Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Lufta me krimin e organizuar dhe posaçërisht me krimin ekonomik do të jetë e pamëshirë

Fjalime

Lufta me krimin e organizuar dhe posaçërisht me krimin ekonomik do të jetë e pamëshirë

31 Oct 2013    
“U detyrova të marr fjalën nisur jo vetëm, nga çfarë u dëgjua nga mikrofonat këtu të kësaj foltoreje, por edhe nga çfarë dëgjuam nga radhët e një opozite që ka të drejtën e vet të marrë kohë për t’u shëruar prej sëmundjes së gjithëpushtetshmërisë, por është për të ardhur keq që hidhet përpjetë, kur flitet për një aksion të policisë ndaj një aktiviteti haptazi kriminal.

Lojërat e paligjshme të fatit përcaktohen në ligjet e Republikës së Shqipërisë si krim ekonomik dhe ky krim ekonomik në formën e një veprimtarie kriminale të mirëorganizuar, ka lulëzuar në çdo cep të Shqipërisë, në çdo lagje të kryeqytetit, në çdo lagje të qyteteve të mëdha e të vogla, duke shkatërruar përditë jetë familjesh, duke shkatërruar përditë djem të rinj dhe burra të papunë, duke shkatërruar përditë psikologjikisht dhe financiarisht më të varfrit dhe më të pambrojturit në këtë vend.

Pyetja që lind është shumë e thjeshtë: Si ka mundësi që në të gjithë këtë bahçe bixhozi, megjithë këto lule të mbjella mbi ruleta, mbushur fasadat e dyqaneve, që hap pas hapi u kthyen në salla bixhozi, nuk ka një raport të vetëm të shkruar nga cilidoqoftë në zinxhirin e krimit ekonomik, në Policinë e Shtetit? Si mund të ndodhë kjo?

Kjo mund të ndodhë vetëm në qoftë se ky aktivitet kriminal ka mbulimin politik të Kryeministrit dhe të ministrit të Brendshëm. Askush tjetër nuk mund ta garantojë dot një aktivitet të tillë kriminal. Është thjesht e pamundur. Logjika më elementare të shtyn të ngresh këtë pyetje dhe të japësh këtë përgjigje. Një aktivitet kriminal që nuk ka nevojë as për zbulim, as për kundërzbulim, as për mjete të sofistikuara të luftës kundër krimit, as për çfarëdo qoftë tjetër, përveçse për dy palë sy, për sytë e ministrit të Brendshëm dhe për sytë e Kryeministrit. Është e pamundur ndryshe. Sikur i gjithë zinxhiri i krimit ekonomik në Policinë e Shtetit të jetë i korruptuar, e ka të pamundur ta mbulojë këtë aktivitet kriminal që zhvillohet përditë në sytë e të gjithë qytetarëve, që zhvillohet përditë në çdo rrugë, në çdo lagje, në çdo cep, është e pamundur. Ky është një aktivitet kriminal që ka domosdoshmërinë e mbështetjes së ministrit të Brendshëm dhe të Kryeministrit personalisht, sepse as ministri i Brendshëm i vetëm, nuk e mbulon dot.

E pra, arsyeja pse 6 mijë policë në të gjithë territorin e Shqipërisë, zhvilluan një operacion që është më masivi në historinë e këtij vendi, është sepse ky është aktiviteti kriminal më masiv në historinë e këtij vendi. Arsyeja pse u kapën aq shumë salla ilegale dhe aq shumë kompjuterë ilegalë në Shqipëri, lidhet me faktin se këto salla, se këto kompjuterë ilegalë, nuk ishin të lidhur me sistemin legal të financave, të tatimeve të këtij shteti, por ishin të lidhur me sistemin ilegal të ministrit të Brendshëm dhe të Kryeministrit. Nuk ka asnjë mundësi tjetër në botë që kjo të ndodhë.

Së dyti, unë jam shumë mirëkuptues për dhimbjet që sjellin këto klithma. Janë dhimbje që sapo kanë filluar. Lufta jonë me krimin e organizuar dhe posaçërisht me krimin ekonomik që ka lulëzuar jo vetëm në këtë fushë ,por dhe në fusha të tjera, do të jetë e pashpirt. Ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj lufte me çdo çmim. Sigurisht, kush është i ngatërruar me ato “zorrë”, do të ketë edhe “dhimbjet e barkut” dhe fatkeqësisht, qendra e atij barku është këtu në Parlament. Por ne nuk mund t’ua lehtësojmë dot këto dhimbje dhe shpresojmë që mbas dhimbjeve, do t’ju vijë lehtësimi juve.

Së treti, u përmend këtu me paturpësi që po i bëhet gjyq një kompanie dhe foltorja e Parlamentit nuk qenkërka vendi ku bëhen gjyqet për kompanitë. Absolutisht e vërtetë, foltorja e Parlamentit dhe besoj mikrofoni i çdo njeriu që merret me politikë, nuk është për të sulmuar as kompanitë e as sipërmarrësit. Kjo është absolutisht e vërtetë. Por këto mure, vetëm, e dinë se ç’kanë dëgjuar nga kjo foltore, nga ajo foltore, nga këto foltore, pikërisht në adresë individësh, sipërmarrësish, kompanish, jo njëherë, jo dy herë, jo tre herë, por 20 vjet me radhë nga e njëjta gojë e shthurur dhe nga i njëjti kor gojështhururish që pas gojës së shthurur e kanë shthurur dhe e kanë bërë copë – copë këtë shtet.

Ndërkohë që ne, absolutisht, në respektin më të madh për çdo sipërmarrës dhe për çdo sipërmarrje, jemi në të njëjtën kohë të vendosur të garantojmë konkurrencën e lirë dhe të ndershme.

E kemi thënë dhe po jua përsëris këtu: Do të shkatërrojmë çdo monopol që kemi gjetur dhe që do të gjejmë në rrugën tonë. Çdo monopol, në ajër, në det dhe në tokë. Konkurrenca e lirë do të vendosë dhe çdo monopol do të shkatërrohet. Ashtu sikundër, çdo kompani do të ketë prej nesh respektin më të madh në emër të shtetit dhe jo në emër të pushtetit dhe çdo kompani do të jetë e detyruar të përgjigjet një më një për çdo detyrim.

E së fundi, të gjitha këto janë në fakt shprehje e një dallimi shumë të madh mes nesh dhe jush. Është një dallim që ka qenë i qartë dje dhe bëhet përditë e më i qartë sot dhe gjithë akuzat që ju ngrini janë pjellë e asaj mendësie të cilën e ka përcaktuar shumë bukur një filozof i madh, kur thotë: ‘kush të akuzon për një gjë që nuk e ke bërë, e bën sepse është në gjendje ta bëjë vet’. Kush akuzon se ne po sulmojmë kompani për të hapur kompani, e ka bërë vetë. Kush akuzon se ne po sulmojmë lojëra fati për të hapur lojëra fati, e ka bërë vetë. Kush akuzon se ne i marrim vendimet brenda mureve të shtëpisë, e ka bërë vetë.

Ja ku jemi këtu sot, kaq qartësisht të dallueshëm nga njëri-tjetri. Është një dallim që shqiptarët e panë, e bënë shumë të qartë në 23 qershor dhe është një dallim që nuk kemi ndërmend fare ta bëjmë më të padukshëm, por do ta bëjmë përditë e më të dukshëm.

Në këtë Republikë do të respektohet cilido që respekton ligjin, cilido që bën biznes pa i hipur në qafë askujt tjetër. Nga ana tjetër, mbulesa politike për ruleta, e për fluturime, e për lundrime, e për një mijë e një zullume të tjera, e për galeri nën tokë, e për puse, e për rrugë të lira të boteve dhe të autoboteve, nuk ekziston më, nuk ka më mbulesë politike për të gjitha këto. Të gjithë janë në rrugën drejt daljes zbuluar të konkurrencës së lirë, e cila është i vetmi instrument që vendos se kush është më i miri, kush është më i forti.

 

Fjala e Kryeministrit dhe njëherësh Kryetarit të PS Edi Rama, mbajtur në seancën e sotme parlamentare.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm