Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Administrata publike të jetë motori i reformave transformuese të vendit

Fjalime

Administrata publike të jetë motori i reformave transformuese të vendit

17 Oct 2013    
Të nderuar kolegë deputetë!

Institucioni ynë i nderuar ngarkohet nga Kushtetuta me një mision themeltar për ekzistencën e shtetit, ligjbërjen. Të hartosh e miratosh ligje, është përgjegjësia më e madhe ndaj të cilës ne duhet të përgjigjemi çdo ditë si ligjvënës. Përgjegjësi, e cila duhet të kapërcejë pengesa artificiale që lidhen me politikën e ditës e të na shtyjë drejt qëndrimeve profesionale, larg verbërisë dhe verbalizmit të drunjtë politik, që jo rrallë herë sundon debatet në këtë sallë.

Ligji “Për nëpunësit civil”, shtyrjen e hyrjes në fuqi të së cilit diskutojmë sot, nuk është ligji i parë që rregullon marrëdhëniet juridike të një sfere që ka një rëndësi themelore për shtetin shqiptar, atë të administratës publike.

Kur trajtojmë çështjet e administratës publike, duhet të jemi të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm se kemi të bëjmë me një gur themeli të shoqërisë shqiptare. Cilësia e kësaj administrate ndikon drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së shqiptarëve, në cilësinë e institucioneve tona, në vlerën që ne përfaqësojmë në komunitetin e shteteve, që janë apo aspirojnë të jenë pjesë e Evropës së Bashkuar.

Në vitin 1999, në këtë sallë, është arritur që edhe si pjesë e kritereve që na vinin si detyra shtëpie nga BE, FMN, BB, OSBE, të miratohet ligji kuadër për statusin e nëpunësit civil, një ligj qe përgjithësisht i rezistoi kohës. Për plot 14 vite, dispozitat e tij bënë të mundur që me vështirësi, sfida, pengesa dhe dështime ne të mund të formësojmë një administratë publike, e cila nevojitet të vijojë të jetë motori i reformave transformuese të këtij vendi.

A përfaqëson ligji i miratuar majin e kaluar një model mbi të cilin duhet ecur për të patur një administratë publike të aftë e të pavarur?

Unë sikundër ditën e miratimit të tij edhe sot e kësaj dite mendoj se: JO!

Personalisht nuk e kam votuar këtë ligj. Nuk e kam votuar për shkak të përmbajtjes së tij. Në mendimin tim ai është ligj i dobët, me kundërshti të shpeshta me korpusin e të drejtës publike në fuqi. Sikundër edhe ligji për Gjykatën e Lartë, në vlerësimin tim si jurist e ligjbërës, ligji i ri për statusin e nëpunësit civil përfaqëson një numër më shumë në listën e iniciativave ligjore të miratuara, një statistikë, por kurrsesi nuk përfaqëson zgjidhjen e problemit.

Diskutimi dhe miratimi i ligjeve të lartpërmendura mes nesh, më shumë u perceptua si nevojë e strukturave të Brukselit për të vënë në provë aftësinë për konsensus mes palëve politike, sesa si strategji afatgjatë e mirëfunksionim të kësaj hallke të rëndësishme, e mbështetur në situatën aktuale të administratës publike shqiptare, përbërjen dhe nivelin profesional të saj. Ligje që erdhën në trajtën përfundimtare pa marrë parasysh asnjë kontribut nga përpjekjet serioze që opozita e djeshme bëri.

Ligji për Shërbimin Civil, ashtu sikundër edhe ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë, është miratuar edhe me votat tona, por jo me kontributet tona. E ndër të tjera edhe sepse ligji ka probleme në përmbajtjen e tij.

Të nderuar kolegë,

Ligji i miratuar me konsensus në fund të majit të shkuar, e vuri në gjumë qeverisjen që shkoi, ajo e raportoi si arritje në strukturat e BE dhe mbi dafinat e pushtetit dhe me ëndrrën kryeministrore se do të fitonin sërish, ata si jo rrallë herë harruan, nuk u kujtuan apo nuk i kushtuan rëndësinë e duhur këtij ligji. Ligji detyronte qeverinë që brenda 3 muajve nga miratimi i tij të përmbyllte punën për hartimin, diskutimin dhe miratimin e akteve nënligjore që e bënin të zbatueshëm këtë ligj.

Dje, opozita dha konsensus për një ligj që nuk zbatohej dot pa miratimin e një sërë aktesh nënligjore. Por kjo nuk ndodhi. Nuk e bënë. Përpara mundësisë për t’i siguruar atë pak dinjitet administratës publike, u zgjodhën listat me emrat e pjesëmarrësve në mitingjet elektorale, punësimet e shfrenuara gjatë javëve të fundit përpara zgjedhjeve.

Ky ligj nuk mund të zbatohet sepse në rrëmujë e sipër, duke bërë llogaritë zgjedhore, këtë  gur themeli të shtetit shqiptar, opozitarët e sotëm e lanë në një cep të harruar, pa marrë përsipër përgjegjësitë që ky Kuvend ju dha me votën konsensuale. Janë dhjetëra aktet nënligjore që do të duhet të ishin hartuar që prej majit, me qëllim që ky ligj të niste funksionimin e tij në 1 tetor. A është hartuar ndonjëri prej tyre gjatë periudhës maj – tetor? Siç e tha këtu edhe ministrja përgjegjëse për fushën: Asnjë! Për fat të keq asnjë! Më së paku opozita e sotme dhe maxhoranca e djeshme detyrohet edhe vetëm për këtë shkak të kërkojë një ndjesë publike.

Ato tre muaj që duhet të punohej për këtë normativë të administratës publike, qeveria e tyre vrapoi të bëjë llogaritë e fundit të koncesioneve, qokave klienteliste dhe ngritjen e kurtheve konfliktuale për qeverisjen që po vinte nga vota e popullit.

Mbase sepse në thelb ky ishte modeli i tyre qeverisës. Ligje që nuk zbatohen, ca sepse nuk donin t’i zbatonin, ca se nuk dinin t’i zbatonin e ca se nuk i bënin të zbatueshëm.

I gjithë ky është një model shtetformimi, qeverisjeje që duhet të tejkalohet, që shqiptarët e dënuan me votë e që ne nuk mund ta ngjallim për hir të presionit të bojkotit të pakuptimtë.

Ndaj kjo iniciativë e qeverisë për të përdorur aktin normativ, si akt i mbështetur në tagrin e saj kushtetues, tërësisht në përputhje me Kushtetutën dhe interpretimet kushtetuese të Gjykatës Kushtetuese, është mjeti i vetëm për të shmangur turpin e radhës, që institucionet e këtij vendi i numërojnë vit pas viti në këto 8 vite. Na është lënë në derë një ligj, nuk duhet të bëjmë sikur nuk e shohim.

Personalisht mbetem i mendimit se pavarësisht se ky akt normativ do të miratohet sot, ligji në vetvete nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të zvarrisë një situatë të papranueshme në administratën publike të shtetit shqiptar. Unë mbetem i bindjes se së bashku me ligjin e Gjykatës së Lartë, kjo iniciativë ligjore shumë shpejt do të ketë nevojë për ndryshim të përmbajtjes së saj. Keqqeverisja nuk mjekohet me aspirina procedurash e mekanizmash të huazuara aty këtu, nuk ndryshohet me kozmetikë televizive. Ndryshimi ka nevojë për kurajo për ta luftuar problemin aty ku ka rrënjët.

Ne me miratimin e këtij akti po i japim kohën e kërkuar qeverisë së re të eksplorojë të gjitha mjetet e mënyrat për të mbajtur në jetë një ligj të dobët, i cili është i mangët në synime dhe objektiva të sinqertë në formëzimin e një administrate publike, të ndershme, profesionale e të përkushtuar kah ndërtimit të një shteti evropian, sikundër shkruhet edhe në raport progresin e radhës të KE. Ky ligj për mendimin tim nuk jep siguri, që kush duhet të dalë nga dera, të mos të hyjë nga dritarja, e kush nuk ka merituar të ngjisë shkallët e karrierës, të mbetet i ngritur përpjetë, duke u lidhur fort pas xhaketës së varur në çengelin e politikës.

Megjithatë unë e mirëkuptoj dhe e mbështes këtë iniciativë të qeverisë.

Duam t’i japim kohë mbase për të provuar që ndonjëherë konsensusi si qëllim në vetvete nuk prodhon stabilitet në jetën normale të institucioneve.

Kolegë,

Ne duhet të jemi këtu në monitorim, vëzhgim e vlerësim të hapave institucionale dhe ligjore që duhet të hidhen me qëllim, që nëpunësi civil i administratës publike shqiptare, mos të identifikohet me klanin, krahinën apo partinë, por me aftësinë, meritën dhe vlerat. I majtë apo i djathtë në bindje, i ri apo i vjetër në moshë, ai duhet t’i bindet ligjit, t’i shërbejë qytetarit e t’i qëndrojë presionit të pushtetit.

Ne kemi nevojë jo për nëpunës besnikë të individit të veshur me pushtet, por për nëpunës besnik ndaj pushtetit të ligjit.

Ne kemi nevojë për një nëpunës të administratës së shtetit që i shërben qytetarit dhe jo pushtetarit, për një administratë që forcë urdhëruese ka ligjin dhe jo autoritetin e eprorit të radhës, që paligjshmërinë e ndëshkon me forcën e ligjit dhe jo me autoritetin e pushtetit. Ashtu sikundër kemi nevojë për një polic që garanton ligjin dhe jo që zëvendëson autoritetin e ligjit, që na kujton e na urdhëron të respektojmë ngjyrat e semaforit dhe jo për një polic që të vihet në rolin pa ngjyrë të semaforit. Siç kemi nevojë për një nëpunës administrate që përballë qytetarit, biznesit dhe kujtdo që halli e sjellë përball tij të tregojë respekt, mirësjellje e korrektesë në zbatimin e ligjit dhe jo arrogancë e arbitraritet në emër të shtetit. Një qasje e tillë ndihmon arbitraritetin e shtetit, pushtetin e individit, por kurrsesi nuk i shërben fuqizimit të shtetit të së drejtës, ndërtimit të një administrate profesionale e ligjzbatuese.

Një administratë e fortë, e qëndrueshme dhe profesionale është garanci thelbësore për mirëqeverisje. Statusi i nëpunësit civil nuk është e nuk duhet të jetë makiazh i qeverisë, ai është një gur themeli i shtetit.

Unë mendoj se shqiptarët në 23 qershor i dhanë një leksion të madh jo vetëm opozitës së sotme, por dhe kësaj maxhorance që sot ka vota, aq sa për të bërë histori. Ligjet e kësaj Republike, ne duhet të dimë t’i hartojmë, duhet të dimë t’i zbatojmë dhe kryesorja të kemi vullnetin për t’i zbatuar.

Kjo është një tjetër sfidë e rëndësishme. Një sfidë e cila ka të bëjë me besimin e zgjedhësve në modelin tonë qeverisës, sfidë përballë partnerëve tanë ndërkombëtarë, sfidë me brezat që kemi pas dhe të cilëve do të duhet t’i lëmë trashëgim shtetin e së drejtës dhe jo pushtetin e radhës.

Faleminderit!

*Fjala në Kuvend e deputetit Fatmir Xhafaj.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm