img
Tė vendosur deri nė fund pėr transparencėn

Postuar më: 17/05/2010

Gjatë fjalimit të tij në protestën e pasdites, kreu socialist Edi Rama u shpreh edhe njëherë i vendosur për vazhdimin e grevës së urisë duke theksuar se 2173 qytetarë janë gati ti bashkohen kauzës së opozitës për transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit.

“Janë deri në çastin që po flasim 2173 qytetarë dhe qytetare të regjistruar për të hyrë në grevën e urisë dhe për të mos e ndalur këtë grevë, derisa dora që e mban peng demokracinë , që mban peng shtetin e së drejtës, që mban peng ekonominë e këtij vendi, duke mbajtur peng burimin nga rrjedh i gjithë procesi demokratik të mos ndalet dhe të mos largohet nga kutitë e mbyllura”, u shpreh kryesocialisti. Rama ritheksoi se kërkesat për transparencë nuk kanë synim marrjen e pushtetit në tavolinë por, siç tha ai, është një betejë për ti hapur rrugë përparimit të vendit.

Fjala e plotë e Edi Ramës në protestën e mbasdites:

 

Të nderuar motra dhe vëllezër, sot po perëndon dita e 17-të e kësaj beteje gjithë pasion, e plotë plagë, më mes të europës. E teksa po perëndon kjo ditë e 17-të, unë dua që të gjithë së bashku, si çdo ditë, të duartrokasim ata që sot morën rrugën e  spitalit. Të plagosur në këtë betejë për një kauz që i bën nder atdheut tonë, që i bën nder popullit tonë, që po i bën nder opozitës tonë. Dua të duartrokasim të gjithë për Ermonelën, për Florën. Dy gratë heroina që tani gjendjen në spital, me trupin e shterur fuqish. Dhe për gjithë djemtë e bashkë me ta edhe Besnik Baren që u detyruar të largohet drejt spitalit.

Trupat e motrave dhe të vëllezërve tanë që dalim prej kësaj çadre, të rënduar deri ku nuk mbahet,  janë dëshmia e shurdhërisë dhe e verbërisë së këtij pushteti. Janë akuza e drejtpërdrejtë dhe më e rënda që mund ti bëhet këtij pushteti, i cili qëndron i shurdhët dhe i verbër  sepse u trembet atyre kutive që mban mbyllur, si djalli temjanit.

Të plagosurit tanë janë vuajtja e dukshme dhe e prekshme e një populli të tërë që nuk qeveriset nga ata që ka zgjedhur, por sundohet nga ata që e kanë vjedhur dhe nuk e lanë dhe nuk duan ta lënë të zgjedhë. Zgjatja e stërmundimshme e kësaj greve është prova e qartë e dritëshkurtër së këtij pushteti, icili duke i mbyllur rrugën zgjidhjes dhe transparencës, i mbyll rrugën Shqipërisë dhe njerëzve të zakonshëm të këtij vendi. Që përditë e më shumë përjetojmë të tatëpjetën e një ekonomie, e cila po rrënohet orë e çast, për shkak se është rrënuar themeli mbi të cilin ngrihet një shoqëri e lirë demokratike, që janë zgjedhjet e lira e të ndershme.

Nuk po lënë gur pa luajtur e gjë pa bërë, për ti ikur të vërtetës së kësaj greve, duke na sulur të gjitha forcat e propagandës qeveritare. Nga turmat e mbledhura me lista, tek listat e intelektualëve të kthyer në turmë. Nga shpifjet për çka ndodh nga brenda çadrës, tek akuzat për çka jo vetëm nuk e kemi bërë, por as nuk e kemi menduar ndonjëherë në këtë lëvizje që kurrë nuk do të gjenerojë në dhunë. Po do të gjenerojë energjitë e jashtëzakonshme të këtij populli që nuk mund të ndalet në rrugën drejt europës. Nga justifikimet e gënjeshtrat për kushtetutën, tek shkelja e përditshme e ligjit në emër të ligjit.

E kanë të kotë, krejt të kotë. E vërteta e kësaj greve është e thjeshtë. Shqiptarët e kanë kuptuar këtë të vërtetë. Votat janë vjedhur dhe mbahen mbyllur vetëm me një qëllim, që të vidhen përsëri e përsëri. Kjo është e vërteta, e këtë të vërtetë ne mbrojmë duke kërkuar transparencë. Jo për të ngjallur zgjedhjet e shkuara, por për të mos lejuar që zgjedhjet e ardhshme të mos vdesin për të njëjtën arsye. Kjo grevë kërkon thjeshtë transparencë dhe transparenca e ndan një shoqëri të lirë nga një shoqëri të marrë peng, ku transparenca është ajo që i mohohet njerëzve. Nuk ka shqiptar të pa interesuar për pushtetin, që nuk është i interesuar për transparencën, për hapjen e kutive, për  nxjerrjen nga ato kuti të armëve që vrau zgjedhjet e shkuara, dhe që për atë shkak po vret demokracinë, shtetin e së drejtës, ekonominë shqiptare. Sali Berisha mund ta përfundojë edhe këtë xhiro inagurimesh, të punëve që ka inauguruar dy e tre herë nëpër Shqipëri, po këtu do të na ketë, përballë. Të vendosur deri në fund për transparencën që i duhet vendit, në mënyrë që shoqëria jonë të çlirohet përmes lirisë së çliruar nga transparenca. Sali Berisha mund të vazhdojë të nxjerr kukullat e tij në paradën televizive të ditës, që të recitojnë flet rrufetë që ai shkruan ndaj opozitës. Por opozitën nuk e lëviz dot nga qëndrimi i saj në mbrojtje të lirive dhe të drejtave kushtetuese, që fillojnë tek zgjedhjet e lira dhe të drejta.

Sali Berisha mund të thotë ç’të dojë, por  nuk mund të bëjë c’të dojë. Kjo grevë urie e jashtëzakonshme, unikale në historinë e këtij vendi, është shprehja më kuptimplotë e forcës së shpirtit opozitar që ka ky vend. E forcës së shpirtit opozitar që është garancia e këtij vendi.  E forcës së shpirtit opozitar që është forca që do ta lëviz këtë vend përpara. Duke e nxjerrë nga kthetrat e një pushteti që kërkon të na mbajë të gjithëve peng, vetëm e vetëm që interesat e oborrit, ku ky pushtet qëndron i mbyllur, të mbrohen. Pa ç’ka se interesat e Shqipërisë dhe shqiptarëve përditë dëmtohen e kërcënohen.

Ne nuk jemi këtu për pushtetin, por për vendin ku jetojmë. Që jeta në këtë vend të bëhet më e mirë, duhet që politika të bëhet më e mirë. E që politika të bëhet më e mirë, duhet që njerëzit të çlirohen nga frika dhe nga varfëria. Frika dhe varfëria janë dy aleatët e këtij pushteti, që përmes varfërisë ushqen frikën dhe përmes frikës zgjat varfërinë. E më e madhja e varfërive, varfëria e aspiratave, është fuqia përmes së cilës ky pushtet na mban sot e gjithë ditën larg europës.

Disa janë të kënaqur me bukën e qeverisë dhe për bukën e qeverisë mbyllin gojën, apo e hapin për ti thurur lave qeverisë. Madje edhe për ta mbrojtur qeverinë nga opozita. Por lavdi Zotit e falë këtij populli, nuk janë shumicë. Shumica jemi ne. Ne që e duam Shqipërinë jo nën bukën e qeverisë, po me bukën që prodhon liria, liria e çliruar nga kthetrat e interesave të atyre që për hir të pushtetit shkatërrojnë shtetin. Dhe me shtetin e shkatërruar, shkatërrojnë ekonominë e atyre qytetarëve, që në vend të mbrohen nga shteti e shohin shtetin si armik përball aspiratave të ëndrrave dhe shpresave të tyre. Ne duam një Shqipëri që të mos mbahet në bukën e qeverisë, por të punësohet e të zhvillohet falë aspiratave të mëdha, që duhet t’ja ndriçoj rrugën qeverisjes. Ne duam një Shqipëri që liria të jetë e vërtetë, prandaj ne duam të vërtetën të lirë. Prandaj ne duam që e vërteta e kutive të mbyllura të çlirohet dhe të dali e lirë në sytë e shqiptarëve. Në mënyrë që të çlirohet e vërteta mbi ç’ka ndodh përditë në Shqipëri dhe të dali e lirë në sytë dhe veshët e shqiptarëve. Që sot janë përditë e më shumë peng e një bote të deformuar mediatike, ku altorpalantët e pushtetit buçasin, duke u munduar të mbulojnë të vërtetat rrënqethëse të ditës së një familje shqiptare , që gdhihet me ankthin e papunësisë dhe nuk e mbërrin dot fundin e muajit, pa marrë borxhe që nuk i shlyen dot. Kriza e sotme është një krizë e  të vërtetës të varrosur në oborrin e pushtetit. E pushtetit që në atë oborr mban të varrosura të vërtetat e krimeve të bëra në këto vite, nga vrasja tragjike e Gërdecit, tek shembja tragjike e tunelit të Kalimashit, tek përmbytja dramatike e Shkodrës,e kështu me radhë, nga të mëdhatë, ato që duken, tek të tjera ndoshta edhe më të mëdha që nuk duken, por shihen vetëm kur flasin . Kriza e sotme, është kriza e të vërtetës të varrosur në oborrin e pushtetit, për rrënimin ekonomik të këtij vendi. Erdhi dita që qeveria që e ka zbrazur arkën e shtetit tonë të përbashkët, të kërkojë oksigjen për të shtyrë ca muaj, duke i shitur bankës së Shqipërisë një hotel, e duke e venë bankën e Shqipërisë në kushte, të cilat kërcënojnë pavarësinë e saj, por edhe japin shenja shumë të këqija për qëndrueshmërinë e saj.
Ku janë investimet në këtë vend? Po të ardhurat nga ekonomia e këtij vendi sa janë? Po vendet e reja të punës ku janë ? Pse shqiptarët sot blejnë më pak duke paguar më shumë ? Këtyre pyetjeve dhe pikëpyetjeve rrënqethëse që zmadhohen dita ditës para syve tanë, u jep përgjigje vetëm një kulturë e re, kuleta e transparencës, kultura e respektimit të kontratës mes atyre që populli zgjedh dhe atyre që zgjidhen prej popullit. Nuk mund të ketë një kulturë të transparencës në një vend ku populli nuk lejohet të zgjedhë por sundohet, nga ata që nuk ka zgjedhur. Kjo nuk është një betejë për ta përmbysur pushtetin nga rruga, por një betejë për ti hapur rrugë rimëkëmbjes së Shqipërisë  që ka rënë përmbys. Kanë rënë përmbys zgjedhjet, prandaj ka rënë përmbys ekonomia, prandaj ka rënë përmbys shteti i të drejtës, prandaj po bie përditë përmbys demokracia dhe prandaj jemi ne këtu, prandaj 200 burra dhe gra janë në grevë urie, prandaj ju vini këtu çdo ditë në orën 6, prandaj disa qindra dhe mijëra disa ditë më parë, për të dëshmuar urinë për zhvillim demokratik dhe ekonomik. Nuk mund të ketë zhvillim ekonomik, pa zhvillim demokratik sot në mes të europës, nuk mund të ketë vende të reja pune në rast se demokracia nuk funksionin dhe në rast se populli nuk gjykon dot me votë. Nuk mund të ketë më shumë investime të huaja e më shumë sipërmarrje vendase, në rast se demokracia nuk funksionon dhe qeveria qëndron mbi kutitë e mbyllura të së vërtetës së marrë peng. Nuk mund të ketë më shumë të ardhura dhe më shumë kontribute për arkën e shtetit, në rast se shteti është vënë nën këmbët e pushtetit, që e ka fuqinë jo tek vota e popullit , por tek kutitë e mbyllura. Hapja e kutive nuk është ndryshimi i aty për atyshëm, i një qeverie me një tjetër, nuk është as kalimi nga një pushtet tek një tjetër. Hapja kutive është kalimi nga një epokë në një tjetër, është kalimi nga një kulturë qeverisjeje tek një tjetër, është kalimi nga një stad në një tjerr i demokracisë, i drejtësisë, i ekonomisë. Nuk mund të ketë drejtësi pa u hapur kutitë, nuk mund të ketë as zhvillim ekonomik pa u hapur kutitë. Sepse hapja e kutive do të vendosë përfundimisht kushtin që, kush do të qeverisë do të zgjidhet nga njerëzit dhe njerëzit do të gjykojnë për këdo që qeveris.

Edhe diçka në fund që është e rëndësishme ta marrin vesh që të gjithë ata që kujtojnë se për shkak se fuqitë fizike të këtyre njerëzve kanë një fund, një fund do të ketë edhe greva edhe protesta, pa i dhënë fund zgjidhjes dhe pa i dhënë fund mbylljes së kutive. Janë deri në çastin që po flasim 2173 qytetarë dhe qytetare të regjistruar për të hyrë në grevën e urisë dhe për të mos e ndalur këtë grevë, derisa dora që e mban peng demokracinë , që mban peng shtetin e së drejtës, që mban peng ekonominë e këtij vendi, duke mbajtur peng burimin nga rrjedh i gjithë procesi demokratik të mos ndalet dhe të mos largohet nga kutitë e mbyllura. Nuk ka shans  që kjo grevë të përfundojë dhe që kutitë të mbeten të mbyllura dhe që populli të mbetet në këtë udhëkryq, që është udhëkryqi po e mban peng vetëm e vetëm një qeveri që nuk buron nga vota e popullit, por buron nga një gënjeshtër madhe që nuk e lë të vërtetën të lirë dhe prandaj edhe lirinë tonë në këtë vend e bën përditë e më të gënjeshtërt.
Askujt nuk duhet ti shkojë mendja se sakrifica e atyre që sot janë në spital, e atyre që sot kanë në trup plagët e kësaj beteje, e atyre që në këtë çadër vazhdojnë të rezistojnë duke u plagosur, do të shkojë kot. Në asnjë mënyrë nuk do të shkojë kot. Ky është një gur themeli për atë Shqipëri të re, që e kemi kërkuar këtu e 20 vjet më parë  dhe për të cilën do të luftojmë, në mënyrë që ëndrra e atyre që na e lanë amanet këtë vend, për ta bërë të mirë dhe begatë për çdo shqiptar të mos shuhet dhe as përpjekjet për liri dhe demokraci të të gjithë atyre që u vranë në luftën e dytë botërore, apo që për shkak të një regjimi diktatorial, u persekutuan dhe torturuan të mos shkojnë dëm. Të mos shkojnë dëm as përpjekjet e gjithë atyre familjeve që sot shkollojnë fëmijët e tyre nëpër europë, apo që investojnë që fëmijët e tyre të marrin një diplomë për një Shqipëri ku duhet të ketë vend për çdo fëmijë, për çdo të ri dhe të re, për çdo burrë dhe grua, pavarësisht dallimeve, pavarësisht përkatësive, pavarësisht simpative, pavarësisht ideve të ndryshme. Ne duam një Shqipëri idesh të ndryshme , por mundësisht të barabarta. Ne duam një Shqipëri bindjesh të ndryshme, por lirish dhe të drejtash të garantuar për të gjithë. Ne duam një Shqipëri ku të gjithë të jemi të ndryshëm , por të gjithë të jemi të barabartë.


Arkiva

Programi @ PS
Shprehe mendimin apo sugjerimin tënd!
Shkruaji Edi Ramës!
Drejtpërdrejt me Edi Ramën
Dialogu me Shqipërinë
Idetë për të ardhmen!

PER NJE RILINDJE SHQIPTARE

Shqipërisë i duhet një ndryshim rrënjësor. Ju e doni këtë ndryshim dhe ne jemi ga...

PSSH ėshtė organizatė politike e pavarur dhe e hapur qė bashkon mbi baza vullnetare shtetas shqiptarė brėnda e jashtė atdheut si dhe shtetas tė huaj me banim nė Shqipėri, tė cilėt...

© Partia Socialiste. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Prova Teknike
Ndërtuar nga Ogilvy