Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Do rikthejmë sigurinë dhe konkurueshmërinë në transportin detar dhe ajror

Fjalime

Do rikthejmë sigurinë dhe konkurueshmërinë në transportin detar dhe ajror

31 Oct 2013    
Të nderuar kolegë deputet,

Unë nuk dua aspak që të bëj në këtë diskutim në emër të grupi, avokatinë e një projektligji që e kemi thënë dhe në komision, do ta shprehim edhe këtu, jemi dakord që të shtohet dhe një akt tjetër ligjor që rregullon sigurinë në port dhe në anije. Por ajo që dua të nënvizoj sot është që ta konsiderojmë këtë ligj si një kambanë alarmi për sigurinë në çdo formë transporti në Shqipëri dhe në komunikimin e saj me vendet fqinje dhe përtej tyre.

Duhet ta themi sot të gjithë sëbashku, siguria e udhëtimit me anije, siguria e udhëtimit me trena, siguria e udhëtimit me makina, siguria e udhëtimit edhe me kompani të caktuara ajrore, nuk është siguria që qytetarët shqiptar meritojnë si vend që aspiron të integrohet në Bashkimin Evropian dhe si qytetar evropian.

Do të kisha dashur shumë që ish ministri i transporteve të kishte dhënë dhe shifra. Ta dinë qytetarët shqiptar, që vetëm në njërin prej akseve Bari-Durrës-Bari në një vit të vetëm, udhëtojnë  854 mijë udhëtar dhe pjesa më e madhe e tyre vetëm në dy sezone, në atë të verës, në muajin gusht dhe në dhjetor kur vijnë për festuar vitin e ri me familjarët e tyre. Por e dini çfarë i keni lënë qytetarëve shqiptar që vijnë me zor nga Italia dhe nga e gjithë Evropa? Vetëm dy kompani monopol, të cilat përdorin vetëm dy tragete, njëri sa mosha ime i vitit 1978, i marrë diku nga Lituania dhe tjetri i vitit 1981.

U fol këtu për një shqetësim që solli deputetja e Sarandës,  flet me të drejtë. E dini pse? Sepse i vetmi traget që bën linjën Sarandë –Korfuz është një anije e vjetër ushtarake që e kanë mbushur me beton që të mos fus ujë.

Sigurisht që ky është shqetësimi jonë, prandaj edhe ngremë zërin, prandaj ne deputetët e mazhorancës vazhdojmë të bëjmë rolin e opozitës së munguar në kuvend, që në vend që të ngrejë këto lloj shqetësimesh, na tregon broçkulla se paskan investuar 54 milionë dollarë. Po po, i keni investuar 54 milionë dollarë dhe ne u kemi dhënë dakordësinë tonë për kreditë që keni marrë. Por e dini çfarë keni bërë? Shqiptarët kanë paguar 54 milion dollarë kredi për tu investuar në port, ndërkohë që e gjithë kjo kredi është harxhuar në funksion të kompanive koncesionare që kanë marrë çdo lloj shërbimi që kryhet sot në portin e Durrësit. I vetmi port në Evropë ku shteti nuk ofron më asnjë lloj shërbimi publik dhe të gjitha këto shërbime publike janë dhënë me koncesion. 54 milion dollarë paguajnë sot kredi qytetarët shqiptar, ndërsa katër kompani të lidhura me ish ministrin e transporteve, të lidhura me ish kryeministrin, vazhdojnë të vjelin fitimet. Paratë i paguajnë qytetarët, fitimet i marrin kompanitë private të lidhura me ish pushtetarët.

E kemi thënë në programin tonë të qeverisjes, e tha dhe ministri, e kemi thënë të gjithë këtu që këto koncesione duhen anuluar sepse janë të padrejta, sepse janë koncesione të dhëna mbi bazën e investimeve të kryera nga shteti dhe në bazën e fitimeve që duhet ti vjelin privatët të lidhur me ju.

U fol këtu për shërbimet shumë të mira që ofrohen në Portin e Durrësit. A e dini çfarë keni bërë? Që ta marrin vesh qytetarët shqiptar, sot kostoja e ngarkimit të 1 ton mineral në Portin e Durrësit është 2 herë më e lartë sesa kostoja e nxjerrjes nga thellësia e tokës për ta sjellë deri në Durrës. Këto janë tarifat monopol që aplikohen sot në Portin e  Durrësit. Qeveria ka detyrën që këto tarifa ti rregulloj përmes organeve rregullatore në varësi të saj dhe jo vetëm. Kjo padrejtësi që kryhet sot ditën për diell në Portin e Durrësit, ku ju keni ngritur me pa të drejtë dy herë më shumë koston sa e ngarkon vinçi e merr e hedh lartë, sesa koston për ta nxjerrë sasinë e mineralit nga thellësia e tokës dhe për ta çuar në Durrës. Normale që ju nuk i dini, se të jesh senator tek Lufthansa, apo senator tek Austriaku nuk i di sesi funksionojnë këto gjëra. Por nuk është se unë sot nuk dua të ngre alarmin vetëm për transportin detar këtu në Kuvendin e Shqipërisë.

Ne deputetët nuk jemi këtu për të thënë sa të mirë e kemi bërë këtë ligjin që na erdhi nga qeveria. Por ne deputetët jemi këtu për të ngritur zërin për të drejtat e mohuara çdo ditë ndaj qytetarëve shqiptarë, kur shkelin në një traget monopol, kur hipin në një avion monopol. Meqë jam tek ai trageti, nuk ka si ta dijë ish ministri i transporteve se çfarë anije bën linjën Sarandë- Korfuz, sepse atë destinacion e bën me jaht. Ndërsa qytetarët shqiptar hipin tek ajo anije e vjetër ushtarake, e përsëris, ja kanë shtruar fundin me beton që të mos fus ujë.

Çështja tjetër është transporti ajror. U kujtua ish ministri dhe nuk e di kë akuzonte! Kë akuzonte një ish ministër që para 45 ditësh ka qenë në detyrë dhe thoshte që një kompani e lidhur me njërin nuk ka paguar detyrimet. Po kujt ja thua këtë? Përse mo zotëri ti nuk ke ushtruar detyrën tënde deri më 15 shtator, ditën kur ke qenë në detyrë? E kujtdo qoftë ajo kompani ministri i financave, ministri i transporteve i kësaj qeverie ka për detyrë t’ja vjeli një më një. Iku koha kur ca mbaheshin me hatër dhe cave ju merrej fryma derisa të paguanin detyrimet në shtet. E vetmja gjë që trashëguam nga ju janë borxhet, faturat. Fatura pafund keni lënë në çdo zyrë të shtetit.

Edhe tek transporti ajror dua t’ju them dy fjalë, meqë përmendët borxhe. E dini që në Shqipëri kemi një kompani të vetme të regjistruar të transportit ajror, Belle Air, apo jo? Kompani me të cilën udhëtojnë afro një milion udhëtar. 972 mijë udhëtar ishte fluksi i vitit të kaluar vetëm në këtë kompani, shumë mirë. Por çfarë ju ofrojmë qytetarëve shqiptar? Ju ofrojmë qytetarëve shqiptar më shumë mundësi , më shumë çmime të ulta? Përkundrazi! Çmime më të larta. Një kompani që thotë low cost, por që në fakt ka çmime më të larta se kompanitë e tjera që operojnë me Shqipërinë. Ndërkohë që të drejtat e udhëtarëve nuk respektohen. Është koha të nderuar zotërinj të qeverisë sonë që të sillni një ligj tjetër këtu në Kuvend, ligjin për mbrojtjen e të drejtave të udhëtarëve në transportin ajror. Sepse çdo ditë fyhen, nisen në aeroport për të arritur në një destinacion në Evropë, kur arrijnë aty i thonë se është anuluar fluturimi sepse nuk kanë shumë avionë në dispozicion dhe kemi anuluar filan linjë, apo filan linjë. Qytetarët shqiptarë vazhdojnë të vidhen me kilogramët. I thuhet në biletë ke 15 kilogram për të paguar, ndërkohë që kur arrin në aeroport paguan dhe një biletë shtesë për një çantë më shumë.

Një situatë monopol në tregun e fluturimeve ajrore, të cilës duhet ti japim fund.

Meqë përmendët borxhet, pse nuk u kujtuat një ditë të vetme në katër vjet ministër i transporteve të thoje, kjo kompania pse nuk i paguan këto 8.5 milionë euro borxhe tatimeve? Po 5.6 milionë euro Aeroportit të Tiranës?  Apo se kjo kompania duhej përdorur për të transportuar votues për zgjedhjet lokale apo zgjedhjet e përgjithshme dhe duhej dekurajuar çdo iniciativë tjetër private, çdo sipërmarrje e lirë edhe në funksion të çmonopolizimit të këtij tregu.

Keni një problem të nderuar kolegë të opozitës, vazhdoni të mos kuptoni që jeni në opozitë tashmë. Kujtoni se jeni akoma në pushtet. Kjo është një sëmundje që uroj ta kaloni sa më shpejt.

 

*Fjala në Kuvend në emër të Grupit Parlamentar Socialist, e nënkryetarit të grupit, gjatë diskutimeve për projektligjin “ Për sigurinë në anije dhe në porte”, Taulant Balla
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm