Postuar më: 01/02/2012
Ka nisur me Tryezën e Grupit të punës për “Shtetin e së Drejtës” seria e diskutimeve për Programin e ri “Për një Rilindje Shqiptare”.
Sekretari për Programin Ilir Beqaj që hapi punimet e tryezës, sot, u shpreh se padrejtësia është ulur këmbëkryq në vend dhe se sfidat e këtij grupi pune janë shumë të mëdha, por nënvizoi ai “Duke vendosur shtetin ligjor, duke eliminuar korrupsionin, duke i dhënë fund kulturës së pandëshkueshmërisë do të ribashkohemi me Europën.”
Beqaj tha se ndjesia e padrejtësisë i mblodhi qindra mijëra në 21 janar, sfida jonë është të rivendosim demokracinë:“Objektivi i Grupit të Punës për “Shtetin e së drejtës” është jo i lehtë. Drejtësia humbet terren ditë pas dite, ndërsa padrejtësia është ulur këmbëkryq në çdo familje shqiptare. Mund të bëjë përjashtim ndonjë familje, por është e sigurt se 95 % e familjeve shqiptare e ndjejnë padrejtësinë çdo ditë. Refuzimi i padrejtësive i shtyn shqiptarët të protestojnë.
E njëjta ndjesi padrejtësie i shtyu parizienët të rrëzonin Bastijën 220 vjet më parë. E njëjta ndjesi padrejtësie e shtyu Gandin të sfidonte perandorinë të cilës dukej sikur nuk do t’i perëndonte dielli kurrë. E njëjta ndjesi padrejtësie e shtypi Martin Luterkingun të refuzonte supermacinë e të bardhëve. E njëjta ndjesi padrejtësie mblodhi shqiptarët në 21 janar 2011.
A do të vendoset drejtësia në Shqipëri? Nuk është e lehtë të japësh një përgjigje të vetme. Por, është detyrë e jona që çdo ditë ta eliminojmë një padrejtësi. Sa më shumë padrejtësi të eliminojmë, aq më shumë shqiptarët do të besojnë se drejtësia mund të vendoset. Dhe kështu ne do ta rivendosim demokracinë. Duke eliminuar padrejtësitë sociale do ta ripërtërijmë shoqërinë. Duke eliminuar padrejtësitë me të cilët ndeshet sipërmarrja do ta rimëkëmbim ekonominë. Duke vendosur shtetin ligjor, duke eliminuar korrupsionin, duke i dhënë fund kulturës së pandëshkueshmërisë do të ribashkohemi me Europën.
Ne jemi të vendosur t’i bëjmë këto, sepse duam që Shqipëria të Rilindë. Në 4 vite eksperiencë me çështje të programit në PS, pjesën që e lidhet me drejtësinë e kam patur më të vështirën. Për arsye sepse ekziston gjithmonë dyzimi se a duhet të hyjë politika në një sistem që duhet të jetë i pavarur.
Kolegë juristë! Është e ligjshme që brenda jush të keni një pjesë profesionale që ju shtyn të kërkoni drejtësi të pavarur. Por nëse njerëzit në shumicë nuk arrijnë të marrin drejtësi, si i bëhet? Politika ka lindur që njerëzit të realizojnë ato çfarë nuk i bëjnë dot vetë. Në Shqipëri ka çdo vit rreth 90 – 95 mijë procese gjyqësore. Është normale që 90 – 95 mijë familje të jenë të pakënaqura me vendimet e drejtësisë, por ne nuk duhet të lejojmë që në shumicë këto familje të kenë ndjesinë se u është bërë padrejtësi.
Ne duhet të krijojmë një mjedis politik që drejtësia të jetë e pavarur. Ne duhet të krijojmë kuadër ligjor dhe institucional që drejtësia të funksionojë e pavarur. Ne duhet të krijojmë kushte financiare që sistemi i drejtësisë të zhvillohet i pavarur. Duke u konsultuar me programe të ndryshme të qeverive të majta europiane të 10 viteve të fundit, më ka mbetur në mendje një objektiv programit të qeverisë së koalicionit të Ulivos, me kryeministër Romano Prodin në vitin 2006 “Riorganizzare la giustizia per rendere giustizia”. Pra, objektivi duhet të jetë: Të jepet drejtësi!,” përfundoi fjalën e tij Sekretari Beqaj.
Ndërsa kryetarja e grupit të punës për “Shtetin e së Drejtës” Shega Ligori duke marrë fjalën në këtë panel theksoi se “pushteti vjedh, vret, rreh qytetarë të pafajshëm, njerëz të zakonshëm që protestojnë për të drejtat e tyre, pushteti ushtron presion të hapur, sulmon organet e drejtësisë, sistemin gjyqësor dhe prokurorinë, është në konflikt të hapur interesi me ta, pushteti vrasësin e quan hero e njerëzit që manifestojnë për të drejtat e tyre i quan kokëpalarë. Pushteti fshehu gjurmët e një krimi shtetëror dhe kjo është shumë e rëndë.” Deputetja Ligori tregoi dhe disa nga hapat dhe synimet që do të ndiqen në rrugën e Programit: “ Në Shqipërinë e qeverisur nga koalicioni i votave të vjedhura parime bazike kushtetuese mbi të cilat ngrihet shteti i së drejtës, parimet themelore të demokracisë janë tashmë të dhunuara përfundimisht.
Për këtë pushtet e drejta nuk përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit, nuk respektohet parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve, nuk janë të gjithë qytetarët të barabartë para ligjit e ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhunohen përditë.
Pushteti vidhet, pushteti vjedh, vret, rreh qytetarë të pafajshëm, njerëz të zakonshëm që protestojnë për të drejtat e tyre, pushteti ushtron presion të hapur, sulmon organet e drejtësisë, sistemin gjyqësor dhe prokurorinë, është në konflikt të hapur interesi me ta, pushteti vrasësin e quan hero e njerëzit që manifestojnë për të drejtat e tyre i quan kokëpalarë. Pushteti fshehu gjurmët e një krimi shtetëror dhe kjo është shumë e rëndë.
Në Shqipërinë e sotme aspirante për në Bashkimin Europian pavarësia e gjyqësorit është e cenuar, emërimet e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese mbeten çështje shqetësuese për shkak të rrezikut të politizimit, sistemi i drejtësisë vuan nga korrupsioni, paaftësia, mungesa e efikasitetit dhe transparencës, kushtet e këqija të punës në gjykata dhe prokurori, menaxhimi i dobët i gjykatave për shkak të mungesës së burimeve njerëzore dhe financiare, buxheti i këtij sistemi vazhdon të jetë i pamjaftueshëm, sistemi i pagave nuk garanton një gjyqësor të motivuar dhe profesional. Shqipëria e sotme vuan nga moszbatimi i vendimeve gjyqësore, nga kushtet e këqija në burgje, dhoma paraburgimi, mosrespektim i të drejtave të të burgosurve. Ne Shqipërinë e sotme kultura e pandëshkueshmërisë edhe korrupsioni janë bashkudhëtarë të kësaj qeverisje. Nëse je kryeministër apo ministër mund të vjedhjesh, madje edhe mund të urdhërosh vrasje e nuk dënohesh.
Sa citova më lart janë shqetësime të shprehura edhe nga raport progresi i Bashkimit Europian për Shqipërinë, motive themelore se përse Shqipërisë iu refuzua statusi i vendit kandidat për në BE. Janë arsye shumë serioze që ky pushtet duhet ndryshuar dhe ndryshimi jemi ne, Partia Socialiste, e cila në programin e saj për një “Rilindje Shqiptare”, një nga kolonat më të rëndësishme ka ndërtimin e shtetit të së drejtës. Ne e konsiderojmë shtetin e të drejtës si një gur themeli ne procesin e integrimit europian, të konsolidimit të demokracisë, të ndërtimit të një shoqërie ku sundon ligji dhe ku synohet drejtësia sociale, ku të gjithë shtetasit janë të barabartë para ligjit dhe të gjithë marrin njësoj drejtësi nga gjykatat, ku pavarësia dhe balancimi i pushteteve përbën një detyrim kushtetues. Për të arritur këtë synim madhor Partia Socialiste ka gjithë vullnetin politik për të respektuar pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, për një reformim të thellë e të gjithanshëm të sistemit të drejtësisë, reformë që do ta hartojmë përmes një procesi transparent me konsultim dhe ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtare e misioneve mike që asistojnë drejtësinë në Shqipëri.
Ky program e kjo reformë do të prekë të gjithë sistemin e drejtësisë duke adresuar të gjithë problemet madhore nga të cilat vuan sot drejtësia nëpërmjet një procesi ligjbërës transparent dhe gjithëpërfshirës dhe zbatimit të një sërë masash ligjore dhe institucionale bazuar në praktikën më të mirë të deritashme dhe modelet më të përparuara të vendeve të Bashkimit Europian.
Ky program do të synojë:
- Reformim të gjyqësorit, riorganizim të tij dhe përsosje të funksionimit të KLD, rregullim ligjor të Konferencës Gjyqësore, të statusit të gjyqtarëve, të karrierës, të vlerësimit, të ngritjes së tyre në detyrë, të procesit të procedimit të tyre disiplinor në rast shkeljesh të ligjit e fenomenesh korruptive, shmangien e konfliktit të kompetencave në lidhje me inspektimin në gjykata, të trajnimit të tyre profesional, të ngritjes së një sistemi të integruar të menaxhimit të çështjeve, të ngritjes së një administrate gjyqësore të aftë dhe profesionale, të përgatitjes së një gjyqtari të aftë për të përballuar sfidat e integrimit të Shqipërisë në BE, të rritjes së transparencës dhe eficensës në dhënien e drejtësisë dhe të aksesit të qytetarëve në drejtësi.
- Reformim të prokurorisë, të rolit të saj dhe të policisë gjyqësore me qëllim që ndjekja penale të jetë realisht pjesë e një sistemi të pavarur dhe eficent, përmirësimin e statusit dhe mbështetjen e nevojshme prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore në ushtrimin e detyrës së tyre kushtetuese dhe ligjore,
- Mbështetje financiare të sistemimit të drejtësisë për të garantuar pavarësinë financiare të sistemit, përmirësimin e kushteve të punës të gjyqtarëve dhe prokurorëve, përmirësim të ndjeshëm të trajtimit material të punonjësve të këtij sistemi, informatizim të të gjithë sistemit, mbështetje financiare për shkollën e Magjistraturës, modernizimi i teknikave të zbulimit dhe të hetimit të veprave penale nëpërmjet investimit në infrastrukturën e nevojshme teknike si dhe trajnimin e burimeve njerëzore, investime në burgje dhe dhoma paraburgimi.
- Reformim të arsimit të lartë në përgjithësi dhe atij juridik në veçanti, si një element i rëndësishëm në formimin e punonjësve të sistemit të drejtësisë,
- Reformim të shërbimeve ligjore, noteri, avokati, ndërmjetësim, të shërbimit përmbarimor etj, duke bërë të mundur që ato të jenë më së miri në shërbim të çdo qytetari.
Këto janë disa nga sfidat më të cilat grupi i punës për shtetin e së drejtës do të përballet për t’i dhënë zgjidhje të cilat do të jenë pjesë e programit për një Rilindje Shqiptare, zgjidhje të cilat do të materializohen në qeverisjen e nesërme të Shqipërisë nga Partia Socialiste.”
Deputetja Ermonela Felaj pjesë e Grupit të Punës për “Shtetin e së Drejtës”u ndal kryesisht në ngritjen e një sistemi të drejtë, real dhe transparent të karrierës së Prokurorëve në mënyrë që pavarësia e institucionit të akuzës të jetë e plotë: “Dy janë sfidat me të cilat përballet sot shoqëria shqiptare dhe e ardhmja e saj europiane, zhvillimi i qëndrueshëm i një demokracie funksionale dhe respektimi i shtetit të së drejtës. Tek shteti i së drejtës një vend qendror zënë padyshim institucionet kushtetuese, midis tyre, Prokuroria e Përgjithshme e Republikës, që përfaqëson organin ekskluziv të ushtrimit të ndjekjes penale dhe ngritjes së akuzës.
Në Programin tonë, ne theksojmë se mbështetim modelin aktual të organizmit të Prokurorisë, e cila do të vijojë të mbetet një organ i llojit të veçantë apo sui generis, i pavarur nga tre pushtetet klasike. Ne besojmë se ky model i organizimit te organit të Prokurorisë ngelet me i miri veçanërisht ne kushtet dhe rrethanat të cilat kanë paraprirë dhe shoqëruar funksionimin e një organi të tillë në vendin tonë.
Ende ngelet shumë e fortë dhe sigurisht me pasoja të rënda ndaj interesit publik, ndërhyrja e pushtetit ekzekutiv dhe segmenteve të caktuara të politikës, për qëllime a interesa korruptive, ndaj vendimmarrjes apo funksionimit konform ligjit, jo vetëm të gjykatave, por edhe të prokurorisë, në të gjitha nivelet që ajo përfshin. Ne angazhohemi të krijojmë kushtet e nevojshme për një prokurori të aftë e të përgjegjshme, që ushtron ndjekjen penale ndaj çdo shkelësi.
Do të krijojmë kushtet për një organ të akuzës aktiv duke depolitizuar përfundimisht ndjekjen penale dhe ngritjen e akuzës, duke iu dhënë mbështetjen dhe trajtimin e duhur material dhe financiar, prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore në ushtrimin e detyrës së tyre. Do të ngremë një sistem të drejtë, real dhe transparent të karrierës së Prokurorëve në mënyrë që pavarësia e çdo prokurori të jetë e plotë.
Do të reformojmë policinë gjyqësore duke e vendosur këtë të fundit në drejtimin dhe kontrollin real të prokurorit si kusht për zhvillimin e hetimeve të plota dhe të gjithanshme. Oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë do të jenë drejtues të shërbimeve të policisë, për t’i garantuar kështu hetimit profesionalizëm dhe pavarësi nga ekzekutivi. Do të mbështetim me buxhet nga buxheti i shtetit policinë shkencore aq të nevojshme në kryerjen e hetimeve penale. Do të heqim çdo lloj imuniteti zyrtarëve të lartë shtetërore nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, në mënyrë që t'i hiqet çdo lloj pengese Prokurorisë në hetimin e krimeve në fushën e korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës,” me këtë angazhim e ka mbyllur fjalën e saj deputetja Felaj.
Një tjetër deputet i Grupit të Punës, Xhemal Qefalia, është ndalur në nevojat për përmirësim të sistemit shqiptar të burgjeve, reformimi dhe zbatimi në praktikë i legjislacionit në fuqi. Qefalia tha se “sistemi penitenciar është një hallkë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë dhe si e tillë duhet parë në kontekstin e një gurpi institucionesh që duhet të kenë bashkëpunim të gjerë me institucione të tjera shtetërore dhe jo shtetërore për të vënë në zbatim misionin e tyre.”
“Trajtimi i mirë i të paraburgosurve apo të dënuarve duhet të nisë nga një klimë e sigurt në institucion ku personat mund të zhvillojnë sjellje pozitive. Klima e sigurt si një element thelbësor në trajtimin e të paraburgosurve apo të dënuarve nuk nënkupton vetëm mbajtjen mbyllur brenda perimetrit të burgut, por edhe krijimin e kushteve të sigurta e pozitive për zhvillim për të burgosurit.
Paqëndrueshmëri në punë e personelit e ul tej masë profesionalizmin në punë dhe sjell një kosto të lartë si për shtetin ashtu edhe për punonjësit e këtij sistemi, të cilët ndonëse mund të jenë trajnuar dhe pajisur me përvojë pune detyrohen të transferohen sa andej këndej në institucione të tjera duke u përdorur kjo gjë si formë ndëshkimi.
Ka mungesa programesh psiko-sociale ku personat e privuar nga liria mund të aftësohen dhe ndryshojnë sjelljet e tyre.
Punësimi i të dënuarve mbetet ende një praktikë e fragmentarizuar ndonëse ky aspekt është normuar prej disa vitesh në ligj.” Deputeti Qefalia e përfundoi fjalën e tij duke u ndalur në rishikimin dhe adaptimin e legjislacionit penitanciar shqiptar me atë të vendeve të Bashkimit Europian.







