Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Edi Rama në protestën e Beratit: Hap kutitë ose largohu!

Fjalime

Edi Rama në protestën e Beratit: Hap kutitë ose largohu!

17 Dec 2009    

Qytetarë dhe qytetare të Beratit,


Vëllezër e motra,


Viti i Ri po troket në derë, por festë nuk ka për familjet shqiptare që në janar presin një faturë të re mujore.


Çmimi i ri i energjisë bën zero si fillim rritjen e rrogave e të pensioneve të këtij viti. I papërballueshëm. Bizneset e vogla që mbajnë dhjetëra mijëra familje dhe arkat e pushtetit vendor kanosen nga një janari me TVSH e tatim fitimi. Falimentim i sigurt për shumicën e tyre. Rritje e pashmangshme çmimesh në dyqanet e atyre që do të mbijetojnë.


Punësimi zero. Ushqime  çdo muaj më të shtrenjta. Fuqi blerëse që bie pas çdo muaji. Libra më të shtrenjtë shkollash. Vizita më të shtrenjta në spitale më të rrënuar. 800 mijë shqiptarë të pasiguruar, prej dy muajsh duhet të paguajnë kesh katër pesë herë më shumë.


Papunësia e varfëria rriten dorë për dore. 30 mijë familje të reja bien në nivelin e varfërisë dhe hyjnë në kushtet e ndihmës ekonomike, por për ndihmën ekonomike ka më pak para. Ajo ka filluar të pritet arbitrarisht, fillimisht duke mos u dhënë më asgjë prej muajsh invalidëve në shumë zona të vendit.


Prej muajsh nuk paguhen as mësuesit me kontratë, skllevërit e dispozicionit në arsim. Të cilët nga frika se e humbin edhe shpresën e vetme për t’u punësuar një ditë, vazhdojnë të heshtin. Ndërkohë leku do të vazhdojë të zhvlerësohet si një taksë e fshehtë që rritet tinëz duke tronditur ekonominë e çdo familjeje. Nga ana tjetër do të vazhdojë edhe rënia e dërgesave të emigrantëve, që mbajnë prej vitesh gjallë ekonominë shqiptare, sidomos ekonominë e familjeve në fshat.


Në këtë ngricë ekonomike që ka pllakosur vendin, sundon një pushtet pa legjitimitet dhe ligjëron një parlament pa opozitë në prag të një Viti të Ri pa normalitet demokratik ku kriza e demokracisë, e shtetit të së drejtës, e ekonomisë, vetëm do të thellohet.


Ky pushtet i grabitur do t’i mbajë forcërisht mbyllur kutitë e votimit. Por forcën e së vërtetës dhe besimin tonë tek e vërteta vetëm do ta shtojë. Ky pushtet i korruptuar do të synojë forcërisht të përjetësojë përmes parasë së korrupsionit sundimin e vet mbi një Shqipëri të dërrmuar nga varfëria, papunësia, injoranca, dhuna e pasiguria.


Por luftën tonë me korrupsionin qeveritar e me plagët e rënda që po thellon vetëm do ta shtojë. Ky pushtet agresiv do të bëjë çmos për ta kthyer përfundimisht qeverisjen e vendit në një regjim për llogari të një familjeje, familjes së Sali Berishës, e cila ka futur qeverinë në një konflikt të rëndë interesi, rrethuar nga shërbëtorë e klientë, në një oborr ku lidhen e zgjidhen fije interesash ekonomike falë pushtetit që prodhon paranë dhe parasë që riciklon pushtetin. Por rezistencën tonë demokratike ndaj këtij regjimi të neveritshëm vetëm do ta shtojë.


Ky pushtet i organizuar kundër lirisë e të drejtës së votës, do të përshkallëzojë qëndrimet e veta kundër lirisë e të drejtës së konkurrencës, kundër lirisë e të drejtës së informimit, kundër lirisë e të drejtës së kundërshtimit. Por fuqinë e zërit tonë në mbrojtje të lirive e të të drejtave të çdo shqiptari vetëm do ta shtojë. Ky pushtet që i ndan shqiptarët në tanët e në të armikut, do të rrisë presionin e paligjshëm dhe mllefin e paturpshëm ndaj opozitës. Por presionin demokratik të opozitës vetëm do ta shtojë. Ky pushtet që fut njerëzit si kope nëpër autobusë e trena për t’i mbledhur në sheshin “Skënderbej”, për të treguar se tanët janë më shumë se të armikut, do të thellojë dasinë për të kërcënuar e trembur qytetarët opozitarë. Por peshën e bashkimit opozitar vetëm do ta shtojë.


Ky pushtet që me paratë e taksave bën mitingje kundër opozitës, do të shtojë thirrjet për distancim të popullit nga opozita. Por urat që lidhin opozitën me popullin vetëm do t’i shtojë.


Ky pushtet i mbajtur mbi gënjeshtrën e shpifjen, mbi shifra të manipuluara suksesesh të paqena që u serviren shqiptarëve si fitore të ngjashme me ato të Skënderbeut dhe mbi baltën e papërmbajtur të akuzave ndaj opozitës, që është shpallur rrezik kombëtar, do të gënjejë më shumë, do të përbaltë më shumë, do të dalë më nga binarët e Kushtetutës, ligjit, etikës qytetare. Por vendosmërinë e opozitës së bashkuar vetëm do ta shtojë dhe vetëm ditët e veta do shkurtojë. Sepse, kjo Shqipëri e ndarë me gjuhën e urrejtjes, që nuk u jep më të moshuarve qetësinë merituar, që nuk u jep burrave e grave punën e kërkuar, që nuk u jep as më të rinjve perspektivën e dëshiruar, nuk mund të jetë Shqipëria jonë e vitit 2010. Ne do ta bëjmë 2010-ën vitin e ndarjes së Shqipërisë me këtë pushtet.


Kjo Shqipëri, që nuk jep shpresë për liri të të gjithëve e as të gjithëve barazi para ligjit, po lirinë i’a jep veç familjes në pushtet, që të qëndrojë mbi ligjin bashkë me oborrin e shërbëtorëve e klientëve të vet dhe të bëjë ligjin me pronat e me të ardhmen e shqiptarëve, nuk mund të jetë atdheu i qytetarëve shqiptarëve në vitin 2010. Ne do ta bëjmë 2010-ën vitin e kthimit të atdheut në duart e qytetarëve shqiptarë.


Kjo Shqipëri, që nuk garanton as edhe vetë lirinë elementare të votës dhe barazinë përpara votës, e cila pasi numërohet keq dhe shumë keq për llogari të pushtetit të familjes, i fshihet syrit të popullit njësoj si në llumokracitë e shpifura matanë kufijve të Europës ku duam të integrohemi, nuk mund të jetë në vitin 2010 Shqipëria që ëndërruan ata që u vranë e persekutuan për votën e lirë, Shqipëria e parafytyruar prej atyre që dolën njëzet vjet më parë në rrugë për votën e lirë, Shqipëria e çdo shqiptari që lirinë e votës nuk e fal dhe as e shet tek pushteti i radhës.


Ne do ta bëjmë vitin 2010 vitin e lirisë së votës dhe do të protestojmë për largimin e këtij pushteti që votën e lirë e grabit dhe e burgos në kuti të mbyllura forcërisht. Sali Berisha ka humbur të drejtën për ta qeverisur Shqipërinë jo vetëm sepse ka grabitur votat, por edhe sepse ka ndaluar, forcërisht, hapjen e kutive të votimit, duke shkelur të drejtën më elementare të popullit sovran për të parë votën e vet.


Është një e drejtë që nuk mund të vazhdojë t’u mohohet  shqiptarëve me forcë në vitin 2010. Këtë të drejtë do ta kërkojmë me forcë, në çdo shesh e rrugë të Shqipërisë,duke kërkuar largimin e Sali Berishës. Përderisa kutitë nuk hapen dhe ndërkohë demokracia shqiptare po bëhet përditë e më shumë një kuti e mbyllur, me liri e të drejta të cunguara, me një shtet të së drejtës përtokë, me një ekonomi shifrash të rreme, ne s’do presim që Shqipëria të ribjerë në greminë, po do protestojmë për të larguar qeverinë.


Hap kutitë ose largohu është mesazhi i popullit opozitar për Sali Berishën, është kryefjala e protestës sonë.


E keqja e mbyllur në kutitë e 28 qershorit, është e keqja që s’del përveçse me protestë nga jeta e përditshme e shqiptarëve. Të cilëve pushteti i së keqes, i gënjeshtrës e i shpifjes, i premtimeve të pambajtura e i zullumeve të papërmbajtura, u mohon votën, u mohon punën, u mohon mirëqenien.


Ky është pushteti i familjes së biznesmenit Sali Berisha, ne do të jemi partia e çdo shqiptari që merret me biznes. Ne do të përballemi me Sali Berishën në mbrojtje të sipërmarrësve të vegjël, të mesëm e të mëdhenj, dhe do t’i çlirojmë, njëherë e mirë, njerëzit e biznesit në Shqipëri, nga makthi i një pushteti klientelist e të korruptuar, i cili i trajton ata si kulakë që duhen rrjepur me gjoba apo si mafiozë që duhen asgjësuar me forcën e paligjshme të shtetit të kthyer në vegël të pushtetit.


Hap kutitë ose largohu Sali Berisha, sepse Shqipëria është e çdo shqiptari a shqiptareje që lirinë e të drejtën për të bërë biznes i’a jep kushtetuta dhe nuk është prona jote, e familjes tënde apo e oborrit të shërbëtorëve e të klientëve të familjes tënde.  


Sot ky pushtet i vjedhur u ka borxh dhjetëra miliona euro kompanive të rrugëve, që janë zhytur nga ana e tyre në borxhe për të shtruar asfalt në kohën e shiritave elektoralë, me premtimin se lekët do t’i marrin më mbrapa.


U ka borxh, në shifra të pallogaritshme, të gjitha kompanive të mëdha e firmave të vogla shqiptare që përballen çdo ditë me referenca mashtruese e me një paqëndrueshmëri rregullash që trondit vijimësisht themelet e tyre.  


U ka borxh po ashtu,edhe më zi akoma, të gjitha familjeve të njerëzve që merren me biznes në kushtet e një klime barbarie, ku Sali Berisha ka dhënë kushtrimin e një lufte që paturpësisht e quan kundër mafias, por që në fakt,është lufta mafioze e pushtetit të tij kundër sipërmarrësve që me pavarësinë e tyre mediatike apo ekonomike e shqetësojnë pushtetin politik dhe ekonomik të familjes së tij. 


Hap kutitë ose largohu Sali Berisha, sepse po prek përditë lirinë e të drejtat e barabarta kushtetuese të gjithë shqiptarëve sipërmarrës, të cilët punësojnë të tjerë shqiptarë që ushqejnë familjet e tyre me punë e mund, dhe meritojnë të trajtohen me nderim e dinjitet nga qeveria e vendit të tyre, jo me përçmim e agresivitet nga një pushtet që u ka grabitur votat për të grabitur edhe vendin. Protesta jonë do të bëhet pronë e çdo shqiptari që nuk e duron dot më këtë shfaqje bajate llafesh për integrim e veprash për diskriminim.


Do të protestojmë për liri e të drejta që nuk falen, nuk shiten, nuk negociohen.


Kudo. Në çdo qytet. Dhe në kryeqytet padyshim.


I alarmuar nga frika e popullit opozitar dhe i kapur peng nga e vërteta e kutive që mban peng, Sali Berisha po prodhon çdo ditë sasira të jashtëzakonshme balte e kërcënimesh për opozitën. Por opozita është sot më e bashkuar e më e vendosur se kurrë për ta përballur grabitësin e 28 qershorit, me të gjithë forcën e të vërtetave. Ndërkohë, për shpifjet e përbindshme ndaj opozitës së etiketuar si mafioze, Sali Berishën e presin në gjykatë e në prokurori dhjetëra padi. Le të bëhet njëherë burrë ky gojëpërdalë, që ka njëzet vjet që e turpëron këtë vend e këtë shoqëri me fjalorin e tij, me të sharat e të palarat e tij, me shpifjet e gënjeshtrat e tij, dhe le të shkojë në gjykatë  e prokurori të përballet me të gjitha ato që paturpësisht ka thënë këto kohë plot panik për të, vetëm e vetëm për të tërhequr vëmendjen e njerëzve nga e vërteta e madhe kutive të mbyllura të votimit.


Hap kutitë ose largohu Sali Berisha, sepse nuk mund ta shpallësh opozitën mafia në vitin 2009 në mes të Europës, nuk mund të përdorësh pushtetin për të vërsulur shtetin kundër opozitës, nuk mund të sundosh mbi këtë popull duke i treguar opozitës darët e ligjit ti, që je i zhytur fundekrye në borxh me ligjin e me vetë Kushtetutën.


Nga ky shesh i Beratit i përsëris Sali Berishës se e ka kot që përpiqet të mbulojë zullumet e veta, duke i’u hakërryer opozitës si i marrë. Nuk e ka fajin opozita për 26 viktimat e Gërdecit që kërkojnë drejtësi. Nuk e ka fajin opozita për qindra miliona eurot e popullit shqiptar që janë varrosur nën gërmadhat e tunelit të shembur në Kalimash dhe kërkojnë përpara drejtësisë Sali Berishën, Sokol Olldashin, Lulëzim Bashën e tërë çetën që e ktheu rrugën e kombit në rrugë të korrupsionit shtetëror.


Nuk e ka fajin opozita për qindramijëra hektarët e trojeve të tjetërsuara nga pushteti i familjes për të përfituar familja në pushtet. Nuk e ka fajin opozita për minierat, fushat, lumenjtë, kodrat, ku korrupsioni ka shtrirë kthetrat e veta përmes koncesionesh klienteliste, për të shfrytëzuar barbarisht mjedisin tonë duke shitur të ardhmen e të gjithëve për përfitimet e disave.


Nuk e ka fajin opozita për kapjen e shtetit dhe kthimin e prioriteteve të ekonomisë familjare të Sali Berishës në prioritete të qeverisjes së këtij vendi.


Këto janë zullumet e njeriut që grabiti zgjedhjet për të grabitur Shqipërinë dhe që kurrë, asnjëherë, nuk do ta thyejë dot opozitën duke e goditur ultësisht me baltën e shpifjeve më të shëmtuara apo me forcën abuzive të shtetit të bërë vegël të pushtetit.


Ne na ka dhe do të na ketë përballë, çdo ditë më të vendosur se kurrë, për t’i dhënë kësaj shfaqjeje të pistë 20 vjeçare, që u ka nxjerrë shqiptarëve nga qejfi vendin e tyre, që u ka poshtëruar traditën e tyre, që u ka dhënë shembullin më të shëmtuar kalamajve të tyre.


Jemi në këtë betejë për t’i dhënë fund kësaj komedie që Sali Berisha luan me gjojadosjet e tij prej njëzet vjetësh. A ju kujtohet çfarë tha, duke u zgërdhirë, për tërë të këqijat që i kishte nxjerrë goja 15 vjet rresht kundër Fatos Nanos? S’duhet t’i kishit marrë seriozisht, tha, se politika kështu e ka, domethënë gënjejmë për të bërë sikur luftojmë.  Edhe ato që tha kushedi sa vjet për Ilir Metën ishin lojë politike, domethënë sa për të egërsuar elektoratin kundër armikut,s’duhet t’i kishim marrë seriozisht se në fakt zoti Meta tashmë i ulur në prehër s’është më mafioz po nuse për integrim. Ashtu sikundër s’janë më hajdutë e kusarë as rulët e xhuvelët, imamët e neritanët, qyshse janë bërë cingijet e oborrit që i bëjnë këngë ahengu për popullin shpifjet e Saliut. Domethënë është mafioz e i zi blozë kush i del përballë këtij farë burri që s’e ka për gjë të thotë se e gjitha ishte gallatë sapo kundërshtari i bie në gjunjë për një pjatë.


Mjaft më me këtë gallatë asfiksuese që e ka bërë politikën neveri dhe që i bën qytetarët e këtij vendi të mendojnë se kjo është politika. Viti i ri që po vjen me një thes problemesh të vjetra e pasigurish të reja, duhet të jetë viti i ndarjes me këtë qenefpolitikë, dhe ne jemi këtu për ta udhëhequr më me vendosmëri se kurrë këtë betejë për një politikë të re, për një Shqipëri Europiane ku demokracia të jetë realitet, shteti i së drejtës të jetë garanci dhe ekonomia të jetë në duart e konkurrencës së lirë jo në kthetrat e pushtetit që prek edhe lirinë e zgjedhjeve. 


Hap kutitë ose largohu Sali Berisha. Deri në fund. Deri në ditën e lirisë së vërtetë të zgjedhjeve dhe të së vërtetës së lirë të popullit sovran. 


 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm