Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Shkurtohen shpenzimet për transportin e zyrtarëve, Rama: Besojmë në etikën e qeverisjes

Fjalime

Shkurtohen shpenzimet për transportin e zyrtarëve, Rama: Besojmë në etikën e qeverisjes

07 Nov 2013    
Është diskutuar në seancë plenare, propozimi i Qeverisë për disa ndryshime në ligjin nr.10160, “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë”.

Kryeministri Edi Rama ka vënë theksin në faktin se ky është një projekt i Qeverisë, i cili heq 1.6 milionë dollarë nga bonuset e më të privilegjuarve të këtij vendi duke filluar nga vetë Qeveria. Për Kryeministrin, këto 1.6 milionë dollarë nuk do të zgjidhin problemet e varfërisë, nuk do të zgjidhin problemet e personave me aftësi të kufizuar apo të zgjidhin problemet e pensionistëve, por mazhoranca e re beson tek etika e qeverisjes. “Ne besojmë që në një vend si Shqipëria, Kryeministri nuk mund të udhëtojë në business class, kur shkon me avion në Evropë”,- është shprehur Kryeministri Rama në seancën e së enjtes.

Sa i takon borxhit të marrë në tregun e brendshëm, Kryeministri nënvizoi se sipas planit të bërë nga Qeveria e shkuar dhe në periudhën e qeverisjes  janar-shtator, qoftë në Dogana, qoftë në Tatime, mungojnë as më shumë e as më pak, por pjesa dërrmuese e atyre parave që Qeveria u detyrua t’i marrë borxh në këtë treg.

 

Fjala e Kryeministrit Edi Rama, sot në seancën parlamentare:

“I nxitur nga deputeti i vjetër parafolës, unë jam deputet i ri dhe më bëri përshtypje ajo që tha që sipas tij kjo “është seanca më e pështirë dhe me e turpshme e kësaj salle”. Me siguri nga lartësia e kompetencës si deputet i vjetër, ka një arsye që e thotë, ndërsa përsa më takon si deputet i ri, me siguri jam dakord me deputetin e vjetër që kjo është vërtetë seanca më e pështirë dhe më e turpshme që unë këtu kam asistuar, megjithëse kam parë të tjera ende më të pështira dhe më të turpshme nga televizori.

Dua të përqendrohem në dy çështje: në çështjen e projektit që kalojmë sot dhe në çështjen e borxheve që kemi trashëguar, por sigurisht që nuk mund ta kapërcej edhe çështjen që po ngrihet këtu nga deputetët e opozitës.

Njëherë e një kohë, me siguri deputetët e vjetër e kujtojnë, ishte një ministër, një ministër i një qeverie socialiste, i cili në zonën e tij i humbi zgjedhjet dhe ishte një zonë, ku socialistët kishin fituar gjithmonë. Besoj se mund ta ndaj me të gjithë deputetët e vjetër të opozitës opinionin që ai ministër u bë shumë qesharak, duke u ankuar se i vodhën votën, duke u ankuar se banda, kriminelë, blerës, iu turrën dhe ia morën padrejtësisht mandatin që sovrani, sipas tij, e kishte bërë gati për të. Ishte Ministër i Brendshëm, nuk ishte një ministër dosido. Ishte një Ministër i Brendshëm pas 8 vjetësh në Qeveri të Partisë Socialiste dhe atëherë deputetët e vjetër këtu në sallë, por edhe opinioni publik thanë të njëjtën gjë: “Po kujt i ankohet ky!?”, “Kujt ia kërkon ky të drejtën që ia kanë grabitur?!”; dhe  “nëse ka një të vërtetë në këtë, ky është i pari që jo nuk duhet të flasë, por duhet të kërkojë falje që e paska lënë vendin aq keq, saqë bandat dhe kriminelët shkokan në ditën për diell dhe ia vidhkan këtij me dhunë mandatin!”. E pra, besoj se, në rast se ai ishte një rast fatkeq i një njeriu që ishte njeri i mirë dhe nuk ishte në gjendje të kuptonte dhe të shpjegonte humbjen që në fakt e kishte plotësisht të merituar; ndoshta jo thjesht dhe vetëm për faj të tij, sot është një opozitë e tërë, është një shpurë e tërë ministrash, është një forcë e tërë që për tetë vjet, e mbajti Shqipërinë “shah-mat” dhe e katandisi në një pikë, ku realisht Shqipëria s’ka qenë kurrë më parë, në gjithë këto vite që vjen këtu edhe duke u nisur nga një fakt i interpretueshëm në dy mënyra, ankimon gjithë zgjedhjet e 23 qershorit dhe madje bën edhe llogari banale aritmetike, duke u nisur nga pagesat e transportit për ata të rinj që vunë fytyrën e tyre, zërin e tyre, veten e tyre, tërësisht në dispozicion të Prokurorisë.

Tani, unë e kam thënë edhe më parë dhe jua përsëris këtu sot;

Çdo gjë, që ka lidhje me votën, për mua vetë dhe për të gjithë ne këtu që për votën kemi luftuar shumë, kemi sakrifikuar jo pak, kemi humbur edhe njerëz, nuk është as e diskutueshme, as e negociueshme dhe ju keni të gjithë të drejtën e Zotit që interpretimin tuaj, ta verifikoni përmes organeve të drejtësisë. Keni të gjithë drejtën e Zotit që interpretimin tuaj ta verifikoni në të gjitha rrugët që ju i konsideroni të drejta dhe që Kushtetuta dhe ligji ia njeh jo një opozite të tërë, por një individi të vetëm qoftë që të kërkojë të drejtën e vet. Në këtë pikë unë jam jo 99%, por jam 100% me ju. Në këtë pikë, unë jam shumë krenar, se përsëri ne bëjmë një dallim shumë të qartë, ndryshe nga ju, që nuk e pranuat qysh në sekondën e parë, transparencën e zgjedhjeve të vitit 2009. Ndryshe nga ju që nuk pranuat kurrë të shikoni në sy të vërtetën e fshehur në kutitë e votimit të vitit 2009, ne jemi tërësisht të hapur për çfarëdolloj rruge, që ju dëshironi të ndërmerrni, për të bërë faktimin e interpretimit tuaj.

Me këtë rast, unë ju komplimentoj, për respektin e pakushtëzuar që shprehni  edhe për emisionin “Fiks – Fare”,  por dëshiroj që këtë respekt ta shprehni për gjithçka që lidhet me ato që janë bërë vijimësisht publike edhe për keqqeverisjen tuaj.

Këtu, më lejoni, tani, të kaloj në çështjen për të cilën jemi këtu për të diskutuar, duke siguruar, se edhe në qoftë se ju nuk do ta gjeni, do t’u ndihmoj unë ta bëni lidhjen edhe me çështjet që ju shqetësojnë, edhe me paratë që ju shqetësojnë, edhe me llogaritë që ju shqetësojnë, edhe me gropën e madhe, ku e keni zhytur këtë vend dhe ekonominë.

Mbrëmë vonë, ne morëm vesh për një tjetër tragjedi humbje jetësh, në një minierë të mbyllur prej shumë vitesh. Të rinj, numri i të cilëve është ende i paidentifikuar plotësisht për shkak se skuadra e kërkimit vazhdon punën e vet, humbën jetën, duke u përpjekur ta luftojnë varfërinë e tyre të skajshme, nëpër vrima të hapura, për të nxjerrë nga një minierë e mbyllur disa grushta mineral dhe për të siguruar mbijetesën e familjes së tyre. E pra, varfërinë e tyre nuk e sollëm ne, varfërinë e tyre e gjetëm pas tetë vitesh keqqeverisje nga ana juaj. Varfërinë e njerëzve që sot na shkruajnë dita – ditës dhe kërkojnë ndihmën që ju jep ligji, sepse janë persona me aftësi të kufizuar, nuk e sollëm ne, ashtu sikundër nuk jemi ne, nuk është Qeveria jonë e pamundur, për t’u paguar atyre paratë e bukës së gojës, por jeni ju, që paratë e bukës së gojës së tyre, i keni harxhuar të tëra, duke i bërë rrush e kumbulla për fushatën e 23 qershorit.

Jeni ju që shkuat deri tek rezervat e shtetit, shkuat deri tek ushqimet që ky shtet duhet t’i ketë në dispozicion në rast emergjencash humanitare dhe rrëmbyet fasule, rrëmbyet oriz, rrëmbyet çizme, rrëmbyet gjithçka gjetët për fushatën elektorale të 23 qershorit.

Jeni ju që i bëtë rrush e kumbulla paratë e institucioneve për të funksionuar normalisht dhe jo të institucioneve dosido, por të institucioneve të sigurisë, duke tenderuar gjithçka kishit në arkë për të blerë naftë, për fushatën tuaj elektorale të 23 qershorit. Ne sot vijmë me një projekt, i cili heq 1.6 milion dollarë nga bonuset e më të privilegjuarve të këtij vendi duke filluar nga vetja jonë.

Jo sepse ne besojmë që 1.6 milionë dollarë do të zgjidhin problemet e varfërisë, do të zgjidhin problemet e personave me aftësi të kufizuar, do të zgjidhin problemet e pensionistëve, apo do të zgjidhin problemet e atyre 1 milion të papunëve që i keni hedhur rrugëve. Jo! Por, sepse ne besojmë tek etika e qeverisjes. Ne besojmë që në një vend si Shqipëria, Kryeministri nuk mund të udhëtojë në business class, kur shkon me avion në Evropë. Ne besojmë se ministrat nuk mund të udhëtojnë në business class, kur marrin avionin për të shkuar dhe për të përfaqësuar shtetin. Ne besojmë se delegacionet qeveritare nuk mund të jenë të panumërta, me soj e me sorollop, për të shkuar medemek për të përfaqësuar shtetin dhe pastaj, për t’u turrur të gjithë për të bërë shopping. Ne besojmë se nuk mund të hyjmë këtu në Qeveri si njerëz të zakonshëm dhe të dalim, siç keni dalë ju, senatorë te Lufthansa, me miljet e fituara nga business class-i i paguar nga paratë e shqiptarëve. Këto besojmë ne!

Ashtu sikundër, më lejoni tani të kaloj përsëri pa u lodhur tek llogaria juaj e borxhit që sipas jush, ne e morëm dhe ndërkohë që duhet t’ua jepnim shqiptarëve, e çuam aty ky zakonisht i çonit ju paratë që u mungojnë shqiptarëve. Këtu kam shifra, nuk kam as opinione, as interpretime. Kam vetëm shifra! Që ju ta kuptoni se përse ne u detyruam të marrim atë borxh që në fakt ishte thjesht legalizimi i borxhit që ju i keni lënë në kurriz shqiptarëve. Kur them ta kuptoni, ta kuptojnë ata që nuk kuptojnë nga kjo punë, se ata që kuptojnë nga kjo punë dhe që e kanë bërë këtë punë e dinë shumë mirë se çfarë kanë lënë pas, por të jenë të sigurt që një më një do të paguajnë për atë që kanë lënë pas.

Në të ardhurat sipas planit të bërë nga ju dhe në periudhën e qeverisjes suaj, janar-shtator, qoftë në Dogana, qoftë në Tatime, mungojnë as më shumë e as më pak, por pjesa dërrmuese e atyre parave që ne u detyruam t’i marrim borxh në tregun e brendshëm. U detyruam t’i marrim borxh në tregun e brendshëm, sepse në Dogana dhe në Tatime keni lënë një gropë shumë milionëshe, e cila prek dhe kalon 200 milionë dollarët. Prek dhe kalon 200 milionë dollarët dhe çka është më interesantja, është se gropa merr përmasa jashtëzakonisht të dukshme, pikërisht kur vjen muaji prill, kur vjen muaji maj dhe në qershor, hapet e bëhet e madhe. Ku i keni çuar ato para? Për çfarë i keni përdorur? Për çfarë i keni përdorur ato para? Sikur t’i kishit çuar për ujësjellësa dhe për kanalizime, atëherë do të ishin në faturat e ujësjellësve e kanalizimeve. Por fatkeqësisht, ato mungojnë në llogaritë tuaja, në llogaritë që i keni lënë ju, në shifrat që keni shkruar ju, në fletoret që ka firmosur ai zotëria që sot m’u duk shumë i lodhur, se ndoshta ishte shumë herët për ta marrë gjithë sasinë e nevojshme të Redbull-it.

Ndërkohë, dua të shtoj edhe më tutje se gropa në Dogana dhe në Tatime që është thuajse e barabartë me sasinë e borxhit që kemi marrë ne për të paguar deri në fund të vitit rrogat dhe për të mos shkuar në ulje asnjë qindarkë të rrogave, për t’i paguar deri në fund të vitit pensionet dhe për të mos shkuar në ulje asnjë qindarkë të pensioneve, ndërkohë që turpi juaj, i keni shtrirë dorën qeverive të vendeve mike për të na garantuar që në rast fatkeqësish natyrore dhe në rast përmbytjesh, të kemi në dispozicion ushqime për shqiptarët. Ky është turpi juaj! Mjafton ky turp që ju, jo vetëm të mos vinit këtu e të kërkonit llogari, por përkundrazi të ulnit kokën, sepse i keni bërë groshë dhe pilaf, ushqimet që u duhen njerëzve në rast fatkeqësie.

Tani, unë besoj se edhe mes jush ka një dallim; mes atyre që i kanë bërë këto dhe atyre që 8 vjet me radhë aty, në radhët e shumicës së deridjeshme, kanë ngritur dorën. Kanë ngritur dorën 8 vjet me radhë, kanë dalë 8 vjet me radhë këtu e ç’nuk kanë thënë për të mbrojtur atë Qeverinë që ishte atje. Por jam i bindur që nuk kanë marrë asgjë nga ato që janë grabitur nga ata që uleshin atje. Jam i bindur që shumëkush këtu ndër ju, tani do të dëgjojë dhe do të shushatet, kur t’i them që vetëm nga detyrimet e trashëguara në sektorin e naftës, nuk i keni marrë për shtetin si detyrime, nga janari deri në fund të shtatorit, 87 milionë 241 mijë e 33.5 dollarë. Janë 87 milionë dollarë të cilat janë jo kontrabandë, se kontrabanda është diçka tjetër, janë detyrime të shkruara, janë detyrime të shkruara të cilat i mungojnë arkës së shtetit, zoti llogaritar. Detyrime të shkruara! Janë detyrime tatimore të të gjithë atyre që grabisin përditë pasurinë e këtij populli, pasurinë nëntokësore dhe ju nuk i keni mbledhur.

Tani, që ne do t’i marrim kjo është pak, por është e sigurt. E që kjo është një fletë e fletores së llogarive të hapura që ju keni me popullin shqiptarë; dhe kur them ju, kam parasysh ata që në ushtrimin e detyrës kanë mbyllur sytë, kanë tërhequr mbrapsht institucionet, kanë hapur rrugën për të pasuruar klientët e pushtetit të deridjeshëm; nuk ka asnjë dyshim se ne do t’i marrim.

Doni të dëgjoni akoma? Jo pak, por mesatarisht 15 milionë dollarë në vit, ua merrnin shqiptarëve drejtpërdrejt nga xhepi, medemek me ligj; se e keni bërë fjalën ligj, fjalë goje; duke vënë një pullë fiskale të vendosur arbitrarisht, një koncesion tërësisht i panevojshëm, një koncesion tërësisht qesharak, një praktikë tërësisht e braktisur vite e vite të tëra nga e gjithë bota, ku ne duam të integrohemi. Askush nuk e ka një koncesion të tillë. Ju e keni vënë dhe asnjë shërbim i përmirësuar dhe asnjë ndryshim tjetër, përveç kalimit të parave nga xhepat e shqiptarëve në xhepa që të jeni të sigurt që janë plot përditë nga këto para, por që ne do t’i shpojmë një e nga një, xhep e për xhep.

E duke e mbyllur, unë dua të ritheksoj edhe njëherë tjetër, se ne jemi shumë të vetëdijshëm për çfarë jemi votuar. Ne jemi shumë të vetëdijshëm se për çfarë shqiptarët na kanë dhënë 1 milion vota. Ne jemi shumë të vetëdijshëm se kush është misioni ynë dhe kush është arsyeja përse jemi ulur aty, apo përse jemi ulur këtu, apo përse sot jemi në këtë sallë shumicë e cilësuar në rritje.

Unë nuk i ngjaj paraardhësit tim në asgjë. E aq më pak i ngjaj në atë pikën, kur thoshte dikur: “po ç’keni more me komisionerët socialistë”, “po ç’keni more me Partinë Socialiste”, “po, po na prishni Partinë Socialiste?”, sepse në fakt, i vinte nga kushtrimi i të parëve, se në fund të fundit e ka edhe ai një dorë në krijimin e asaj partisë që deri në vitin ’90 persekutonte atë me të cilën rri sot këtu në Kuvend, si te stoli i kopshtit të parlamentit. Por nga ana tjetër, ju siguroj që nuk e fsheh dot që e kam edhe unë një keqardhje për ju; e kam një keqardhje për Partinë Demokratike që lindi si parti e madhe e shpresës, lindi si parti e madhe e një transformimi historik e rrënjësor të mendësisë, në radhë të parë, e u kthye në bunkerin e mendësisë, me të cilin ne të tjerët jemi ndarë qysh atëherë dhe jo për meritë të Partisë Demokratike.

Unë jam këtu për t’ju thënë edhe njëherë tjetër;

Çështjen që keni ngritur sot trajtojeni me të gjithë rrugët që ju, ju duken të arsyeshme. Është drejta juaj. Vetëm mos harroni që është e njohur, historia zakonisht ndodh dy herë, një herë si dramë dhe njëherë si komedi. Ju jeni pjesë e komedisë tani”.

Replikë e Kryeministrit Rama:

Deputet i vjetër, dëgjoje replikën se e kam me ty! Ndërkohë, po vazhdoj me deputetin tjetër të vjetër që është njëkohësisht dhe llogaritari i vjetër dhe i lodhur i tetë viteve keqqeverisjeje të lodhur.

Ne kemi filluar të qeverisim në mes të shtatorit. Kemi filluar të kemi përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të administrimit të Tatimeve dhe të Doganave, në fund të shtatorit. Të çohesh këtu dhe t’u thuash shqiptarëve që këta rritën borxhin, sepse iu ranë të ardhurat, ndërkohë që rënia e të ardhurave është pindarike nga janari në shtator, kur zotrote ke qenë kryellogaritari i financave të shtetit, do të thotë normalisht të tallesh me shqiptarët. Kur në fakt, e vërteta nuk është thjesht që zotrote të tallesh me shqiptarët. E vërteta është që është kjo që zotrote ke bërë 8 vjet me radhë. Kuptohet, s’e ke bërë vetë, ke qenë i detyruar se ti lapsin mbaje. Dorën ta tundte dikush tjetër. Planifikoje sikur do mblidhje tërë paratë e Ballkanit këtu dhe shkoje qysh në janar rishikoje buxhetin; vazhdoje në  pranverë rishikoje buxhetin; shkoje në shtator rishikoje buxhetin. Të gjitha këto rishikime, çfarë ishin? Ishin zhytje vit pas viti në borxh të shqiptarëve për të prerë shiritat e inaugurimeve të atij që të tundte dorën.

Ne nuk kemi ulur asnjë investim. Ne i kemi dhënë fund njëherë e mirë asaj praktike që për të dalë të televizor me gërshërë në dorë, t’u prisnim vit pas viti paratë shqiptarëve nga të ardhurat e tyre dhe ta katandisim Shqipërinë këtu ku e keni katandisur ju, në një gropë nga e cila ne do ta nxjerrim me një politikë diametralisht të kundërt me tuajën.

E sa për “Fiks Fare”-n, tani që keni ngrirë të gjithë, ju mbetet vetëm të shkrini Filipin.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm