Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Edi Rama në protestën e Durrësit: Hap kutitë ose largohu!

Fjalime

Edi Rama në protestën e Durrësit: Hap kutitë ose largohu!

15 Dec 2009    

Qytetarë dhe qytetare të Durrësit, Vëllezër e motra,




Viti i Ri po troket në derë me një thes plot probleme e pasiguri.


Fatura mujore e familjes shqiptare do të rritet në janar me çmimin e ri të energjisë.


Si fillim ky çmim bën zero rritjen e rrogave e të pensioneve të këtij viti.


I papërballueshëm.


Bizneset e vogla familjare kanosen nga një janar me TVSH e tatim fitimi. Falimentim i sigurt për shumicën.


Rritje e pashmangshme çmimesh në dyqanet që do të mbijetojnë. Punësimi zero.


Papunësia e varfëria do të vazhdojnë të rriten dorë për dore.


Të papërballueshme vizitat në spitale për 800 mijë shqiptarë të pasiguruar, të cilët prej dy muajsh duhet të paguajnë kesh katër pesë herë më shumë.


Të papërballueshme edhe kostot e arsimimit të fëmijëve për familjet e varfra.


30 mijë familje të reja hyjnë në kushtet e ndihmës ekonomike.


Por ndihma ekonomike ka filluar të pritet arbitrarisht, fillimisht duke mos u dhënë më asgjë prej muajsh invalidëve në shumë zona të vendit.


Prej muajsh nuk paguhen as mësuesit me kontratë, skllevërit e dispozicionit në arsim. Të cilët nga frika se e humbin edhe shpresën e vetme për t’u punësuar një ditë, vazhdojnë të heshtin. Ndërkohë leku i mezimbajtur në këmbë së fundmi, do të vazhdojë të zhvlerësohet si një taksë e fshehtë që shteron fuqitë blerëse të familjeve të zakonshme.


Nga ana tjetër do të vazhdojë edhe rënia e dërgesave të emigrantëve, që mbajnë prej vitesh gjallë ekonominë shqiptare, sidomos ekonominë e familjeve në fshat.


Në këtë ngricë ekonomike që ka zënë peng vendin, qeveris një pushtet pa legjitimitet.


Pushtet i grabitur që rri mbi kutitë e mbyllura të votimit.


Pushtet i korruptuar që përmes parasë së zezë synon të përjetësojë sundimin e vet mbi një Shqipëri të dërrmuar nga varfëria, papunësia, injoranca, dhuna e korrupsioni.


Pushtet agresiv që e ka kthyer qeverinë e vendit në një regjim për llogari të një familjeje, familjes së Sali Berishës, rrethuar nga shërbëtorë e klientë, në një oborr ku lidhen e zgjidhen fijet e interesave ekonomike të vendit.


Pushtet i organizuar kundër lirisë e të drejtës së votës, kundër lirisë e të drejtës së konkurrencës, kundër lirisë e të drejtës së meritës.


Pushtet që i ndan shqiptarët në tanët e në të armikut. Që i fut njerëzit si kope nëpër autobuza e trena për t’i mbledhur në sheshin Skënderbej, për të treguar se tanët janë më shumë se të armikut.


Që me paratë e taksave bën mitingje kundër opozitës. Pushtet i mbajtur mbi gënjeshtrën e shpifjen, mbi shifra të manipuluara suksesesh të paqena që u serviren shqiptarëve si fitore të ngjashme me ato të Skënderbeut dhe mbi baltën e papërmbajtur të akuzave ndaj opozitës, që është shpallur rrezik kombëtar.


Ne jemi sot këtu sepse, kjo Shqipëri e ndarë me gjuhën e urrejtjes, nuk u jep më të moshuarve qetësinë merituar, nuk u jep burrave e grave punën e kërkuar, nuk u jep as më të rinjve perspektivën e dëshiruar.


Kjo Shqipëri nuk jep shpresë për liri të të gjithëve e barazi para ligjit, po lirinë i’a jep vec familjes në pushtet, që të qëndrojë mbi ligjin bashkë me oborrin e shërbëtorëve e klientëve të vet dhe të bëjë ligjin me pronat e me të ardhmen e shqiptarëve.


Kjo Shqipëri nuk garanton as edhe vetë lirinë elementare të votës dhe barazinë përpara votës, e cila pasi numërohet keq dhe shumë keq për llogari të pushtetit të familjes, i fshihet syrit të popullit njësoj si në llumokracitë e shpifura matanë kufijve të Europës ku duam të integrohemi. Ne jemi sot këtu për një betejë që vazhdon, për liri të barabarta e të drejta të barabarta, pa të cilat nuk ka paqe, nuk ka zhvillim, nuk ka mirëqenie.


Sali Berisha ka humbur të drejtën për ta qeverisur Shqipërinë jo vetëm sepse ka grabitur votat, por sepse ka ndaluar hapjen e kutive të votimit, duke shkelur të drejtën më elementare të popullit sovran për të parë votën e vet. 


Dhe ne do ta kërkojmë me forcë, në çdo shesh e rrugë të Shqipërisë, largimin e Sali Berishës përderisa kutitë nuk hapen dhe ndërkohë rrugët e punësimit, zhvillimit e të mirëqenies së shqiptarëve mbyllen përditë.


Hap kutitë ose largohu është mesazhi i popullit opozitar për Sali Berishën, kryefjala e protestës sonë, që nuk ndalet pa shpëtuar demokracinë nga votat e vjedhura dhe nga kutitë e rrugët e mbyllura.


E keqja e mbyllur në kutitë e 28 qershorit, është e keqja që s’del përveçse me protestë nga jeta e përditshme e shqiptarëve.


Të cilëve pushteti i së keqes, i gënjeshtrës e i shpifjes, i premtimeve të pambajtura e i zullumeve të papërmbajtura, u mohon votën, u mohon punën, u mohon mirëqenien.


Ne do të përballemi me të keqen që ka kapur këtë shtet të bërë njësh me pushtetin.


Ky është pushteti i një dore biznesmenësh të oborrit të familjar të Sali Berishës, ne do të jemi partia e çdo shqiptari që merret me biznes.


Ne do të përballemi me Sali Berishën në mbrojtje të sipërmarrësve të vegjël, të mesëm e të mëdhenj, dhe do t’i çlirojmë, njëherë e mirë, njerëzit e biznesit në Shqipëri,nga makthi i një pushteti kryekëput klientelist e të korruptuar, i cili i trajton ata si kulakë që duhen rrjepur me gjoba apo si mafiozë që duhen asgjësuar me forcën e paligjshme të shtetit të kthyer në vegël të pushtetit.


Hap kutitë ose largohu Sali Berisha, sepse Shqipëria është e çdo shqiptari a shqiptareje që lirinë e të drejtën për të bërë biznes i’a jep kushtetuta dhe nuk është prona jote, e familjes tënde apo e oborrit të shërbëtorëve e të klientëve të familjes tënde.  


Sot ky pushtet i vjedhur u ka borxh dhjetëra miliona euro kompanive të rrugëve, që janë zhytur nga ana e tyre në borxhe për të shtruar asfalt në kohën e shiritave elektoralë, me premtimin se lekët do t’i marrin më mbrapa.


U ka borxh, në shifra të pallogaritshme, të gjitha kompanive të mëdha e firmave të vogla shqiptare që përballen çdo ditë me referenca mashtruese e me një paqëndrueshmëri rregullash që trondit vijimësisht themelet e tyre.  


U ka borxh po ashtu, edhe më zi akoma, të gjitha familjeve të njerëzve që merren me biznes në kushtet e një klime barbarie, ku Sali Berisha ka dhënë kushtrimin e një lufte që paturpësisht e quan kundër mafias, por që në fakt, është lufta mafioze e pushtetit të tij kundër sipërmarrësve që me pavarësinë e tyre mediatike apo ekonomike e shqetësojnë pushtetin politik dhe ekonomik të familjes së tij. 


Hap kutitë ose largohu Sali Berisha, sepse po prek përditë lirinë e të drejtat e barabarta kushtetuese të gjithë shqiptarëve sipërmarrës, të cilët punësojnë të tjerë shqiptarë që ushqejnë familjet e tyre me punë e mund, dhe meritojnë të trajtohen me nderim e dinjitet nga qeveria e vendit të tyre, jo me përçmim e agresivitet nga një pushtet që u ka grabitur votat për të grabitur edhe vendin.


Protesta jonë do të bëhet pronë e çdo shqiptari që nuk e duron dot më këtë shfaqje bajate llafesh për integrim e veprash për diskriminim.


Kudo.


Në çdo qytet.


Dhe në kryeqytet padyshim.


E ndarë në qindra pjesë e pjesëza të vogla, kështu si sot.


Por edhe e bashkuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku, pas Vitit të Ri do të rikthehemi akoma më të shumtë e më këmbëngulës sesa ishim në 20 nëntor.


Përpjekja e turpshme dhe kriminale e Sali Berishës për të na njollosur si opozitë, duke arritur të na quajë sinonim të mafias, është një përpjekje e dëshpëruar dhe e dështuar për t’u thënë shqiptarëve se në këtë vend të gjithë janë njësoj,të gjithë janë të korruptuar,të gjithë janë të zhytur në zullum.


Prandaj ju shqiptarë mos i shkoni pas opozitës si në 20 nëntor, mos kërkoni hapjen e kutive bashkë me opozitën, mos protestoni për largimin tim!


I alarmuar nga frika e popullit opozitar dhe i kapur peng nga e vërteta e kutive që mban peng, Sali Berisha po prodhon çdo ditë sasira të jashtëzakonshme balte e kërcënimesh për opozitën. Por opozita është sot më e bashkuar e më e vendosur se kurrë për ta përballur grabitësin e 28 qershorit, me të gjitha të vërtetat e hidhura të keqqeverisjes së tij.


Ndërkohë, për shpifjet e përbindshme ndaj opozitës së etiketuar si mafioze, Sali Berishën e presin në gjykatë e në prokurori dhjetëra padi.


Le të bëhet njëherë burrë ky gojëpërdalë, që ka njëzet vjet që e turpëron këtë vend e këtë shoqëri me fjalorin e tij, me të sharat e të palarat e tij, me shpifjet e gënjeshtrat e tij, dhe le të shkojë në gjykatë  e prokurori të përballet me të gjitha ato që paturpësisht ka thënë këto kohë plot panik për të, vetëm e vetëm për të tërhequr vëmendjen e njerëzve nga e vërteta e madhe kutive të mbyllura të votimit.


Hap kutitë ose largohu Sali Berisha, sepse nuk mund ta shpallësh opozitën mafia në vitin 2009 në mes të Europës, nuk mund të përdorësh pushtetin për të vërsulur shtetin kundër opozitës, nuk mund të sundosh mbi këtë popull duke i treguar opozitës darët e ligjit ti, që je i zhytur fundekrye në borxh me ligjin e me vetë Kushtetutën.


Nga ky shesh i Durrësit i përsëris Sali Berishës se e ka kot që përpiqet të mbulojë zullumet e veta, duke i’u hakërryer opozitës si i marrë.


Nuk e ka fajin opozita për 26 viktimat e Gërdecit që kërkojnë drejtësi.


Nuk e ka fajin opozita për qindra miliona eurot e popullit shqiptar që janë varrosur nën gërmadhat e tunelit të shembur në Kalimash.


Nuk e ka fajin opozita për qindramijëra hektarët e trojeve të tjetërsuara nga pushteti i familjes për të përfituar familja në pushtet.


Nuk e ka fajin opozita për minierat, fushat, lumenjtë, kodrat, ku korrupsioni ka shtrirë kthetrat e veta përmes koncesionesh klienteliste, për të shfrytëzuar barbarisht mjedisin tonë duke shitur të ardhmen e të gjithëve për përfitimet e disave.Nuk e ka fajin opozita për kapjen e shtetit dhe kthimin e prioriteteve të ekonomisë familjare të Sali Berishës në prioritete të qeverisjes së këtij vendi.


Këto janë zullumet e njeriut që grabiti zgjedhjet për të grabitur Shqipërinë dhe që kurrë, asnjëherë, nuk do ta thyejë dot opozitën duke e goditur ultësisht me baltën e shpifjeve më të shëmtuara apo me forcën abuzive të shtetit të bërë vegël të pushtetit.


Ne na ka dhe do të na ketë përballë, çdo ditë më të vendosur se kurrë, për t’i dhënë kësaj shfaqjeje të pistë 20 vjeçare, që u ka nxjerrë shqiptarëve nga qejfi vendin e tyre, që u ka poshtëruar traditën e tyre, që u ka dhënë shembullin më të shëmtuar kalamajve të tyre.


Jemi në këtë betejë për t’i dhënë fund kësaj komedie që Sali Berisha luan me gjojadosjet e tij prej njëzet vjetësh. Shpif e shpif se diçka mbetet dhe mjafton të jesh i paturpshëm e të gënjesh si derr, derisa ta bësh derr kundërshtarin e gjithë popullin me rrena që hutojnë dynjanë, rrena të mëdha sa më të mëdha dhe ja ku jemi, 20 vjet në foltore ky kokërr gënjeshtari duke shaluar në rrena tërë miletin mbarë e prapë.


Madje vazhdon pa pikë turpi të bëjë sikur lufton me të keqen edhe pasi ka thënë faqe botës, duke u zgërdhirë, se tërë të këqijat që tha 15 vjet për Fatos Nanon njerëzit s’duhet t’i kishin marrë seriozisht se politika kështu e ka, domethënë gënjejmë për të bërë sikur luftojmë.  Edhe ato që tha kushedi sa vjet për Ilir Metën ishin lojë politike, domethënë sa për të egërsuar elektoratin kundër armikut,se në fakt zoti Meta kur vjen në prehër s’është më mafioz po nuse për integrim. Ashtu sikundër s’janë më hajdutë e kusarë as rulët e xhuvelët, imamët e neritanët, qyshse janë bërë cingijet e oborrit që i bëjnë këngë ahengu për popullin shpifjet e Saliut.


Domethënë është mafioz e i zi blozë kush i del përballë këtij farë burri që s’e ka për gjë të thotë se e gjitha ishte gallatë sapo kundërshtari i bie në gjunjë për një pjatë.


Mjaft më me këtë gallatë asfiksuese që e ka bërë politikën neveri dhe që i bën qytetarët e këtij vendi të mendojnë se kjo është politika.


Jo, politika nuk është kjo, kjo është vetëm karikatura e politikës, karikatura e demokracisë, karikatura e shtetit të së drejtës, karikatura e ekonomisë së tregut.


Një karikaturë e dhimbshme që nuk bën askënd për të qeshur dhe ka ardhur koha të griset me fuqinë e madhe të ndryshimit që zien në shpirtin e popullit opozitar. Ne jemi këtu për ta udhëhequr këtë fuqi për një Shqipëri Europiane ku demokracia të jetë realitet, shteti i së drejtës të jetë garanci dhe ekonomia të jetë në duart e konkurrencës së lirë jo në kthetrat e pushtetit që prek edhe lirinë e zgjedhjeve. 


Hap kutitë ose largohu Sali Berisha.


Deri në fund.


Deri në ditën e lirisë së vërtetë të zgjedhjeve dhe të së vërtetës së lirë të popullit sovran. 


 


 


 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm