Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fitorja në Korçë, përgjegjësi. Rimëkëmbja e ekonomisë ka nisur

Fjalime

Fitorja në Korçë, përgjegjësi. Rimëkëmbja e ekonomisë ka nisur

04 Nov 2013    
Kryeministri dhe njëkohësisht Kryetari i PS, Edi Rama, uroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, Kryebashkiakun e ri të Korçës, Sotiraq Filon, i cili u zgjodh në këtë detyrë me 76% të votave, si kandidat i “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”.

Kryeministri ftoi që kjo fitore të lexohet si një shenjë e qartë e pritshmërisë së qytetarëve ndaj mazhorancës qeverisëse.

Ndër të tjera, Kryeministri bëri të ditur se rezultatet e para të punës nën drejtimin e ri në dogana dhe në tatime flasin për zhvillime pozitive në drejtimin e duhur.

“Rritja ekonomike do të shoqërohet me reforma të dhimbshme”,- lajmëroi kreu i mazhorancës, duke theksuar domosdoshmërinë e tyre për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit. Për Kryeministrin programi me FMN dhe projektbuxheti bashkë me paketën e re fiskale do t’i përgjigjet programit të votuar më 23 qershor.

Më poshtë fjala e plotë e Kryeministrit dhe njëherësh Kryetarit të PS, Edi Rama:

Mirëdita të gjithëve!

Së pari, dua të uroj Sotiraq Filon, Kryebashkiakun e ri të Korçës që mbrëmë u zgjodh me 76% të votave si kandidat i “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”.

Është një rezultat i jashtëzakonshëm numerikisht, por unë ju ftoj ta lexojmë jo si një fitore ndaj opozitës, por si një shenjë tjetër shumë të qartë të pritshmërisë ndaj nesh.

I falënderoj përulësisht të gjithë qytetarët që dje morën pjesë në votim, socialistët dhe progresistët, por dhe të gjithë demokratët që bashkuan votën e tyre, për kandidatin e koalicionit tonë. Ndjehemi ende më të ngarkuar me përgjegjësi ndaj tyre, po sigurisht edhe ndaj gjithë shqiptarëve, pasi kjo votë tregon më shumë sesa pëlqimin për një kandidat.

I siguroj të gjithë se ne do të bëjmë të pamundurën për ta merituar me punë dhe rezultate dhe jo thjesht me fjalë, këtë mbështetje.

Besoj se rezultatet e para të punës nën drejtimin e ri në dogana dhe në tatime, flasin për zhvillime pozitive në drejtimin e duhur. Kemi trashëguar një gropë financiare të hapur nga mosrealizimi dramatik i 9-muajve rresht, qoftë në dogana, qoftë në tatime, si pasojë e degjenerimit të qeverisjes para dhe pas zgjedhjeve, korrupsionit të kudondodhur dhe shpartallimit të administratës doganore e tatimore vit pas vitit. Por e vërteta është se kemi gjetur dhe njerëz profesionistë dhe të gatshëm në sistem, për t’i shërbyer me përkushtim ligjit, shtetit dhe sipërmarrësve.

Në vetëm 40 ditë, vendosja e dy drejtoreve të përgjithshme dhe rivënia në lëvizje e sistemit doganor dhe tatimor, jo vetëm kemi tejkaluar planin, kemi kapërcyer ndjeshëm shifrën e tetorit të kaluar krahasuar tetor më tetor, por edhe kemi një ndryshim shumë të fortë mes shtatorit dhe tetorit të po këtij viti në dogana. 28 milionë dollarë më shumë. Që do të thotë që jo vetëm është frenuar rënia e vazhdueshme janar – shtator, por është shënuar edhe një pikë kthese e fortë që kemi shumë besim, bazuar mbi të dhënat e mëtejshme, se është fillimi i një ringritje që do të vazhdojë sistematikisht.

E njëjta tendencë për fat të mirë, vërehet qartë edhe në rezultatet e tatimeve, ato do të bëhen publike nesër. Por sot mund t’ju them se jo vetëm me planin e rishikuar, por edhe me planin e vjetër të Qeverisë së mëparshme, jemi më lartë në muajin tetor. Gjithashtu diferenca mes këtij tetori dhe tetorit të vitit të shkuar, si në dogana dhe në tatime flet qartësisht për një kthesë të fortë. Ndaj dhe dua t’i përgëzoj publikisht të dyja drejtoret e përgjithshme për rezultatet e para të një pune pa orar dhe plot sakrifica, por edhe të gjithë ata punonjës të doganave dhe të tatimeve të cilët po shërbejnë me përkushtim për të sjellë një ndryshim që është jetik për financat e shtetit tonë.

Kam shumë besim se përfshirja e agjentëve të kurorës, Crown Agents, në mbikëqyrjen e pikave doganore dhe rritjen e kapitalit njerëzor brenda sistemit tonë doganor, si dhe prurjet e reja nga konkursi për rreth 150 vende pune në tatime, do të sjellin një rritje të ndjeshme të cilësisë së shërbimit të shtetit tonë, qoftë në dogana, qoftë në tatime. Në ndërkohë, ndoshta ky është momenti më i rëndësishëm, kam shumë besim se përfshirja e afërt e FMN-së me një program të ri, në përpjekjen tonë madhore për përballimin e krizës dhe rimarrjen e rrugës së rritjes ekonomike, qysh vitin e ardhshëm, do të na garantojë pikënisjen e duhur drejt përmbushjes së programit tonë të Rilindjes shqiptare.

Finalizimi i termave të programit të ri me FMN-së, për të cilin kemi gjetur edhe mbështetjen më të plotë të Bankës Botërore është dhe arsyeja pse Projektbuxheti do të shtyhet për afro dy javë në mënyrë që ngrehina e tij të mbështetet në themelin e ri që ky program përbën për ekonominë tonë në vitet në vijim. Po që sot, mund të thuhet pa asnjë ngurrim se rruga e rimëkëmbjes është e hapur dhe siç e kemi premtuar ajo është e projektuar të nisë me larjen e llogarive të shtetit ndaj sipërmarrjes, si dhe me mbylljen e gropave të hapura gjithandej nëpër Shqipëri me katrahura financiare dhe korruptive në infrastrukturën e vendit tonë.

Po ashtu, bazuar në këto të dhëna të bazuara në ecurinë e shkëlqyer të diskutimeve me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore që po na çojnë drejt finalizimit të termave të programit të ri me FMN-në, mund të thuhet se qoftë kush e ëndërron skenarin grek për qëllime politike, por qoftë dhe kush në mënyrë të arsyeshme i trembet rrënimit të mëtejshëm ekonomik për arsye të krizës tronditëse që kemi trashëguar, duhet ta ketë fare të qartë se më e keqja do të kalojë me 2013. E kjo, jo për të dhënë një injeksion optimizmi që nuk është i pavend, por për të nënvizuar se puna intensive që po bëhet në bashkëpunim me FMN-në dhe me Bankën Botërore, si dhe me mbështetjen e një grupi ekspertësh të nivelit më të lartë sot në botë, bazuar edhe në analizën shumë të kujdesshme të gjithë gjendjes financiare dhe ekonomike të vendit tonë, si dhe potencialeve të zhvillimit, na jep të drejtë që të mos ngurrojmë kur themi se më e keqja do të kalojë me 2013-ën.

Sigurisht që viti i ardhshëm do të jetë një vit me rritje ekonomike, por kjo nuk do të thotë se nuk do të jetë një vit reformash të dhimbshme të cilat janë ilaç i hidhur, por i domosdoshëm për ta ngritur ekonominë nga honi ku e kemi gjetur, në rrugën e zhvillimit të mëtejshëm. Programi do të jetë një program zhvillimi ekonomik, një program rritjeje ekonomike, një program që do të krijojë të gjitha hapësirat për të lehtësuar kushtet në të cilat funksionon ekonomia jonë.

E fundit, por jo për nga rëndësia, programi me FMN-në dhe Projektbuxheti ynë me paketën e re fiskale do t’i përgjigjen themelit vleror të programit tonë të Rilindjes, të programit tonë të “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”, për të ecur më shpejt në rrugën e një zhvillimi të qëndrueshëm. Që do të thotë se çfarë ne jemi zotuar është pikë referimi edhe e diskutimeve me FMN-në, edhe e diskutimeve me Bankën Botërore, edhe e diskutimeve me ekspertët ndërkombëtarë, edhe në projektimin e programit të ri me FMN-në dhe të Projektbuxhetit të ri.

Sigurisht që, projektbuxheti i këtij viti të parë të mandatit tonë është i diktuar nga kushtet e rënda në të cilat e gjejmë ekonominë, por kjo nuk do të jetë pengesë për të dhënë edhe nëpërmjet këtij projektbuxheti dhe paketës së parë fiskale të Qeverisë së “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”, sinjalet e qarta për votuesit, për sipërmarrësit, për të gjitha kategoritë shoqërore se ndryshimi i 23 qershorit ka sjellë në krye të vendit një Qeveri të votuar me një program mbi disa vlera dalluese me palën tjetër, të cilat ne do t’i kemi tërësisht parasysh qysh tani edhe pse shtrëngesa e kushteve të ekonomisë dhe të financave është jashtëzakonisht ndikuese dhe kushtëzuese.

Për ta mbyllur e fillova me Korçën, dua ta mbaroj me zgjedhjet në Karbunarë që po ashtu shënuan një fitore të “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”, të cilën po ashtu mendoj se na takon ta lexojmë jo si një fitore ndaj opozitës, por si një shenjë të qartë të përgjegjësisë që qytetarët na kanë ngarkuar mbi vete dhe të pritshmërisë që kanë ndaj nesh.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm