Postuar më: 01/02/2012
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka reaguar në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Twitter” në lidhje me deklaratat e të parit të palës tjetër. Rama hodhi poshtë akuzat e kryeministrit në mbledhje qeverie se Partia Socialiste propozon një taksë marksiste, referuar taksës progresiste që është bërë publik në Programin e ri socialist “Për një Rilindje Shqiptare”. Për Ramën s'mund të taksohen njësoj si rrogëtarët edhe biznesmenët. Taksimi progresiv thotë Rama në Twitter është një taksim që e aplikojnë vendet europiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Sa për taksën “marksiste” marrim shembull nga SHBA, BE dhe tërë vendet normale. S’mund të taksohen njësoj rrogëtarët dhe biznesmenët. Ndryshim!” shkroi Rama në Twitter.
Në mesazhin tjetër Edi Rama ka theksuar disa nga fenomenet që përballet biznesi shqiptar të cilat fenojnë zhvillimin e tij.
“Ortakëritë e pushtetit për bizneset e veta janë problemi, jo taksat! Administrata e ryshfetit është problemi, jo taksat! Biznesi do rilindë! Kurse biznesit qeveria jonë do t’i riktheje lirinë e konkurrencës, do t’i heqë referencat e gjobat mafioze! Monopolet janë problemi, jo taksat,” ka theksuar kryesocialisti.
Lideri i Partisë Socialiste ka sjellë edhe njëherë në vëmendje të ndjekësve të tij në Twitter dhe opinionit publik nëse shqiptarët blejnë më pak apo më shumë me ato paga që kryeministri deklaron se i ka rritur, përballë çmimeve që janë rritur 200- 300%.
“A blejnë sot më shumë a më pak rrogëtarët me "rrogat e rritura"? Blejnë më pak taksohen më shumë. Rritje rrogash me çmime fluturuese = KRIZË!”
Gjithashtu Rama ka reaguar edhe për deklaratat e Berishës për dimesionimin e programit për thithjen e trurit.
“Thithjen e trurit nga jashtë s’mund ta realizojë një qeveri që di vetëm të bëjë propagandën e lavazhit të trurit me gënjeshtra, shpifje, baltë,” ka shtuar më tej Kryetari Rama.







