Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Parlamenti miraton buxhetin e vitit 2014 – Rama: Ndaluam rrënimin!

Fjalime

Parlamenti miraton buxhetin e vitit 2014 – Rama: Ndaluam rrënimin!

28 Dec 2013    
Pata disa kërkesa nga parafolësit e opozitës që të marr fjalën, por e pashë të udhës që t’i dëgjoj me vëmendje që të gjithë dhe ta marr fjalën vetëm një herë.

Në radhë të parë duke falënderuar Kryetarin e Kuvendit, sepse kjo është dhe seanca e fundit e këtij viti, për atmosferën e re në këtë Kuvend; duke falënderuar të gjithë kryetarët e Komisioneve Parlamentare, kryetarët e grupeve, deputetët për gjithë punën intensive dhe të pazakonshme që bënë për shkak të afateve shumë të ngushta, – që nuk ishin rrjedhojë e dëshirës, por e kushteve në të cilat u hartua projektbuxheti dhe paketa e re fiskale, në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar, – për të garantuar në radhë të parë atë që ne përfundimisht e kemi garantuar: Ndalimin e rrënimit, shmangien e një ballafaqimi të dhimbshëm të gjithë shoqërisë dhe të vendit me flakët që rrezikonin shtëpinë tonë të përbashkët, njësoj si në vitin ’96, për shkak  të borxheve.

Dhe, sigurisht, falënderoj opozitën. E falënderoj në mënyrë shumë të posaçme që merret shumë seriozisht dhe mirë bën, me programin tonë. Lexon me shumë vëmendje, mban shënime, komenton, propozon bazuar në programin tonë. Edhe pse kjo tregon që në Shqipëri ka një Aleancë të madhe për Shqipërinë Evropiane, që inspirohet nga vlerat dhe parimet e të majtës së re dhe është një Aleancë për të gjithë, të majtë dhe të djathtë. Sepse nuk ka të djathtë, por ka një opozitë që ulet e ngrihet këtu në të djathtë, fizikisht, por që për të folur ka vetëm programin tonë, programin e të majtës.

Sigurisht që është e dhimbshme të shikosh Shqipërinë sot, thuajse çerek shekulli nga përmbysa e regjimit komunist, që të mos ketë alternativë në opozitë. Ndërkohë, gjithë ajo paraqitje e zellshme që ju i bëtë programit tonë ka vetëm një problem: Ju flisni sikur ne jemi në fund të 4-vjeçarit, flisni edhe sikur ju 100 ditë përpara nuk ishit në qeveri, por keni 8 vjet në opozitë; Ju flisni sikur borxhet që keni lënë nuk janë tuajat; Ju flisni sikur detyrimi për t’u përballur me këto borxhe nuk ka lidhje me ju; Ju i referoheni borxhit publik ashtu siç ju desh qejfi juve ta përcaktonit dhe silleni sikur ai borxhi tjetër, që e latë dhe që ne thjeshtë dhe vetëm e kemi legalizuar, nuk ka fare lidhje me keqqeverisjen e deri para 100 ditëve, por është thjesht një shfaqje e papritur e një mali borxhesh që ju nuk e dinit që ekzistonte. Unë nuk dyshoj që midis jush ka shumë që nuk e dinë, se s’kishin nga ta dinë, kanë ulur e kanë ngritur kartonin.

Por nga ana tjetër, meqë në këtë periudhë dhe kam përshtypjen për një kohë relativisht të gjatë do t’i referoheni vazhdimisht programit tonë, thënieve tona, referojuni edhe atyre që kemi thënë me këmbëngulje lidhur me nivelin e borxhit; kur kemi thënë që borxhi nuk është kaq, që shifra prej 60, 61, 62, 63 % nuk është e vërtetë; kur kemi thënë që borxhi është shumë më lartë se kaq, por ne, opozita atëherë, nuk jemi në gjendje të bëjmë një vlerësim të plotë, sepse mbas shifrave zyrtare ka shumë të vërteta të tjera që nuk ndahen me publikun. E vërteta është që i’a besuam Fondit Monetar Ndërkombëtar skanimin e borxhit. Skanimi i borxhit nuk ka mbaruar dhe nga skanimi i borxhit doli një shifër shumë më e lartë sesa ajo që ne vetë kishim paraparë, duke u nisur nga shifrat tuaja dhe duke u nisur nga informacione shumë të pjesshme.

Pra, ne nuk kemi rritur borxh. Ne thjesht kemi legalizuar katet shtesë të borxhit, apo ndryshe atë borxh që paraardhësi im dhe qeveria paraardhëse e morën për kumarin elektoral.

Dikush këtu, nga ju, tha ne duam që ju të mateni me fjalët tuaja. Patjetër, që ne do të matemi me fjalët tona. Kemi 4 vjet për ta bërë këtë. Por nuk mund të mos matemi edhe me veprën tuaj, për shkak se pasojat e keqqeverisjes tuaj i kemi përpara. I kemi përpara në formën e një shkëmbi borxhesh që na ka zënë rrugën dhe që duhet patjetër ta asgjësojmë. Dhe do ta asgjësojmë me këtë buxhet. Kjo është e qartë.

-          285 milionë dollarë kontrata. I keni lidhur në emër të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë me sipërmarrjen, por nuk i keni respektuar. Sot janë borxhe.

-          128 milionë dollarë detyrime direkte dhe mekanike të qeverisë për të rimbursuar Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. I keni lënë aty.

-          50 milionë dollarë borxhe ndaj sektorit energjetik dhe për shërbime me ujë. I keni lënë mbrapa.

-          40 milionë dollarë borxhe për kontrata që ju i keni garantuar për financimin e qeverisjes vendore, nga buxheti i qeverisë kombëtare. I keni lënë aty.

-          Keni lënë aty 60 milionë dollarë që duhet t’i kishit shpenzuar për ndihmën ekonomike; duhet t’i kishit shpenzuar për njerëzit në nevojë, për invalidët, paraplegjikët, tretraplegjikët. I morët, i shpenzuat për kumarin elektoral, por janë borxhe.

E me radhë të tjera, në shumën e 725 milionë dollarëve. 725 milionë dollarë përbën një borxh që, për Shqipërinë dhe për kushtet në të cilat ne ndodhemi, është një sfidë e jashtëzakonshme për një qeveri si e jona.

Është një sfidë e jashtëzakonshme, të cilën, sot, ne kemi sigurinë e plotë dhe krenarinë legjitime që t’u themi shqiptarëve, duke i parë drejt në sy: Është një sfidë e fituar!

Por mund të kishte qenë edhe ndryshe. Mund të mos ia kishim dalë dot. Mund të mos ia kishim dalë dot të bënim një marrëveshje si ajo që kemi bërë. Mund të mos ia kishim dalë dot të merrnim përsipër ato që kemi marrë përsipër, bazuar në një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërorë dhe sot të gjendeshim në kushtet kur do duhet t’i kërkonim njerëzve, atyre që nuk janë fajtorë për këtë borxh, që të vazhdonin të financonin qëndrimin tonë këtu, të gjithëve në sallë; të financonin punimet e Parlamentit; të financonin punët e qeverisë, duke ulur rogat e tyre, duke ulur pensionet e tyre, duke pranuar që të mos ketë më asnjë investim dhe duke pritur ditë më të mira në horizont.

Kjo nuk ndodhi! Jo vetëm kjo nuk ndodhi, por e kundërta ndodhi, që ajo që kemi thënë sot është realitet. Ne nuk do t’ia ngarkojmë më të dobëtëve barrën e përballimit të një krize që e keni krijuar ju, me politikat tuaja dhe me sistemin tuaj të ndërtimit të buxhetit dhe sistemin të taksimit, absolutisht me frymëmarrje të shkurtër. Ndërkohë, që ne bëjmë të kundërtën.

Nuk dua të zgjatem në të gjitha gjërat. Dua të qëndroj në tre pika, se ishin pika që nuk lidhen drejtpërdrejtë sot, megjithatë ato masa që ju këtu i kontestuat me mënyrën tuaj shumë origjinale. Jeni opozita e parë,  jo të këtij parlamenti, se ky Parlament historinë e ka të shkurtër, por besoj në historinë e ballafaqimeve parlamentare që amendoni buxhetin, bazuar në programin e qeverisë. Është e kuptueshme pse e bëni… S’keni program. S’keni drejtim. Keni lënë për kryetar një roje te SHQUP-i. Keni një lider që ju qofshi që e lini të dali nga shtëpia… Dhe vini këtu e thoni amendimi 1, amendimi 2, amendimi 10, amendimi 20, amendimi 30. Të gjitha këto, duke u nisur tek programi jonë. Vetëm ju mund ta bëni këtë gjë. Vetëm ju mund ta bëni këtë gjë, por faleminderit që e bëtë. Unë ju falënderova që në fillim, sepse është konfirmimi që në Shqipëri ka vetëm një program dhe ky është programi ynë!

Do t’ju lutesha shumë që t’i qëndroni atij programi, ta lexoni atë program, mbani shënime, të vini këtu me amendamente të reja, të propozoni projektligje, nisma dhe të gjitha mbi atë program. Ne na ndihmoni, sepse ne jemi shumë më të qetë kështu. I gjithë Parlamenti punon vetëm për një program. I gjithë Parlamenti i përqendruar tek një rrugë. Në fakt, e kemi thënë, ju e keni kundërshtuar, jemi ne e vetmja rrugë, s’ka rrugë tjetër. Ju sot e konfirmuat. Më mirë vonë se kurrë! Pendesa është virtyt qytetar – tha ai që kurrë nuk u pendua.

Tre çështja dua unë të prek. E para, jeni mbresëlënës, sinqerisht! Kërkoni që në 100 ditë të ndryshojë sistemi i shëndetësisë nga një sistem i bazuar mbi kontributet direkte, në një sistem tërësisht tjetër, në sistemin e mbulimit universal, ku  po jua them sot dhe do t’jua përsërisim prapë: Ne do të bëjmë të mundur që secili ta marri kujdesin shëndetësor sipas nevojës, jo sipas xhepit. Por ngaqë asnjëherë nuk keni ndërtuar sisteme, vetëm keni prishur çfarë keni gjetur; ngaqë asnjëherë s’keni qenë në gjendje të vini në vend një sistem; se s’keni pasur ju ndonjë faj të veçantë, ngaqë Kryeministrin e keni pasur si një fëmijë që sheh një lodër, vë kujën për ta marrë pushtetin, sa e merr e çmonton, kjo është e para. Hap pas hapi, ky zotim do të bëhet realitet dhe, me siguri, pas 4 vitesh do të mund ballafaqohemi, jo thjesht me një sistem të ndryshuar në themel, por me një sistem shumë më funksional dhe shumë më dinjitoz për një vend dhe një shoqëri evropiane, si ajo që ne duam.

E dyta, më bëri përshtypje një ndërhyrje e një deputeti. U nis nga një  e vërtetë. Ishte i shqetësuar për çështjen e strehimit. Është e vërtetë, ka shumë të pastrehë në Shqipëri dhe tha edhe disa shifra të vërteta; 450 banesa të ndërtuara kohë më parë, për të cilat Këshilli Bashkiak i Tiranës kishte bërë edhe listën e familjeve në nevojë dhe sot e gjithë ditën rrinë kyçur dhe degradojnë. Është e vërtetë, ka edhe në Durrës 250 banesa. Nuk e di që kur janë ndërtuar, por e di që nuk shpërndahen. Është e vërtetë që ka qindra të tjera në të gjithë Shqipërinë. Të gjitha këto janë banesa boshe, të një mënyre të të kuptuarit dhe të të drejtuarit që është bosh, që është mënyra juaj.  Tani këtë çështje po jua them sot dhe shpresoj që të paktën deputeti në fjalë, – që tha pse se bëni, se keni shumicën, -  ta japë votën, sepse shumë shpejt do të vijmë këtu në Parlament, do t’ju biem një projekt dhe nuk do ta lëmë më çështjet e sistemit të të pastrehëve në dorë të gjithfarëlloj drejtuesve, apo përfaqësuesve partish që marrin peng të pastrehët për të justifikuar strehën e tyre politike.

Por ndërkohë, përgatituni, sepse do të duhet të ballafaqoheni dhe me disa fakte që t’ju them të drejtën, – edhe pse nga ju njeriu nuk duhet të befasohet nga asgjë, – janë shumë befasuese. Keni bërë një politikë strehimi në hije, ku keni strehuar veten me një herë e me dy herë e me tre herë. Keni harxhuar shumë para për të marrë kredira që njerëzve jo në nevojë për strehim ia keni dhënë falas dhe qeverisë, deri dje ju dhe sot ne, i keni ngarkuar të paguajë interesat. Më e bukura është që mirë që i keni marrë këto kredi, duke lënë të pastrehët rrugëve, madje duke krijuar të pastrehë të rinj me ato Aktet Normative, por nuk keni paguar asnjë interes deri më sot. Pra është pjesë tjetër e borxheve që nuk janë të shënuara tek ato borxhet që fola unë. Megjithatë nuk po e zgjas këtu. Me këtë çështje do të ballafaqohemi konkretisht pas Vitit të Ri. Vitin e Ri ju takon ta gëzoni se sot vërtetë punuat seriozisht për programin tonë.

E fundit, ku do të ndalem pak më gjatë, ka të bëjë me legalizimet. Ka të bëjë me legalizimet që janë, në fakt, politika më diskredituese për ju dje dhe sot, por do të mbeten një njollë diskredituese në histori, për atë që i keni bërë këtij vendi, duke e kthyer në të vetmin truall në Evropë ku lulëzon ndërtimtaria pa leje. Keni premtuar gjithmonë legalizim. E keni quajtur Bathoren mrekullinë e 8-të të botës. I keni inkurajuar të vazhdojnë të ndërtojnë se ju do t’i legalizoni.  Dhe shikojeni çfarë borxhi keni lënë pas. Është një borxh që e keni në radhë të parë me ata, – të shkretët ata, që për dy dekada ju besuan dhe ju erdhën mbrapa, njësoj si të përndjekurit, njësoj si pronarët,  – por është një borxh që ia keni të gjithë qytetarëve edhe në formën e një borxhi financiar.

Keni mbledhur 300 mijë vetëdeklarime, siç i keni kërkuar. Në 8-të vjet nuk keni matur, të vini metrin, siç thotë ligji që ju keni miratuar, as gjysmën e tyre. Keni bërë matje, keni denjuar t’ju shkoni njerëzve në shtëpi pasi kanë bërë vetdeklarimet, vetëm në 140 mijë ndërtesa. Nga këto 140 mijë ndërtesa ku, sigurisht, siç lë të kuptohet gjithë kjo histori, keni vajtur jo t’u masni shtëpinë, por “t’u masni kokën me pe”- siç i thonë tironsit. Keni marrë pagesën, keni marrë paratë, keni marrë lekët nga xhepat e 70 mijë familjeve. Ua keni marrë paratë. Dhe, sigurisht, ua keni marrë paratë, mbasi nëndorë ju keni marrë paratë. Dhe nga 70 mijë pagesa, njerëzit kanë paguar, vetëm 21 mijë e 200 keni denjuar t’i “shpërbleni”.  Në thonjëza kjo, sepse në fakt, keni denjuar të plotësoni impenjimin ligjor vetëm për 21 mijë e 200, duke iu dhënë atë lejen e famshme, atë Shabanë tapinë tuaj të legalizimit. Ndërkohë që as këta 21 mijë e 200 që kanë marrë Shabanë tapinë, nuk kanë marrë certifikatën e pronësisë, certifikatë pronësie sot, nga gjithë kjo gjullurdi, nga gjithë ky kaos, nga gjithë kjo politikë. Kjo është politika antikombëtare që keni bërë ju me territorin e këtij vendi, duke shkatërruar pjesë të tëra të asaj pasurie, që është pasuria më e madhe e këtij vendi, bukuria e vet. Keni dhënë vetëm 15 mijë. Pra më pak se 5% të detyrimit që keni pasur. Tani kujt i kërkoni llogari? Dhe, çfarë kërkoni ju, që të bëjmë ne në 100 ditë për legalizimet, kur në 8 vjet juve keni bërë një katrahurë?

Sikur të mos mjaftonin këto, – këtë e them për deputetët që kanë besuar seriozisht që partia juaj do bënte legalizime dhe qeveria juaj do bënte legalizime dhe lideri juaj do bënte legalizime, – i keni lënë borxh këtij shteti, kësaj qeverie 1 miliardë lekë. Po e them me të vjetrat, 1 milionë dollarë për sigurimet  shëndetësore dhe shoqërore të atyre që i keni marrë në punë. I keni marrë në punë tek ALUIZNI thjesht për të futur njerëz në punë, për t’ju dhënë rroga dhe 1 milionë dollarë na i keni lënë ne, tani, t’ua paguajmë sigurimeve. Vetëm në 30 shtator, flas për 30 shtatorin tani, një ditë përpara sesa Drejtori i ri i ALUIZNI-t të merrte detyrën, mbasi publikisht ishte i emëruar, keni lidhur 200 kontrata të reja pune. Po të shikosh se çfarë janë këto 5% është akoma më e dhimbshme.

Ju keni hipotekuar ndërtesa që nuk ekzistojnë. E dini këtë apo jo? Domethënë ju kanë ardhur, keni marrë paratë dhe keni hipotekuar një ndërtesë që ata që ju kanë dhënë paratë kanë ndërmend ta bëjnë në të ardhmen, mbi tokën e tjetër kujt. Ju keni dhënë hipotekë ajri. Keni dhënë, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, – nuk mund të thoni tani që dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit e kanë marrë komunistët, – vetëm në një grup të vogël dosjesh 76 raste legalizim, ndërtim pa leje në monument kulture; 42 raste në kundërshtim të plotë me ligjin. Keni legalizuar ndërtime në aksin e rrugës, mbi rrugë. Kolektorët nuk diskutohet, sepse kolektorët nuk i njihni. Ju, nga partia që do bënte Shqipërinë Evropiane u bëtë forca politike e gropës septike. Nga 76 raste, 61 janë në shkelje të ligjit. Për më tepër 3 nga 4 rastet kur ALUIZNI duhet të shkoj nëpër gjykata, janë abuzime të ALUIZNI-t. Ju, pra partia e pronarëve, partia e të përndjekurve, partia e njerëzve që kanë ndërtuar pa leje, 3 në 4 raste shteti shkon në gjykatë dhe është i akuzuar me fakte që ka bërë korrupsion me pronën dhe me të drejtën e njerëzve.

Keni ndryshuar 22 herë në 8 vjet ligjin e legalizimit dhe keni bërë 4 ligje të ndryshme që përplasen me njëri – tjetrin. Dua t’ju tregoj se çfarë gjendje jermi përjetoni ju që kërkoni që për 100 ditë të zgjidhet ky problem dhe vini kërkoni llogari këtu, pse nuk bëtë legalizime falas, kur ne do t’i bëjmë legalizimet, siç e kemi premtuar, por duhet të përballemi njëherë me gjithë këtë kaos dhe gjithë këtë katrahurë.

Iu keni marrë njerëzve 79 milionë dollarë. Me ligjin tuaj, siç janë marrë 79 milionë dollarët duhet të shkonin drejtpërdrejtë për pronarët. Për pronarët që vinin këtu dhe ngrini zërin, sikur nuk keni qenë ju në qeveri. Pse nuk i’ua çuat pronarëve? 30 milionë dollarë nga 79 milionë nuk ju kanë vajtur pronarëve, kanë shkuar në drejtim të paditur.

Sesa them unë të vërtetën, apo sesa thoni ju të vërtetën, këtë gjë lëreni ta gjykojnë ata që na dëgjojnë. Ta dëgjojnë ata që kanë bërë vetdeklarimet. Ta gjykojnë pronarët se çfarë kanë marrë dhe çfarë nuk kanë marrë. Ta gjykojnë të përndjekurit, sesa janë pasuar këto lotët e krokodilit këtu me vlera monetare të premtuara dhe asnjëherë të dhëna. Kjo është gjëja më e thjeshtë. Ne kemi kush na gjykon. Nuk jemi këtu për të mbytur njëri – tjetrin, se njëri duhet patjetër të triumfojë, se nuk kemi kush na gjykon.

Keni nxjerrë për legalizimet mbi 100 vendime qeverie, dhjetëra Urdhra personalisht të Kryeministrit, dhjetëra e dhjetëra urdhra të tjerë, se janë përzierë të gjithë në këtë histori, pa llogaritur se çka nxjerrë Shabani dhe kush mbrapa Shabanit, zëvendësoi Shabanin.

Në fund fare, që ju të jeni më të përmbajtur kur t’i kërkoni kësaj qeverie çfarë bëri me legalizimet, që dhe njerëzit ta kuptojnë, se ne jemi shumë të qartë se çfarë kemi thënë për legalizimet, për shëndetësinë falas, për të gjitha ato që i kemi të shkruara, ju mbajini shënim aty, – dhe mirë bëni se kështu nuk kemi nevojë as të marrim sekretare këtu në Parlament për çdo deputet, se çdo deputet këtu ka nga një sekretare dhe nga një sekretar – mbani shënime, na i kujtoni, ngrihuni këtu, bëni fjalime, se ky është i vetmi shërbim që mund t’i bëni ju këtij vendi për katër vitet e ardhshme.

Kishte shumë raste të tilla, por një rast do t’jua them dhe do ta mbyll këtë pjesë. Ndërkohë që 160 mijë familje në 8 vjet kanë bërë vetëdeklarime dhe nuk keni denjuar të shkoni t’i bëni as matjet. Ndërkohë që ju i keni marrë lekët në dorë 79 mijë familjeve. Shikoni se çfarë jeni në gjendje të bëni ju; Depozituar në 10 korrik, mbasi i kishit ngrënë ato 1 milionë përkëdheljet, procedura në 12 korrik, legalizuar në 14 korrik. Këta jeni ju. Të tilla ka plotë dhe të gjitha këto plotë, janë arsyeja pse jeni këtu ku jeni sot.

Fjalën e fundit, do ta mbyll. Se dikush nga ju vajti deri te testament i vjetër edhe kërkoi ndihmën e Moisiut, për të na dërguar mesazh nga foltorja këtu. Unë do e mbyll me testamentin e ri, nuk do t’i referohem as testamentit të vjetër, as Moisiut. Do i referohem testamentit të ri me fjalët që ju takojnë shumë sot, para Vitit të Ri, që ta filloni mbarë vitin tjetër: Lëreni të vdekurin, varrosni të vdekurit, bëhuni të gjallë se po shkuat pas të vdekurit, me të vdekurit do merreni!

 

*Fjala e Kryeministrit dhe njëherësh Kryetarit të PS Edi Rama sot në Kuvend.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm