Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala në Kuvend e Deputetit të PS, Ilir Beqja

Fjalime

Fjala në Kuvend e Deputetit të PS, Ilir Beqja

01 Apr 2010    

Kolege dhe kolegë deputetë,


 


 


 


Të nderuar qytetare dhe qytetarë,


Prej disa ditësh opinioni është njoftuar se ka mbaruar vlerësimi dëmeve të përmbytjeve në nënShkodër.


Por çfarë përmban në të vërtetë ky vlerësim? Çfarë thonë vetë banorët e përmbytur?


Edhe sot, 3 muaj pas përmbytjeve, ka ende sipërfaqe nën ujë. Për këto sipërfaqe nuk është bërë asnjë vlerësim. Nuk është vlerësuar asnjë metër katror mbjellë me jonxhë, nuk është vlerësuar asnjë bimë dekorative e humbur nga fidanishtet e fermerëve.


Por kryetari i këshillit të qarkut u thotë banorëve se vlerësimi ka mbaruar dhe për çdo ankesë duhet t’i drejtohen gjykatës.


Banorët e Luarëzit, Çasit, fushës së Pentarit vazhdojnë të jenë qytetarë të dorës së dytë në Republikën e Shqipërisë.


Së pari, ishte qeveria që mbahet edhe me taksat e tyre që i përmbyti. Këtë nuk e them vetëm unë apo Partia Socialiste. Këtë e thonë të gjithë në Shkodër, e thonë të gjithë shqiptarët. Sot, e deklaroi botërisht edhe Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë.


Së dyti, sot qeveria nuk pranon as t’i vlerësojë dëmin që u shkaktoi. I vetmi faj i banorëve është se janë ende të përmbytur.


Por edhe vlerësimi i bërë është qesharak. Në të gjithë rrethin e Shkodrës dëmi i vlerësuar është rreth 4 milionë dollarë. Si për ironi të fatit, po kaq shpenzoi qeveria e Sali Berishës për antimitingun e 8 dhjetorit.


Dhe ka shpenzuar shumë më tepër gjatë vitit 2009 për reklamat e gënjeshtërta. As Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk ka qenë në gjendje të kontrollojë zbatimin  e rregullave të shpenzimeve për reklamat sepse nuk ka rregulla.


Reklamat e gënjeshtra ishin pjesë e skenarit të manipulimit të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Sot, nuk ka më asnjë shqiptar që ketë ndonjë fije dyshimi se Sali Berisha nuk i grabiti zgjedhjet e vitit të kaluar. Por më e keqja po ndodh tani pas zgjedhjeve.


Po provohet dita ditës, se Sali Berisha nuk i vodhi zgjedhjet vetëm se kërkon pushtet për lavdi. Po provohet, se Sali Berisha i vodhi zgjedhjet sepse kërkon të vazhdojë të vjedhë shqiptarët. Kjo është edhe arsyeja pse kryeministri fsheh edhe të vërtetën për krizën ekonomike që ka mbërthyer vendin.


Cila është ajo familje shqiptare që sot nuk i ndjen në fyt duart e krizës ekonomike? Asnjë, përveç familjes politike të Kryeministrit.


Cili është biznesi i vogël që nuk e ndjen krizën ekonomike? Asnjë, përveç ndonjë zyre konsulence.


Fletoret e listave të veresies në dyqanet e Shqipërisë janë bërë blloqe të trashë. Qeveria ka nxjerrë inspektorët e tatimeve të vënë gjoba sepse e ka arkën bosh. Por nuk mbahet shteti me gjoba. Në qytetin e Shkodrës janë me dhjetra biznese të vogla që po mbyllen sepse detyrohen të paguajnë gjoba për punonjës që nuk i kanë patur ndonjë herë. Dhe Shkodra, sipas statistikave zyrtare, është dy herë më e papunë se mesatarja e Shqipërisë. Prandaj, po zyrtarisht, Shkodra është dy herë më e varfër se mesatarja e Shqipërisë.


Papunësia po shtohet. Sindikatat provuan me fakte se vitin e kaluar kanë humbur vendin e punës 20 mijë vetë. Janë, pra, edhe 20 mijë kryefamiljarë të tjerë që nuk u japin asnjë shpresë familjeve të tyre. Nuk kanë me se të çojnë fëmijët në shkollë. Nuk kanë me se të paguajnë shërbimin shëndetësor, të cilin qeveria e kryeministrit tonë mjek e shtrenjtoi 5 herë.


Ka të papunë në sipërmarrjen e ndërtimit sepse janë 4 mijë apartamente pa u shitur. Njerëzit nuk kanë para me se të blejmë.


Ka të papunë në firmat që punojnë në punë publike, sepse me gjithë premtimet e përsëritura të qeveritarëve, qeveria ka ende miliona euro punë të papaguara që nga viti 2009.


Për sa më sipër, por edhe për shumë probleme të tjera themelore qeveria nuk ka përgjigje. Nuk ka kohë të merret me gjetjen e zgjidhjeve, sepse është e zënë me grabitjen e shqiptarëve.


Këtu qëndrojnë motivet e vërteta pse kryeministri dhe mazhoranca e tij nuk pranon hetimin e zgjedhjeve, nuk pranon hapjen e kutive.


Prandaj, ne kemi sot të gjitha arsyet të mos pranojmë të qeverisemi nga kjo mazhorancë. Prandaj po protestojmë dhe do të vazhdojmë të protestojmë.


Ju faleminderit! 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm