Postuar më: 13/12/2009
Qeveria miratoi për herë të dytë, projektligjin për shpalljen e Moratoriumit për mjetet motorike lundruese, ose siç rëndom njihet nga të gjithë, moratoriumi i skafeve.
Moratoriumi i skafeve, i miratuar edhe për një periudhë tre vjeçare, ndalon në mënyrë absolute lundrimin e çdo mjeti detar, përfshirë këtu edhe ato mjete që përdoren nga qytetarët shqiptarë për qëllime turistike apo sportive, përcaktim ky që në moratoriumin e miratuar në vitin 2006 nuk ekzistonte.
Sipas moratoriumit të propozuar nga qeveria, asnjë qytetar shqiptar nuk lejohet të lundrojë në det qoftë edhe për turizëm, dhe nuk lejohet të transportojë me makinë në rrugë tokësore mjete lundruese, sepse në të kundërt, ose do shkojë në burg ose do paguajë një gjobë prej 10 milion lekësh.
Vlerësojmë se ky projektligj shkel në mënyrë flagrante Kushtetutën e Shqipërisë, duke cenuar vetë thelbin e të drejtave dhe lirive të njeriut, në mënyrë të pamotivuar përpjesëtimisht me gjendjen që ka diktuar rinovimin e moratoriumit për skafet.
Argumenti se gjoja nëpërmjet këtij ligji parandalohen veprat penale të lidhura me trafikun e paligjshëm detar, jo vetëm nuk qëndron, por edhe sikur të justifikohej në vitin 2006, tani nuk mund të justifikohet përsëri.
Moratoriumi i skafeve i miratuar në vitin 2006 dhe që zgjati 3 vjet, duhet të shërbente si periudhë tranzitore deri sa shteti shqiptar të merrte masat për të garantuar kufirin shtetëror dhe të krijonte infrastrukturën për kontrollin e lundrimit detar, me qëllim parandalimin e trafikut të paligjshëm dhe sigurimin e turistëve vendas dhe të huaj.
Me zgjatjen edhe 3 vjet të tjera, Qeveria shpall dështimin e saj, duke qenë se moratoriumi i kaluar nuk ka sjellë asnjë përfitim. Gjatë 3 viteve kur moratoriumi i kaluar ishte në fuqi, qeveria nuk ka zhvilluar asnjë kapacitet infrastrukturor për të parandaluar trafikun e paligjshëm detar, e për shkak të këtij dështimi, vazhdon të zgjedhë rrugën më të shkurtër, atë të ndalimit tërësor të trafikut detar, edhe për turizëm, duke cenuar në thelb të drejtat dhe liritë e qytetarëve të njohura nga Kushtetua.
Me këtë projektligj Qeveria vetëkriminalizohet, duke i lënë të kuptohet partnerëve tanë ndërkombëtarë se potenciali kriminal i shqiptarëve për trafiqe të paligjshme është në përmasa aq të mëdha sa për ta luftuar, duhet ndaluar tërësisht lundrimi dhe përdorimi i detit.
Qeveria kriminalizon qytetarët shqiptarë, duke i konsideruar automatikisht si trafikantë potencial që duhen ndaluar me masa të tilla radikale. Pra, pikërisht pse qeveria i konsideron trafikantë potencial, me miratimin e këtij moratoriumi, për qytetarët shqiptarë deti duhet të mbarojë te bregu.
I kërkojmë Presidentit të Republikës të mos dekretojë projektligjin për moratoriumin e skafeve, jo vetëm pse është një projektligj absurd dhe unikal që nuk ekziston askund në botë, por sepse shkel plotësisht të drejtët dhe liritë e njeriut të njohura nga Kushtetuta.
Në të kundërt, Partia Socialiste do kërkojë menjëherë nga Gjykata Kushtetuese shpalljen si antikushtetues të këtij ligji.







