Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala në Parlament, Vasilika Hysi

Fjalime

Fjala në Parlament, Vasilika Hysi

01 Apr 2010    

E nderuar znj. kryetare


Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,


Si sot 8 muaj më parë, demokracia në Shqipëri mori një goditje të fortë nga vjedhja e votave dhe ende nuk është bërë transparenca e asaj që ka ndodhur.


Pushteti i dalë nga zgjedhje të vjedhura, po vazhdon të rrënojë ekonominë. Sot, ju nuk po hapni kutitë, por sikurse kutitë, po mbyllni ose shkurtoni vende pune çdo ditë, në çdo bashki dhe komunë të vendit.  


Sot shqiptarët, të majtë ose të djathtë u duhet të përballen me një pushtet të vjedhur që nuk dëgjon zërin e tyre për të mësuar se çfarë është bërë me votën e tyre, por që po ja bëni edhe jetën e përdishme jo vetëm ekonomike, por edhe atë sociale gjithnjë e më të vështirë.


Ju mbani të mbyllura jo vetëm kutitë e votimit, por edhe sytë tuaja, para situatës në të cilën janë mijëra familje në Shqipëri për shkak të keq qeverisjes suaj. Nuk doni t’ia dini sa familje nuk janë në gjendje të plotësojnë nevojat minimale për jetesë, në çfarë gjendje ndodhen sot familjet që kanë persona me aftësi të kufizuar, si i përballojnë shpenzimet e kujdesit shëndetësor dhe barnat qindra e mijëra familje; si përballojnë jetën pensionistët dhe të gjithë personat që janë flakur në rrugë për shkak të krizës ekonomike të keqmenaxhuar nga ju, por edhe për shkak të diskriminimit për bindje politike, klientelizëm dhe nepotizëm.


Shqiptarët po vidhen me faturat e energjisë elektrike dhe të ujit, çmimet u rritën jo sikurse u tha me 10 ose 11 %, por për shumë produkte edhe 2-3 herë, shërbimet shëndetësore u rritën, por bashkë me to edhe burokracia. Nuk kemi dëgjuar deri më sot se çfarë është bërë për t’ju gjendur pranë familjeve shqiptare për të lehtësuar pasojat e krizës dhe për tu siguruar një standart jetese normale dhe jo në kufijtë e ekzistencës dhe të varfërisë ekstreme.


Shqiptarët ngrënë zërin e tyre, por ndihen të lodhur, të zhgënjyer dhe të pashpresë. Në një vend ku të vidhet vota, mund të të vidhet gjithçka.


Përballë një qeverisje të tillë, të shkëputur nga problemet reale dhe më jetike të shqiptarëve, shumë familje shqiptarë i drejtohet dyerve të administratës për të kërkuar sqarime dhe për të parashtruar ankesa dhe përgjigja që marrin është: ju gjithmonë jeni vjedhur pse e ngrini zërin tani, apo që të mos marrim viza! Pra shqiptarët i ka vjedhur shteti, tani këtë të drejtë ja njohin jo vetëm shtetit, por edhe kompanive private, madje edhe të huaja që vjedhin mes faturimeve sa të munden.


Shumë qytetarë i janë drejtuar gjykatave, por edhe kur kanë fituar të drejtën, vendimet gjyqësore nuk ekzekutohen dhe premtimet e dhëna se do të ekzekutojmë 100 % të vendimeve të gjykatave janë hedhur në kosh. A mund t’i thoni njerëzve të flakur në rrugë, por edhe të nëpëkëmbur nga qeveria, pse nuk i respektoni vendimet e gjykatave? Kjo është pjesë e transparencës dhe e demokracisë, detyrim kushtetutës, respekt ndaj Kushtetutës dhe pavarësisë së gjykatave që e kemi dëgjuar si përbetim shumë shpesh nga ju këto dy muajt e fundit.


Kjo qeveri e dalë nga zgjedhjet si në Ruzhdie mund të ndërtojë një ekonomi të modelit Ruzhdie. Modeleve të tilla, në çdo sferë të jetës së shqiptarëve duhet t’i japim fund. Ndaj transparenca e votës dhe e qeverisjes është kërkesë jetike që demokracia shqiptare të mos asfiksohet siç po ndodh këto vitet e fundit dhe kjo është përgjegjësia e të gjithëve, por në rradhë të parë e qeverisë.


Shqiptarët meritojnë të hynë në familjen europiane me dinjitet, të qeverisen nga një qeveri që është shprehje e vullnetit të lirë të tyre, që mendon për ta dhe është transparente në sytë e tyre.


Sikurse nuk ka transparencë për zgjedhje, nuk ka transparencë për politikat e punësimit dhe mbështetjen e bisnesve në këtë periudhë krize, ndërkohë po mbani të mbyllura nuk e dimë se ku, të dhënat reale për ekonominë e varfëruar shqiptare dhe kostot  e rritura që familjet shqiptare po paguajnë. 


Qeveria duhet të hartojë dhe të bëjë trasparente koston e krizës për çdo grupi social, për bisneset, strategjitë e daljes nga kriza dhe masat që do të merren për të mbështetur shtresat në nevojë, bisneset e dëmtura dhe çdo familje tjetër shqiptare që vuajnë nga mungesa e strategjive antikrizë.


Ne do të jemi në mbështetje të shqiptarëve që duan të jetojnë me dinjitet, me respekt dhe të jenë barabartë para ligjit, dhe jo të fyer dhe të injoruar nga ata që i qeverisin. 


Faleminderit! 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm