Partia Socialiste e Shqipërisë › Ministrja Evis Kushi

Ministrja Evis Kushi

Ministrja Evis Kushi

Ministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë

Znj. Evis Kushi ka lindur më 7 tetor 1975 në Elbasan. Ajo është e martuar dhe ka 2 vajza.

Znj. Kushi është diplomuar në vitin 1997 në degën Administrim ‐ Biznes (Marketing), Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Ndërsa në vitin 2008, ajo mori gradën shkencore “Doktor” (PhD) në Ekonomiks-Turizëm, Universiteti “Staffordshire”, Angli.

Ndërkohë, në nëntor të 2010, ajo fitoi titullin akademik “Profesor i Asociuar,” në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës. Gjashtë vjet më vonë, më 26 korrik 2016, Znj. Kushi mori edhe titullin akademik “Profesor” në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Znj. Evis Kushi e nisi karrierën e saj në vitin 1998 si lektore në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, në lëndët kryesore “Bazat e Marketingut” dhe “Ekonometri” (1998‐2012). Ndërkohë, mes viteve 2010‐2012, ajo mbajti pozicionin e Përgjegjëses së Departamentit “Ekonomia dhe e Drejta”, Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan. Më pas, në vitet 2012‐2013, ajo ka shërbyer si dekane e Fakultetit të Ekonomisë, në po këtë universitet.

Nga viti 2013 e në vazhdim, Znj. Kushi është deputete e Qarkut të Elbasanit në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe ka qenë pjesë e Komisionit për Ekonominë dhe Financat. Njëkohësisht, ka shërbyer edhe si pedagoge me kohë të pjesshme në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan dhe në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë.

Për sa u përket aktiviteteve shoqërore politike, Znj. Evis Kushi është anëtare e Partisë Socialiste që prej Marsit 2013, dhe anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste që prej Prillit 2016. Deri në momentin e marrjes së pozicionit të ministrit, ajo ka qenë Nënkryetare e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

Znj. Kushi ka marrë pjesë në shumë konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe është autore e bashkëautore e një sërë artikujsh shkencorë në revista brenda e jashtë vendit.

Ajo flet rrjedhshëm gjuhën angleze, franceze dhe atë italiane.

Ndaje me miqtë: