Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala në Kuvend e Deputetit Fatmir Xhafaj

Fjalime

Fjala në Kuvend e Deputetit Fatmir Xhafaj

01 Apr 2010    



Të nderuar kolegë,


Fillimisht më lejoni të uroj për ditën e festës së tij të përvitshme kryeministrin e vendit dhe qeverinë e tij. Nuk do të harroja natyrisht urimin edhe për  kryetaren e Kuvendit që gjithashtu sot ka festë. Sot është ditë e shënuar për ta. Sot është dita kur shqiptarët të marrin një çast frymë të lehtësuar dhe të marrin me të qeshur këtë shumicë gënjeshtare.


Ne jemi sërish sot në këtë sallë për të dëshmuar gjithmonë e më fort se në themel të të gjitha krizave që po kalon vendi është trajtimi i votës dhe vullnetit të qytetarit.


Në këtë sallë janë ngrysur shumë netë të vështira. E tillë ishte dhe nata e 19 marsit kur arroganca e kartonit në verbëri të plotë nën diktatin politik të Kryetares së Kuvendit  i dha një goditje tjetër të fortë legjitimitetit të cunguar të këtij kuvendi, të cilit ju nëpërkëmb jo vetëm morali, por edhe thelbi i funksionit të tij ligjvënës.


E premtja e zezë e Kuvendit të dhunuar është një provë tjetër dhe një arsye logjike e politike më shumë për opozitën që të deklarojë se marrëdhënia e saj me Kuvendin kalon vetëm dhe vetëm në një shtrat : transparencën e plotë dhe pa kushte të mashtrimit elektoral të 28 qershorit. Një transparencë që garantohet vetëm nëpërmjet hapjes së kutive që ende mbani peng !


 Si dhe shumë kolegë të mi, kam denoncuar politikisht dhe publikisht veprimin parapolitik të kryetares së Kuvendit në momentin e hedhjes në votim të dy inisiativave tona ligjore : projektligjit dhe projektvendimit.


Zonja Kryetare ka kërkuar ndjesën time meqënëse jam shprehur se ajo jashtë rregullores ka vendosur  në vendimin e zbardhur edhe emrat e anëtarëve demokratë të në përbërje të një komisioni të lindur të vdekur.


Do të kërkoja pa hezitim ndjesë publike vetëm nëse do kishte një prej jush që do të mund të argumentonte publikisht qoftë edhe këtë fakt të vetëm. Cila është logjika ligjore  dhe proceduriale e ndjekur nga znj.Kryetare kur me të njëjtën kërkes të grupit tonë parlamentar u konsiderua e pranueshme tërheqja e pligjit ndërsa nuk u pranua ajo për projektvendimin, kur të dyja ishin inisiativa ligjore të nënshkruara nga të njëjtët deputet, të të njëjtit grup parlamentar me të njëjtin kryetar grupi që artikuloj kërkesën e tërheqjes së të dyja inisiativave ?!!


Do ta ketë ndjesën time, por më parë, në të drejtën time si deputet, si jurist dhe qytetar, do të kërkoj prej saj dhe kujtdo tjetri nga ju që:


 


* të flasi dhe pranojë shkeljen e ligjit dhe të rregullores në ngritjen e komisionit hetimor dhe konretisht të neneve 25, 26, 52, 59 e 72 të Rregullores se Kuvendit dhe nenet 5, 7, 8 e 9 të ligjit Nr.8891 “Për organizimin dhe dhe funksionimin e komisioneve hetimore të kuvendit”;


 * të flasi dhe pranojë të pavërtetat e dhëna në letrën gënjeshtare që Kryetarja ju ka nisur partnerëve tanë ndërkombëtarë për atë çfarë ka ndodhur në seancën e 18-19 marsit për faj të socialistëve;


Shfaqja e turpshme që dhuna e kartonave të verbër rezervoi jo vetëm për shqiptarët, ishte prova e rradhës për të bindur çdo skeptik se Kuvendi i Shqipërisë nuk është në gjendje të garantojë si mirëfunksionimin për ata që gjojaqeverisin, ashtu edhe për opozitën.


Partia Socialiste hyri në debatin publik me ju me një ofertë serioze, tashmë të përkrahur nga një shumicë dërmuese e qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe për më shumë, ka afruar më shumë se një shteg të mundshëm për kompromis të sotëm në favor të garancive të nesërme që 28 qershorët e Ruzhdijeve nuk do të përsëriten më.


Ne kemi dhënë zgjidhje konkrete që mundësojnë transparencën dhe kushtetueshmërin e një procesi hetimor parlamentar. Askush nga ju dhe as Kryeministri personalisht në të gjithë debatin e zhvilluar nuk i ka dhënë ende përgjigje pyetjes se nëse sipas arësyetimit tuaj nuk mund të hapen kutitë për të cilat paska një vendim gjyqsor cili është argumenti që do të pengonte hapjen e kutive zgjedhore për të cilat nuk ka pasur shqyrtim gjyqsor dhe për rrjedhoj nuk ka asnjë vendim gjykate ? E njëjta gjë edhe për kutitë e materialeve zgjedhore rreth të cilave nuk ka pasur asnjë lloj shqyrtimi gjyqsor dhe nuk ka qoftë edhe një gërmë të vetme edhe në arsyetimin e gjykatave që është tërësisht i ngajshëm me mbrojtjen tuaj në kolegj zgjedhor !!


Në të kundërt, në këmbim të këtyre zgjidhjeve me sens kompromisi, kemi marrë vetëm akuza dhe demagogji. Kjo provon qartazi se thelbi i refuzimit për transparencë nuk është meraku për kushtetueshmërinë dhe pavarësinë e gjyqsorit, për të cilat ju keni rekorde spektakolare negativiteti, por gjithshka është politike. Cdo ditë e më shumë po binden edhe më skeptikët brenda e jashtë vendit se thelbi i krizës aktuale politike, nuk është aq sa tek ajo që shkoj se sa tek ajo që vjen - te zgjedhjet e pritshme. Kjo e bën më të ndërlikuar jo thjesht krizën ne vetvete, por kryesorja zgjedhjet e nesërme edhe më të rrezikuara, demokracinë shumë më të kërcënuar.


Ju, jo vetëm nuk po tentoni të hapni kutitë e zgjedhjeve, por cdo ditë e më shumë po rrezikoni të mbyllni rrugët dhe shtigjet që shpëtojnë vendin nga kriza e rëndë ekonomike që sa vjen e bëhet edhe më prezente e shfaqur kjo dukshëm në borxhin e jashtëm në rritje që po i zë frymën buxhetit të shtetit; në bilancet e zymta të biznesit privat që shoqërohet me karakterin piramidal të biznesit të madh dhe paaftësinë likujduese të biznesit të vogël e të mesëm; në xhepat e zbrasur të shqiptarëve që i varfëron përditë edhe më shumë papunësia e frikshme dhe cmimet në rritje të pandërprerë.


Tashmë është e qartë se vetëm z.Berisha nuk e pranon krizën e gjithanshme që shohim cdo ditë, me një pamje edhe më të zymtë, të ulur këmbëkryq në familjet e varfëra  shqiptare, përditë e më të shumta.


Lajmet e këqia që vijnë nga jugu në veri për situatën e rëndë ekonomike e sociale të vendit, vetëm laboratori juaj i çuditshëm mund t´i përkthejë si suksese. Njëlloj si në këtë fillimviti kur banorëve të përmbytur nga qeverisja juaj që fut ujë nga të gjitha anët si një varkë në mbytje e sipër, tentuat t’ju shisnit si sukses, varkat e pakta për të kaluar ujin e turbullt.


Eshtë në të mirën e tuaj që të dëgjoni sa më shpejt zërin e arsyes të opozitës, të popullit që kërkon zgjidhje, të ndërkombëtarëve që kërkojnë kurimin e krizës së thellë e shumëplanëshe që po kalon vendi. Nesër do të jetë vonë për të gjithë !!


Partia Socialiste ka rihyrë sot në Kuvend për të rikonfirmuar se është e gatshme për çdo kompromis politik në funksion të së mirës të vendit, është këtu për të rikonfirmuar gjithashtu se nuk pranon asnjë kompromis me zbatimin e Kushtetutës, ligjeve të vendit dhe parimeve themelore të së drejtës së saj ligjore dhe politike.


Këtë garanci të plotë politike dhe morale kemi muaj që e deklarojmë pa mëdyshje. Partia Socialiste ka pranuar rezultatin legal të zgjedhjeve të shpallur zyrtarisht. Kemi rikonfirmuar publikisht angazhimin politik se jemi të gatshëm të firmosim njohjen e këtij angazhimi në mënyrën që do të zgjidhni ju.


Partia Socialiste asnjëherë dhe për asnjë motiv nuk do të heqë dorë nga kërkesa e saj kushtetuese për të garantuar transparencën e zgjedhjeve të shkuara, si mjetin e vetëm për të garantuar zgjedhjet e ardhshme. Pa transparencë, të gjitha të drejtat dhe liritë e publikut, do të vazhdojnë të mbyllen njëra pas tjetrës në kutitë e errëta të pushtetit tuaj të gënjeshtërt.


Ju faleminderit !


 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm