Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Korça, ditën e diel do të zgjedhë të ardhmen dhe jo të shkuarën

Fjalime

Korça, ditën e diel do të zgjedhë të ardhmen dhe jo të shkuarën

01 Nov 2013    
“Votimi, detyrim ndaj vendit për të forcuar dhe për ta bërë të paprekshme votën e lirë, si vlerë dhe si instrument të çdo qytetari, nesër dhe në të ardhmen”. Me këto fjalë, Kryeministri dhe njëherësh Kryetari i PS Edi Rama ftoi qytetarët e Korçës të marrin pjesë në votimet e së dielës për zgjedhjen e kryetarit të ri të bashkisë së qytetit.

Kryeministri theksoi se është momenti që të gjithë qytetarët, pa dallime partiake të votojnë projektin më të mirë për të ardhmen e qytetit të tyre.

Fjala e Kryeministrit dhe njëherësh Kryetarit të PS Edi Rama, mbajtur në qytetin e Korçës:

“Shumë faleminderit të gjithëve!

Të them të drejtën, jo vetëm unë, por të gjithë së bashku, përveç Nikos u befasuam nga kjo pritje e jashtëzakonshme dhe jemi shumë krenarë sepse së pari, megjithëse sot vijmë këtu, si anëtarë të qeverisë, asnjërin nuk e kemi sjellë me zor në këtë miting dhe mitingu është po aq i madh sa mitingjet e para 23 qershorit.

Kjo në fakt mbase shpjegon edhe pse opozita nuk bëri dot një miting, sepse tani nuk i përgjigjet më njeri apeleve me listë tek vendi i punës.

Së dyti, unë jam shumë krenar që sot vij këtu, bashkë me një pjesë të konsiderueshme të skuadrës së qeverisë së re dhe ju siguroj që unë jam i bindur, por të gjithë bashku jemi të bindur që rruga e suksesit tonë është e sigurt, për arsye se ne jemi një skuadër, se ne punojmë si një skuadër dhe se ne e mbështesim njëri – tjetrin, si anëtarë të të njëjtës skuadër.

Sigurisht që jam krenar po ashtu edhe për gjithë ata, të cilët dolën këtu, folën si shprehje e një bashkimi, që jo vetëm u dha shqiptarëve mundësinë që të votojnë të lirë dhe të çlirohen nga makthi i të shkuarës, por në të njëjtën kohë po provon dita – ditës se është bashkimi që i duhet shqiptarëve edhe përtej radhëve të koalicionit tonë, për një Shqipëri më të mirë; për një Shqipëri ku punësimi të jetë real; për një Shqipëri ku lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të jetë reale dhe meqë ra fjala nuk ja dhanë fjalën, por e kemi me vete dhe Saimir Tahirin këtu. Për një Shqipëri të pastër, dhe meqë ra fjala, nuk ja dhamë fjalën, por e kemi me vete dhe Lefter Kokën këtu. Për një Shqipëri ku nuk mund të ketë drejtësi në rast se, në radhë të parë qeveria nuk niset në çdo hap të vetin nga sensi i të drejtës dhe meqë ra fjala nuk ja dhamë fjalën, por e kemi këtu dhe Ministrin e Drejtësisë Nasip Naço. Për një Shqipëri, ku të rejat dhe të rinjtë, të mos e kenë të varur fatin e tyre, në rrugën e një karriere, nga mbiemri, nga lidhjet me të fortët e lagjes apo të fortët e politikës dhe meqë ra fjala, nuk ia dhamë fjalën, por e kemi dhe Erion Veliajn këtu. Sigurisht për një Shqipëri ku socialistët dhe progresistët, ndryshe nga kundërshtarët tanë, e kanë treguar në të shkuarën, po e tregojnë sot, dhe do ta tregojnë dita – ditës, se nuk qeverisin as më vete dhe as për vete, por qeverisin për të gjithë shqiptarët pa dallim dhe meqë ra fjala, ia dhamë fjalën vetëm Petrit Vasilit si kryetar i grupit të LSI, nuk ia dhamë fjalën Gramoz Ruçit si kryetar i grupit të PS, por e kemi këtu me vete.

Duke vazhduar, më lejoni që tu them se jam shumë krenar që sot, pjesë e skuadrës sonë qeveritare është edhe Niko Peleshi, që u bë zëvendës kryeministër, pikërisht sepse tregoi se është një njeri që di të bëjë sukses, se është një njeri me vizion, dhe se është një menaxher shumë i zoti për ta vënë në jetë vizionin e tij dhe për këtë arsye e morëm nga Korça në Tiranë, por ndryshe nga çfarë gabimisht mundohen të thonë kundërshtarët se, ky iku nga Korça, na mori të gjithëve nga Tirana dhe na solli në Korçë sot, këtu.

Kemi ardhur në Korçë, jo për të bërë një sforco të fundit, siç ndodh zakonisht në një fushatë elektorale sepse siç e tha edhe Petriti para meje: Fitorja nuk është në diskutim këtu. Por kemi ardhur në Korçë për tu thënë të gjithë qytetarëve të Korçës se nëse fitorja nuk është në diskutim, është shumë e rëndësishme që ditën e diel të gjithë të votojnë sepse vota është një detyrim edhe ndaj atyre që nuk kanë mundësi ta bëjnë këtë, por është një detyrim edhe ndaj të gjithë vendit për të vazhduar ta forcojmë dhe ta bëjmë të paprekshme votën e lirë si vlerë dhe si instrument të çdo qytetari, nesër dhe në të ardhmen.

E pra ditën e diel besoj se çdokush e ka mundësinë që të gjejë 5 minuta dhe të shkojë e me votën e tij të tregojë edhe njëherë tjetër se është një qytetar që ka respekt për veten dhe se merr pjesë në vendimet e rëndësishme për qytetin.

Ditën e diel është një vendim i rëndësishëm për faktin se, Korça ditën e diel do të zgjedhë të ardhmen dhe jo të shkuarën. Do të zgjedhë të vazhdojë një projekt të nisur dhe të suksesshëm dhe jo të kthehet pas në përrallën e përpara 23 qershorit. Do të zgjedhë midis dy Sotiraqëve, por Sotiraqi tjetër vetëm emrin ka të duhurin, se partinë e ka të gabuar, mbiemrin e ka të gabuar dhe sigurisht dhe çka vjen pas i ka të gabuara. Kështu që, pa asnjë problem me Sotiraqin tjetër, unë nuk e njoh mbase është një qytetar i mirë, si të gjithë qytetarët e Korçës, por nuk mundet dot t’i besojmë Korçën, nuk mundet dot t’i besojmë votën, nuk mundet dot t’i besojmë drejtimin e një projekti të nisur, që sigurisht udhëhiqej nga Niko Peleshi, por pas të cilit gjendej një skuadër dhe një ndër më të rëndësishmit në atë skuadër, Niko tha -  “ishte më i afti më i talentuari”, por aty unë kam njohur edhe të tjerë, që janë shumë të aftë dhe të talentuar. Ishte Sotiraq Filo dhe Sotiraqi meriton votën, jo vetëm sepse është kandidati ynë, por edhe sepse ka rolin e tij në projektin për Korçën dhe sepse e njeh mirë projektin, megjithëse është një kandidat me fat, se e gjen rrugën e shtruar, gjë që Niko nuk e kishte. Edhe rrugën e kishte me gropa edhe qeverinë e kishte nga mbrapa që e gjëmonte për ta penguar, ndërkohë që Sotiraqi edhe me rrugën e shtruar edhe me qeverinë pas për ta mbështetur dhe ne duam që të vazhdojmë të punojmë intensivisht bashkë për ta çuar më tej projektin e nisur.

Kjo pedonale është një nga zonat më të bukura të Shqipërisë, është një harmonizim i shkëlqyer i saj që u trashëgua nga “Parisi i Vogël”, që e përmendi edhe Petriti dhe i asaj që dëshirojmë të jetë Korça në të ardhmen. Por ju e dini shumë mirë që pedonalia vazhdon deri në një pikë të caktuar dhe pastaj aty ndërpritet dhe aty është pikërisht pjesa ku duhet të vazhdojë projekti, sepse ne duhet të rindërtojmë Pazarin e Vjetër; ne duhet të restaurojmë dhe t’i japim jetë edhe zonave të tjera të qytetit, ku të ketë më shumë sipërmarrje të vogël, ku të ketë më shumë hapësirë për të rinjtë, ku të ketë më shumë hapësirë për të moshuarit dhe të gjitha këto janë gati, janë në bashki, janë në plane, janë në projekte kanë nevojë për një drejtues këtu, që ne e kemi. Kanë nevojë për një qeveri, që ju e keni në Tiranë.

Së fundi do të doja t’i thoja sot edhe demokratëve të Korçës, që nuk ju kërkojmë të bëheni socialistë edhe pse ne kemi një të mirë, kemi dy zgjedhje, kemi PS-në, kemi dhe LSI-në, kështu që njeriu ka mundësi për të zgjedhur, por nuk jua kërkojmë këtë gjë edhe pse mirëpresim padyshim kontributin e atyre demokratëve që u bashkuan me kandidaturën e Sotiraqit dhe mirëpresim kontributin edhe të atyre demokratëve të tjerë, që këtë herë ditën e dielën, nuk kanë një zgjedhje mes partive, por kanë një zgjedhje mes dy kandidatëve, mes dy projekteve dhe mes dy rrugëve. Dhe jam i bindur që demokratët që jetojnë tek Pazari i Vjetër, duan ta shohim një orë e më parë Pazarin e Vjetër të rindërtuar dhe projektin e ka Sotiraqi ynë dhe jo Sotiraqi tjetër.

Jam i bindur që demokratët që jetojnë në zonat e vjetra të qytetit dhe që kalojnë këtu në këtë pedonale, ëndërrojnë që edhe zona e tyre ti ngjajë një pjesë të kësaj pedonale dhe kjo nuk është një ëndërr e pa realizueshme është një ëndërr e mundur, sepse ne projektin e kemi dhe projektin e ka Sotiraqi ynë, nuk e ka Sotiraqi tjetër. Dhe jam i bindur që demokratët e këtij qyteti kanë kohë sa të duash, deri ditën kur do të duhet të votojnë për partinë e tyre, por besoj që duke votuar për Sotiraqin tonë do t’i çojnë një mesazh shumë të qartë edhe partisë së tyre, që përrallat nuk i ha më njeri.

Ne nuk kemi ardhur në qeveri, për tu plakur në qeveri. S’kemi ndërmend as të bëhemi gjyshër duke qeverisur, por kemi ardhur për të kryer një mision të bazuar në një program të përbashkët dhe në disa zotime që i kemi marrë dhe sigurisht demokracia të mirën më të madhe e ka që qeveritë ndërrojnë, po deri atë ditë, demokratët e qytetit të Korçës, ata të Partisë Demokratike, qytetarët e thjeshtë kanë një mundësi, që të mendohen edhe të shtojnë forcat. Ndërsa të dielën, nuk ka kohë për të menduar për atë ditë, ajo ditë është larg, të mendojnë për Korçën, sepse kjo siç thotë slogani i Sotiraqit tonë “Është koha për Korçën” dhe secili duhet të mendojë për Korçën dhe nuk ka mundësi të mendosh të dielën një zgjedhje edhe një zgjidhje më të mirë për Korçën sesa të votosh Sotiraq Filon.

E fundit, do t’ju thosha gjithë të rinjve, vajzave dhe djemve, grave dhe burrave, grave në radhë të parë dhe burrave më pas se ju e dini, që unë e kam këtë bindje, që deri të dielën të bëjnë pjesën e mbetur të punës. Të bëjnë pjesën e mbetur të punës të shkojmë derë më derë dhe të kërkojnë që të gjithë njerëzit të marrin pjesë në votim. Nuk është fjala për të fituar, se fitorja nuk diskutohet, është fjala për të afirmuar se Korça është një qytet i qytetarëve dhe se çdo qytetar është i vetëdijshëm se dallimi i madh mes një qytetari që mendon jo vetëm për vete, por edhe për qytetin dhe një tjetri, që gabimisht kujton se duke menduar vetëm për vete rregullon punët e veta, është vota.

Pra secili të shkojë të votojë dhe të votojë Sotiraq Filon, të votojë Sotiraqin tonë. Për Sotiraqin tjetër me vjen keq, por mbase do të ketë një kohë tjetër.

Kjo është koha për Korçën dhe koha për Korçën nuk përputhet me kohën e Sotiraqit të Partisë Demokratike.

Faleminderit shumë!”
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm