Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala në Kuvend e deputetit të PS Ervin Koçi

Fjalime

Fjala në Kuvend e deputetit të PS Ervin Koçi

19 Mar 2010    

Të nderuar kolegë deputetë,

Është hera e parë që më jepet mundësia të diskutoj nga kjo foltore  e nderuar dhe ndihem shumë i trishtuar si të gjithë deputetet  socialistë. Ndihem i trishtuar se pas 20 vitesh nga rrëzimi i partisë-shtet, përsëri po luftojmë për themelin e demokracisë, votën e lirë, e cila është dhunuar nga pushteti i sotëm.

Dhunimi i votës së lirë, nuk ka asnjë ndryshim nga sistemi i mëparshëm monist, pasi dhe sot, kush nuk voton per partinë në pushtet që është e njehsuar me shtetin, jo vetëm hiqet nga puna, por dhe kur kërkon të marrë një shërbim nga institucionet shtetërore për të cilat paguan taksa, përcmohet e dhunohet,

Sot, dikush që vjedh votat jo vetëm mbrohet nga shteti, por e ka të sigurtë një vend pune në administratë për shërbimin që i ka bërë partisë në pushtet.

Partia në pushtet, i ka kthyer zgjedhjet në vendin tonë në një luftë të vërtetë, duke futur një frymë antagoniste në marëdhëniet njerëzore në cdo cep të Shqipërisë.

Gjatë gjithë fushatës, të gjithë ata që nuk votonin për partinë në pushtet hiqeshin nga puna, dhunoheshin psikologjikisht, pritej asistenca sociale, dhunimi arrinte deri atje sa u ndërpritej dhe uji pijshëm nga pushtetarët e zellshëm lokale për të zbatuar urdhërat e partisë, kërcënoheshin për prishje të ndërtimeve pa leje edhe pse ishin në proces legalizimi, u përdor blerja e votës duke shfrytëzuar varfërinë e tyre që e përkeqësoi  vetë ky pushtet.

Gjatë ditës së votimit, ndaj komisionerëve dhe zgjedhësve, në shumë qendra votimi, u ushtrua terror psikologjik, në disa qendra pati dhe dhunë, në shumë të tjera bëtë cmos ti blinit.

Ju Zoti Kryeministër gjatë gjithë këtij debati, vazhdoni të bëni diversion për komisionerët tanë, por shfrytëzoj këtë rast, të falënderoj të gjithë komisionerët e PS dhe partive aleate në qarkun e Fierit që bënë një sakrificë të pashembullt për të mbrojtur votat nga vjedhja e organizuar prej vetë jush së bashku me një armatë të tërë personash të sponsorizuar po prej jush.

Në komisionet e numërimit të votave në ZAZ 20, PS kishte më shumë gra, disa edhe mbi 50 vjece, që për 6 ditë  me radhë nuk lëvizën nga vendi i numërimit të votave.

A e di arsyen Z. Kryeministër pse qëndruan ato gra larg familjeve të tyre për 6 ditë?

Me shpirtin e tyre demokratik, te mbronin votat qe armata juaj te mos vidhnin mandatin e 9 te Fierit.  

Meqënëse të dhimbset komisionerët socialistë pasi i dhunove, merri në punë pasi i ke hequr nga puna për arsye politike, se janë të gjithë me arsim të lartë, dhe jo me diploma fallco e të blera.

Në ditët e numërimit  të votave, ju partia në pushtet bëtë gjithcka c’mundët, duke deformuar vullnetin e qytetarëve.

Dje një deputet ngriti problemin se në dy qendra në Libofshë ku kishte fituar bindshëm PS, nuk ishin shënuar kartat e identitetit. Po, kjo është e vërtetë, por të hapim kutitë  së bashku dhe të verifikojmë që është një gabim teknik nga mostrajnimi i komisionerëve apo e bërë me qëllim nga komisionerët. Pra të nxjerrim problematikën reale dhe jo dyshuese.

Të verifikojmë kush ka votuar, a ka qenë ndonjë person jashtë shtetit në atë ditë, apo a ka firma të fallsifikuara e cdo gjë tjetër që ju dyshoni.

Une personalisht të garantoj me përgjgjesinë maksimale timen, se është një gabim teknik.

Por e ftoj këtë deputet,  të hapin kutinë e qendrës së votimit 3193 në fshatin Rreth Libofshë të komunës Libofshë, komisionerët tanë u dhunuan, që Kryeministri i do kaq shumë, dhe janë hedhur 110 vota në kuti, dhe KZAZ që ju kishit shumicën e quajti të vlefshme, edhe pse brenda në kuti kishte nga 10 fletë të pandara dhe në listën e votimit ishte e njëjta firmë që kishte firmosur për të gjithë këta votues.

Të hapim kutinë e QV  3195  në fshatin Vanaj, po te komunës Libofshë  dhe të nxjerrim problematikën nëse ka.

Pra, dhe ju si forcë politikë paskeni pretendime për zgjedhjet ; kjo është një arsye më shumë të hetojmë problematikën e zgjedhjes në mënyrë të plotë që të nxjerrim problematikën reale, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të mos kenë më këto fenomene por të jenë zgjedhje të standarteve demokratike.

Por ju si Pushtet përdorët  cdo mjet e mënyrë, për të deformuar votën popullore duke instaluar fenomenin më të keq për një vend me demokraci hibride e të brishtë; korrupsionin elektoral.

Maskarada e  Ruzhdies e tregoi qartë këtë.

Por Ruzhdia nuk është një rast i vetëm, por është një fenomen, pasi ka shumë qendra votimi të tjera në Qarkun e Fierit përvecse ato që përmenda, shumë e më shumë në  qarqet e tjera ku vjedhja e votës ka qenë masive.

I gjithë ky  mekanizëm i korrupsionit elektoral i ngritur për të mbajtur me cdo kusht pushtetin, sot ka sjellë pasoja të rënda për vendin, duke përkeqësuar  cdo ditë  e më shumë jetesën e shqiptarëve.

Të ardhurat për cdo banor në vendin tonë janë më të ultat në Ballkan, nga mbi 50 shtete të Europës kemi lenë pas vetëm Moldavinë dhe Lituaninë.

Qeveria e ngritur  me vota të vjedhura nga korrupsioni elektoral, ka shkaktuar pasoja të rënda për shoqërinë tonë, duke krijuar një piramidë korruptive të shtrirë në të gjithë hierarkinë shtetërore.

Organizatat kompetente ndërkombëtare e vlerësuan Shqipërinë si vendi që ka bërë regres në vitin 2009 me 10 vende përsa i përket luftës ndaj korrupsionit duke qenë ndër qeveritë më të korruptuara në Europë.

Kryeministri deklaronte  me bujë se në vitin 2009 do të mblidhte 5 miliardë USD të ardhura (edhe pse buxheti ishte miratuar më pak), kurse realisht për vitin 2009 nuk u  arkëtuan as 3 miliardë USD.

Pyetja është e thjeshtë.

Ku shkuan 2 miliardë USD për vitin 2009?

Përgjigjja është ende më e thjeshtë për  këdo qytetar të Shqipërisë:  u vodhën dhe u shpërdoruan nga korrupsioni elektoral.

Për vitin 2010 janë planifikuar për të arkëtuar 3,6 miliard USD (e nuk dihet sa herë të tjera do të ndryshojë buxheti dhe sa do të jetë realizimi deri në fund të vitit).

Të ardhurat  nga doganat  për 2-mujorin janë realizuar vetëm 92.6%, edhe pse kemi rritje të ndjeshme të barrës  fiskale nëpërmjet cmimeve të referencës, efektet pozitive që vjen në të ardhura nga zhvlerësimi i lekut, nga rritja e cmimeve të hidrokarbureve në bursat ndërkombëtare si dhe nga efekti inflacioniste.

Po ta krahasojmë me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar duke zbritur efektet pozitive që përmendëm më lart, kemi një ulje reale 7% të të ardhurave nga dogana.

Gjate periudhës dymujore pati rënie të ndjeshme të volumeve pothuajse të të gjithë produkteve krahasuar me një vit më parë.

Të ardhurat nga tatimet nuk janë realizuar sipas vetë drejtuesve të saj, por asnjë shifër nuk bëhet publike dhe  transparente, pasi kjo qeveri kur vjedh votat, mund të fsheh gjithcka.

Pushteti i ardhur me vota të deformuara, jo vetëm po keqmenaxhon financat, por dhe po deformon të dhënat financiare në disa drejtime. Shifrat e dhëna nga institucionet shtetërore dhe INSTAT janë krejt kontradiktore dhe nuk kërkojnë analiza për të kuptuar manipulimin e të dhënave.

Sipas Bankës së Shqipërisë në vrojtimin që kanë bërë për tendencat e ekonomisë për vitin 2010, paraqet se bizneset raportuan për rënie të kërkesës së brendshme dhe të jashtme dhe një keqësim të nivelit të kontratave porositëse. Pritjet për situatën ekonomike për vitin 2010 nga biznesi dhe konsumatorët janë tejet negative, duke parashikuar një situatë shumë pesimiste.

Qeveria e dalë nga korrupsioni elektoral, ka monopolizuar cdo treg, i fundit  është tregu i gazit të lëngshëm, ku për shkak të monopolit qytetarët e blejnë më shtrenjtë kilogramin me 100 lekë se sa duhet ta blinin realisht.

Alokimi i të ardhurave sipas rretheve dhe qarqeve, është një korrupsion më vete, ku fondet  kanë destinacion pushtetarët që kanë vjedhur votat.

Për nga derdhja e detyrimeve, qarku i Fierit është qarku i dytë pas atij të Tiranës, si në vlerë absolute ashtu dhe për cdo qytetar, por nga niveli i investimeve që jep buxheti i shtetit ne jemi qarku i tetë, pasi këto taksa shkojnë te qeveria për të bërë shpenzime korruptive dhe me dyshim vetëshlyerjeje ose pa studime fizibiliteti.

Energjia elektrike është rritur ndjeshëm me mbi 13% që nga muaji Janar, ndërsa faturat e energjisë janë 30% më të shtrenjta. Një vizitë në sistemin shëndetësor për të pasiguruarit domethënë të papunët ka shkuar 1 000 deri në 3 000 lekë sipas nivelit të specialistit;

Cmimet e produkteve të domosdoshme që konsumojmë përditë po rriten, fuqia blerëse e cdo familje shqiptare është ulur ndjeshëm;

Investimet publike dhe ato të huaja direkte, eksportet (përvec eksportit të energjisë elektrike) dhe importet kane rënë duke rritur ndjeshëm papunësinë.

Niveli i borxhit të shtetit të marrë për vitet 2008 dhe 2009, duke e krahasuar me vitet e kaluara, është rritur me disa herë, duke marrë kredi nga bankat  e huaja me norma interesi më të lartat në botë. Por dhe ky borxh u keqpërdor për të qenë pjesë e korrupsionit elektoral, duke prishur të gjithë treguesit makroekonomik të vendit.

U  harruan premtimet që u bënë fermerëve se do të hiqnin akcizën e karburanteve për ta dhe kjo s’po ndodh e s’ka për të ndodhur ndonjëherë sa ju të jeni në pushtet me vota të vjedhura,

Produktet që prodhojnë fermerët me ekonomitë e vogla bujqësore janë në shtëpitë e tyre të pashitura, tarifat e punimeve dhe cmimet e inputeve bujqësore janë rritur, duke varfëruar me tej familjet fshatare.

Sot ky pushtet i siguruar nga korrupsioni elektoral po nepërkemb të drejtat e cdo qytetari të ndershëm sic nepërkëmbi votën e tyre.

Po  vazhdohet të zaptohen tokat e fermerëve duke mos i shpronësuar ata, ose përdoren dy standarte vlerësimi për të njëjtën parcelë toke. Për dijeni 260 familje janë vetëm në komunën e Frakullës, po kaq janë dhe në komunat e Cakranit dhe të Levanit te shpronësuara edhe pse tokat keni dy vjet qe ja keni zaptuar.

Pas privatizimeve abuzive të ARMO dhe të OSSH, ky pushtet tashmë po con drejt falimentit shoqerinë shtetërore Albpetrol, për ta shitur me një cmim modest për klientët e partisë në pushtet.

Skenari i shitjes të cdo prone publike, me nxitim dhe në kushtet më të papërshtatshme të tregut është një tjetër makuteri e qeverisë aktuale.

Po vazhdohet te gënjehet në pafundësi për liberalizimin e vizave, por ne jemi vendi i fundit në Ballkan që do të fitojmë këtë beneficë, për shkak të moskryerjes së reformave dhe mosrealizimit të detyrave të vëna nga BE.

Të gjitha sa citova më sipër ndodhin se pushteti që vjedh vota, do të kërkojë të grabisë gjithcka, pasi qytetarët nuk i dhimbset më këtij pushteti.

Të nderuar deputetë,

Pra, ky pushtet i siguruar nga korrupsioni elektoral e ka futur vendin në një krizë të thellë politike, ekonomike, institucionale e sociale që po përkeqësohet cdo ditë e më shumë.

Prandaj e gjithë beteja për hetimin e plotë të zgjedhjeve është një betejë për të bërë transparencën sesi qeveriset vendi, pasi një pushtet që vjedh votën, vjedh gjithcka.

Të nderuar deputetë,

Për të mirën e vendit, pushteti i sotëm duhet  ti jap zgjidhje kërkesave tona për të hetuar plotësisht zgjedhjet, si një e drejtë kushtetuese, pasi vendimet e gjykatave  që ju pretendoni s'kanë të bëjnë fare me kërkesat tona.

Ju thoni po mbrojmë Kushtetutën, të cilën e keni shkelur mbi 20 herë pikërisht sepse nuk dini apo nuk i'u pëlqen ta lexoni si duhet. Duke mos hapur kutitë ju po shkelni përsëri Kushtetutën.

Nëse ju nuk na krijoni mundësinë të hetojmë plotësisht zgjedhjet, ju  do të merrni të gjitha përgjegjësitë dhe kostot që do të vijnë pas kësaj, dhe protestat tona nuk do të kenë të ndalur deri në largimin përfundimtar të kësaj qeverie dhunuese të votës së lirë.

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm