri i cili akuzohet për vjedhje dhe nuk lë të kontrollosh nëse gjënë e vjedhur e ka në shtëpi nuk është i besueshëm kur thotë “kjo është shtëpia ime”, por përkundrazi është i pari i interesuar të thotë se “akuzat janë të rreme dhe unë ftoj publikun të shohë se çfarë akuze e pamerituar më bëhet”. Duhet të trajtojmë edhe merakun që ka i zoti i kësaj pune të bukur për Kushtetutën se thotë se e bëj këtë se Kushtetuta nuk më lejon të hap kutitë se në fakt kushtetua nuk e lejon të bëjë 18 shkeljet në 4 vjet dhe një dyzinë shkeljesh të tjera, që ne i kemi evidentuar por nuk i kemi ndjekur dot për shkak të kohës fizike në dispozicion.

Djegia e mandateve, investim i kotë i Berishës

 

Mandatet e Partisë Socialiste nuk digjen. Kjo është një telenovelë që zhvillohet në disa linja dhe kjo është një prej tyre. Të gjithë kolegët e kanë thënë që është e kotë, Berisha bashkë me Fatosin dhe Ilirin mund ta dëshirojnë shumë që kur ne të festojmë festën e mësuesit në 7 mars, ata të nxjerrin grepat nga pjesa e turbullt në fund të listave për të gërryer deputetë që t’i çojnë në parlament për t’u betuar për demokracinë, Europën dhe për ta lënë opozitën jashtë. Por kjo është një dëshirë që nuk ua plotësojmë dot. Është e kotë që ka një investim kaq të madh, politik, mediatik dhe financiar sepse nuk ka asnjë shans që të ketë rezultat. Njësoj si investimi i hidrocentralit të Skavicës, njësoj si mega investime të tjera që praktikisht nuk çojnë asgjëkundi.

PS e ka bërë kompromisin e saj

 

Është njësoj si të zgjedhësh midis lirisë dhe mungesës së saj. Ka një vijë të mesme që të mos jesh i lirë, por prapë të jesh i lirë, të të mungojë liria apo prapë të kesh liri? Apo të jesh gjykuar një vrasje dhe të gjykosh nëse e kanë vrarë apo vjedhur? Nuk ka të mesme, për disa arsye. Nuk mund të ketë hetim të zgjedhjeve pa parë çfarë ndodhet në kuti, vetë monitorët ndërkombëtarë kanë përcaktuar të zezë mbi të bardhë në një fjali të vetme, objektin e hetimit. 1/3 3 numërimit është bërë keq dhe shumë keq, në një vend ku kanë votuar 1.5 milion njerëz dhe ku zgjedhjet janë ndarë edhe pse të deformuara me thikë me disa mijëra vota. 1/3 e votave e 1.5 milion votave është bërë keq dhe shumë keq.
Ka shumë rëndësi nëse ky deformim është nga korrupsioni elektoral. Gabime ka që burojnë nga koeficienti i gabimit njerëzor. Flasim për gabime të mëdha që duhet të ketë njerëz që marrin përgjegjësi, në të kundërt nuk do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Më thoni ju a ka vijë të mesme? Kjo nuk mund të vazhdojë edhe 20 vite të tjera, sepse nuk ka mundësi të shmanget objekti i hetimit. Edhe në luftën më të papajtueshme ka gjithmonë vend për një tryezë ku palët flasin. Dhe ne këtë tryezë e kemi kërkuar kohë më parë, në këtë tryezë palët i sjell bojkoti, i sjell efekti vetëdijësues i bojkotit dhe i betejës sonë të përditshme dhe vetëdija e komunitetit ndërkombëtar se kjo është një krizë, pra nuk jemi në një demokraci funksionale me një forcë politike që ka parë një ëndërr të keqe dhe ndaj nuk shkon në parlament dhe vetëdijesimi se kjo krizë trajtohet me dialog. Dialogu pa më të voglin dyshim është i dobishëm kurdoherë, sidomos sot. PS e ka bërë kompromisin e saj dhe ka bërë një kompromis shumë të madh. E ka parë krimin dhe megjithatë ka pranuar rezultatin si shprehje e vendimit të gjykatës. Kushtëzojmë hyrjen në parlament me hetimin e zgjedhjeve jo për të kundërshtuar gjykatën për të përmbysur sistemin që vetëm sofistikohet por në fakt nuk çrrënjoset.

Në tryezë, për zgjidhjen e çështjes me dialog

 

Ajo që ka rëndësi është që ne shkojmë në tryezë me dëshirën që çështjen ta zgjidhim aty. E kemi kërkuar dialogun që çështjen ta zgjidhim me dialog. Ne nuk dëshirojmë që kjo çështje të mos zgjidhet. Përkundrazi dëshirojmë të zgjidhet sa më parë, bojkotin ta ndërpresim sa më parë. Por e gjitha varet nga garancia që do kemi për zgjedhjet e ardhshme. Si të shkojmë ne në zgjedhjet e ardhshme, me gjithë vullnetin tonë të mirë, me gjithë energjinë politike dhe profesionale që i vumë në një marrëveshje duke besuar në atë që shkruam dhe votuam së bashku, garancia u prish. Atëherë si mund të besojmë, te cili vullnet në rast se jo se te një reformë e thellë në mentalitet që buron nga nxjerrja në pah e përgjegjësisë të kujtdo që ka futur duart në kutitë e votimit. Kjo është e vetmja mënyrë që të besojmë se në zgjedhjet e ardhshme gjërat do të shkojnë ndryshe. Nuk është interesi i Partisë Socialiste në dëm të interesit të Partisë Demokratike, nuk është interesi i njërës pjesë të popullit ndaj tjetër, është interesi i të gjithëve për t’i dhënë fund një tradite të turpshme në Shqipëri. Një traditë që ka ligjëruar fshehjen deri në orën e fundit nga ana e të gjitha palëve për komisionerët, duke i nxjerrë si as nga mënga me shpresën se nuk do të bien pre e korrupsionit elektoral. Për këtë arsye, komisionerët as trajnohen dhe as performojnë ashtu si duhet, në fund të fundit, procesi nuk imunizohet.

Qeveria merr borxhe pa llogari dhe transparencë

 

Kriza ekonomike ka çuar në rënien e lekut ndërkohë që të ardhurat nga emigrantët do të vazhdojnë të bien për shkak të efekteve dërrmuese të një krize globale me të cilën përballen ata dhe padyshim që do ta kishte kapërcyer shumë më lehtë vendi ynë, nëse qeveria do ta kishte njohur krizën dhe do ta kishte deklaruar atë dhe nuk do të thoshte që jemi i vetmi vendi në botë që nuk ka ndjerë efektet e krizës. Nëse do të kishte dëgjuar kambanat tona që ranë në të njëjtën kohë me FMN për të mos bërë rrush e kumbulla paratë e buxhetit të shtetit. Probleme të agravuara që sot e gjithë ditën i paguajnë shqiptarët për shkak të borxheve që vazhdon të marrë pa llogari dhe transparencë, borxhe të të gjithëve. Nuk merr borxh familja Berisha, merr borxh qeveria dhe nuk i paguan qeveria por çdo familje shqiptare. Ndërkohë që paralel zhvillohet një batërdi tjetër, që po rrënon shtetin e së drejtës. Ju patë para pak ditësh se tragjedia e Gërdecit është katandisur në një gabim teknik, gjatë saldimit të një karroce dhe zhvillohet një shfaqje e shëmtuar në sallë të njerëzve që në atë tragjedi janë bishti i fundit i kavallit. Ndërkohë që përgjegjësit e tragjedisë, si ka mundësi që ajo të katandiset në një gabim, kur 12 institucione dhe inspektorate shtetërore nuk dinin ekzistencën e fabrikës së vdekjes, por sepse askush nuk i kishin lënë të afroheshin, asnjë lloj inspektimi në një vend ku abuzoheshin gra dhe fëmijë për të demontuar predha, si në mesjetë.

Skandalet e qeverisë, të pahetuara

 

Nuk kemi asnjë prokuror në vendin e ngjarjes ku është shembur dhe nuk dihet se çfarë ndodh në atë tunel që Berisha inauguroi për t’i hedhur në sy shqiptarëve hirin e një mrekullie që nuk ekziston. Në kundërshtim me këshillën e supervizorit të huaj, ai tunel u hap dhe u shemb, një pjesë e ngrehinës së ekonomisë shqiptare. Një pjesë e ekonomisë shqiptare që është borxh dhe do të riparohet me një tjetër borxh, dhe këto borxhe do të rrisin koston e jetesës së të gjithëve, sepse nuk do të rriten më rrogat dhe pensionet. Kështu paguhen borxhet e qeverisë. Në asnjë vend të botës nuk ndodh kështu, pa folur për 11400 hektarë të mbytura nga dora e robit, e provuar katërcipërisht dhe për të cilën nuk mban askush përgjegjësi përpara institucioneve të drejtësisë. Një ndeshje futbolli, një tjetër shfaqje absurde ku fiken dritat e stadiumit, kur gjithë vëmendja e publikut spanjoll që është shteti që ka presidencën e radhës së BE dhe ndërkohë brenda orësh arrestohen 12 vete sepse u prek sedra e Saliut. Jo për shkak por për të dhënë një shembull, se ku katandiset shteti që mbetet në dorë të komisionerëve që shesin dhe blejnë. Drejtori ishte komisioner dhe nuk kishte haberin e menaxhimit. Administrata publike është kthyer në një han nga të katër anët. Kurrë nuk ka qenë policia në këtë katandi që është sot, e çorientuar dhe e çoroditur sepse ka rënë në tokë morali i shtetit sepse në këtë shtet qëndron, prekja e vullnetit të popullit, që përditë e gërryen vullnetin e popullit.


Përmes rrugës së popullit opozitar, deri në lirinë e votës

 

Sot ne jemi në protestë dhe bojkoti i parlamentit është shëmbëlltyrë e kësaj proteste.
Askush nuk duhet të humbasë kohë duke ushqyer iluzionin se ne do të humbasin mandatet tona. Ne nuk e ndërpresim bojkotin dhe do të protestojmë në radhë të parë përmes bojkotit dhe pastaj përmes rrugës së popullit opozitar deri kur liria e votës nuk është garantuar në mënyrë të besueshme dhe ndershmëria në numërimin e saj nuk është garantuar plotësisht.

Betejë deri në fund për demokracinë

 

Në rast se hetimi nuk ka qëllim ndryshim rezultati, por unë jam kryetar i rizgjedhur i PS, pasi dhashë dorëheqjen dhe në rast se rikandidova duke i kërkuar socialistëve në gjithë Shqipërinë që të gjykonin idenë time, ishte vetëm sepse unë për asnjë moment, nuk kam dyshuar se PS i ka fituar zgjedhjet edhe pse nuk është zgjedhur. Nëse do të kisha dyshuar se ishte vota e shqiptarëve që kishte refuzuar projektin tonë politik, dorëheqja ime do të ishte pa kthim. Ndërkohë që, rizgjedhja ime është bërë me një propozim të thjeshtë, dua votën tuaj për të çuar deri në fund një betejë për liri dhe demokraci në këtë vend duke bojkotuar parlamentin dhe përballë ka qenë një mik, koleg dhe anëtar i PS i cili ka kandiduar një alternativë të kundërt me timen, për ta çuar PS në parlament dhe për të bërë në parlamente betejën që PS do të bëjë në rrugë. Mesazhi ka qenë i qartë dhe fakti që ka ende njerëz që nuk e kuptojnë, nuk duan ta kuptojnë se kjo betejë nuk është personale e Edi Ramës por e PS dhe opozitës, një populli opozitar ky nuk është problemi im dhe nuk kam kohë për të humbur për t’i mbushur mendjen askujt që nuk do të shohë dhe pranojë realitetin e thjeshtë të gjerave në PS.

Nga vota në kuti, varet nëse ka apo jo Gërdec

 

Nuk po luajmë në fushën kundërshtare por në fushën tonë. Nuk po zhvillojmë një betejë në fushën në ndonjë vend të huaj, një betejë për lirinë dhe të drejtat tona që nuk mund të delegohen dhe negociohet te të tjerë. Nuk jemi këtu për të fituar këtë betejë si një ndeshje, kush do të mundë tjetrin, por për të fituar këtë betejë për të mundur të shkuarën që vazhdon të na mbajë peng me një traditë të papranueshme. Për sa i përket njerëzve që nuk duan t’ia dinë për kutitë, kjo nuk do të thotë se kjo nuk është një çështje edhe e tyre dhe që duhet ta kuptojnë se vota që hidhet në kuti është fuqia për të marrë pjesë në një vendimmarrje që lidhet me jetën tënd. Nga vota në kuti varet nëse ka apo jo Gërdec, tunel të shembur dhe toka të mbytura për shkak të hidrocentraleve të trajtuara më zi se në mallin e babait, nëse ka apo jo mundësi për të përballuar faturat e dritave dhe ilaçeve. Të gjitha këto janë në kuti. Populli nuk ka zgjedhur për të pasur gjithë ato fatkeqësi njëra pas tjetër. Populli ka të drejtën të bëjë zgjedhjen e tij kur të votojë. Por nëse fatkeqësitë vijnë zinxhir dhe kjo nuk ndodh, nuk mund të flasim për njerëz që duan të rrinë rehat dhe pa tensione. Pushteti i vitit 1996 buroi nga grabitja e dhunshme, nga kriminalizimi i një gjuetie shtrigash ndaj opozitës, nga deformimi kriminal i votës në një pushtet që nuk mund të mos ishte i dhunshëm. Ky pushtet buron nga një aktivitet mafioz, një proces i mirëfilltë manipulimi i votës i zhvilluar në një formë më të sofistikuar, një pushtet që sot vazhdon të deformojë shtetin dhe gjithçka. E gjithë natyra e qeverisjes vendoset te liria, te ndershmëria e votës dhe transparenca e atij procesi.

Berisha ka shkelur ligjin për komisionet hetimore

 

Ka vetëm dy lloj dokumentesh që nuk mund të ketë akses publik, sekreti shtetëror ku nuk hyn procesverbal dhe lista dhe dokumentet në hetim penal, ndërkohë që është faqe e qartë që komision hetimor parlamentar heton për çështje të veçanta dhe jo persona. Berisha që kundërshton objektin tonë të hetimit është personi që ka shkelur këto të vetme gjëra që ndalon ligj. Ka bërë kom hetimor parlament për person, konkretisht për kryetarin e bashkisë së Tiranës, gjë për të cilën është hedhur poshtë nga GJK. Ka bërë komision hetimor për dokumente në hetim penal, ka hapur dosje në kundërshtim me ligjin kur ka hetuar prokurorin e përgjithshëm. Të dyja shkelje flagrante të legjislacionit, duke filluar nga Kushtetuta deri te ligji për hetimin parlamentar. Ka abuzuar me vullnetin e parlamentit për të shkelur drejtpërdrejt liri dhe të drejta njerëzish dhe dokumente të përcaktuara si të pashkelshme nga asnjë lloj syri apo këmbe në kohën e hetimit. Ndërkohë thotë nuk mund t’i hapë dot komisioni kutitë e votimit, ndërkohë që këto nuk hyjnë te hetimi i personave të veçantë dhe as te dokumentet sekrete shtetëror. Këtë e ndalon vetëm forca abuzive e maxhorancës në KQZ dhe tani në parlament.

Përditë në protestë

 

Ne do të vazhdojmë të sqarojmë opinionin publik përmes këtyre takimeve. Jemi të bindur se në këtë rrugë bëjmë një detyrim të madh në respektim të të drejtës për të dëgjuar deri në fund varë është beteja jonë dhe jemi këtu për të përgatitur përgatitjen tonë sepse jemi përditë në protestë duke mos qenë në parlament, në këtë segment kohe që është koha për dialog vazhdon si përgatitje për çdo rast. Kjo çështje nuk mund të vihet në kalendat greke për tu zvarritur pa fund. Njëkohësisht jemi të gatshëm që betejën për demokraci ta vazhdojmë deri në fund, për t’i dhënë fund zgjedhjeve të korruptuara, për të pasur mundësinë të zgjedhin lirisht dhe të garantojnë të pakondicionuar nga asgjë.

















Arkiva

Programi @ PS
Shprehe mendimin apo sugjerimin tënd!
Shkruaji Edi Ramës!
Drejtpërdrejt me Edi Ramën
Dialogu me Shqipërinë
Idetë për të ardhmen!

PER NJE RILINDJE SHQIPTARE

Shqipërisë i duhet një ndryshim rrënjësor. Ju e doni këtë ndryshim dhe ne jemi ga...

PSSH ėshtė organizatė politike e pavarur dhe e hapur qė bashkon mbi baza vullnetare shtetas shqiptarė brėnda e jashtė atdheut si dhe shtetas tė huaj me banim nė Shqipėri, tė cilėt...

© Partia Socialiste. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Prova Teknike
Ndërtuar nga Ogilvy