Kryetari i PSSH Edi Rama: Mos ja vini re Benetit, se nuk është shumë i fjalës dhe nuk është mësuar me këto fjalimet dhe sot ka folur jashtëzakonisht shumë e kur po vinim po më thoshte, “aman a flet dhe për mua se u bë shumë që po flas”.
Më vjen shumë mirë që jemi sot këtu së bashku. Si thoni ju, Shkodra është grua apo është burrë?
Shkodra është me siguri grua, shumë e bukur, shumë e zonja, por Shkodrën e kanë marrë në qafë burrat, sipas meje. E i vetmi shans që ka shkodran në 14 maj është në qoftë se gratë do ti bashkojnë forcat përtej bindjeve të burrave dhe do ti marrin burrat me vete ose do ti mbyllin brenda në shtëpi ata burra problematik që nuk shohin asgjë tjetër përveç flamurit të partisë sepse unë mendoj që dallimi më i madh mes grave dhe burrave, është që gratë nuk kanë kohë për të humbur.
Gratë e kanë të pamundur që ta vrasin kohën kot, sepse gratë duhet të merren me punën, duhet të merren me fëmijët, duhet të merren me burrat, e të merresh me burrat është më e vështirë se sa të merresh me fëmijët, ju e dini më mirë se sa unë. Duhet të bëjnë gjithë punët e shtëpisë, duhet të gatuajnë e në fund të ditës, duhet vetëm të mendojnë për ditën tjetër për të vazhduar të bëjnë punët.
Ndërkohë që burrat, sidomos këtu në Shkodër, janë shumë të prirur të harxhojnë shumë kohë për politikë të madhe e Shkodrën e ka penguar më shumë se çdo qytet tjetër të Shqipërisë pikërisht kjo, futja e një sfere të madhe në një sferë të vogël.
Unë dua t’ju them që ne kemi bërë seriozisht një përpjekje për t’i dhënë Shkodrës një mundësi të re, një mundësi të mirë, një mundësi pa probleme, pa asnjë problem. Duke kandiduar Benetin faktikisht ne kemi sjellë në Shkodër kandidatin më pa ngjyrë që mund të gjende Partia Socialiste dhe Beneti kaq frikë ka të identifikohet me ngjyrën tonë, saqë shiheni posterin, s’ka asnjë lidhje me ngjyrën tonë por i kam thënë, o Benet, ngjyra jonë, ajo violeti, mavia, është përzierja perfektë e të kuqes me blunë, mos ki frikë. Beneti e ka shumë merak që mos i prishi qejfin atyre të tjerëve dhe sidomos atij zotnisë kryesor, se i thërret me emër ky, zoti Berisha, kurse unë nuk ja zë dot as emrin me gojë. Beneti në fakt e ka filluar karrierën e tij si menaxher publik, si i përzgjedhur i Partisë Demokratike, i qeverisë së Partisë Demokratike e në fakt është nga të paktët ndër shumë njerëz të zotë që mund të ketë dh që me siguri i ka në krahun tjetër, që i është dhënë mundësia ta tregojnë veten e tyre, se normalisht ata nuk i zgjedhin njerëzit në bazë të aftësisë për punë. Ata i zgjedhin njerëzit në bazë të aftësisë për të “lehur”. Kush “leh” më shumë, shpërblehet më shumë sepse nuk e kanë fare qasjen ndaj ndryshimit, ndaj përmirësimit, ndaj kryerjes së punëve. Puna kryesore për ta është të marrin pengje. Të marrin peng pushtetin, të marrin peng bashkinë, të marrin peng çfarëdo që të munden për interesat e tyre shumë të vogla e shumë klanore.
Është për të ardhur shumë keq sepse Shkodra është një potencial shumë i madh i ekonomisë shqiptare dhe është i shfrytëzuar shumë pak, për të mos thënë fare. Shkodra është një potencial i shfrytëzuar më pak se Malësia e Madhe, imagjinoni. Është një potencial i shfrytëzuar më pak se sa Puka dhe është e vetmja bashki ku ne nuk e kemi pasur mundësinë të tregojmë asnjëherë atë që dimë të bëjmë, por ama është bashkia që tregon që ata të tjerët nuk dinë të bëjnë.
Shkodra është e vetmja bashki sot që nga Tropoja e deri në Konispol ku akoma plehrat mbulojnë kazanët, me ditë. Nuk ka më nga këto situata në Shqipëri. Ne kemi bërë një përmbysje të madhe në raport me pastrimin. Sot Shqipëria është më e pastër se kurrë edhe pse akoma disa probleme, por në Shkodër jo. Në Shkodër papastërtia është problem i përditshëm dhe ju e dini më mirë se unë.
Kemi bërë për Shkodrën çfarë kemi pasur mundësi të bëjmë dhe është komplet e kundërta e asaj që thonë, që ne nuk kemi bërë asgjë për Shkodrën se ne nuk e duam Shkodrën, se Edi Rama nuk e do Shkodrën. Këto janë të gjithë idiotësi!
Ne në fakt kemi bërë për Shkodrën gjëra që normalisht ata të tjerët duhet ti kishin bërë të parët dhe duhet ti kishin bërë më parë se në të gjithë vendet e tjera sepse mbështetjen dhe besimin që ua ka dhënë Shkodra nuk ua ka dhënë asnjë qytet i Shqipërisë ku që nga dita e parë që ka pasur zgjedhje pluraliste, Shkodra gjithmonë aty, duke përsëritur të njëjtën gjë, me shprese se do ketë rezultat tjetër, gjë që nuk është e mundur. Dështove një herë, dy herë, tre herë, duhet të ndryshosh që të marrësh rezultat tjetër. Jo, 31 vjet po atë muhabet.
Faktikisht, ata nuk e bënë rrugën Shkodër – Velipojë, pra nuk e kishin idenë e faktit që lidhja e Shkodrës me Velipojën me një rrugë dinjitoze ishte ndërhyrja e parë e domosdoshme për të hapur një proces ndryshimi ekonomik. E bëmë ne rrugën Shkodër – Velipojë.
Ata nuk e bënë kurrë rrugën Shkodër – Theth. Sot në Theth shkohet me makinë, krejt normalisht, në një rrugë perfekt, në mes të gjithë atyre bukurive. E bëmë ne rrugën e Thethit.
Rrugën Velipojë – Shëngjin. Shikoni, këto nuk janë rrugë thjesht rrugë. Këto janë akse ekonomike që i hapin në mënyrë jashtëzakonisht ndihmëse arterie zhvillimi një organizmi i cili përndryshe është i ngulfatur komplet këtu e nuk merr frymë siç duhet e nuk lëviz dot siç duhet. Po e bëjmë ne rrugën Velipojë – Shëngjin.
Në të treja këto nuk kemi pasur nevojë të marrim leje nga bashkia sepse janë vendimmarrje të qeverisë. I kemi marrë ato vendime, i kemi vënë ato financime, i kemi bërë projektet, i kemi bërë garat, kemi bërë dhe punët.
Ajo që na ka bërë bashkia e Shkodrës si asnjë bashki tjetër në Shqipëri, ka qenë që na ka penguar sa ka mundur për letra e për shpronësime. Akoma pjesa këtej e Shëngjin-Velipojës është e bllokuar se nuk po marrim dot deri në fund letrat e shpronësimeve. Jo për të paguar shpronësimet, por për të bërë letrat për qytetarët e vetë.
Kemi hapur projektet e Shirokës, Zogajt e aty kemi një projekt shumë të madh, i cili është zbatuar vetëm në një fazë të parë të tijën, aty e keni parë me sheshin e Shirokës që ka bërë një transformim të madh edhe për ekonominë e atyre njerëzve atje. Janë dy ujësjellës që i duhen Shirokës dhe Zogajt; kemi gjetur financimin, kemi bërë projektin, kemi bërë garën, kemi lidhur kontratat për ndërtimin e ujësjellësve por nuk i fillojmë dot punët se nuk na jep leje bashkia e Shkodrës.
Kemi nisur në gjithë Shqipërinë projektin për eficencën energjetike për të bërë riveshje të pallateve ekzistuese të banimit për të ulur shpenzimin e energjisë deri në 30% që do të thotë që faturat e atyre njerëzve do të vijnë më të ulëta. E kemi bërë një aty poshtë, janë dhe nja katër apo pesë të tjera, nuk po marrim dot lejen nga bashkia e Shkodrës. Ky është fakt që na pengon shumë të bashkëpunojmë, na pengon shumë të zhvillojmë më tutje Shkodrën.
Unë i kam këtu me radhë të gjitha projektet që kemi bërë për Shkodrën; sot ishim me Benetin, pamë njërin nga molet që kemi planifikuar për lundrim në liqen, moli është bërë ka mbaruar, janë dhe vendet. Tani edhe varkat duhet me ia sjellë nga Tirana bashkisë së Shkodrës? Sepse ato varka janë një tjetër vlerë e shtuar në zinxhirin ekonomik sepse shumë e shumë njerëz që vijnë mund të vijnë përsëri e përsëri për të bërë shëtitje me varkë përveçse për të kaluar fundjavën apo për të bërë evente familjare.
Belshi është pak më i madh sesa Shiroka, ka një liqen, që me humor i thashë atje, është sa tava e krapit; ka varka, në Belsh nuk gjen dot vend në fundjavë nga turistët që shkojnë dhe një nga atraksionet është lundrimi në një liqen që është i vogël sa me i rënë rreth këtij parku. Gjithë ky liqen, gjithë kjo pasuri këtu, nuk e kemi të mundur të bëjmë shumë më tepër sepse na duhet bashkia dhe nuk e kemi ne paragjykimin, e kanë këta paragjykimin.
Keni parë që kemi bërë rrugën deri tek, gjithë rrugën për në kalanë e Drishtit për të vitalizuar një tjetër element shumë të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore në funksion të turizmit.
Edhe në Shkodër brenda kemi bërë disa gjëra por aty ku nuk kemi pasur nevojë për bashkinë. Kemi bërë stadiumin e Shkodrës; është i vetmi stadium në botë që, për shkak se bashkia nuk bashkëpunon, ka ofiçina dhe lavazhe 7metra nga tribuna VIP. Na është dashur t’i lutemi UEFA-s që mos ta listojë si një stadium ku nuk mund të luhet ndeshjet ndërkombëtare dhe kanë dhënë afat për këtë punë dhe rrezik do vijë dita që do thonë, jo nuk mund të luajë dot ndeshje ndërkombëtare askush se nuk mund të vijnë skuadrat, gazetarët e huaj, njerëzit midis derës së tribunës dhe lavazhit, pa leje.
Kemi ndërtuar këtu Muzeun Kombëtar Marubi dhe jo thjesht kemi ndërtuar muzeun që është një nga punët, me thënë të drejtën se të gjitha këto punët që unë po numëroj kanë filluar me Benetin kur ishte në krye të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Nuk është puna e muzeut që kemi ndërtuar por puna është që kemi shpëtuar thesarin më të madh të trashëgimisë kulturore të Shkodrës, të gjithë pasurinë e lënë nga dinastia Marubi, që këta që bëjnë sikur e mbrojnë Shkodrën nga komunistët edhe që duan Shkodrën, e ruajnë Shkodrën, e kishin lënë nëpër thasë e nëpër bodrume ku do ta kishte grirë komplet lagështira.
Teatri “Migjeni”, edhe atë e kemi restauruar ne, asgjë nga këto nuk kanë bërë qeveritë e mëparshme dhe sidomos ajo qeveria që e do Shkodrën prapë, për çfarë e do? Për autobusat që sjell për thënë “Rama ik” në Tiranë, për asnjë gjë tjetër.
Për çfarë e do? Më thoni çfarë kanë bërë? Është vendi që e kanë pasur drejtimin që nga dita e parë që janë bërë votime pluraliste dhe është vendi që vuan më shumë nga mungesa e zhvillimit se të gjitha bashkitë e tjera.
Tropoja, ku ne nuk e kemi pasur shansin deri para 4 vitesh kur e morëm bashkinë për shkak se nuk patëm kundërshtarë, shpresoj që tropojanët ta mbajnë aty atë që kanë sepse në 4 vite, kushdo që ka sy për të parë e sheh që është bërë për Tropojën saç është bërë në të gjitha vitet bashkë. Zero, fare dhe këtu nuk është çështje politike, këtu është çështje mentaliteti dhe çështje e mënyrës sesi ata e shohin drejtimin e punëve, sesi ata e kuptojnë zyrën e shtetit, sesi ata e kuptojnë raportin me të ardhmen dhe se çfarë raporti kanë me plehrat.
Nuk e kanë problem fare, nuk i bën përshtypje, nuk i bëjnë përshtypje plehrat, nuk i bëjnë përshtypje ndërtimet pa leje, nuk i bën përshtypje rrëmuja, nuk i bën përshtypje shëmtia, fare, nuk e kanë problem fare.
Ndërkohë që, përmes vënies në funksion të këtyre pasurive të natyrës dhe trashëgimisë kulturore, ne bëjmë ekonomi, rrisim fuqinë ekonomike. Këtu, në gjithë Shkodrën, është shumë e qartë që ka një potencial shumë të madh që rri i fjetur. Ne duam të bëjmë projektin e madh të hyrjes së Shkodrës. Shkodra është një qytet me një begati të madhe nga pikëpamja e atyre që i ka dhënë Zoti, i ka të gjitha komplet, me det, me liqen, me lum, me mal e të gjitha; kur hyn në Shkodër duket sikur hyn në një korridor me magazina, nuk sheh asgjë. Tmerr, magazina e magazina ndërkohë që, nëse ne e transformojmë komplet hyrjen e Shkodrës, siç është plani, i japim qytetit një komplet tjetër dimension.
Shikoni çfarë i ka bërë Vlorës gjithë ai transformim i vijës bregdetare dhe shikoni sesi është rritur pasuria në Vlorë e patundshme, vlera e pronës, se sa shumë më tepër vlejnë shtëpitë e njerëzve dhe sesa shumë më tepër turistë vijnë. Turistët në Vlorë nuk ndalonin, kalonin dhe iknin. Sot Vlora është një destinacion i ri që do të fuqizohet gjithmonë e më shumë dhe plan i që ne kemi, së bashku me Benetin, është që vetëm me paketën e projekteve të bëra me Fondin e Zhvillimit dhe një tjetër paketë me Bankën Europiane të kemi gati për të vënë në punë rreth 135-140 milionë euro. 135-140 milionë euro është volumi më i madh i financimit për një qytet që ne kemi vënë ndonjëherë në dispozicion. Ne e kemi gati për Shkodrën.
Thonë që Edi Rama ju kërcënon sepse thotë që po votuat për ata, ne nuk bëjmë bashkëpunim. Jo, ky nuk është kërcënim, por është fakt, jo se nuk duam ne po nuk bëhet dot. Ne nuk mund të rrimë mbrapa derës së bashkisë dhe të lutemi për letrat e shpronësimeve 7 vjet, nuk bëhet dot.
Ndërkohë, unë nuk e kuptoj logjikën që ky kryetari i bashkisë duhet të jetë patjetër i partisë dhe kujt partie, një partie që ka humbur rrugën komplet dhe që janë shpërndarë rrugëve dhe nuk dinë kush është kush dhe ecin nëpër rrugica paralele dhe njëri thotë “Ne jemi të vërtetët” e të tjerët thonë “Ne jemi të vërtetët”, por në fund fare, ata janë e njëjta gjë në kuptimin e drejtimit dhe të punëve. Në kuptimin e drejtimit të punëve janë e njëjta gjë.
Ne na duhet këtu të fillojmë punën e të mos merremi me kush jam unë e kush je ti dhe autobuzët këtu të punojnë për transportin publik, jo të punojnë për të mbledh gjithë punonjësit e ndërmarrjeve e për t’i çuar për të thënë “Rama, ik”. Se, se erdhën ata, se s’erdhën ata, unë nuk jam duke ik vallahi. Thonë qe ne nuk e lëmë Edi Ramën ta marrë Shkodrën. Po ça do e marr Shkodrën unë? Ku do e çoj Shkodrën unë? 3 mandate e kanë treguar se si me Shkodrën si pa Shkodrën, nuk është Shkodra që e vendos se kush qeveris në Tiranë. Shkodra vendos se kush qeveris këtu në Shkodër dhe unë kam ardhur të them qe na jepni një herë mundësinë, se, se ça do bëjnë ata tjerët e keni parë 30 vjet, nuk kanë për të bërë ndonjë gjë të re, se s’kanë si bëjnë. Nuk dinë ta bëjnë, nuk duan ta bëjnë. Nuk janë aty për aty punë, tani kanë edhe halle. Kanë halle të mëdha shumë. Na jepni mundësinë një herë, 4 vjet dhe pastaj shiheni këtë punë. Nuk po ju them largqoftë më merrni mua dhëndër. E para, se jam i martuar edhe nuk kam ndërmend të ndahem e të martohem më, se e kam provuar dhe atë, e dyta, jo të gjithë e kanë fatin të qëllojnë që me herën e parë, ka si puna ime që duhet me e provu deri sa qëllon. Po tani kam qëllu, nuk kam ndërmend të martohem prapë, e para. E dyta e punës nuk jam fare këtu që të vij t’ju futem nëpër shtëpia largqoftë, as që t’ju ulem t’ju ha bukën. Ju dal në televizor, e keni kollaj fare, më pushkatoni, me një pam-pam, shkoni te syri i zorrës qorre, kënaquni atje.
Këtu çështja është kush do t’ju pastrojë rrugën, këtu çështja është kush do t’ju bëjë çerdhet dhe kopshtet dhe shkollat siç janë në të gjitha bashkitë e Shqipërisë përveçse në Shkodër, por edhe për ato shkolla që i kemi dhënë mbështetje financiare, janë ibret. Janë shkollat më të dobëta në Shqipëri nga pikëpamja e infrastrukturës.
Vora i ka më të mira se Shkodra. Puka i ka më të mira se Shkodra. Vau i Dejës i ka më të mira se Shkodra. Malësia e Madhe i ka më të mira se Shkodra. Fushëarrëzi, gjithë bashkitë e Shqipërisë. Shkollat në Shkodër janë pikë e zezë edhe aty ku ne kemi dhënë financim. S’dinë të bëjnë projekte. Nuk kanë idenë. Dhe ato projekte që kanë nuk i realizojnë se i marrin i çojnë në shtëpi dhe ju i dini shumë mirë këto. Kështu që si mund të shkohet e të vazhdojmë me këta duke i pasur kalamajtë për të çuar në shkollë? Si ndodh kjo?
I duhet ndriçim Shkodrës, jo vetëm këtu në bulevard, i duhet në të gjitha rrugët. Kur vajzat të kthehen në shtëpi natën vonë ‘’mos t’i hajë ujku”, ose të mos rrinë prindërit me frikën se ça po i ndodh rrugëve se është errësirë. Dhe të gjitha këto duan njeriun për të bërë punën dhe jo hajde t’u gjejmë njerëzve të partisë, punë dhe i kam thënë Benetit, nëse ty ta japin mundësinë, ti do kesh të gjithë lirinë që të zgjedhësh për çdo punë njeriun që i duhet punës, le të jetë me kë parti të dojë.
Tani më shumë se kaq unë nuk di ça të them, plus me siguri jam i bindur që Beneti do ta bëjë edhe më në fund një strehë për qentë. Se kam dëgjuar që ky që keni ju premton vazhdimisht që do t’i fusë dhe ata në strehë, se më thanë që këtu qentë janë rrugëve. Harrojeni që ka për t’iu ndodh ndonjë gjë e tillë, qentë do mbeten rrugëve këtu dhe do shtohen rrugëve nëqoftëse nuk do të ndërrohet drejtimi këtu.
Se ju thashë, nuk është problemi i një njeriu. Këtu problemi është kulturor, është problem mentaliteti, dhe fatkeqësisht kjo është kultura dhe mentaliteti politik dhe qytetar i atyre të tjerëve. Po sidoqoftë ka edhe më keq. Gjithmonë ka më keq. Kur unë shkova në bashki të Tiranës, e kishin ata përpara, e dini ju, edhe kishte një kasafortë tek zyra. Kasafortë. Ça ka këtu në kasafortë? Ajo me shihte kështu, ajo goca.
Hape, i thashë unë. Ishte një qese dhe brenda kishte ca si gjethe të thata. Ishin veshët e qenve që vriteshin për të marrë, nuk e di sa lekë i jepte bashkia, për të vrarë qentë se ishin rrugëve. Edhe që ti të provoje që e kishe vrarë qenin, sillje veshin dhe merrje lekët.
Jo, është reale kjo dhe aty kuptoja që pse në Tiranë shihja qen që s’kishin asnjërin nga veshët, se shkonin i prisnin veshët dhe thoshin i vrava këto të dy. Ai në fakt ishte një qen që ngelej pa veshë fare. Kjo është Partia Demokratike, mos qeshni fare. Dhe atëherë ishin parti, tani janë…
E vallahi, këtë s’rri dot pa e thënë se ky është takimi i fundit, do iki, pastaj vendosni vetë ça do bëni, vallahi një gjë më duket çudi e madhe për këta të djathtët e paepur fanatik të Shkodrës , që do çohen në mëngjes, do shkojnë për të luftuar komunizmin dhe do votojnë Like Floririn. Kjo më duket çudia më e madhe. Se aty dakord, u mësuan vite e vite votonin një që komunist kishte qenë më shumë se të gjithë ne qe jemi këtu, po s’ka rëndësi. Atë hajde më, jemi në rregull se na mërzitet edhe Beneti po të themi ndonjë fjalë për atë se i thotë “zoti Berisha’’. Po Like Floririn? Bashkë fitojmë Like Floririn? Vallahi Zoti ju ruajt e ju ndriçoftë rrugën, ju them gjithë këtyre fanatikëve të djathtë dhe mos thoni më që Edi Rama s’e do Shkodrën, se unë kam gjak Shkodre dhe gjaku ujë nuk bëhet dhe gjyshen time shkodrane nuk ma heq dot mua asnjë parti, por gjyshja ime këtyre do ju thoshte “paçin hijen e vet”.
Shumë faleminderit!
Newsroom
Me vajzat dhe gratë shkodrane për projektet transformuese që e presin Shkodrën nën drejtimin e njeriut të punës dhe larg mendësive të së kaluarës