Postuar më: 17/05/2010
Kreu i PS-së, Edi Rama, duke përsëritur apelin për transparencë, si e vetmja rrugë që i jep fund krizës ka deklaruar se greva nuk ndalet me shterimin e fuqisë fizike. Gjatë vizitës në spitalin Infektiv tek grevistët e sëmurë, Rama tha se bashkë me plagët shtohet edhe vendosmëria për të çuar deri në fund këtë mision. Ai bëri apel për ta zgjidhur me forcën e arsyes këtë krizë për të bërë transparencë.
Prononcimi i dhënë për mediat:
Plagët e qëndresës sonë shtohen përditë, por bashkë me plagët shtohet vendosmëria, shtohet solidariteti, shtohet fuqia për të rezistuar.
Unë dua ti falënderoj me mirënjohje të thellë të gjithë ata që janë zemra e kësaj rezistence, në çadrën që dëshmon domosdoshmërinë jetike për transparencë dhe të gjithë ata që janë shprehur të gatshëm për ta vazhduar betejën duke u bërë pjesë e grevës. E një greve që jo vetëm nuk do të ndalet me shterimin e fuqive fizike të atyre që e kanë nisur, por do të intensifikohet dhe do të vazhdojë sepse plotë e plotë të tjerë kanë shprehur gatishmërinë e tyre dhe madje padurimin për tu bërë pjesë e asaj çadre.
Ajo që unë dua të përsërisë është apeli për ta zgjidhur me forcën e arsyes këtë krizë dhe për të bërë transparencë. Apeli për ta zgjidhur në interes të të gjithëve këtë krizë dhe jo për tu barrikaduar në pozicionin kokëfortë të pushtetit, sepse është një pozicion dritë shkurtër, është një pozicion që nuk i shërben vendit, është një pozicion që nuk i shërben njerëzve.
Zgjidhja është forca e arsyes dhe jo arsyeja e forcës. Të bëjmë transparencë dhe ti hapim rrugë çlirimit të zgjedhjeve, ti hapim rrugë normalitetit demokratikë. Ti hapim rrugë një perspektive të re për Shqipërinë dhe shqiptarët, pa humbur kohë të çmuar. Pa krijuar plagë të reja të pa nevojshme, pa u vendosur kokëfortësish në një pozicion ku nuk ka asnjë arsye, po ku ka vetëm një kokëfortësi që nuk dëshmon në asnjë mënyrë interesat e njerëzve, por dëshmon interesa që nuk kanë të bëjnë me njerëzit.







