Postuar më: 22/06/2010
Në datat 21-22 qershor zhvillohet në Nju Jork Këshilli i Internacionales Socialiste, në të cilin Partia Socialiste përfaqësohet nga një delegacion i nivelit të lartë kryesuar nga Kryetari Edi Rama. Gjatë punimeve të këtij Këshilli, Edi Rama u shpreh se edhe në këtë forum të lartë të progresistëve të mbarë botës u rikonfirmua mbështetja për PS në përpjekjen e saj për transparencë: “Këshilli i Internacionales Socialiste rikonfirmoi qëndrimin e Komitetit të Europës Juglindore, duke e mbështetur fuqishëm Partinë Socialiste dhe të gjithë opozitën shqiptare në përpjekjen e vet për transparencë.
Duke e konsideruar transparencën një domosdoshmëri për një demokraci funksionale, për një parlament funksional, për një qeverisje funksionale, të një vendi i cili po troket në derën e Europës për t’u integruar tërësisht në familjen europiane.
Një vend që nuk mundet dot ta bëjë këtë duke qenë i privuar nga e drejta e transparencës dhe për më tepër pastaj e transparencës së votës, e transparencës së procesit zgjedhor që është themeli i të gjitha proceseve të tjera. Shqetësimi që kjo mungesë transparence është e shtrirë në të gjithë procesin qeverisës, e cila mbulon jo vetëm vërtetësinë e procesit zgjedhor, por mbulon edhe mëkatet që duhet të dalin përpara drejtësisë, mbulon edhe të dhënat dhe shifrat e ekonomisë.
Mungesa e transparencës është një shqetësim në rritje i botës demokratike dhe një shqetësim i shprehur nga Internacionalja Socialiste dhe nga e gjithë familja socialiste dhe progresiste e botës mbarë.”







