Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala në Kuvend e deputetit të PS, Pirro Lutaj

Fjalime

Fjala në Kuvend e deputetit të PS, Pirro Lutaj

19 Mar 2010    

Zonja kryetare!


E ndjej për detyrë që fjalën time të parë nga kjo foltore e lartë, ta nis duke shprehur mirënjohjen dhe respektin më të madh për qytetarët e Fierit, Lushnjës dhe Mallakastrës të cilët më 28 Qershor votuan në mënyrë plebishitare për PS, duke e lënë PD në minorancë të dukshme. Ishin këta  qytetarë të urtë dhe të kulturuar që i treguan një Ministri të kabinetit Berisha i cili edhe mbrëmë bëri cubin, duke i ndarë deputetët e PS në Tigra dhe në  lepuj, se sa lepur në fakt ishte ai vet.


Po kështu nuk mund të largohem nga kjo foltore pa i kujtuar sot Sali Berishës dhe mazhorancës së tij, se qytetarëve të qarkut të Fierit i kanë një detyrim të veçantë. I kanë detyrimin zyrtar por edhe njerëzor të flasin një herë dhe tu thonë atyre ; kur do ti zbulojnë motivet dhe autorët e vrasjes se ish deputetit të këtij qarku, Fatmir Xhindi.


Zonja e zotërinj deputetë!

Ne kemi ardhur në këtë seancë plenare për ti dhënë një shans të ri konsensusit politik në vend dhe rikthimit në normalitet.


Nëse më parë krizat politike na kanë detyruar të bëjmë marrëveshje për ndryshime ligjore apo amnisti për njerëz dhe me njerëz të padëshiruar, sot jemi këtu për të gërmuar thellë në plagën më të rëndë që ka marrë demokracia shqiptare në këto 20 vite, atë të korrupsionit elektoral.


Në këtë sallë jemi të gjithë përgjegjës dhe mëkatarë për atë që ka ndodhur për 20 vite rresht. Dhe padyshim në këtë toplistë nuk mundet askush t'ja zërë vendin e parë Kryeministrit aktual.


Jemi përgjegjës që nuk e ndëshkuam korrupsionin elektoral, majtas apo djathtas. Korrupsion që me vullnetin e disa njerëzve ka frymëzuar herë pas here një ushtri të tërë të administratës zgjedhore të prekin votat e qytetarëve në shkëmbim të fitimeve që burojnë nga ai pushtet i paligjshëm.

Duke qenë viktimat e fundit të këtij krimi elektoral, ne kërkojmë sot, të kapërcejmë mbi fatin tonë të padrejtë, dhe të njohim legjitimitetin e këtij parlamenti, duke kërkuar si kusht të panegociueshëm hetimin e krimit elektoral të 28 Qershorit, dhe shërimin përfundimtar të demokracisë shqiptare nga kjo plagë.


Ne duam të këqyrim dokumenta për të parë zbatimin e ligjit dhe të gjejmë shkaqet që çuan në moszbatimin e tij.


Kërkesa jonë, nuk ka të bëje vetëm me të ardhmen tonë politike, por dhe tuajën.


Ajo mbi të gjitha është garanci për qytetarët shqiptarë të cilët duhet të binden, se vota e tyre do të numërohet për atë që qytetarët e kanë hedhur dhe ashtu sic ata e kanë  hedhur.


Ne ju bëjmë apelin tonë të pakthyeshëm për të dalë nga kjo trashëgimi kriminale elektorale.


Vetëm ata njerëz që janë të përfshirë personalisht në këtë krim, mund të kenë kaq frikë sa c’po reflektoni JU nga hetimi i tij.


Ju flisni për shtet të së drejtës i cili në një vend demokratik është shumë, por në këtë paloshtetin tuaj asgjë.


Nëse ky shteti juaj do të ishte vërtet i së drejtës, dhe Gërdecin nuk do ta quante turp, nëse grabitjen e bërë në rrugën Durrës – Kukës nuk do ti qanit meritë, por detyrim, nëse Ruzhdien do ta martojmë me burrin që meritojmë, sot, të paktën  2 apo 3 nga ministrat që janë ulur në poltronët pas shpinës time do tu bënin shoqëri Gaxhait, Lul Berishës apo Delijorgjit në burgun e Peqinit.


 


Të nderuar zonja e zotërinj deputetë!


Në betejën tonë për t’i dhënë fund korrupsionit me votën në Shqipëri, ne kemi përdorur deri tani qëndresën qytetare të këmbënguljes dhe të kërkesës së pakthyeshme.


Nëse ju vijoni të shtoni kokëfortësinë dhe pa arsyen, metodat tona politike e demokratike do të bëhen dhe më dëshmuese, për këtë duhet të besoni.


Ne kemi vullnet të plotë ta çojmë deri në fund këtë betejë, ndërkohë që vonesa juaj po i merr kohë çdo shqiptari.


Ne kemi ndërgjegjen e madhe të mos humbjes së kohës së shqiptarëve, për këtë arsye këmbëngulim dhe po sakrifikojmë kaq gjatë.


Shqipëria, shtëpia jonë e përbashkët, nuk ka aq fuqi dhe luks, sa të vërtitet nga beteja në betejë, nga kriza në krizë, nga varfëria në mjerim, nga normaliteti në anarki dhe spontanitet, për llogari të politikanit të krizave me emrin Sali Berisha.


Ne të gjithë sa jemi në këtë sallë, duhet t’i japim shansin shtëpisë sonë të përbashkët të qeveriset me rregulla të ndershme loje, dhe tua bëjmë më të mirë jetën banorëve të saj.


Ne jemi te vendosur ta marrin Shqipërinë europiane nga duart e zullumqareve për ta bërë shtëpi të çdo qytetari normal, ku do të dominojë ligji dhe institucionalizimi.


Nëse ju si shumicë në pushtet, nuk pranoni kërkesën tonë për të hetuar zgjedhjet dhe për të pastruar të ardhmen e tyre nga kjo infrastrukturë mafioze qe e ka uzurpuar, atëherë beteja jonë nuk është më për votën, por është betejë kundër mbrojtësve të atyre që e grabisin atë.


Dhe mbrojtësit e atyre që grabitën votën e shqiptarëve me 28 Qershor, jeni Ju zoti Kryeministër, Jeni Ju,  zotërinj ministra dhe deputetë të shumicës.


Beteja jonë me ju, paskësaj, nuk ka më kuptim as nga foltorja e këtij Kuvendi dhe as nga sallat e gjykatave, por vetëm në rrugë bashkë me shqiptarët, me ata shqiptar që e duan këtë vend dhe nuk dëshirojnë që ai të vdesë pak nga pak, nën peshën e një pushteti, që Shqipërinë e quan “Kalë” për ta shaluar, edhe kur ajo është duke dhënë shpirt.


Ne u drejtohemi ju grabitësve të votës së lirë,  për herë të fundit nga kjo foltore, se nuk duhet të mendoni që populli shqiptar nuk ua ka llogaritur zullumin tuaj ekonomik të cdo dite, se nuk ka reshtur se shënuari krimet ekonomike që keni bërë mbi buxhetin, mbi pronat dhe mbi truallin kombëtar në ditët e pushtet zhvatjes suaj.


Aritmetika e varfërimit ekonomik të çdo shqiptari në ditët e pushtetzhvatjes suaj, nuk mbulohet dot nga aritmetika e rreme e shifrave në mbledhjet e qeverisë së Saliut me shumë  halle.  


Sot është dita e fundit kur ne mund t’ju bëjmë apel ju zotërinjve të vetëquajtur shumicë, të mos e çoni më tej, këtë betejë, këtu brenda në këtë sallë të paktën.


Jashtë kësaj salle ne kemi lirinë tonë të madhe për ta vazhduar fuqishëm dhe masivisht kauzën tonë për transparencë të plotë të procesit zgjedhor të 28 Qershorit. 


Prej nesër, do të jemi përballë me ju, jo në këtë sallë, por në rrugët  e Shqipërisë, atje ku krizat e tjera, në të cilat e keni futur vendin, presin zgjidhje së bashku me krizën politike që ka prodhuar vjedhja e votës nga ana Juaj, e konfirmuar tashmë.


Ne, së bashku me të gjithë shqiptarët do ta keni shumë të vështirë të na rezistoni, jo vetëm për hapjen e kutive, por edhe për fillimin e një gjykimi përfundimtar për ti dhënë fund pushtetit tuaj abuzant dhe shpërdorues.


Koha që i mbani peng së drejtës sonë, është pengmbajtje për Shqipërinë dhe shqiptarët.


Thirrini ndërgjegjes suaj tani në këto momente historike, se paskësaj, nuk mund të thirrni dot për ndihmë askënd.


Madje nuk do të mundet  t’ju ofrojë ndihmë ndonjë fisnik dhe i njohur prej të gjithë shqiptarëve si njeri i paqes dhe pajtimit si Bashkim Fino, me të cilin minimalisht, mbrëmë Ju zoti Kryeministër u treguat i pasjellshëm.


Frika që sjellë e drejta e dhunuar e qytetarëve në Shqipëri është e madhe. Këtë së paku Ju zoti Berisha e njihni mirë.


 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm