Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Homazhe për 21 janarin 2011, Rama: Për një drejtësi që bën drejtësi.

Fjalime

Homazhe për 21 janarin 2011, Rama: Për një drejtësi që bën drejtësi.

21 Jan 2014    
Këto shkallë, shkallët e Kryeministrisë, nuk janë më shkallët që ndanin popullin poshtë, matanë gardhit të hekurave, me qeverinë lart, pas hekurave të gardhit.

Kjo godinë nuk është më fasada e frëngjive, ku dilnin tytat e armëve për të qëlluar mbi njerëzit, në emër të pushtetit të vjedhur, po vendi ku qeveria e zgjedhur nga njerëzit punon me njerëzit dhe për njerëzit.

Ky bulevard nuk është më rruga e ndarjes me kufirin e frikës mes pushtetit që të merr gojën, bukën dhe shpirtin, të qytetarëve që ecin, mendojnë, flasin, tubohen, protestojnë.

Kanë ndryshuar shumë gjëra nga 21 janari tragjik i 2011-s, që tjetër nuk ishte, përveçse vënia në skenë,  e rrënimit të një rruge, ku liria për të zgjedhur me votë, ia lë vendin zgjedhës mbi votën e lirë, barazia e të drejtave mes gjithë njerëzve ia lë vendin pabarazisë së mjeteve, mes turmës së njerëzve të zakonshëm dhe dhunuesve të gjithëpushtetshëm të çdo të drejte.

Vëllazërimi në një gjak, një komb, një Kushtetutë, ia la vendin vëllavrasjes gjakftohtë, të ardhur si urdhër nga lart, për një pushkatim pa gjyq, pa ligj, pa mëshirë, në sytë e një populli të tërë, të marrë peng.

Ky popull s’është më peng i votës së vjedhur, s’është më peng i një qeverie të pazgjedhur, s’është më peng i kujt në emër të tij thotë një gjë dhe në hesap të vet bën një tjetër. Ky vend s’është më peng i pushtetit që e shqyen ku të mundet, që e grabit sa të mundet, që e tradhton si të mundet.

Ky popull dhe ky vend s’janë ende sot, sigurisht, çfarë mund të jenë, çfarë duhet të jenë, çfarë meritojnë të bëhen. Shqipëria sot vuan ende thellë varfërinë, papunësinë, borxhet dhe korrupsionin e një të shkuare, ku për shumë kohë u la vetëm, në fatin e vet, u braktis në mundimet e veta, u tradhtua në ëndrrat dhe në shpresat e veta.

Por sot, padyshim, Shqipëria as rrezikon më të kthehet aty ku ishte në 21 janarin e tre vjetëve më parë, as rrezikon të mbetet në vend, në rrugën e rigjetur të përpjekjes sonë të përbashkët kundër varfërisë, papunësisë, borxheve dhe korrupsionit të kudondodhur.

Sot, pushteti është kthyer në duart e popullit dhe qeveria e Shqipërisë nuk është më përballë me popullin, por në krye të përpjekjeve të popullit për atdheun e dëshiruar, Shqipërinë Evropiane.

Shumë gjëra kanë ndryshuar nga 21 janari i paharrueshëm 2011, kur shqiptarët e mbushur me dëshpërim dolën në bulevard, për të refuzuar një fat që nuk e kishin zgjedhur, një lëngatë që nuk e kishin merituar, një rrënim që nuk e kishin dëshiruar.

Atë ditë, katër shqiptarë, katër burra, katër baballarë të varfër i mbeten këtij bulevardi të kujtesës historike të Shtetit Shqiptar, si shenja të pashlyeshme në trup. Shenja për të gjithë ata që e jetuan atë ditë, nga të dyja anët e perdes së hekurt, që në 21 janar të 2011 mbante të ndarë pushtetin nga populli, shtetin nga qytetarët, pushkatarët e verbër të një qeverie të kthyer në regjim nga protestuesit e paarmatosur të një vendi të marrë zvarrë. Shenja për të gjithë të tjerët, shqiptarët e gjeneratave të tjera, që do të kalojnë mbi këtë rrugë dhe do t’i prekin me sy ato shenja, si plagët e një të shkuare për të mos u përsëritur dhe as harruar më kurrë.

Por, padyshim, edhe shenja, në radhën më të parë, për mua dhe për ne, të zgjedhur nga një milion njerëz të zakonshëm, sepse harresa, në radhën më të parë, nuk duhet dhe nuk mund të jetë në asnjë rast dhe për asnjë arsye, alternativa jonë përballë drejtësisë.

 

Unë vetë nuk e kam harruar për asnjë çast, qysh nga dita kur kam ngjitur këto shkallë, me mandatin e një milion shqiptarëve, se ne nuk u votuam për të zëvendësuar një qeveri me një tjetër, por për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë, duke ndryshuar rrënjësisht, për së pari, sjelljen e qeverisë së Shqipërisë me vendin, me njerëzit e këtij vendi, me interesat kombëtare, publike e private në këtë vend.

Po ashtu, ne s’mund ta harrojmë dhe s’do ta harrojmë asnjë ditë, se ky i yni është një mandat për t’i dhënë kuptimin e humbur fjalës drejtësi, në çdo hap që hedhim dhe në vendim që marrim.

Por edhe, padyshim, për të luftuar me çdo mjet, kushtetues edhe ligjor, që drejtësia të bëjë drejtësi, që e drejta të mos jetë një mall që blihet dhe shitet në dyert e Prokurorisë dhe të gjykatave, që përballë drejtësisë, njerëzit të jenë të barabartë, pavarësisht pushtetit që kanë apo s’kanë, parave që kanë apo s’kanë, lidhjeve të çfarëdoshme që kanë apo s’kanë.

Shumë gjëra kanë ndryshuar nga 21 janari i padrejtësisë së përgjakshme, por një nga shumë gjërat që nuk ka ndryshuar, më e rënda dhe më fyesja për Shqipërinë në mes të Evropës, për Shqipërinë në rrugën e Bashkimit Evropian, për Shqipërinë e dalë para thuajse çerek shekulli nga ferri i padrejtësisë së komunizmit, është ferri i sistemit të sotëm të drejtësisë. Është ferri ku përvëlohen të varfrit, të dobëtit, të pambrojturit. Është ferri ku përpëliten nënat që kërkojnë hakun e djemve të vrarë, gratë që kërkojnë drejtësi për vrasësit e burrave të tyre, fëmijët që shohin të lirohen kriminelët, që ju çuan baballarët nën dhe.

Është ferri ku digjen të drejtat e atyre që kërkojnë shpagim, për jetë familjarësh të marra me dhunë, apo prona të grabitura me përdhunë dhe shumëçka tjetër që ligji ua njeh, por gjykatësi nuk ua jep.

Është ferri ku treten shpresat e shqiptarëve për barazi para ligjit dhe ku përqeshet një Shqipëri e tërë, para çdo sprove mes të drejtës dhe padrejtësisë, mes organeve të drejtësisë dhe të kapurve me presh në duar, mes ligjeve të shkruara dhe ligjësive të imponuara nga një sistem drejtësie që jo vetëm Shqipëria, por gjithë bota e sheh si kërcënim antidemokratik për Shqipërinë.

Koha nuk pret, por më shumë akoma, Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë më durim, me plot të drejtë, përballë shfaqjes së përditshme të këtij ferri përqeshës.

Reforma e thellë e drejtësisë është imperativi i kësaj kohe dhe vendosja e drejtësisë mbi binarët e Kushtetutës dhe të ligjit është ultimatumi i popullit sovran, në 23 qershorin e vitit që sapo lamë pas, për “Aleancën për Shqipërinë Evropiane”.

Shqiptarët e kërkojnë këtë me ngulm. Bota e kërkon me ngulm këtë, nga Shqipëria. Parlamenti i Shqipërisë ka detyrën ta bëjë dhe “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” ka detyrimin të ngulmojë fort për këtë dhe të mos e zhgënjejë popullin që e votoi edhe për këtë, në mos, në radhë të parë, për këtë!

Shumë gjëra kanë ndryshuar nga 21 janari i 3 viteve më parë. Shumë të tjera do të ndryshojnë me siguri, deri në 21 janarin e vitit tjetër. Por, sado gjëra të kenë ndryshuar sot një vit, asgjë nuk do të ketë ndryshuar për vetë 21 janarin. Dhe unë e di, se sado më e lehtë të bëhet jeta ekonomike e Shqipërisë, asgjë nuk do ta bëjë dot më të lehtë 21 janarit e vitit tjetër apo e viteve në vijim, pa drejtësinë që bën drejtësi. Jo vetëm për Aleksin, Ziverin, Hekuranin dhe Faikun, por për çdo shqiptar dhe familje të zakonshme, që sot sheh e pafuqishme shfaqjen e ferrit, e ferrit të drejtësisë, e ferrit të sistemit të drejtësisë, ku rrezikon të digjet jo veç e drejta e kujt, drejtësi me të drejtë kërkon, por vetë ëndrra e Rilindur e Shqipërisë Evropiane.

 

*Fjala e Kryeministrit Edi Rama, në homazhet për viktimat e 21 Janarit
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm