Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Edi Rama në protestën e Shkodrës: Dua të shoh votën time!

Fjalime

Edi Rama në protestën e Shkodrës: Dua të shoh votën time!

18 Nov 2009    

Ajo që dua të them sot, me sigurinë më të madhe, është se asnjë qytet në Shqipëri nuk mund ta ndiejë më fortë se Shkodra dhe qytetarët e qytetaret e saj rrezikun e afrimit të një regjimi të ri. Por Shkodra nuk e rrëzoi regjimin e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, për të mbajtur në kurriz 20 vjet më vonë regjimin e diktakturës korruptive të një sekretari ordiner të partisë së Enver Hoxhës.


Mbi këtë qytet kanë vrarë e kanë prerë. Kanë gjuajtur me plumba në trupin e Shkodrës çdo gjë të bukur të këtij qyteti, por asnjëherë nuk kanë arritur të zhdukin rrënjët e shpirtit demokratik të shkodranëve e shkodraneve. Deri ditën që solli një rrugë të re për gjithë Shqipërinë, por një rrugë të kërkuar me shumë mund, e përmes shumë sakrificash e ëndrrash, në radhën më të parë nga ata që e vuajtën më shumë mungesën e kësaj rruge, qytetaret e qytetarët e Shkodrës që e menduan veten të lirë, ndoshta shumë të lirë, aq sa humbën brenda vetë lirisë në turbullirën që gatoi papushim, duke sunduar përmes besimit të tyre, kjo parti, partia që sot kërkon të qëndrojë medoemos në pushtet, për të përmbushur nevojat e një familjeje të vetme përmes grabitjes së votave edhe këtu në Shkodër, ku është goditur me të njëjtën forcë, me të njëjtin fanatizëm, dhe me të njëjtën verbëri si e majta, ashtu edhe e djathta, për t’i dhënë jetë një pushteti i cili është pushteti i grabitësve të votës, i cili nuk është as i majtë dhe as i djathtë, por është vetëm një pushtet familjar që ka përqëndruar të gjitha fuqitë, energjitë dhe të gjithë shtetin në përmbushjen e interesave të veta.


Dikush ka thënë: të vërtetat që fshihen, kthehen në katastrofa. E vërteta që fshihet në kutitë e 28 qershorit, nuk mund të kthehet në katastrofë për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe prandaj ky pushtet që buron nga ajo e vërtetë e fshehur, e cila kërkon ta mbajë me çdo kusht peng, nuk mund t’i qeveris shqiptarët. Nëse ky pushtet nuk hap kutitë e votimit, do të mbyllet një herë e mirë në kutinë e turpit dhe nuk do të jetë pushteti që do qeveris qeverinë dhe shqiptarët. Ajo që ne kërkojmë është një e drejtë elementare, e drejta e çdo qytetari dhe qytetareje në demokraci për të parë votën e vet në dritën e diellit, për ta parë votën e vet në bazë të së drejtës që i jep ligji dhe të drejtës që i jep Zoti, sepse vota është investimi i secilit për të ardhmen e vet, sepse ato vota që janë në kuti, nuk janë pasuri e Sali Berishës, por janë pasuria e çdo shqiptari e shqiptareje. Votat që janë në ato kuti nuk janë mekanizmi përmes së cilit Sali Berisha të vazhdojë të ushtrojë një pushtet absurd dhe abuziv në kurriz të Shqipërisë dhe shqiptarëve, por janë ëndrrat dhe aspiratat e të gjithë atyre që në 28 qershor votuan për një Shqipëri më të mirë, votuan për një ekonomi familjare më të sigurt, votuan për të dalë nga varfëria dhe papunësia, votuan për të luftuar korrupsionin, votuan për t’i dhënë krahë aspiratave të fëmijëve të tyre.
Ato vota ne duam t’i shohim. Ato vota Shqipëria dhe shqiptarët duan t’i shohin. Ato vota duhet të shihen për të parë në sy të vërtetën dhe për t’i kthyer Shqipërisë institucionet e saj, duke filluar nga institucioni i paprekshëm i votës së lirë. Nëse Sali berisha do ta mbajë forcërisht të mbyllur në burgun e kutive të votimit vendimin sovran të shumicës së popullit, ne do ta përballim pushtetin e hajdutëve të votës me pushtetin e popullit sovran.


Ne nuk kërkojmë të përmbysim me dhunë një pushtet të dalë nga dhunimi i votës, por kërkojmë që dhunimi i votës të mbarojë bashkë me këtë pushtet dhunuesish.
Në 20 nëntor ne do të rimblidhemi të gjithë në Tiranë, do të jemi më shumë se asnjëherë, dhe do të kërkojmë me më shumë forcë se asnjëherë tjetër, një të drejtë elementare që nuk na e mohon dot Sali Berisha dhe pushteti i tij.
Sali Berisha thotë se hapja e kutive të votimit është ogurzezë. Por nëse ka një mundësi të vetme që hapja e kutive e votimit është ogurzezë, ajo është ogurzezë vetëm për pushtetin e atyre që kanë grabitur votën, dhe jo për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nuk ka moment më të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët se sa të ndahen një herë e mirë nga tradita e mbrapshtë e zgjedhjeve të deformuara dhe të kontestuara, të ndahen një herë e mirë nga pushteti i dhunuesve të lirisë, i dhunuesve të të drejtave, e dhunuesve të votës, që është mishërimi i çdo lirie dhe çdo të drejte.
Kush nuk e ka lirinë për të zgjedhur dhe kush nuk e ka të drejtën që vota e tij të numërohet lirisht, nuk ka as lirinë për të ëndërruar dhe as mundësinë për të realizuar ëndrrat e veta. Në kutitë e votimit është varfëria, papunësia, korrupsioni, gjithçka që përfaqëson ky pushtet grabitësish. Dhe hapja e këtyre kutive është hapja e rrugës së lirisë, e lirisë për të realizuar ëndrrat, aspiratat dhe ambiciet, është hapja e rrugës në luftën kundër papunësisë dhe varfërisë, është hapja e rrugës së fitores mbi korrupsionin, që sot është kthyer në armë në duart e një njeriu, që e ka kthyer qeverinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve në një vegël në duart e familjes së tij.


Cili kryeministër, në cilin vend demokratik, do t’i refuzonte me forcë popullit të vet të drejtën për të parë votën? Do të pranonte të turpëronte vendin e vet, duke pranuar më mirë një parlament që rri me një këmbë, se sa të drejtën e cdo qytetari e qytetareje për të parë votën e vet. Në cilin vend, ku? Në NATO apo në BE mund të ndodhë që t’i mohohet opozitës dhe kujdto tjetër e drejta për të hapur kutitë e votimit? As në Afganistan nuk mohohet kjo e drejtë, as në Iran madje nuk u mbajtën dot të mbyllura të gjitha kutitë e votimit. Edhe aty në një regjim tërësisht jo demokratik u detyrua të hapi një pjesë të kutive të votimit. Kurse në Shqipëri që po troket në BE, kryeministri thotë se kutitë nuk hapen, sepse hapja e tyre është ogurzezë.


Si mund të pranojmë ne në shek e 21-të, pasi i kemi dhënë fund diktaturës, pasi kemi bërë gjithçka kemi mundur për t’u ndarë jo thjesht nga diktatura, por edhe nga tabiatet e saj, sot të rigjendemi në kushtet e një farse që ngjan shumë me diktaturën dhe i vetmi ndryshim që ka, është se nuk është diktatura e komunizimit, por është diktatura e korrupsionit.


Mospranimi për t’i hapur kutitë e votimit dhe për t’i dhënë opozitës të drejtën të lexoj votat përpara popullit, është prova e frikës së madhe që ka Sali Berisha nga e vërteta. Por edhe prova e së vërtetës së madhe që ne do ta mbrojmë pa frikë dhe pa lodhje deri në fund deri kur të realizohet kërkesa jonë legjitime, deri kur Shqipëria të jetë e lirë, dhe jo monopoli i klientëve dhe shërbëtorëve të Sali Berishës. Deri kur çdo shqiptar të ketë liri dhe të drejta njësoj si fëmijët e kryeministrit, njësoj si fëmijët e oborrit të klientëve të shërbëtorëve të kryeministit.


Ne nuk hyjmë dhe nuk do të hyjmë në kuvend për t’u bërë bashkëfajtor në mbylljen e syve përpara të vërtetës dramatike, e për të mbyllur kushedi për sa vite të tjera mundësinë që Shqipëria të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sepse nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme me Sali Berishën në pushtet nëse sot pushteti i Sali Berishës nuk i hap rrugë hetimit të gjithë mekanizmit kriminal që goditi lirinë dhe cënoi ndershmërinë e këtyre zgjedhjeve, duke hapur kutitë e votimit, aty ku është e vërteta, aty ku fshihet krimi.

Miqtë e mi. Të votosh i lirë dhe vota jote të shkojë jo aty ku ti e ke investuar, por aty ku dikush tjetër në pushtet, me forcë e merr, nuk është vetëm vjedhje, as vetëm një mashtrim i madh i radhës, por është dhunë që pjell regjim, dhe ju këtu në Shkodër, më mirë se në shumë vende të tjera, e njihni mirë kërcënimin e regjimit. Ne të gjithë tashmë jemi të bindur se kjo ka ndodhur, vota është tjetërsuar dhe të gjithë e shohin tjetërsimin e votës te refuzimi i Sali Berishës, për të lejuar që vota jonë të lexohet. Ne kërkojmë diçka fare elementare dhe fare të drejtë, të dimë se çka ndodhur në 28 qershor, për të mos lejuar që ajo që ka ndodhur të përsëritet.


Ne jemi të vetëdijshëm se në rast se sot një popull i tërë opozitar, ku janë bashkuar natyrshëm për të njëjtat liri dhe për të njëjtat të drejta qytetarë të majtë e të djathtë, nuk arrijnë dot të gjejnë të drejtën e vet, nesër askush, asnjë individ, asnjë familje nuk mund ta gjejë të drejtën e vet, nëse ajo e drejtë sado e vogël qoftë, bie ndesh me interesin e familjes në pushtet, bie ndesh me oreksin e pushtetit të familjes.
Që të gjithë pa dallim, pavarësisht se jemi të majtë apo të djathtë, dhe pavarësisht shumë gjërave që mund të na dallojnë, të durojmë kokulur pabarazinë para ligjit dhe të qëndrojmë si spektator përpara kësaj gjendjeje të padurueshme të demokracisë, ekonomisë, drejtësisë, për këdo që nuk është as kushëri dhe as ushtar i pushtetit të familjes.


Këtë ne nuk mund ta durojmë dhe kjo është një betejë për të gjithë ata që nuk duan të sundohen dhe kontrollohen në jetën e në punën e tyre nga një familje në pushtet, që kërkon ta kthejë atdheun tonë të përbashkët në një skenë të mbyllur, ku vota e popullit nuk ka më asnjë vlerë.
Të gjithë ju që keni kaluar një pjesë të rëndësishme të jetës nën diktaturë dhe nën frikën e diktaturës dhe të gjithë ju tëë rinj që e keni para jetën dhe diktaturën e keni të pranishme në kujtime dhe në rrëfimet e prindërve tuaj, duhet të jeni të vetdijshëm se kjo është ora për të luftuar që ajo që ka ndodhur të mos përsëritet më. Se është kjo ora për të luftuar që të çrrënjoset një herë e mirë mekanizimi që e transformon votën e lirë të cdo qytetari në një aset të pushtetit që riciklohet përmes votës.


Nuk kam ardhur këtu t’ju them as juve që jeni në sallë, dhe as atyre që e ndjekin këtë tubim, i cili është i jashtëzakonshëm në kushtet e rrebeshit të tmerrshëm që është jashtë, që të bashkohemi me PS - në. Unë kam ardhur këtu t’ju them, që të bashkohemi të gjithë, pa dallim, pa kufij partish, pa kufij mes të majtës dhe së djathtës, për diçka që është mbi partitë, mbi të majtën e të djathtën, mbi programet dhe mbi idetë e zhvillimit, por që lidhet me të gjitha këto, dhe që është liria për të zgjedhur lirisht dhe liria dhe e drejta për ta parë të numërohet lirisht votën tënde.


20 nëntori është një ditë e shënuar në këtë përpjekje historike për t’u ndarë nga një traditë e shëmtuar që arriti kulmin në 28 qershor. Në 20 nëntor, jo vetëm ju që jeni këtu, por së bashku të gjithë, me fqinjtë, miqtë tuaj, me të afërmit, dhe së bashku me të gjithë ata që mund të lajmëroni, duhet të vini me çdo mjet në Tiranë, në sheshin Skënderbej për një manifestim të paharrueshëm, në emër të lirisë, që na e ka dhënë jo Sali Berisha, por që na e ka dhënë Zoti dhe e drejta jonë e fituar, në një përpjekje kundër një diktature e cila nuk mund të rikthehet si hije në rrugën tonë.


Në 20 nëntor, duhet të vini të gjithë në Tiranë, për të vijuar të kërkojmë hapjen e kutive të votimit, duke qenë të vetdijshëm, se duke u hapur ato kuti, kemi hapur rrugën e zhvillimit të vendit, rrugën e daljes nga varfëria, kemi hapur rrugën e fitores së betejës me papunësinë dhe korrupsionin. Kemi hapur rrugën e ndarjes një herë e përgjithmonë nga çdo lloj sundimi, për të krijuar në Shqipëri kushtet e një regjimi dhe për ti detyruar shqiptarët me hir apo me pahir për të jetuar në atë regjim. Sepse nuk ka dhe nuk mund të ketë lëvizje të lirë nëse nuk hapen kutitë, sepse Sali Berisha është jo vetëm i paaftë, por edhe i painteresuar fare që t’ju hapë shqiptarëve lëvizjen e lirë. Kjo është arsyeja pse sot kemi ngelur në fund. Kjo është arsyja pse sot edhe serbët, që e nisën nga fundi janë në krye të programit për të përfituar liberalizimin. Edhe maqedonasit, edhe malazezët, nga 1 janari i vitit tjetër do të lëvizin lirisht në Europë, ndërkohë që shqiptarët për të shkuar në Maqedoni dhe Mal të Zi, do t’ju duhet të marrin një vizë njësoj si në Gjermani dhe Angli. Sepse kanë ende Kryeministër një njeri, Sali Berishën. Fundi i këtij pushteti, është edhe rënia e të gjithë kufijve.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm