Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Buxheti 2014, Rama: U detyrohemi shqiptarëve një fillim të ri

Fjalime

Buxheti 2014, Rama: U detyrohemi shqiptarëve një fillim të ri

23 Dec 2013    
Fjala e Kryeministrit dhe njëherësh Kryetarit të PS Edi Rama, në Kuvend për buxhetin 2014:

Askush nuk mund të thotë se kjo që kemi është Shqipëria Evropiane, e ëndrrave dhe shpresave që ndezën flakën e lirisë në dimrin e fundit të diktaturës. Askush nuk mund të thotë se ky funddimri në vigjiljen e Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri 2014 me 168.574 persona me aftësi të kufizuar, me 108.580 familje në ndihmë ekonomike, që presin prej muajsh pagesën  e tyre, kanë ngjyrat  e ëndrrave dhe dritat e shpresave që u ndezën çerek shekulli më parë, në shtegun ku nisi rruga e Shqipërisë Evropiane.

Askush nuk mund të thotë se sot, kur Shqipërisë u duhen ende shumë stinë të tjera për t’u futur ne derën e BE, ky parlament mund të krenohet për nivelin e sjelljes dhe shkallën e përgjegjshmërisë, që ka manifestuar në gjithë këto vite.

Shqipëria ka sot domosdoshmërinë për një fillim të ri. Ky parlament duhet të pushojë së qeni arena e egër e dasisë shoqërore që prej këtu shpërndahet në çdo qytet dhe në çdo vendbanim të Shqipërisë. Shqiptarëve u duhet sot, këtu në Shqipëri, një Kuvend që flet, vendos dhe jeton me ta dhe për ta, kudo që jetojnë, në një kohë ndryshimesh dhe sfidash  të jashtëzakonshme globale, kombëtare, ekonomike, sociale e kulturore. Njerëzve të zakonshëm të këtij vendi u duhet sot një shumicë parlamentare që nuk e siguron mbijetesën e vet në pushtet, duke kalëruar mbi kurrizin e tyre, që mjaft është kërrusur nën peshën e vendimeve dhe borxheve të marra në emër të tyre dhe për hesap të një pakice në pushtet. U duhet sot një opozitë parlamentare që nuk e lë bosh vendin e saj si alternative aktive e qeverisë, për t’u kyçur ne llogoren e vjetër të qitjes me baltën e shpifjes, gënjeshtrave, fyerjeve prej ku popullit nuk i ofrohet kurrgjë tjetër veç zinxhirit të së shkuarës.

U duhet sot shqiptarëve, padyshim, një qeveri që nuk mendon se si do të zgjidhet përsëri, duke mos trazuar ujërat e ndenjur, nën të cilat gëlojnë mikrobet e korrupsionit dhe gjallojnë kudo ferrat pengmarrës të prapambetjes, por që punon ditë –natë për të bërë zgjedhjet dhe zgjidhjet  e duhura, jo për pushtetin e vet, por për të ardhmen e vendit.

Ne, “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, nuk jemi zgjedhur për t’u rizgjedhur me çdo çmim, por për të zgjidhur me çdo kusht këmbën e Shqipërisë nga zinxhiri i padrejtësive, borxheve, papunësisë, korrupsionit, injorancës, dhe për t’i dhënë këtij vendi mundësinë të ecë më shpejt dhe të rilindë si vend, si shtet, si shoqëri evropiane.

Ne nuk jemi zgjedhur që të qeverisim për vete, por t’u kthejmë njerëzve lirinë të mendojnë, punojnë, jetojnë, dukje krijuar kushtet që të drejtat e tyre të barabarta të ushtrohen në një mjedis mundësish të barabarta, për të shkolluar fëmijët, për t’u kujdesur për të sëmurët, për të punuar dhe për të fituar sipas meritës. Ne nuk jemi zgjedhur të prodhojmë mjaltë gënjeshtrash për t’i mbajtur njerëzit në llucën e prapambetjes, me gajretin e sukseseve imagjinare, por kemi ardhur në qeveri për të përdorur ilaçin, sado të hidhur të të vërtetave, të një gjendje të hidhur ekonomike dhe sociale që i’u imponua shqiptarëve nga keqqeverisja e shumë viteve.

Më lejoni t’u them atyre që nuk u zgjodhën më 23 qershor, të gjithë atyre që më 23 qershor nuk votuan për t’u zgjedhur ne, dhe ne të gjithë së bashku, si njerëz të së njëjtit vend dhe të së njëjtit gjak, si shqiptarë i detyrohemi sot Shqipërisë dhe gjeneratave të tjera, një fillim të ri. Një fillim të ri, ku kundërshtitë mes nesh të mos jenë pengesa e të djeshmes, por shtysa e re drejt së nesërmes. Ku dallimet mes nesh të mos jenë arsyeja për t’i ndenjur me kurriz njëri-tjetrit, por shtysa për t’u ballafaquar hapur, në respekt të njëri-tjetrit. Ku rivalitetet mes nesh të mos jenë burim konfliktesh për pushtet, por shumëfishimi i pushtetit tonë të përbashkët, mbi fatin e përbashkët të kombit tonë. Kombet, njësoj si njerëzit, duhet me patjetër të vendosin si duhet të sillen me vetveten, si duan të shihen nga të tjerët rreth e rrotull dhe ende më tutje, si duan të gjykohen nga historia. “Si çdo burrë dhe grua, vendet duhet ta vendosin vetë sa të gatshëm janë për rastet që u jep historia” i tha Presidenti Klinton, Kongresit Amerikan në adresimin e parë të presidencës së tij historike.

Vendi ynë sot ka nevojë për një drejtim të ri. Unë sot kam privilegjin t’u prezantoj shqiptarëve një plan të ri për t’i dhënë vendit një drejtim të ri. Punësim real, jo rritje e papunësisë; Taksim i ndershëm, jo taksë e sheshtë; Liri dhe konkurrencë e garantuar për sipërmarrjet, jo monopole dhe dhunim i biznesit të ndershëm; Shërbime publike sipas nevojës dhe jo sipas xhepit; Zhvillim i qëndrueshëm rural, jo braktisje e fshatit në fatin e vet; Mjedis i pastër dhe trashëgimi kulturore e mbrojtur, jo ndotje dhe shkatërrim hap pas hapi; Shtet i denjë europian, jo një vend pa shtet, me pasiguri për individët dhe pronën, në mes të Evropës. Këto vija ndarëse me të shkuarën ishin boshti i zotimit tonë para shqiptarëve si “Aleancë për Shqipërinë Evropiane” për të rilindur Shqipërinë duke ecur më shpejt në një drejtim të ri.

Mbi këto vija ndarëse ishin të renditura edhe zotimet për të cilat 1 milion shqiptarë na e besuan ne drejtimin e vendit në kushtet e një krize të thellë të moralit të qeverisjes, të modelit të derisotëm të zhvillimit ekonomik dhe social, të shtetit të gjunjëzuar nga korrupsioni dhe paaftësia për t’u shërbyer qytetarëve. Mbi këto vija ndarëse është ngritur edhe projekti i buxhetit të ri që duke nisur nga 1 janari garanton kthesën e vendit, në drejtimin e ri, në drejtimin e duhur, në drejtimin e rimëkëmbjes së ekonomisë, ripërtëritjes së shoqërisë, rivendosjes së demokracisë, ribashkim të Shqipërisë me Evropën.

Buxheti i viti 2014 nuk është një buxhet elektoral, siç ishte buxheti i vitit që sapo mbyllet, por është një buxhet i përballjes hapur sy më sy me krizën ekonomike dhe katrahurën financiare që kemi trashëguar. E megjithatë, ky buxhet është më i madh se buxheti elektoral i këtij viti dhe nuk është një buxhet krize, por një plan i qartë kthese ekonomike dhe sociale.

Buxheti i vitit 2014 nuk është një buxhet elektoral, investimesh për të prerë shirita dhe për të thirrur “përpara, rrugë, rrugë, rrugë”, duke zhytur vendin në borxhe dhe duke e katandisur qeverinë në një “sudepazar”, por është një buxhet i shlyerjes të borxheve ndaj atyre që po lëngojnë dhe po njësoj atyre që po falimentojnë në mirëbesim të qeverisë që iku. E megjithatë, ky buxhet është më i madh se buxheti elektoral i këtij viti, me investime direkte dhe indirekte në ekonomi, të cilat do të rivënë në lëvizje makinën e bllokuar të ekonomisë shqiptare dhe do të garantojnë rifillimin e rrugës së rritjes ekonomike për Shqipërinë dhe për familjet shqiptare.

Buxheti i viti 2014 nuk është një buxhet elektoral sa për të hedhur lumin e zgjedhjeve të radhës me një listë të gjatë shakash të përparimit, siç do ta quante Noli buxhetin e fundit të qeverisë që iku, duke e lënë pas në mëshirën e fatit shërbimet publike sociale, por është një buxhet për të kapërcyer hendekun e madh që qeveria e ikur hapi mes Shqipërisë dhe të ardhmes.

E megjithatë, ky buxhet është më i madh se buxheti elektoral i këtij viti, në mbështetje të komuniteteve, çdo bashki e komunë, duke nisur nga Bashkia e Tiranës do të ketë vitin e ardhshëm më shumë para nga buxheti se sa ky vit; Në mbështetje të arsimit dhe të shëndetësisë, që po ashtu do të kenë më shumë para nga buxheti i këtij shteti sesa ky vit; Në mbështetje të njerëzve në nevojë për të cilët, jo vetëm do të ketë më shumë para se këtë vit, por nuk do të ketë më mospagesa ndaj invalidëve dhe familjeve në ndihmë ekonomike, që ndryshe nga çdo vit tjetër do të marrin rregullisht çdo muaj, lekët që ju takojnë me ligj dhe me zakon.

“Me ose pa vetëdije të gjithë mendojnë për ekonominë. Duke u bashkuar në parti politike ose duke hedhur votën qytetarët tregojnë indirekt dhe qëndrimin e tyre, ndaj elementëve thelbësorë të teorisë ekonomike.” – thotë ekonomisti i njohur Ludvig Von Mises.

E pra, 1 milion shqiptarë treguan qartësisht qëndrimin mes tyre ndaj taksës së sheshtë, e cila në praktikë i mori frymën shtresës se mesme, dërrmoi biznesin e vogël, varfëroi më shumë më të varfrit dhe taksimit të ndershëm, që do të hyjë në fuqi në 1 janar për t’i dhënë forcë ekonomisë familjare shqiptare dhe për të vënë drejtësi në ndarjen e barrës së taksave mes njerëzve dhe bizneseve të këtij vendi.

Ky buxhet është akti solemn i korrigjimit të padrejtësisë që detyroi për vite të tëra infermieren të paguante më shumë taksa se sa ministri i Shëndetësisë; mësuesen dhe policin të paguajë më shumë taksa sesa ministrat e tyre; shoferin e kryeministrit të paguante më shumë taksa se sa vetë kryeministri. Kujt s’i vjen për shtat ky akt apo kujt  e kundërshton këtë akt me argumentet e vjetra të pushtetit të humbur, i kujtoj se këtë akt e kanë firmosur me votë 1 milion shqiptarë dhe ky Kuvend ka thjesht detyrën ta ratifikojë me votën e vet në respekt të popullit sovran.

Me këtë akt korrigjohet, gjithashtu, padrejtësia që detyroi për vite të tëra, furrën e bukës të nxirrte nga arka e vet e mbijetesës më shumë lekë për shtetin sesa një fabrikë çimentoje, nga kontoja e madhe e përfitimeve të veta. Kafenetë e lagjeve të paguanin më shumë taksa se sa hotelet në qendër të Tiranës. Foletë e vetpunësimit familjar me biznes të vogël të jepnin në buxhetin e shtetit më shumë se ç’jepte në raport me të ardhurat e veta, çdo kompani e madhe.

I kam falënderuar me zemër, me përulësi shqiptarët, ditën që na dhanë besimin qeverisë së vendit, por sot në ditën e paraqitjes së buxhetit të parë të “Aleancës për Shqipërisë Evropiane”, pas tërë atyre që më kanë parë sytë në librin e shqyer të llogarive të shtetit, dua t’ju përulem shqiptareve edhe më thellë. Sepse duke e mbyllur rrugën e rrënimit me murin e 1 milion votave, të papushtetshmit i dolën zot shtëpisë sonë të përbashkët, Shqipërisë, në orët e fundit përpara shkatërrimit të dytë financiar, pas atij të piramidave, prej duarve të papërgjegjshme të të pushtetshmëve.

Pa ato 1 milion duar, të cilat i hapën rrugën një politike të re ekonomike dhe financiare që mishërohet sot, në frymën dhe në gërmën e këtij buxheti kthese dhe rimëkëmbje për Shqipërinë, shtëpia jonë do të përfshihej më herët se vonë nga flakët e borxheve dhe të dhimbjeve të shkaktuar prej një politike të vjetër dhe delirante në pushtet, e cila për pak e hodhi këtë popull për së dyti në një greminë financiare duke zgjedhur qorrazi për së dyti, bejtet e gjeneral Rrapushit, në vend të ndihmës së FMN.

Buxheti i ri u hartua në bashkëpunim të ngushtë me FMN dhe me BB, si dhe me ndihmën e paçmuar të një skuadre këshilltarësh botërisht të njohur, e cila asiston qeverinë e re për çështjet ekonomike dhe sociale. Ky buxhet edhe falë marrëveshjes së re me Fondin Monetar Ndërkombëtar është shprehja konkrete e një ndryshimi themelor në kulturën qeverisëse të këtej vendi. Një qeveri e zhytur në borxhe dhe në detyrime ndaj të tjerëve nuk mund të kërkojë nga askush përgjegjësi për detyrimet që burojnë nga marrëdhënia e qytetarit apo sipërmarrjes me shtetin.

Një qeveri që nuk paguan punët dhe shërbimet që merr nga biznesi, duke u sjellë si pushtet informal dhe brutal me biznesin, as mund të ulë informalitetin në ekonomi, as mund të luftojë evazionin fiskal, as mund të garantojë rendin ligjor dhe ekonomik.

Një qeveri që nuk paguan dritat, duke filluar nga kryeministria tek ministritë e me radhë institucionet shtetërore, nuk ka sy e faqe t’u thotë të varfërve, qytetarëve të zakonshëm apo bizneseve – ‘të mos vjedhin dritat dhe të paguajnë rregullisht faturat’. Dhe kur vjen dita që një qeveri jo vetëm të mos i paguajë, por t’ua vjedhë paratë e ndihmës ekonomike dhe të asistencës sociale, familjeve në nevojë dhe personave me aftësi të kufizuar, kjo quhet “ditë e zezë”, pas të cilës nuk ka më diell, por vetëm errësirë sociale. E pra, në këtë errësirë e gjetëm ne ngrehinën e qeverisjes dhe nga kjo errësirë e padurueshme, e papranueshme, e pafalshme do të dalim përmes buxhetit të vitit 2014.

Ky buxhet është akti kuptimplotë i fundit të marrëzisë së një kulture qeverisëse turpëruese për vendin, i një etike qeverisëse njollosëse për shoqërinë, i një sjelljeje qeverisëse shkatërruese për ekonominë dhe financat e një vendi. Ky akt kuptimplotë e nxjerr qeverinë në dritën e përgjegjësive të veta. Në këtë buxhet plot 350 milionë dollarë, janë shprehje e kësaj përgjegjësie të lartë që qeveria e re merr, duke shlyer një pjesë të konsiderueshme të borxheve të trashëguara për punët dhe për shërbimet e papaguara ndaj kompanive prej qeverisë që iku. Këtu është vendi dhe momenti për të nënvizuar se e gjithë kjo përgjegjësi merret drejtpërdrejtë për të mbështetur kompanitë, pra biznesin e madh dhe për ta nxjerrë sipërmarrjen nga balta ku e la qeveria e vjetër. Kështu, nëse nga njëra anë kompanitë do të paguajnë tatim fitimin jo më 10 %, por 15 % duke nisur nga 1 janari, vendim në konformitet të plotë me premtimin tonë elektoral se kush fiton më shumë do të paguajë më shumë, pra do të rrisin me 60 milionë dollarë kontributin e tyre për buxhetin, nga ana tjetër do të marrin po nga buxheti, 5 herë më shumë, plot 350 milionë dollarë. Të cilat, as i morën dot ndonjëherë, as kishin për t’i marrë kurrë, nëse kultura e vjetër qeverisëse e trajtimit të biznesit si skllav i pushtetit nuk do të ishte përmbysur me votën e 23 qershorit për t’ia lënë vendit kulturës së re të partneritetit me sipërmarrjet.

Duke shlyer këto borxhe të turpshme dhe turpëruese për një qeveri, përveçse vendosim në vend dinjitetin e qeverisë së Republikës së Shqipërisë, ne sigurojmë kthimin në punë me pagesën e prapambetur të mijëra njerëzve të zakonshëm që punojnë në qindra kompani të bllokuara nga ky zinxhir borxhesh. Sigurojmë rifillimin e punës të shumë kompanive dhe lehtësimin e tyre të konsiderueshëm nga laku i kredive që kanë marrë nëpër banka në mirëbesim të qeverisë së ikur.

Sigurojmë po ashtu, uljen e kredive të këqija të bankave dhe rifillimin  e kredidhënies së bllokuar, jo nga mungesa e likuiditetit, por nga detyrimet zinxhir të biznesit ndaj bankave që hallkën e vet të parë e kanë m’u tek qeveria  e Republikës së Shqipërisë. Po t’u shtojmë këtyre 350 milionë dollarëve që injektohen në ekonomi edhe 750 milionë të tjera, të cilat do të hyjnë përmes investimesh dhe projektesh të reja, ne realizojmë me këtë buxhet stimulin më të madh që i është bërë ndonjëherë ekonomisë shqiptare në rrugë direkte nga buxheti prej 1,1 miliardë dollarësh.

Ja pra, kjo është marrja e përgjegjësisë reciproke mes biznesit të madh dhe qeverisë, ku të dyja palët kontribuojnë në kthesën e ekonomisë kombëtare familjare që e kemi projektuar me planin tonë të ri.

E, nëse biznesi i madh siguron kështu mbrojtjen  e interesit të vet legjitim, qeveria jonë siguron kthesën, që dua ta përcaktoj këtu me fjalët e një demokrati të madh, presidentit amerikan të paktit të ri social Franklin Rusvelt, i cili në pikënisjen  e rrugëtimit historik për rimëkëmbjen  e ekonomisë nga një krizë dërrmuese tha këto fjalë: “Testi i progresit tonë nuk është nëse do t’i shtojmë më shumë pasurisë së atyre që kanë shumë, por nëse do të sigurojmë sa duhet për ata që kanë tepër pak.”

S’ka dyshim se ne do të bëjmë gjithçka që më të pasurit të mos pengohen të shtojnë pasurinë e tyre, falë bizneseve të tyre, sepse problemi ynë, i të majtës së shekullit të ri të cilën ne  e mishërojmë me pasion edhe në projektin e buxhetit  e ri, nuk janë të pasurit, por është varfëria. Prandaj ne do t’i përkushtohemi me reforma të thella strukturore dhe zbatim këmbëngulës të tyre, luftës kundër informalitetit, evazionit, luftës kundër pabarazisë në treg dhe në tenderë, kundër traditës së ulët të trajtimit të disa biznesmenëve si të nënës dhe të shumicës dërrmuese si të njerkës. E, le të jemi deri në fund të vërtetë. Këtë e kam për ata që në emër të biznesit të madh ngritën zërin lart ku ndër rritjes në 15 % nga 10 % të tatimit të fitimit të tyre. Ajo që ka paguar në fakt deri dje, nuk ka qenë as 10 as 15 %, por mesatarisht 22 %, sepse të shkretët, nuk kanë paguar vetëm për shtetin, por edhe për pushtetin që ju mori shpirtin me gjoba arbitrare dhe me ryshfete të denja vetëm për pushtetet antidemokratike të kastave familjare, siç ishte tipikisht kasta e përzënë me 1 milion vota më 23 qershor.

Pra, shkurt dhe qartë, nëse deri dje paguanin 10 % për shtetin dhe mesatarisht 12 % për kastën e familjes në pushtet, nga 1 janari do të fitojnë një ulje reale prej 7 % të shumës që në fund të vitit iu rezultonte se iu kishte ikur nga xhepi.

Ndërsa së bashku përmes Këshillit Ekonomik Kombëtar ku biznesi i madh përfaqësohet dhe dëgjohet çdo muaj me një dinjitet dhe nderim që nuk e ka patur kurrë më parë, si dhe përmes mekanizmave të rinj të bashkëpunimit mes qeverisë dhe sipërmarrjes, ne do të punojmë ngushtësisht për të luftuar shfaqjen e korrupsionit dhe të sjelljes tradicionale abuzive të administratës doganore dhe tatimore.

Së bashku, do t’u tregojmë të gjithë abuzuesve se koha e dhunimit psikologjik të biznesit për të nxjerrë nga arka e kompanive paratë për shefin dhe paratë për gjeldetin taksidar ka perënduar.

Së bashku, do të gozhdojmë çdo dorë që guxon të prekë xhepin e sipërmarrësit dhe do të çojmë para ligjit çdo tatimor zullumqar që do të guxojë të hyjë në pronën e një kompanie, si në mallin e babës.

Së bashku, do të vendosim në piedestalin e respektit shoqëror figurën e sipërmarrësit, që deri dje nuk guxonte as të hapte gojën dhe përjetonte në heshtje, larg kamerave dhe ekraneve, larg vështrimit të atyre që nga larg e shihnin vetëm si mish për top, shqyerjen e xhepave dhe dëmtimin e kompanisë nga harbutëria e babëzitur e tatimorëve të pushtetit.

Por, e përsëris, prioriteti ynë vleror është të sigurojmë më shumë për ata që kanë më pak dhe për ata që kanë tepër pak. Ky buxhet flet me gjuhën e shifrave për këtë prioritet edhe pse pas zgjedhjeve na mbeti në dorë një listë borxhesh marramendëse, nga të katër anët.

Është për të qarë dhe për të qeshur kur dëgjon këta që na e lanë borxhin stratosferik në dorë, të vënë sot kujën opozitare për rritjen e borxheve. Në fakt, ne nuk po e rrisim borxhin, por vetëm po e legalizojmë borxhin që na latë ju, o zengjinë opozitarë. Siç do të legalizojmë dhe lagje të tëra ndërtimesh pa leje, të cilat ju i quajtët mrekullia e 8-të e botës dhe i latë në rrugën e mjerimit, pa letra, pa punë, pa shërbime sociale dhe pa asnjë shërbim publik. Madje dhe i shfrytëzuat njerëzit e atyre lagjeve si mish për topin e fushatave tuaja dhe si gjah për gjarprin e korrupsionit tuaj.

Por kjo është mesele tjetër dhe do ta trajtojmë siç duhet, në fillimin e vitit që vjen, ku krahas me fillimin e legalizimeve falas për ata qindra e mijëra njerëz të braktisur nga ju, do të dorëzojmë para ligjit edhe gjahtarët e mishit të tyre.

Të ishte për ju, do ta kishit fshirë njëherë përgjithnjë nga defteri i detyrimeve tuaja, borxhin e turpshëm, ku e futët shtetin, me më të dobëtit e këtij vendi, invalidët, paraplegjikët dhe tetraplegjikët dhe me familjet në ndihmë ekonomike. Ua morët njerëzve të shkretë në valën e tërbimit tuaj elektoral, ku ethet e humbjes u kishin zënë sytë dhe ua hoqën edhe cipën e fundit që u kishte mbetur në rrugën tuaj të keqqeverisjes. Ndërkohë që keni humbur pushtetin, ende nuk e keni vënë cipën e parë dhe në vend që t’u kërkoni ndjesë jo vetëm atyre, por mbarë shoqërisë për këtë akt të pashembullt pashpirtësie, bëni hajdutin e kapur me “presh në duar”, që përpëlitet dhe bërtet me të madhe “kapeni hajdutin”, duke drejtuar gishtin drejt nesh si të marrë.

5 miliardë buke ua morët me një dorë 168 mijë e 574 personave me aftësi të kufizuara dhe 108 mijë e 580 familje ndihmë ekonomike. E, me mazallah se hiqni dorë nga përpjekja juaj e zakonshme për ta budallallepsur këtë popull me gënjeshtra të hatashme. Po vazhdoni me avazin, që ju na i paskëshit lënë ne lekët për ta, por ne i bëmë shpenzime për luks e për udhëtime. Por çfarë lekësh latë ju? Ato të korrikut, ato të gushtit, ato të shtatorit? Përse na i latë ne me demek, kur ju vetë ishit në qeveri dhe duhet t’i paguanit muaj për muaj? Jo more jo! Nuk i paguat, jo se na i latë ne, por se i çuat dëm për rrushin dhe për kumbullat e fushatës suaj elektorale.

Ndërsa ne, që nuk jemi ju e me ju nuk ngjajmë fare edhe pse jemi një gjak, shqiptar njësoj si puna juaj, çojmë në këtë buxhet 13 miliardë më shumë për mirëqenien sociale. 23.5 % më shumë se ju në buxhetin tuaj elektoral të vitit 2013, rritja më e madhe që është bërë ndonjëherë për mirëqenien sociale. Por jo për fushatë ama, por për ata që me këto lekë mbajnë frymën dhe familjen. Për ata që me këto lekë meritojnë të trajnohen për punësim, për ata që me këto lekë kanë të drejtën e shërbimeve sociale në tërësi.

Do t’i rrisim 22 % fondet e strehimit, krahasuar me këtë vit elektoral. Ndërkohë këtu, jemi ende në shqyrtimin e kapitullit të librit të shqyer të llogarive të shtetit mbi strehimin, ku lexohen gjëra dhe borxhe mjaft tronditëse, si çdo kapitull të atij libri në fakt, që e bën njeriun që e lexon të pyesë veten vazhdimisht: ku e gjejnë kurajën këta, të sapokaluarit në opozitë, që të luajnë rolin e qibar – opozitarit, kur deri 100 ditë më parë i’a punonin këtij populli, si s’ka më keq, 100 herë në ditë?

Ju kam dëgjuar të kapeni këto ditë edhe me çështjen e të përndjekurve, si i mbyturi pas fijes së barit, në fakt se sa një fije bari e keni të qëndrueshëm atë argumentin tuaj. Në këtë buxhet, fatura për të përndjekurit është 18 milionë dollarë. Ju ngrini zërin dhe thoni se ky vit kishte 30 milionë dollarë. E vërtetë është kjo. Këtu si rrallë herë, në fakt nuk gënjeni. Por edhe kjo, siç do dardhë e politikës suaj, bishtin e ka m’u mbrapa. Vrapuat ta bënit faturën 30 milionë këtë vit, sepse ju, njësoj si për Suden, njësoj si për Rrapushin, ç’bëri 20 milionë, ç’bëri 30 milionë, kur vjen fjala për ta bërë arkën e shtetit def për cmendimin e fushatës. Por, ndërkohë, se sa seriozë keni qenë ju me të përndjekurit politikë të komunizmit dhe sa seriozë jemi ne sot, e tregojnë shifrat e viteve jo elektorale, ku edhe shfaqet në fakt pamja e vërtetë e raportit të ish komunistit të fundit në krye të një qeverie demokratike dhe të përvëluarve nga diktatura e tij e dikurshme komuniste. Në 2010-ën 14 milionë dollarë, në 2011-ën 17.5 milionë dollarë, në 2012-ën 17 milionë dollarë. Ndërsa ne, në 2014-ën, më shumë se çdo vit i juaji elektoral, 18 milionë dollarë për të përndjekurit. Pa llogaritur këtu shpërfilljen tuaj përbuzëse që i bëtë njerëzit t’i vënë flakën vetes, se as takim për t’i dëgjuar nuk u dhatë ndonjëherë.

Tani dëgjoni edhe disa shifra të tjera  interesante, krahasuar me vitin elektoral, 2013-ën.

Fondin e mbrojtjes sociale këta e kishin 174 milionë dollarë, ne e çojmë 201 milionë, 15 % më shumë.

Fondin e nxitjes së punësimit, e kishin vetëm 0,9  milionë dollarë. Ne e çojmë 2.7 milionë, 300 % më shumë.

Fondin e Zyrave të Punës e kishin 0.5 milionë dollarë dhe me zyrat e punës bënin ato koncertet “të njohim si funksionon ferma”. Ne e çojmë 1.3 milionë, 220 % më shumë.

Sepse ky është buxheti i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”. Është buxheti i boshtit strategjik të Partisë Socialiste me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Është buxheti i asaj pale të politikës shqiptare që solidaritetin e ka vlerë të panegociueshme, ndërsa punësimin yll polar në rrugëtimin e vet.

Sepse ne, nuk kemi ardhur në qeveri që të luajmë fushatash, duke e zhytur në borxhe shtëpinë tonë, Shqipërinë, siç zhyt në borxhe një kumarxhi shtëpinë e tij, duke hedhur të ardhmen e fëmijëve të vet në rulet. Sepse ky nuk është buxheti i Sudes, as i Rrapushit, as i Saliut natyrisht, por është buxheti i Shqipërisë që do të rilindë duke mos ulur rrogat, duke mos prekur pensione edhe pse e drejta është që, pas kaq vitesh kërdi dhe gërdi me paratë e shqiptarëve dhe me librat e shqyer të llogarive të shtetit që na ngecën këta në dorë, nuk do të kishte qenë ndonjë çudi të ishim detyruar nga FMN-ja të ulnim dhe rrogat dhe pensionet,  siç ka ndodhur gjetkë, në vende shumë më të forta se ne.

Ky është një buxhet solidar, sepse çdo shqiptar, çdo familje që bën pjesë në kategorinë e shtresave në nevojë, do të përfitojë drejtpërdrejt para për të subvencionuar 10 % të faturës së energjisë, si dhe për të subvencionuar produktet bazë të shportës. Që do të thotë për më tepër se, për gjithë shtresat në nevojë, edhe taksa, siç jemi zotuar publikisht, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për energjinë elektrike dhe për produktet bazë të shportës, do të bëhet zero.

Janë plot 11 milionë dollarë që do të vihen në dispozicion të këtyre shtresave në nevojë për këto subvencione dhe zotime të marra dhe të mbajtura, të cilat do të lehtësojnë frymëmarrjen e tyre, duke u dhënë mundësinë, më në fund, të mos i fshihen detyrimit për të paguar dritat, edhe pse ata janë të fundit që mund të kritikohen sot për këtë gjë.

Çdo qytetar dhe familje që rron me një punë të ndershme dhe të paguar me një rrogë deri në 1.3 milionë lekë, nga ky buxhet dhe në një afat kaq të shkurtër sa vetëm 100 ditë dhe me një trashëgimi kaq të rëndë sa ajo e 8 viteve, do të ketë në xhepin e vet, çdo muaj më shumë para reale për konsum, falë uljes së premtuar të taksave për 95 % të të punësuarve. Madje janë fiks 97 % ata që do të përfitojnë nga 1 janari ulje progresive të taksës mbi rrogën e tyre dhe sa më të ulët ta kenë rrogën, aq më shumë do të përfitojnë nga kjo ulje.

I keni dëgjuar llogaritarët e opozitës sonë se “ata që fitojnë deri në 300mijë lekë të vjetra nuk do fitojnë asgjë, sepse taksa e fitimit të tyre është zero”. Harrojnë vetëm një gjë të nderuarit llogaritarë: deri në vitin që po mbyllim, qeveria e vjetër nuk taksonte vetëm rrogën e mbijetesës prej 200 mijë lekësh të vjetra. E mbani mend, vetëm pasi ne shpallëm Programin tonë të Rilindjes vitin e shkuar, duke e vendosur në 300 mijë nivelin e pataksueshëm, rendën ta adaptojnë këtë vit. Siç adaptuan edhe disa gjëra të tjera, në atë rrëmujën e tyre, mes “rrugë, rrugë, rrugë”, “përpara, përpara, përpara”, të kapim çfarë të kapim, s’dihet çfarë vjen mbrapa. Mirë bënë. Nga të paktat gjëra të mira që bëri qeveria e vjetër. Po të na kishte dëgjuar më shumë, të na kishte kopjuar më shumë, më shumë gjëra të mira do kishte bërë.

Të na kishte dëgjuar për Policinë për shembull, të cilën e shpartalloi, siç nuk do ta kishte shpartalluar asnjë armik i këtij vendi dhe e la të zvarritej rrugëve, me ca rroga dhe ca uniforma qesharake, duke ia dorëzuar krimit të rrugës pushtetin mbi hapësirën tonë publike të bashkëjetesës.

Ky buxhet e bën sot 100 % realitet, qysh në vitin e parë të qeverisjes, zotimin tonë se në 4 vjet do të rrisim rrogën për njerëzit e policisë, nga 20  deri  25 %. Bëjmë kështu, me paratë publike, investimin më të madh në historinë e Policisë së Shtetit në rritje rrogash dhe në fonde të tjera për rimëkëmbjen e shpejtë të saj. Sepse, për ne, ky është një investim jetik, jo thjesht për policët dhe për familjet e tyre, në të shumtët e herës të varfra, por për çdo pensionist, për çdo prind, për çdo student e nxënës, për çdo sipërmarrës e çdo komunitet që prej vitesh ka nevojën gjithnjë e më ulëritëse për siguri, siguri, siguri, rend, rend, rend, qetësi, qetësi, qetësi.

Falë këtij buxheti, zmbrapsja e krimit nga rruga e qytetarëve dhe nga mjedisi ynë publik dhe privat do të vazhdojë me rezultate të reja dhe të larta, të ndjeshme dita ditës për çdo qytetar dhe çdo familje të këtij vendi.

Zotimi ynë para shqiptarëve për ta kthyer, brenda 300 ditëve, plotësisht në krye të detyrës Policinë e Shtetit, do të mbahet me dinjitetin më të lartë dhe falë këtij buxheti të parë të ripërtëritjes shoqërore.

“Ç’është kjo taksë zero për biznesin e vogël!”, e ulnin dhe e ngrinin këtë zotim tonin llogaritarët e pushtetit të deridjeshëm. Ku e keni zotërinj opozitarë të sotëm, taksën e biznesit të vogël? Iku, u fshi nga libri i llogarive të shtetit njëherë e përgjithmonë. Them përgjithmonë se, me siguri, kur t’ju vijë radha të riktheheni në qeveri, nuk do keni as mendjen e as liderin që ju mban peng sot e gjithë ditën, të kyçur në kullën e vjetër antike të mendjes së tij. Iku, me të gjitha stërmundimet administrative të taksimit të dyfishtë taksa e biznesit të vogël, që u rëndoi deri më sot mbi kurriz, padrejtësisht dhe në mënyrë antikushtetuese madje, me dy palë letra, me dy palë taksidarë, me dy palë pushtete, qendror dhe vendor dhe me plot arbitraritete në xhepin e tyre të ngushtë, të gjithë atyre që në Shqipëri janë vetëpunësuar me një biznes të vogël. Nga 1 janari, vetëm një kontakt dhe vetëm një taksë, njësoj si për të gjithë  të punësuarit e tjerë, edhe për të vetpunësuarit me një biznes të vogël, tatimin mbi fitimin. Por edhe kjo taksë, jo 10 % siç ishte, por e ulur 25 %, pra 7.5 % dhe e shoqëruar me uljen e kontributeve të detyrueshme shëndetësore për të vetpunësuarit në qytet. E kështu, 73 mijë të vetpunësuarit sot, të regjistruar, të tjerë do regjistrohen falë këtyre masave, me një biznes të vogël në qytet, plus familjet e tyre, afro 400 mijë njerëz, do të përfitojnë drejtpërdrejt nga kjo ulje dhe do të kenë më shumë të ardhura në xhepin e vet, për të shpenzuar për familjen dhe për të riinvestuar për folenë e tyre të vetëpunësimit.

Iku edhe taksa e vjetër e sëmundjes, taksa cinike 10% për barna dhe materiale shëndetësore. Vitin e ardhshëm, pensionistët, ata që u goditën më shumë nga kjo taksë dhe gjithë njerëzit në nevojë për ilaçe, do të përfitojnë nga ulja e kësaj takse dhe nga barazimi i çmimit të ilaçeve në Shqipëri me çmimin e tyre në vendet e origjinës. Jemi zotuar që nuk do ta lejojmë më që, një ilaç të shitet këtu deri dhe 3 herë më shumë se në vendet e origjinës dhe do ta mbajmë këtë zotim.

500 mijë njerëz në grup-moshën 40 deri në 60 vjeç, që është edhe grup-mosha më e prekur nga sëmundjet, do të vizitohen falas çdo vit në spital, duke filluar nga viti që vjen dhe falë këtij buxheti.

30 mijë gra e vajza do të përfitojnë falas ekzaminimet përgjatë gjithë periudhës së shtatzënisë, gjë që deri më sot nuk ka ndodhur në Shqipëri, për shkak të varfërisë së këtyre grave dhe vajzave që janë nga shtresat në nevojë. Gjithashtu, ato do të përfitojnë falas edhe ekzaminimet për kancerin e gjirit, për të cilin janë shpenzuar shumë para për të bërë festa, madje edhe propagandë parlamentare me muzikë e gjimnastikë në bulevard, por nuk është bërë asgjë kaq konkrete, si ky hap i parë dhe i madh që hedhim ne, falë këtij buxheti.

Kurse ju, edhe për shëndetësinë, krijuat thjesht një borxh 44 milionë dollarë. Vetëm në QSUT na keni bërë peshqesh 34 milionë dollarë, pa llogaritur aparaturat e prishura dhe mjediset publike të kthyera në pazar për qofte dhe për rroba të vjetra.

Ndërsa në arsim na keni bërë peshqesh një borxh edhe më të madh, sepse natyrisht aty ka pasur edhe më shumë shirita për të prerë, plot 47 milionë dollarë. Pa llogaritur këtu se me çfarë cilësie mizerabël janë bërë punimet dhe sa para duhen për t’i pajisur ato ngrehinat që viheshin para kamerave vetëm për shirita dhe që kanë mbetur pas përgjysmë, të pa përfunduara.

Por sidoqoftë, ky buxhet dhe viti 2014 në tërësi, shënon edhe pikën e kthesës drejt një transformimi rrënjësor në arsim. Do të punojmë për një zotim që këta e shpotisnin me të madhe, sepse për këta “Shqipëria në moshën e internetit” është thjesht të jesh në Facebook  dhe, me në krye liderin e tyre, janë bërë së fundi, edhe ndotës të mëdhenj të mjedisit social online, siç ishin në qeveri ndotësit më të mëdhenj të këtij vendi, që e katandisët për turpin tuaj, deri në një kosh plehrash për plehrat e importit.

Unë e kam fjalën këtu për zotimin e kalimit të mësimdhënies nga dërrasat me shkumësa dhe librat, tek tabelat dhe tabletat elektronike. Vitin e ardhshëm do të fillojmë zbatimin e këtij projekti transformues, përmes një projekti pilot dhe synojmë që brenda mandatit, në të gjithë nivelin e dytë të sistemit parauniversitar, ky zotim të jetë mbajtur në çdo shkollë.

E po ashtu, do të fillojmë me mbajtjen e zotimit për futjen e plotë dhe me një standard të ri, të sportit në shkollë.

Ndërkohë që, padyshim, do të investojmë për të mbyllur me standarde të reja evropiane punët që i lanë rrugëve në infrastrukturën shkollore, siç latë rrugëve në fakt edhe rrugët që hapët nëpër Shqipëri.

Do t’i mbyllim sigurisht edhe punët me rrugët e lëna rrugëve dhe do të fillojmë të investojmë padyshim në rrugë të reja, duke nisur nga Rruga e Arbrit, që e premtuat sa herë u shfaqët në Dibër për vota dhe e keni lënë tamam siç dini t’i lini vetëm ju punës, më keq se sa kur nuk i bënit fare.

Me gjithë shtrëngesën e diktuar nga nevoja për të larë borxhet, të cilat në fushën e transportit janë më marramendëse, ky buxhet parashikon 351 milionë dollarë për transportin. Por, për herë të parë, 13% e investimeve  në rrjetin rrugor, shkon jo për shirita, por për sigurinë rrugore, e cila deri dje kishte vetëm 1% në buxhet. Shembull ulëritës se në ç’duar ishin 8 vite rresht kur udhëtonin ditën e kur udhëtonin natën qytetarët e këtij vendi, me 1% të buxhetit për transportin që i dedikohej sigurisë rrugore, në një vend që i numëronte të vdekurit dhe vazhdon t’i numërojë të vdekurit sikur të ishte në luftë.

Ky buxhet na garanton investime të qenësishme më të mëdha se në çdo vit tjetër edhe në fushën e bujqësisë, për fshatin e braktisur nga shteti prej kohësh, qysh 20 vjet, me fokus aty ku jemi zotuar të nisim rilindjen e fshatit; tek ujitja, tek kullimi dhe tek mbrojtja e këtij populli nga përmbytjet.

505 milionë lekë më shumë se sa në vitin elektoral 2013, do të shkojnë në buxhetin e fshatit vitin që vjen. Ndërkohë që 1.9 miliardë lekë nga buxheti, pa llogaritur disa financime që tanimë janë të siguruara apo që janë në rrugën e negocimit nga burime të jashtme, do të shkojnë drejtpërdrejtë për bujqësinë dhe nga këto do të ketë drejtpërdrejt subvencione transparente për fermerët. Kemi marrë një zotim shumë të rëndësishëm për fshatin dhe do ta bëjmë zero tatimin për vlerën e shtuar për çdo input bujqësor. Po dua të jem shumë i qartë në këtë pikë. Sot, me instrumentet që këta na kanë lënë në dispozicion, me mekanizmat që mungojnë, me institucionet që janë në ajër dhe me një sistem tërësisht absurd organizimi dhe korruptiv që trashëgojmë në administrim ka vetën një rrugë; T’i japim paratë në dorë mbrapsht, duke bërë zero çdo taksë mbi inputet, çdokujt që paraqet një faturë.

Në ndërkohë do të fillojmë menjëherë punën, për të ndarë naftën për konsum urban apo ndërurban nga nafta që përdoret për prodhim bujqësor. Këtu tek nafta e dinë të gjithë shqiptarët, por ne jemi në radhë të parë, plotësisht të vetëdijshëm se çfarë lufte të madhe duhet të bëjmë për të shkatërruar një rrjet grabitjeje dhe korrupsioni, të ndërtuar në kryeministri dhe të shtrirë në të gjitha agjencitë shtetërore që duhej të merreshin me kontrollin dhe me menaxhimin e burimeve të naftës dhe për të shpërbërë sistemin e kapur të shfrytëzimit të kësaj pasurie kombëtare, si të ishte territor ku sundojnë organizata kriminale. Vetëm sa kemi filluar për këtë dhe padyshim nuk do të ndalemi duke ndarë të njomin nga i thati, duke ua lehtësuar rrugën atyre që kanë investuar qindra milionë dollarë në Shqipëri dhe që duhet të negociojnë çdo ditë mbijetesën e tyre në fushën e naftës, me gjithëfarë horrash dhe me gjithëfarë bandash, të veshura me imunitetin që u ka dhënë për 8 vjet, qeveria e këtyre.

Do ta heqim nga ana tjetër, sipas zotimit që kemi marrë në fshat, edhe taksën 10% të transaksionit për tokën bujqësore, që ia vutë në shpinë çdo familjeje, duke i detyruar të paguante taksë kur copa e tokës kalonte nga babai tek djali. Dhe siç e kemi filluar në një zonë pilot në Fier, do të vazhdojmë deri në fund, hipotekimin e titujve të pronës mbi tokën bujqësore, bazuar mbi ligjin 7501, duke ulur dhjetëfish tarifat e regjistrimit, si dhe duke e çuar shërbimin hipotekor në çdo fshat dhe jo duke i lënë fermerët zvarrë në labirintet e procedurave dhe të pabesive të rrugës së hipotekimit. Edhe diçka lidhur me pronat se e di që ju vlon zemra aq shumë, sa për pronat s’keni lënë fjalë pa thënë, s’keni lënë fjalim pa mbajtur, s’keni lënë lot pa derdhur për pronarët dhe në fakt nuk keni lënë gur pa luajtur nga themelet e Kushtetutës dhe të ligjit për t’u bërë vetë pronarë të pronave të të tjerëve. 1098 dosje aplikimesh ishin lënë vandak, plot pluhur, këtë vit, pa marrë mundimin të vlerësonit asnjë, në 9 muaj. Vetëm dy muajt e fundit u mbyllën me vlerësim 358 dosje.

Si përfundim – kjo është e bukur – nga fondi 300 milionë lekë, që ju vetë kishit përcaktuar, do të përfitojnë këtë vit, 50 aplikues, trashëgimtarë ligjor kuptohet, jo kryeministror, as kuvendor si deri dje, por ka edhe një ndryshim tjetër, se për të njëjtin fond, vitin e shkuar përfituan 17 aplikues më pak. T’ju marrësh njerëzve dhe tokën, t’ju marrësh dhe lekët, këtë, vetëm po t’ju njohësh si keni qeverisur ju, mund ta shpjegosh. Jeni vërtet të paparë dhe mjerë kush ju ka votuar për të marrë nga ju, dëmshpërblimin e burgut komunist, mjerë kush ju ka votuar për të marrë nga ju, pronën e konfiskuar nga komunizmi, mjerë kush ka rënë pre e lotëve tuaj të krokodilit, për këto shtresa të dërrmuara që i ushqyet çerek shekulli, me lugën bosh të fjalimeve antikomuniste dhe i keni lënë sot, më zi se ç’i gjetët, sepse atëherë kur i gjetët, kishin shpresë, sot nuk ka më as shpresë.

Në fund fare, duke shkuar në të gjithë këtë listë dhe ka plot borxhe të tjera, por të rendisësh gjithë ato borxhe duhet të rrimë këtu deri natën e Vitit të Ri, po në fund fare, jo për nga rëndësia, një pyetje doja t’jua bëja këtyre, por as ia nuk ia vlen t’ia bësh: Me kulturën ç’patën këta?! Mirë me të tjerat, po kulturën nuk e linit dot pa borxhe. Hytë në borxh për këtë vend e me këtë vend, duke e lënë krejt në mëshirën e fatit trashëgiminë kulturore dhe pasi për 8 vjet e rrënuat një Krujë të tërë, siç nuk arritën ta rrënojnë as ata që 25 vjet rresht bënë çmos për ta marrë, i latë edhe te kultura një milionë e kusur dollarë borxhe dhe shiko, s’keni paguar akoma as faturat e qokave të 100 vjetorit të Pavarësisë. Ç’paskëshit qenë për të ngrenë dhe për të pirë! Pas fjalimeve për kombin dhe për albanofobinë, ha e pi dhe ik pa paguar fatura, sikur vuajnë nga faturofobia.

161% do ta rrisim ne, me këtë buxhet, fondin për mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës. Nuk është absolutisht mjaft, por është aq sa nevojitet për të ndaluar rrënimin dhe për ta shmangur zhdukjen e gjurmëve të historisë, që duket se sikur e keni bërë me qëllim, ndërkohë që i keni rrokanisur kokën popullit shqiptar, për historinë, për pellazgjinë, për albanofobinë dhe e keni lënë të zhduket gjurmë pas gjurme, atë që na kanë lënë të parët tanë.

Dua t’u kërkoj të gjithëve, çdokujt që më dëgjon sot, të marrë me mend se çfarë kostosh do të kishte në këto kushte, moszgjedhja e një drejtimi të ri, se çfarë dënimi do të ishte për Shqipërinë, por edhe për secilin, për çdo familje e sidomos për fëmijët e sotëm dhe të nesërm të këtij vendi, po të vazhdonim ta përdornim të nesërmen si borxh për të sotmen dhe të vazhdonim të ecnim qorrazi drejt ndëshkimit të sigurt, që garanton vazhdimi në këtë rrugë pa rrugë,  – rrugë, rrugë, rrugë, pa asnjë rrugë – se çfarë çmimi të pallogaritshëm do të paguanim, ku rruga e vjetër pa rrugë të soste në humnerën e borxheve dhe të moskokëçarjes për të ardhmen, nëse sot nuk do të merrnim përsipër çmimin e ndërtimit të rrugës së re, duke marrë secili përsipër pjesën e vet të kostos të kësaj rruge.

Nuk do të jetë një rrugë e lehtë. Ne nuk kemi asnjë iluzion dhe asnjë iluzion nuk duam të krijojmë tek askush, asnjë lindje dhe asnjë rilindje nuk mund të jetë e vërtetë, pa sakrifica dhe dhimbje. Do të jetë një rrugë e vështirë, por një rrugë e sigurt. Ne të gjithë si shqiptarë kemi detyrimin ta marrim këtë rrugë. Ashtu sikurse, ne këtu, përfaqësuesit e Shqipërisë së sotme, kemi detyrimin jo vetëm të flasim, por të vendosim me vullnetin e fortë dhe me punën me mish e me shpirt, që në këtë rrugë, veprat dhe jo fjalët të flasin më fort.

Ky plan i ri për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe për ripërtëritjen e shoqërisë as nuk mund t’i kënaqë të gjithë dhe as do t’i japë frytet e veta, të gjitha menjëherë. Nuk ka dyshim se askush, pa përjashtim, nuk do të gjejë në këtë plan gjithçka që ka pritur për kaq shumë vite dhe gjithkush mund të gjejë kollaj në të, pjesën e vet të pamjaftueshme apo edhe të papëlqyeshme për të, por, nëse secili e sheh këtë përpjekje të madhe si një të tërë, kjo do të na ndihmojë të gjithëve. Askujt nuk i pëlqejnë taksat. Askujt nuk i pëlqen të paguajë qoftë edhe 10 lekë më shumë në taksën për qarkullimin, paçka se kjo vlen për të pastruar ajrin dhe rritur kujdesin e shtetit për shëndetin dhe mjedisin. Wshtë e natyrshme. Por ne nuk mund të ecim më tutje asnjë ditë tjetër, duke mohuar realitetin dhe duke mbyllur sytë, siç i mbyllën këta, përpara plagëve të rënda të vendit ku jetojmë dhe të ekonomisë me të cilën vendi jeton.

Përgjigja, nëse ky është një plan i mirë ose jo, s’mund të vijë nëse kush ka më shumë sot, pyet çfarë del këtu, për mua. Por vetëm nëse të gjithë së bashku pyesim çfarë del në këtë rrugë, për ne, sepse vetëm në këtë rrugë, kush ka më shumë sot, s’do ketë më pak nesër dhe kush ka më pak sot, do të ketë më shumë nesër. Ndërsa vetë Shqipëria do të ketë padyshim më shumë, për të gjithë ne, por, në radhë të parë, për fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë, familje më të forta, vende të reja pune, punë që shpërblehen mirë, mirëqeverisje dhe fat më të sigurt në rrugën e saj.

Më lejoni, në fund ta përmbledh me dy fjali, gjithë këtë fjalim; Me vetëpërmbajtjen e buxhetit të ri, buxhetit të viti të parë të qeverisjes që Shqipëria e deshi më 23 qershor, kush e qeverisi Shqipërinë në 8 vjet, e qeverisi për vete, kush do ta qeverisë Shqipërinë në 4 vitet e ardhshme, do ta qeverisë për njerëzit.

Faleminderit!
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm