Postuar më: 12/11/2009
Partia Socialiste ka zhvilluar sot një tryezë me ekspertë të saj, por edhe të pavarur, të cilët kanë diskutuar mbi: “ Energjia, Rritja e çmimit, Efekti social”. Tryeza ishte konceptuar në formë debati mbi gjendjen aktuale, shqetësimet e konsumatorit dhe disa nga zgjidhjet që ofruan në të ekspertët e fushës. Diskutimet i ka çelur Kryetari i PS Edi Rama i cili në fjalën e tij ndër të tjera theksoi se furnizimi me energji në gjithë vitet e tranzicionit mund të cilësohet si një nga dështimet e shtetit. Rama ka renditur një sërë argumentesh, duke folur për dështimin e shtetit në furnizimin me energji të popullatës, duke përmendur që nga mosfunksionimi normal i tregut deri tek konformizmi me fenomenin e grabitjes së energjisë.
Më poshtë fjala e Kryetarit të PS, Edi Rama në këtë tryezë: “Çështja që diskutojmë sot është një nga çështjet më të rëndësishme që shqetësojnë prej vitesh shoqërinë shqiptare. Është, pa dyshim, një nga plagët me të thella qysh prej vitit 1991. Furnizimi me energji elektrike i shqiptarëve në këta 19 vjet është - dhe këtu nuk bën dallim asnjë konsumator, vështirësi kanë ndeshur konsumatorët familjarë, vështirësi kanë ndeshur edhe sipërmarrësit, qofshin biznes i vogël, qofshin biznes i madh - është një nga shembujt më të qartë të dështimit të shtetit në këta 19 vjet. Shteti ka dështuar në krijimin dhe mirëfunksionimin e një modeli normal të tregut të energjisë. Shteti ka dështuar në garantimin e një niveli të arsyeshëm të pavarësisë energjetike të vendit. Shteti ka dështuar në rritjen e burimeve energjetike të vendit. Shteti ka dështuar në rritjen e kapaciteteve transmetuese të energjisë elektrike në vend. Shteti ka dështuar në integrimin e sistemit tonë energjetik me atë të rajonit. Shteti ka dështuar në menaxhimin e sistemit energjetik – keqmenaxhim. Ka dështuar në transparencën e prokurimeve për energjinë – asnjë transparencë. Ka dështuar në asgjësimin lidhjeve të paligjshme dhe në evidentimin e dënimin e grabitësve të energjisë elektrike – konformizëm me fenomenin e grabitjes për interesin politik të ditës. Në sloganin energjia e munguar është energjia më e shtrenjtë, Sali Berisha në fakt arriti majat e korrupsionit në prokurimin e energjisë elektrike duke e kthyer shitblerjen e energjisë në një rreth të mbyllur mes pushtetit të familjes dhe sekserit të familjes. Sali Berisha ka deklaruar se vendi do të bëhet superfuqi energjetike dhe ka folur për të gjitha llojet e energjive, përfshirë të gjithë gamën nga energjia bërthamore tek ajo e prodhuar me qymyrguri, por në fakt sistemi energjetik shqiptar është katandisur nën pushtetin e tij në një gjenerator të korrupsionit, të rritjes së humbjeve në kurriz të atyre që e paguajnë energjinë sot dhe të të gjithë shoqërisë që do të duhet të paguajë nesër borxhet e interesit politik të ditës, si edhe të pasigurisë përballë rritjes së çmimit të këtij malli jetik kaq shumë të abuzuar në Shqipërinë e 19 vjetëve të fundit. Sot përballemi me një situatë të njohur prej vitesh, por me një element të ri. Shpërndarja e energjisë elektrike i është besuar një kompanie private, e cila në prill 2009 u zgjodh nga qeveria shqiptare për të privatizuar Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes. Ky privatizim u trumbetua si i suksesshëm nga qeveria shqiptare. Por, mesa duket qartë tanimë, suksesin qeveria e pa vetëm tek miliona eurot që arkëtoi në prag të zgjedhjeve dhe që, siç po provohet këto ditë, u përdorën për të fryrë tullumbacen elektorale të Sali Berishës, duke ngutur, ndër të tjera, jashtë çdo norme e logjike hapjen e tunelit të Kalimashit. E cila rezultoi fatale për veprën e madhe të Rrugës së Kombit. Prej disa javësh të tre operatorët që realizojnë furnizimin me energji elektrike kanë kërkuar rritje të çmimit të pjesës që kanë në administrimin. Të tre kërkesat do të ndikojnë në çmimin me pakicë. Përveç shpërndarjes, prodhimi dhe transmetimi janë nën administrim publik. Të dy operatorët publikë së bashku, kanë kërkuar të rrisin më shumë se 50 % pjesën e tyre të çmimit. Kjo është edhe arsyeja e hapjes së këtij debati mbi çmimin e energjisë dhe efektet sociale të rritjes së tij, që Partia Socialiste inicion sot e do të vijojë në javët e muajt në vazhdim. Në fakt rritja e çmimit të energjisë nuk përbën më lajm për shqiptarët. Ata janë mësuar të kenë rritje vit pas viti.
Ajo që në fakt shqiptarët presin të përbëjë lajm është të dëgjojnë:
* Kur do të përfundojë faturimi aforfe, kur do të instalohen të gjithë matësit, kur do të largohet nga jeta e qytetarit shqiptar faturuesi i fundit abuzues?
* Kur do të mbarojnë humbjet joteknike në sistemin energjetik shqiptar? Instituti i Statistikave raporton se në 6 muajt e parë të vitit 2009 humbjet janë më të larta se një vit parë. Banka e Shqipërisë raporton se në 8 muajt e parë të vitit 2009 humbjet janë më të larta se një vit më parë.
* Kur do të rriten kapacitet transmetuese të importimit të energjisë elektrike? Këto kapacitete mbahen të kufizuara vetëm që importimi të bëhet përmes disa duarve të caktuara.
* Kur do të vdesë monopoli që kontrollon importin e energjisë elektrike?
* Kur do të vihet në zbatim një skemë transparente, e drejtpërdrejtë dhe e ndershme, e subvencionimit të buxheteve të familjeve të varfra që preken direkt nga shtrenjtimi i çmimit të energjisë elektrike?
Fakti është se çdo vit lekët e destinuara për këtë problem kanë devijuar në drejtime të tjera. Fakti është gjithashtu se:
* Për secilën nga 230 mijë familje pensionistësh fatura e energjisë elektrike është 10 % e pensionit mujor.
* Për secilin nga 110 mijë personat me aftësi të kufizuar fatura e energjisë elektrike është 20 % e përfitimit mujor.
* Për secilin nga 9 mijë të papunët në pagesë papunësie fatura energjisë elektrike është 30 % e përfitimit mujor.
* Për secilën nga 90 mijë familjet me ndihmë ekonomike fatura e energjisë elektrike është 50 % e përfitimit mujor.”
Në fund të fjalës së tij Rama ka ftuar të gjithë të pranishmit në këtë tryezë të debatojnë dhe të ofrojnë zgjidhje.
Deputeti socialist Ilir Beqja është përqendruar në problematikën e energjisë elektrike përballë kostove të jetesës së qytetarëve të cilat rriten edhe më me çmimet e reja të pritshme të energjisë. Në analizën e tij Beqja nënvizoi se: “90 mijë Familje me Ndihmë Ekonomike, që marrin 4,000 lekë në muaj, shpenzojnë aktualisht 60 % të shpenzimeve energji elektrike 130 mijë Familje me dy pensionistë në qytet, që marrin 25,000 lekë gjithsej në muaj shpenzojnë për të paguar energjinë 10 % të këtyre të ardhurave 9 mijë Persona me Pagesë Papunësie, 7.000 lekë në muaj, harxhojnë 33 % të të ardhurave për energji elektrike 5 mijë Persona ish Minatorë, 7,000 lekë në muaj, 33 % të shpenzimeve energji elektrike 110 mijë Persona me Aftësi të Kufizuar, 11,000 lekë në muaj, 23 % të shpenzimeve shkojnë për të paguar energjinë elektrike Sot KESH ia shet OST energjinë me 1.6 lekë, dhe kërkon ta shesë me 2.5lekë. OST deri tani e ka faturuar energjinë me 0.5 lekë kv dhe kërkon ta cojë në 0.9 lekë kv/h. OSSH e shet 7 lekë kv/h dhe kërkon ta rrisë me 1.6 kv/h; Të gjitha bashkë Rritja shkon në 2.9 kv/h. E thënë ndryshe nga 7lekë kv/h shkon në 9.9 kv/h Pra, rritja e shpenzimeve mujore për energjinë shkon në 41.4 % Duhet llogaritur këtu edhe TVSh e cila aktualisht është 1.4 lekë për 7lekë kv/h dhe shkon në 1.98 lekë për çdo kv/h me çmimin e ri të propozuar.” Nënsekretari për Programin në PS, Ervin Bushati tek dëmi ekonomik i shkaktuar në ekonominë vendase si pasojë e sektorit energjetik: “Rritja jonë ekonomike në tranzicion kërkon një siguri dhe cilësi të shtuar në tregun e energjisë elektrike. Në Shqipëri problemi energjetik nuk ka sfond apo arsye të pastra ekonomike. Vendi ynë nuk ka arritur, ose më saktë e ka humbur përsëri mundësinë për të siguruar energji të mjaftueshme për sipërmarrjen shqiptare. Turizmi, bujqësia, industria, ndërtimi dhe çdo komponent tjetër i ekonomisë sonë të sapo formuar, jeton nën efektin e krizës së pandashme energjetike. Partia Socialiste ka paralajmëruar rreziqet në rritje që i vinë ekonomisë shqiptare, nga spontaniteti i qeverisë, nga administrata e pa qëndrueshme dhe militante si edhe nga korrupsioni në rritje në shërbimet kryesore publike. Humbjet dhe vjedhjet nga qeveria nuk mund dhe nuk duhet të paguhen as nga konsumatori; dhe as nga investitori shqiptar. Jemi të qartë për shkaqet, pasoja dhe përmasat e krizës që sot prek shqiptarët. Partia Socialiste ndjen përgjegjësi për parandalimin e kësaj krize dhe është e gatshme të diskutoj dhe të angazhohet për reforma transparente të plota që reduktojnë efektet negative të krizës në jetën e përditshme të shqiptarëve. Është detyrë kombëtare e çdo qeverie të ndërmarrë reforma të thella në tregun energjetik, kombinuar me masa amortizuese për shtresat më në nevojë. Çdo rritje çmimi pa përmirësuar furnizimin me energji të popullatës, çdo rritje çmimi pa larguar dhe dënuar hajdutët në çdo nivel, çdo rritje çmimi thjeshtë për të përmirësuar situatën financiare është një taksë e re për konsumatorët dhe investitorët shqiptarë. Rritja thjeshtë e çmimeve, rrezikon ta shndërroj krizën ekonomike në një krizë me përmasa më të rënda sociale - duke e bërë më të vështirë kontrollin e efekteve negativ zinxhir në ekonominë shqiptare.”
Bushati gjatë fjalës së tij ka shtruar edhe disa cështje si alternativa të zgjidhjes:
- Arkëtimi nga faturat e elektrikut të rritet ndjeshëm për të mos e keqësuar dhe më tej situatën e atyre që e paguajnë rregullisht;
- Tarifat të diskutohen në mënyrë transparente, duke parashikuar edhe masa për t’ua garantuar shërbimin shtresave më të varfra të popullsisë.
- Të përmirësohet rrjeti për të siguruar një eficiencë më të madhe dhe të ndërpriten në mënyrë më të vendosur lidhjet e paligjshme;
- Të zhvillohen burime të energjisë alternative ndaj asaj hidroelektrike, që sot furnizon 95% të energjisë në vend. ? Të favorizohet shkëmbimi i energjisë në rajon, për të shfrytëzuar mundësitë plotësuese të njeri-tjetrit në burimet e prodhimit të energjisë;
- Së fundmi, duhen bërë më transparente dhe eficiente procedurat për importimin e energjisë elektrike. Energjia është e domosdoshme për rritjen ekonomike të një vendi ashtu si dhe për zhvillimin e një shoqërie në kushte normale.
Siguria dhe cilësia e furnizimit me energji elektrike varet nga rritja e prodhimit, diversifikimit, transmetimit dhe kapacitetit të shpërndarjes: për këtë duhen investime të reja ashtu si duhen dhe përmirësime në rrjet. Përfundimisht, energjia edhe në Shqipëri duhet të kthehet sa më shpejt në një sfidë ekonomike - si kudo në botë. Ajo nuk duhet parë më si një problem ekonomik dhe shoqëror që shkaktohet sistematikisht nga politika për ambicie afatshkurtra elektorale. Energjia duhet të zërë vendin e saj jetik; si një përbërëse tregu që na shtyn të përmirësojmë dhe zhvillojmë ekonominë tonë.
Deputetja e PS Ermelinda Meksi ka vënë theksin tek fakti se INSTAT jep shifra jo reale për peshën që zë fatura e energjisë për një familje shqiptare: “Ndërkohë ne e konsiderojmë kthim prapa keqpërdorimin e shkallëzimit të tarifave të energjisë elektrike. Tarifat me dy shkallë krijon hapësira për korrupsion në menaxhimin duhet të kësaj politike tarifore. Ky model nxit mungesën e transparencës. Këtë tarifë me dy shkallë në kushtet kur konsumatori nuk mund të shohë dhe të kontrollojë se sa ka harxhuar realisht nuk e do askush sepse nxit abuzimin e faturistëve, nuk stimulon, por dëmton bisnesin dhe vështirëson llogaritjen reale të rritjes së tarifave, e cila duhet të shoqërohet me llogaritje të sakta të kompesimit të tyre. Ajo që nuk bind askënd është nga njëra anë shkalla e lartë e rritjes së tarifave të energjisë elektrike dhe nga ana tjetër pretendimi i INSTAT se ky produkt zënka vetëm 4,3% të produkteve të shportës të mallrave që konsumon një familje. Kjo do të thotë të ngarkosh në kurriz të qytetarit shqiptar papërgjegjshmërinë qeveritare të trashëguar në vite dhe mungesën e integritetit profesional të një institucioni shumë të rëndësishëm si ERE që duhet të flasë jashtë interesave të politikës së ditës por vetëm të interesave që i jep ligji. Por shpresat për një qendrim sipas ligjit të institucioneve të pavaruara pas reagimit aspak etik të Ministrit përgjegjës për cështjet e energjisë, veniten duke menduar përtej tarifave se sa shumë u kushton shqiptarëve një qeveri si kjo e sotmja”







