Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala në Kuvend e deputetit të PS Namik Dokle, mbajtur në emër të Grupit Parlamentar të PS

Fjalime

Fjala në Kuvend e deputetit të PS Namik Dokle, mbajtur në emër të Grupit Parlamentar të PS

28 Mar 2010    

Të respektuar kolegë,
 
Seanca e fundit parlamentare nxorri në dritë përpara opinionit publik shqiptar dhe atij ndërkombëtar, mungesën e plotë të vullnetit politik të Partisë Demokratike për zgjidhjen e krizës që po rëndohet çdo ditë e më shumë; mungesën e plotë të vullnetit për zbatimin e parimit kushtetues të transparencës.
Juve ju tremb transparenca e plotë sepse nëpërmjet hetimit do të dalë në dritë të diellit masakra e vërtetë elektorale kundër votës së lirë, që u projektua, u organizua dhe u realizua nga qeveria, kryeministri, deputetët dhe falangat e tyre.
Juve ju tremb transparenca e plotë, sepse nëpërmjet hetimit do të vërtetohet katërcipërisht shqetësimi permanent i ndërkombëtarëve për numërimin e keq dhe shumë të keq të votave në mbi 33 % të zonave zgjedhore.
Juve ju tremb transparenca e plotë, sepse ajo do të vërtetonte që në gjithë Shqipërinë ka ndodhur fenomeni i ruzhdizimit të procesit zgjedhor.  
Deputetët socialistë, me qetësi dhe argumente, sollën në vëmendje të opinionit kombëtar dhe ndërkombëtar qindra fakte nga i gjithë vendi për dhjetra e dhjetra Ruzhdie që shkatërruan plotësisht apo pjesërisht parimin e paprekshmërisë së votës së lirë të qytetarit; me dhunë dhe manipulime, me votime nga rrugaçët elektoralë për llogari të emigrantëve, me fallsifikim të votave të zgjedhësve që nuk ishin pajisur kurrë me pasaportë apo kartë identiteti, deri te firmosja fallco e dokumenteve zgjedhorë.
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste denoncoi me forcë, jo vetëm mungesën e vullnetit politik për transparencë, por edhe demagogjinë e pashembullt të Kryeministrit, presionet politike të Kryetares së Kuvendit, absurditetet juridike të deputetëve ndaj respektimit të Kushtetutës.
Bazamenti kushtetues i transparencës, i sanksionuar edhe në kodin zgjedhor, është hapja e kutive qoftë edhe kur e kërkojnë vetëm dy përfaqësues të opozitës në KQZ.
Ky ishte çelësi i artë i kontrollit dhe i garancisë për transparencë që Kuvendi i Shqipërisë vendosi kur votoi Kodin Zgjedhor.
Këtë çelës ju e hodhët në det, e mbase më keq akoma në gropën e zezë të korrupsionit elektoral, në gropën e zezë të vjedhjes së votave, e bashkë me to edhe të fondeve publike, në gropën e zezë të falsifikimit të firmave e bashkë me to të falsifikimit të titujve të pronësisë, për të ngritur nga hiçi milionerët dhe pronarët e rinj të familjes qeveritare.
Kushtetutë dhe transparencë kërkojnë ndërkombëtarët.
Kushtetutë dhe transparencë kërkon edhe opozita. Ofertat tona ligjore ishin dhe mbetën zgjidhja racionale dhe kushtetuese e krizës, për rëndimin e së cilës çdo ditë e më shumë ngrejnë shqetësime të drejta përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare, ambasadorët e OSBE-së, BE-së dhe SHBA-së. Kjo nuk është një krizë e zakonshme; kjo është një krizë e jashtëzakonshme që u rëndua edhe më shumë me qëndrimin refraktar të qeverisë  në seancën e fundit, duke hedhur poshtë ofertat tona ligjore për kompromis e dialog dhe zgjidhjen e krizës brenda parlamentit.
Ne refuzojmë kategorikisht komisionin e njëanshëm dhe të padobishëm, dhe për më tepër, të grabitur këtu në parlament nga votat e mandateve të vjedhura në të gjithë ruzhdiet e Shqipërisë.
Ne refuzojmë absurditetin që qeveria u servir shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, që i akuzuari për grabitje të shumëfishtë të bëj për veten e vet edhe hetuesin, edhe prokurorin, edhe avokatin, edhe gjykatësin.  
Ne refuzojmë çdo shpikje tjetër që synon ta fut transparencën në bodrumet e qeverisë, duke i hequr opozitës të drejtën kushtetuese për ngritjen e komisionit hetimor, objektin e të cilit, edhe sipas konkluzioneve të Komisionit të Venecias, e përcakton vullneti i opozitës. Kjo e drejtë e saj, nuk mund të zëvendësohet as me 100 dhe as me 1000 prokurorë!
Demokracia është vënë në rrezik serioz nga instalimi kudo i partisë shtet; nga korrupsioni i tipit mafioz dhe pushtetmbajtja me presion ndaj njerëzve të thjeshtë dhe ndaj çdo kundërshtimi demokratik.
Zgjedhjet e ardhshme janë venë në rrezik nga shkelja permanente e Kushtetutës dhe mungesa e transparencës.
Prandaj Partia Socialiste dhe grupi i saj parlamentar nuk do të ndërpresin kurrë luftën e tyre në mbrojtje të këtyre vlerave europiane, në mbrojtje të vullnetit dhe votës së lirë të shqiptarëve.
Duke përdorur të gjitha mjetet kushtetuese dhe demokratike, nuk do të lejojmë që Parlamenti të kthehet në një farsë apo më keq akoma në një Ruzhdie, ku shkelen dhe tjetërsohen nismat e opozitës.
Populli opozitar nuk mund të pranojë nënështrimin ndaj keq-qeverisjes dhe ne do të jemi bashkë me popullin në protest për të fituar të drejtën e shkelur të transparencës për të gjitha kutitë e mbyllura; nga kutia e zgjedhjeve tek kutia e ekonomisë, e drejtësisë, e lirisë së lëvizjes, e konkurencës së ndershme dhe e medias së pa nënështruar.
Në parlament, do të vazhdojmë të kërkojmë me durim dhe këmbëngulje, para së gjithash e mbi gjithçka të drejtën e transparencës së plotë e të pakufizuar.
Vetëm përmes transparencës Kuvendi mund të jetë i Shqipërisë dhe jo i qeverisë. Vetëm zgjidhja e kërkuar vijimësisht edhe nga komuniteti ndërkombëtar për transparencë, mund t'i hapë Shqipërisë rrugën e integrimit të plotë europian.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm