Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Edi Rama në protestën e Fierit: Dua të shoh votën time!

Fjalime

Edi Rama në protestën e Fierit: Dua të shoh votën time!

19 Nov 2009    


Motra dhe vëllezër. Këtu e gjashtë muaj më parë në mënyrë misterioze, në pragun e shtëpisë së tij, u vra barbarisht një vëlla, një shok, një mik dhe një qytetar i nderuar i gjithë këtij Qarku. Në atë kohë, me kulturën dhe edukatën tonë, ne respektuam kujtimin e mikut tonë, duke respektuar drejtësinë dhe duke i kërkuar asaj të të thotë fjalën e vet, pa dashur që atë humbje të rëndë dhe atë vrasje barbare ta linim të bëhej, qoftë edhe për një çast një ngjarje politike.
Por 6 muaj kanë kaluar dhe përveç nxjerrjes në tregun e gazetave të gjithfarë versionesh, nga më skandalozet, nga vetë njerëzit e shtetit të asaj që ndodhi, ne sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Unë dua që në këtë moment, Sali Berisha dhe të gjithë ata që e ndjekin pa dyshim këtë protestë, të dëgjojnë për një minutë zërin e fortë të heshtjes tuaj, në nderim të Fatmirit dhe njëkohësisht në shprehje të së vërtetës së madhe, se ne jo vetëm nuk harrojmë, por nëqoftëse drejtësia nuk bën drejtësi, ne nuk falim.
I bindur që të gjithë ju, ashtu si të gjithë qytetarët e qytetaret e Fierit dhe gjithë Shqipërisë, pavarësisht bindjeve politike, kërkojnë sot një Shqipëri të drejtë dhe një drejtësi të barabartë për gjithë shqiptarët.
E filloj këtë fjalë, se jam i bindur, që të gjithë ju qytetarë liridashës të Fierit, ku Sali Berisha tentoi të grabiste njërin prej mandateve të 28 qershorit dhe ku ju e zmbrapsët me forcë kusarin e zgjedhjeve, do të vini kështu siç jeni në 20 nëntor në Tiranë, për t’i treguar Shqipërisë, por edhe botës mbarë, se kjo betejë për të nxjerrë në dritën e diellit votën tonë të kyçur në kuti forcërisht nga Sali Berisha, është një betejë për të nxjerrë Shqipërinë nga rrethi i mbyllur 20-vjeçar i zgjedhjeve të deformuara, që në 28 qershor arritën një kulm të papranueshëm.
Do vini kështu në 20 nëntor, për t’i treguar Sali Berishës se është mbushur kupa e zullumit të tij, e për t’iu dhënë zemër të gjithë shqiptarëve kudo që janë në këto orë të Shqipërisë së zgjedhjeve të grabitura nga pushteti i një familjeje të vetme, për Shqipërinë e lirive dhe të drejtave të cunguara, për interesat e një njeriu të vetëm që duke mbajtur peng kutitë e votimit, po afron me shpejtësi vetëlargimin e tij.
Do të vini kështu siç jeni në 20 nëntor në Tiranë, për t’i treguar të gjithëve se si mbrohet liria e votës, se si mbrohet e drejta për numërimin e ndershëm të votës, se si mbrohet liria dhe dinjiteti njerëzor, nga një pushtet ilegjitim, që me vota të vjedhura po vjedh përditë të ardhmen e vendit e fëmijëve tanë. Sali Berisha u thotë shqiptarëve nga kutia e mbyllur e Parlamentit, se duhet të jenë të lumtur që jetojnë sot në Shqipëri. Është kjo arsyeja, që në 20 nëntor, Shqipëria që nuk ha në tryezën e pasur të familjes në pushtet të Sali Berishës, që nuk ngop barkun me bukë, të vijë në sheshin “Skënderbej” për të hapur kutitë që mbajnë peng parlamentin e saj. 
Sali Berisha u thotë shqiptarëve nga kutia e mbyllur e Parlamentit, se duhet të jenë të lumtur që Shqipëria po shkon drejt heqjes së vizave. Është kjo arsyeja që në 20 nëntor, Shqipëria e cila ka mbetur e fundit për të lëvizur e lirë në Europë, duhet të mblidhet në sheshin “Skënderbej” për t’i vënë vizën Sali Berishës.
Sali Berisha u thotë shqiptarëve nga kutia e mbyllur e parlamentit, se duhet të jemi të lumtur, se Shqipëria po zhvillohet ekonomikisht më shpejt se vendet e Europës, madje edhe më shpejt se Kina. Është kjo arsyeja që më 20 nëntor, Shqipëria e atyre që nuk paguajnë dot ilaçet, librat e shkollës së fëmijëve, që nuk kanë mundësi për punë, apo që humbasin punën për shkaqe politike apo krizës ekonomike, që nuk kanë mundësi për të ardhmen, duhet të mblidhet në sheshin “Skënderbej” për të pushuar nga puna Sali Berishën.
Edhe nga Fieri i themi të gjithë bashkë Sali Berishës, mos rri mbi kutitë e mbyllura të zullumit të 28 qershorit, se do të fundosesh vet ti në atë zullum, njësoj si kur u zgjodhe President, sepse nuk i le shqiptarët të zgjedhin lirisht Parlamentin, por ndryshe nga atëherë kur more tërë Shqipërinë me vete, ne nuk do të presim që ti të fundosesh bashkë me Shqipërinë në gropën e madhe që po i hap përditë ekonomisë shqiptare. Sepse po nuk hape kutitë, siç e kërkon arsyeja madhore e vendit, do të duhet të largohesh me zgjedhje shumë të  parakohshme.
Demokracia është asgjë më shumë se sa forca e të vërtetës, të cilat konkurojnë lirisht për një pushtet që është i përkohshëm, që është pa pushim në trysninë e konkurencës së lirë. Ndërsa regjimi i grabitjes së gjithçkaje, përmes grabitjes së votës, përmes shkatërrimit të vlerave të demokracisë që po instalohet përditë në Shqipëri, nuk ka të bëjë gjëkundi me demokracinë dhe me qytetarët, por vetëm me kusarinë dhe pushtetarët.
Asnjë protestë, as kjo protestë nuk është zgjedhja e lirë e atyre që protestojnë, por është e vetmja rrugë për dëgjimin e një problemi që nuk dëgjohet nga ata që duhet ta zgjidhin. Lëvizja jonë e protestave në Shqipëri s’ka lindur nga dëshira e jona për t’u grumbulluar qytet më qytet, madje edhe nën shi e  në të ftohtë, për të folur për demokraci, ndërkohë që vendi shkon drejt diktaturës.


Jo! Kjo lëvizje që ka bashkuar socialistë e progresistë, liberalë, të majtë e të djathtë, është një zgjedhje e detyruar patriotike, nga gjendja e rëndë e demokracisë në vend, mbas deformimit të votës së lirë në presionin e shtetit të bërë njësh me pushtetin. Integrimin nuk e dëmton bojkoti ynë, por e pengojnë arsyet që na shtyjnë ne ta ndërmarrim këtë rrugë të vetme, kur shtrohet një problem i rëndë, si zgjedhjet e deformuara. Ky problem nuk zgjidhet duke e mbuluar me fjali të tipit, se këto zgjedhje ishin më të mira nga të tjerat, por nuk ishin aq të mira sa ato që duhet të ishin për t’u quajtur me standard, dhe aq më pak për të hyrë pa kushte në parlamentin e kthyer në sallë të këshillit kombëtar të partisë së Saliut, me vota të numëruara keq e shumë keq, siç thonë miqtë tanë ndërkombëtarë.


 


Kemi qenë dhe do të jemi gjithnjë të gatshëm të bisedojmë, të dialogojmë, të zgjidhim çdo problem madhor dhe të zgjidhim çdo sfidë madhore të vendit, duke përdorur forcën e arsyes dhe jo arsyen e forcës. Këtu jemi prej kohësh, kemi bërë të qartë çfarë kërkojmë dhe nuk është faji ynë që të tjerët kanë kujtuar se kjo është një lojë politike e zakonshme, për interesin e vogël të Edi Ramës apo dikujt tjetër, dhe pa gjasa që të zgjasë shumë. Megjithatë ne jemi këtu, për të ofruar në çdo çast, kur ka dëshirë dhe vullnet nga pala tjetër, kontributin tonë, që kërkesat tona të kuptohen drejt edhe nga ata që s’kanë dashur apo s’kanë mundur t`i kuptojnë. Por ndërkohë ne as do të ndalemi dhe as do të humbasim asnjë çast në rrugën e kësaj beteje të nisur për sa kohë pala tjetër do të zgjedhë shurdhërinë në vend të dëgjimit, propagandën mashtruese antiopozitare dhe diversionin banal ndaj opozitës, në vend të komunikimit normal.


Ne nuk hyjmë dhe nuk do të hyjmë në Parlament, për t`u bërë bashkëfajtorë në mbylljen e syve, përpara të vërtetës dramatike të 28 qershorit, dhe për të mbyllur kushedi për sa e sa vite të tjera mundësinë që Shqipëria të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.


Ndërkohë miqtë e mi, motra e vëllezër, Saliu vazhdon e bën ligje për vete, vazhdon e bën ligje për familjen, vazhdon e bën ligje për t’u pasuruar. Në 1995, u përgatit një projektligj, që synonte që toka bujqësore që ishte marrë në përdorim nga banorët, t`u kalonte në pronësi. Në ligj përcaktoheshin të gjitha rastet kur toka nuk u kalonte atyre në pronësi. Gjithashtu theksohej, se toka që nuk do kalonte në pronësi të tyre do të ishte tokë shtetërore. Pak më vonë në nisje të fushatës zgjedhore të atëhershme, presidenti i asaj kohe, Saliu i parë, përgatiti një dekret, që saktëson sasinë e tokës që u jepej në pronësi të gjithë banorëve, veçanërisht në zonat me përparësi turizmin. Ndërkohë, në kohën e Saliut të dytë, ju patë çfarë ndodhi në Orikum. Ajo që ju patë, ajo që pa e gjithë Shqipëria, është vetëm një hije e gjithë rrjetës së merimangës që pushteti i familjes së Sali Berishëska shtrirë në të gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë. Për familjen me mbi 6 anëtarë, sipërfaqja e kthyer, sipas atij ligji, do të ishte deri në 1500 metra katrorë. Por, Saliu i parë nuk ngopej me pushtet, ndërsa Saliu i dytë, nuk ngopet me pushtet dhe me para’.


 


Në projektligjin e ri që ka mbërritur në Kuvend, sepse prona e çdo shqiptari që jeton në tokat e ish ndërmarrjes bujqësore, që ka 15 vjet që i përdor këto toka, sidomos përgjatë vijës bregdetare, sot me një ligj që ka shkuar në parlament për t’u aprovuar, është në rrezik. Me projektligjin e ri, kjo sasi toke, 1500 metra për familje, që nuk u kthye kurrë, është katandisur vetëm në 500 metra katrorë për familje, sigurisht për familjet që nuk janë degë e trungut të familjes në pushtet. Kështu në të gjithë këto zona, nga Velipoja deri poshtë në kufirin e fundëm jugor, afër detit kuptohet, sepse ka rënë në dashuri me detin, njeriu që deri pak kohë më parë nuk dinte as not. Sekserët e familjes në pushtet kanë përdorur banorë që mund të përfitonin, nga dekreti i atëhershëm, për t’ua marrë një pjesë të tokave, në kompensim të ndihmës që ju ofronin për regjistrimin e tyre. E patë në Orikum, bashkë aty, ata që kanë lindur atje dhe ata që kanë ardhur nga shumë larg, të dy palët pronarë, mirëpo me sa duket nuk janë ngopur dot me përqindjen e zakonshme të sekserokracisë së Sali Berishës, tani duan të marrin 2/3 e tokës të çdo familjeje të varfër, 1000 metra nga 1500 metra, e çdo familje që ka 15 vjet që rropatet në ato 1500 metra, për të nxjerrë bukën e gojës, duke ëndërruar 15 vjet me radhë, dokumentin e premtuar me ligj nga Saliu i parë, që mirë që nuk jua dha, as Saliu, as Fatosi, as Iliri, as Fatosi prapë, po tani kthehet Saliu i dyti, është i njëjti, dhe kërkon t’jua marrë fare. Kush nuk do që viti i ri ta gjejë me 1000 metra më pak se ato 1500 që ka, në të gjithë vijën bregdetare, në të gjithë zonat e ndërmarrjeve bujqësore ish, nuk ka çfarë pret më, në 20 nëntor në Tiranë.


Ndërkohë sot, për fat të keq, të gjithë shqiptarëve, në Shqipëri dhe kudo që jetojnë, që kanë investuar për rrugën e kombit, një televizion dha pamjet brenda tunelit, tuneli që do të lidhë dy pjesë të ndara të të njëjtit komb, dhe që Sali Berisha rendi ta inaugurojë shumë përpara kohe, në kundërshtim me të gjithë ekspertët, në kundërshtim me të gjitha kushtet teknike, vetëm sepse ai inaugurim përpara kohe, pajtohej me interesin e Familjes në pushtet, për të mbajtur pushtetin e Familjes.


 


Ndërkohë këtu në Fier, demokratët e Fierit, patriotë, njerëz që i besojnë të djathtës, për shumë e shumë arsye, dhe që unë i respektoj që të gjithë, kanë votuar për njeriun që këtu është paraqitur si udhëheqësi i demokratëve të Fierit në krye të listës, dhe që sot është ministri i punëve publike të Familjes Berisha, që duhet të shkojë të përgjigjet në prokurori për atë shembjen monstruoze, dhe njëkohësisht, për dëmin monstruoz ekonomik, që ajo shembje u ka shkaktuar të gjithë shqiptarëve dhe patjetër edhe për dëmin e jashtëzakonshëm moral që nuk ka të paguar. Si mund të shembet tuneli që lidh dy pjesë të një ëndrre që ka vazhduar në pafundësi, si mund të shembet tuneli ku të gjithë vëllezërit e motrat tona nga Kosova dhe të gjithë ne, pamë rrugën për t'u lidhur më njëri-tjetrin shumë më shpejt. Dhe si mund të shembet, jo për arsye natyrore, as për arsye teknike, por për arsye të babëzisë, së pashuajtshme të Sali Berishës, për një pushtet për të cilin është i gatshëm të shesë gjithçka. Nga ana tjetër, ky qytet dhe populli i këtij Qarku, populli patriot i këtij qarku pavarësisht bindjeve, pavarësisht kahjeve, pavarësisht partive, është goditur nga të gjitha anët. E tash goditjen e marrë nga veriu, nga një tjetër goditje në krahun e perëndimit, me të gjitha ato toka të ish ndërmarrjes bujqësore dhe një tjetër goditje mbas shpine, aty ku është nxjerrë buka e gojës me punë të ndershme nga qindra e qindra inxhinierë nafte, nga mijëra punëtorë, breza që kanë kaluar tek një fabrikë të cilën pushteti i familjes e shkuli si një llokëm dhe sot është kthyer në një realitet dramatik, që tregon as më shumë e as më pak, por shkatërrimin e plotë të të gjitha pushteteve në Shqipëri dhe mbi të gjitha, që kanë frikën e shtetit.



Askund, jo në Europë, por askund nuk mund të ndodhë që policia e shtetit të kacafytet me policinë tatimore, për hir të interesave të familjes në interes, dhe jo në emër të ligjit. Prandaj të gjithë, inxhinierë të naftës, punëtorë, në 20 nëntor në Tiranë, socialistë apo demokratë, nuk kanë se çfarë presin, sepse ky nuk është pushteti as i atyre që i dhanë votën, por është pushteti i një grushti njerëzish që e kanë kthyer pushtetin në një numër vendesh pune për t’i kthyer më pas ata që punëson në ushtar të atij pushteti që i grabiti votat për të grabitur Shqipërinë, dhe që nuk e do votën e lirë, sepse nuk e do lirinë e votës, pasi nga liria e votës merr fund liria e pushtetit për të bërë ç`të dojë me pronat publike dhe private, me liritë e të drejtat tona.


 


Fieri është një nga qytetet më të mëdha me bizneset e vogla, ku bashkia mbahet falë kontributit të këtyre bizneseve, dhe ku po vazhdon transformimin e qytetit të Fierit. Por këto biznese të vogla, sikur të mos e kishin fare mangët krizën ekonomike, në 1 janar, nëse bëjnë më shumë se 5 milion lekë xhiro, do të futen në listën e bizneseve të mëdha, dhe fatura e tyre tatimore do të rritet 2-3 herë, duke i çuar drejt falimentimit të sigurt. Çdo biznesmen i vogël që sot ka nevojë jetike për biznesin e tij, duhet të jetë në 20 nëntor në sheshin "Skënderbej", në Tiranë, për të hapur kutitë, aty ku mbahet peng jo vota si letër, por e drejta për të jetuar me punë të ndershme.


 


Ndërkohë që për të njëjtat arsye biznesmenët e mëdhenj shqiptarë duhet të dalin nga strofulla e frikës, prej këtij pushteti që ka vite të tëra që i trajton si robërit e vet, që i tremb me xhandarët e tatimeve, që i mësyn në derë e ndjek sa herë i duhet ministrit të financave të dalë e të tregojë se sa shumë i ka rritur të ardhurat e më pas i detyron të paguajnë me lekët e tyre, edhe punët publike që Sali Berisha i hapi në të gjithë Shqipërinë për të fituar vota dhe nuk ka lekë t’i financojë. Çfarë presin këta, çfarë presin këto kompani të mëdha, të kthehen në punëtorë të kompanisë së familjes, të kthehen në skllevër të Sali Berishës?


 


S’ka më kohë për të pritur, më 20 nëntor në Tiranë.


 


Miqtë e mi, të gjithë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, çdo qytetarë e qytetare që do që konkurenca dhe merita të jenë më të forta se sa ky pushtet apo çdo pushtet, duhet të vijë në 20 nëntor në Tiranë. Hapja e kutive të 28 qershorit është më shumë se beteja politike e një pale, është shumë më shumë se interesi për pushtet i një partie apo një koalicioni partish, është shumë më shumë se vetë e majta dhe e djathta, është një e drejtë dhe një detyrim që shkon përtej të majtës dhe të djathtës, ashtu siç është edhe shprehja përtej të majtës dhe të djathtës, ashtu siç janë vetë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, përtej të majtës dhe të djathtës. Ashtu siç duhet të jetë vetë thelbi demokratik, përtej të majtës dhe të djathtës.


 


Të protestojmë me forcë, sepse nëse nuk i ka ardhur radha te biznesi i tij, te prona e tij, te vendi i punës, të jeni të sigurt se do ti vijë nesër.


 


Të protestojmë me forcë, sepse sot gjithçka që përbën pasuri, është në kërcënimin e oreksit të pashuajtshëm të familjes që qeveris Shqipërinë. Të protestojmë me forcë, sepse shpresat dhe ëndrrat tuaja për të ardhmen janë burgosur në ato kuti, aspiratat dhe nevojat për familjet tuaja, për fshatin, për qytetin tuaj, për vetë Shqipërinë, janë burgosur në ato kuti. Sepse për të shpëtuar nga varfëria, papunësia, injoranca, dhuna dhe korrupsioni, janë burgosur në ato kuti. Të protestojmë me forcë, sepse Shqipërinë europiane nuk mund ta bëjnë dot grabitësit e zgjedhjeve, nuk mund ta bëjnë dot grabitësit e pronave, nuk mund ta bëjnë dot grabitësit e arkës së shtetit. Të protestojmë me forcë ndaj këtij pushteti që shqiptarëve u flet për luftë ndaj korrupsionit, ndërsa të ardhmen e tyre e jep me koncesione që qelben era korrupsion.


 


Miqtë e mi, fjala e fundit është për atë që kemi thënë në çdo qytet, kudo ku ka kaluar lëvizja jonë, hapjen e kutive të 28 qershorit. Po e përsëritë edhe këtu.


Në 20 nëntor ne do të rimblidhemi të gjithë në Tiranë, më shumë e më të vendosur se kurrë, për të kërkuar një të drejtë që nuk na e ka dhënë Sali Berisha e nuk na e mohon dot Sali Berisha. Dikush apo disa kanë dëshirë të thonë, madje, porositin gazetat e televizionet e tyre që ta thonë, se në 20 nëntor është protesta e fundit.


Jo, në 20 nëntor është fillimi i fundit të pushtetit të familjes së Sali Berishës dhe në 20 nëntor është dita kur Sali Berisha duhet të zgjedhë: Të hapë kutitë, ose të largohet me gjithë kutitë.


Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm