Klotilda Bushka (Ferhati) ka lindur në Tiranë më 11 Prill 1979. Është e martuar dhe ka dy fëmijë. Ka studiuar në gjimnazin “Partizani”, Tiranë (1993 – 1997).
Në vitin 2001, Klotilda është diplomuar për drejtësi, në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, me rezultate shumë të larta. Zotëron shkëlqyeshëm gjuhën angleze dhe italiane. Klotilda ka marrë pjesë në disa programe kualifikimi, ndër të cilat: Programi i avancuar trajnimi mbi administrimin e drejtësisë dhe efiçensën në menaxhimin e gjykatave, Asser Institute, Hollandë (2013 – 2014); Programi i trajnimit vazhdues, Shkolla e Magjistraturës (2008 – 2013); Praktika gjyqësore e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe zbatimi i saj nga autoritetet gjyqësore shqiptare, USAID, 2012; Trajnime të avancuara mbi zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve, të drejtën familjare, mosmarrëveshjet administrative, të drejtat e njeriut, etj,organizuar nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, ABA/CEELI, Këshilli i Europës, (2002 – 2008), etj.
Klotilda aktualisht është avokate. Ajo është anëtarësuar pranë Dhomës së Avokatëve Tiranë që në vitin 2003. Klotilda është anëtare e Këshillit Kombëtar për të Drejtat e Autorit, organ kolegjial pranë Ministrisë së Kulturës. Më parë, prej vitit 2008 e deri në Nëntor 2015, ajo ka kryer detyrën e këshilltares ligjore pranë Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë. Gjatë periudhës 2001 – 2008 ka punuar pranë studios ligjore ndërkombëtare “Tonucci”, fillimisht si juriste (2001-2003) dhe më tej si avokate e nivelit të parë (senior lawyer). Nga viti 1997 deri në Dhjetor 2000, Klotilda është angazhuar si koordinatore e Programit të Debatit – një program për nxitjen e lidershipit rinor, tolerancës dhe mendimit kritik pranë Fondacionit Soros, ku ka shërbyer dhe si anëtare e Bordit të Rinisë.
Klotilda është anëtare e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Ajo është anëtare e Këshillit Bashkiak Tiranë që nga Korriku 2015 dhe kryetare e grupit të Këshilltarëve të Partisë Socialiste në këtë organ. Klotilda kryeson dhe Aleancën e Grave Këshilltare në Bashkinë Tiranë.
Klotilda është aktiviste e shoqërisë civile që prej vitit 1997. Ajo kontribuon në këtë sektor me ekspertizën e saj ligjore për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht për përparimin e të drejtave të grave dhe vajzave në shoqërinë shqiptare si dhe për përfshirjen e publikut në vendimmarrje. Klotilda ka qënë anëtare e Këshillit Kombëtar për Barazinë Gjinore, organ këshillimor pranë Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë; anëtare e grupit të punës së shoqërisë civile për krijimin e Këshillit Kombëtar të Shoqërisë Civile si një mekanizëm bashkëpunimi midis këtij sektori dhe qeverisë shqiptare në procesin e zhvillimeve demokratike të vendit, mirëqeverisjen dhe rritjen e transparencës në vendimmarrjen publike (2013/2014); anëtare e Bordit Drejtues të Freja Academy, një organizatë ndërkombëtare, e krijuar nga një rrjet i gjerë i organizatave të shoqërisë civile nga Ballkani dhe vendet e Bashkimit Evropian (BE), me fokus forcimin e demokracisë nëpërmjet rritjes së pjesëmarrjes së shoqërisë civile në vendimmarrjen publike dhe në proceset integruese me BE (2011).
Klotilda është autore dhe bashkëautore në disa botime me vlerë në fushën e drejtësisë dhe në atë sociale ku spikasin: