Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Edi Rama në protestën e Elbasanit: Dua të shoh votën time!

Fjalime

Edi Rama në protestën e Elbasanit: Dua të shoh votën time!

19 Nov 2009    

Një gazetar i padishërueshëm për pushtetin e familjes së Sali Berishës, u gjakos nga një biznesmen i familjes, i cili falë mbrojtjes së paligjshme të Sali Berishës, nuk paguan taksat dhe i përzë me policë shteti punonjësit e tatimeve që trokasin në dyert e biznesit të tij, sepse në Shqipëri nuk ka shtet ligjor, por pushtet fisnor. Shteti i shqiptarëve ka dalë nga binarët e Kushtetutës dhe të ligjit dhe është vënë në shërbim të familjes në pushtet, duke shpërfillur dhe shkelur brutalisht liri dhe të drejta kushtetuese kudo ku pushteti i familjes ka interesa ekonomike, abuzive, korruptive. Pushteti i dalë nga padrejtësia mbi zgjedhjet e 28 qershorit, e ka kthyer tërësisht shtetin e së drejtës në një fuqi të padrejtë që nuk i shërben ligjit dhe as qytetarëve shqiptarë, por Sali Berishës dhe familjarëve të tij. Sali Berisha i grabiti zgjedhjet për të vazhduar të grabisë Shqipërinë dhe shqiptarët. Pushteti i familjes Berisha dhe i sojit e sorrollopit të tij, tanimë është shfaqur me të gjithë arrogancën dhe injorancën e vet. Sali Berisha e ka kthyer tryezën e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë në një shesh ku çdo mbledhje bën një përshesh, për oreksin e pashuajtshëm të familjes së vet. Pronat publike dhe private bëhen tanimë çdo javë kurban në tryezën e qeverisë dhe kthehen direkt ose indirekt në prona të familjes që qeveris Shqipërinë. Sali Berisha nuk do që kutitë e votimit të 28 qershorit të hapen, sepse brenda në ato kuti është fundi i pushtetit të familjes së tij, që për interesa pronësore dhe financiare, e ka zhytur në krizë demokracinë, shtetin e së drejtës, ekonominë e familjeve shqiptare. Rastet rrënqethëse të bregdetit të Shqipërisë, ku Sali Berisha ka tjetërsuar miliona metra katror prona në favor të tij dhe soj e sorrollipit të tij, janë një dramë e jashtëzakonshme për mijëra, ndoshta për dhjetra mijëra familje shqiptare, që pasi kanë jetuar 20 vjet me ëndrrën e kthimit të pronës së gjyshërve të tyre, po jetojnë tanimë me makthin e tjetërsimit të saj të dhunshëm, në adresë të njerëzve të lidhur me familjen Berisha. Këta “pronarë” të krijuar në labirinthet e korrupsionit mafioz të pushtetit të Sali Berishës me pronat gjatë 4 vjetëve të shkuara, po shfaqen pas zgjedhjeve të 28 qershorit, për të transformuar letrat e nxjerra nga ato labirinthe në investime që legalizojnë një grabitje tokash me përmasa kolosale. Sali Berisha nuk do që ato kuti të hapen, sepse hapja e kutive të 28 qershorit i hap rrugën drejtësisë për të gjykuar lirisht dhe ndëshkuar me forcën e ligjit fajtorët për tragjedinë e Gërdecit dhe për grabitjen marramendëse të fondeve të rrugës së kombit. Tuneli i Kalimashit u mbyll pa afat, sot media lajmëroi për shembje në një pjesë të tij, që ka ardhur për shkak të dëmtimeve të rënda. Kjo është një vepër madhore e kombit, po për fat të keq edhe në rrugën e kombit Sali Berisha gjeti rrugë për të vjedhur paratë e shqiptarëve. Hapja e kutive është çlirimi i shqiptarëve nga vetë Sali Berisha. Nëse ne do të pranojmë se kutitë e 28 qershorit nuk do të hapen për ne dhe për gjithë popullin shqiptar nën dritën e diellit, me të drejtën që ligji dhe me të drejtën që Zoti i jep popullit sovran, atëherë kemi pranuar për kushedi sa kohë akoma zgjedhën e këtij pushteti të padenjë për këtë vend. E kemi shpallur në çdo qytet ku ka kaluar lëvizja jonë për hapjen e kutive të 28 qershorit dhe po e përsërisim edhe këtu mes jush, se në 20 nëntor ne do të rimblidhemi të gjithë në Tiranë. Më të shumtë e më të vendosur se kurrë, për të kërkuar me më shumë forcë se asnjëherë tjetër një të drejtë që nuk na e ka dhënë Sali Berisha dhe nuk na e mohon dot kurrë Sali Berisha. Jam i bindur se ka ardhur koha. Jam i bindur se është pikërisht ky momenti historik kur Shqipëria dhe shqiptarët duhet të ndahen një herë e mirë, në mënyrë të pakthyeshme nga tradita e mbrapshtë e zgjedhjeve të deformuara dhe të kontestuara, nga standardet e padenja për një vend europian, nga politika e vjetër e pushtetarëve të korruptuar e korruptues që i grabisin zgjedhjet e shqiptarëve për të forcuar zgjedhën e interesave të tyre mbi shqiptarët. Mospranimi për t’i hapur kutitë e votimit dhe për t’i dhënë popullit sovran të drejtën e transparencës për zgjedhjet që ka bërë më 28 qershor, është prova e frikës së madhe që ka Sali Berisha nga e vërteta, por edhe prova e së vërtetës së madhe që ne do të mbrojmë pa frikë dhe pa lodhje deri në fund, deri kur të realizohet kërkesa jonë legjitime. Deri kur Shqipëria të jetë përgjithmonë e qytetarëve të saj dhe kurrë më preja e pushtetit të radhës. Kërkojnë të përçajnë opozitën me diversione të turpshme e iu thonë të pavërteta nga një përditë, lidhur me mandatin e deputetëve të PS - së, ne nuk hyjmë dhe nuk do të hyjmë në Kuvend për t’u bërë bashkëfajtor në mbylljen e syve përpara të vërtetës dramatike të 28 qershorit, por nga ana tjetër, mandatet e deputetëve të Partisë Socialiste nuk digjen dhe nuk do të digjen sepse i kanë ato mandate për t’i dhënë fund zgjedhës së interesave të pushtetit familjar të Sali Berishës. 20 nëntori është një ditë e shënuar në këtë përpjekje historike, për t’u ndarë nga një traditë e shëmtuar që arriti kulmin në 28 qershor. Në 20 nëntor, jo vetëm ju që jeni këtu, por së bashku me fqinjët, miqtë e të afërmit, së bashku me të gjithë ata që mund të lajmëroni, duhet të vini medoemos në Tiranë, në sheshin Skënderbej, për një manifestim të madh, në emër të lirisë, të cilën nuk na e ka dhënë Sali Berisha, por na e ka dhënë Zoti, që na ka bërë të gjithëve njësoj, dhe e drejta jonë e fituar në një përpjekje kundër një diktature të vjetër, që nuk mund të rikthehet në rrugën tonë, në asnjë formë të re.
 

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm