Në Këlcyrën e shndërruar, të shpëtuar nga kthetrat e indiferencës, braktisjes dhe rrënimit, e cila ka filluar të kthehet tashmë në një destinacion turistik me potencial premtues në të ardhmen – vijoi sot rrugëtimi i gjelbër me mbjelljen e pemëve të reja, në një fushatë elektorale krejt ndryshe, ku ajri i pastër dhe gjelbërimi i qyteteve ka më shumë vlerë se çdo mjet tjetër propagande.
* * *
Kryetari i Partisë Soicaliste të Shqipërisë, Edi Rama: Shumë faleminderit për këtë mikpritje! Më vjen shumë mirë që në këtë rrugëtim drejt 14 majit, faktikisht ka shumë gjëra që flasin vetë, ka shumë punë që flasin vetë, ka shumë vepra që flasin vetë ashtu sikundër pa diskutim, ka plot gjëra që mungojnë dhe që duhen bërë, por të gjitha ato punë qe flasin vetë, përveç se flasin për ç’ka është bërë, flasin edhe për faktin se kush di ti bëjë punët, kush e ka vizionin dhe ka forcën për t’i çuar gjërat përpara, kush e ka pasionin dhe njëkohësisht edhe përkushtimin për t’i transformuar bashkitë tonë dhe kjo është vetëm Partia Socialiste.
Gjatë këtyre ndalesave, ndodh herë pas here që më kujtohet hera e parë kur kam qenë dhe hera e parë kur unë kam qenë këtu, është një nga ato mbresat më të zymta të gjithë kësaj eksperience në krye të Partisë Socialiste. Më kujtohet qe këtu s’kishte absolutisht asgjë përveç shëmbëlltyrës së një braktisjeje dhe të një rrënimi që dukej i pakthyeshëm.
Kur ne e kemi nisur punën, as nuk mund të imagjinohej që Këlcyra mund të bëhej një destinacion turistik dhe që Këlcyra mund të fillonte dhe dalëngadalë ta parafytyronte të ardhmen e vet, një të ardhme me një ekonomi familjarë të qëndrueshme, falë pikërisht turizmit. Këlcyra s’kishte asnjë rrugë të shtruar.
Këtu më kujtohet, ishte një rrugë plot me gropa. Këlcyra s’kishte një trotuar. Trotuaret ishin si të ngrëna nga qentë. Ca pllaka, ca gropa, ca lloj pllakash të tjera, ca të ngjitura, ca të thyera pa diskutuar pastaj gjithë këto hapësira publike të krijuara më vonë, pa diskutuar që s’kishte ujë, pa diskutuar që s’kishte asnjë kanal vaditës për të qenë dhe njerëzit këtu jetonin me sakrifica të jashtëzakonshme dhe natyrisht që askush nuk kishte asgjë tjetër në mend përveç se të ikte ndërkohë që shtëpitë dukeshin sikur ishin të dënuara që t’ju binte çdo gjë derisa të binin edhe vetë. Kjo ishte Këlcyra që mbaj mend unë!
Nëse ju mbani mend një Këlcyrë tjetër, nuk e besoj. Përkundrazi besoj mbani mend edhe më keq se kaq. Kjo ishte Këlcyra që mbaj mend unë. Kështu ishte Libohova, kështu ishte Përmeti, i braktisur, i sakatuar me një hotel të vetëm të mbetur nga e kaluara që e mbanin hapur një familje punëtore, me 1001 vështirësi, ku nuk mbushej kurrë dhe shumica e dhomave qëndronin zbrazur, ndërkohë që sot këtu jemi në një realitet krejt tjetër nga ai që ishte po unë ju siguroj se realiteti ku do të jemi duke vazhduar vetëm përpara, do të jetë krejt tjetër nga ky që është sepse shumëkush na ka përqeshur, shumëkush e ka përbuzur punën tonë duke thënë, “këta merren me fasada, këta merren me sheshe, këta merren me trotuare, këta nuk merren me bukën. Njerëzit kanë nevojë për bukë, s’kanë nevojë për sheshe e për trotuare”. Po si do vijë buka? Si do vijë ekonomia në rritje kur s’ka një vend ku të hedhësh sytë dhe ku ngado i hedh sytë, ndjen vetëm nevojën për të ikur, vetëm zymti, vetëm pisllëk, vetëm braktisje.
Ndërkohë që sot arsyeja pse gjithmonë e më shumë turistë po vijnë në Shqipëri, nis pikërisht aty ku nisi rilindja urbane. Nis pikërisht tek nxjerrja në pah e bukurive të vendit. Po si mund të shijoheshin deri dje bukuritë e jashtëzakonshme të kësaj natyre kur këtu ku jetonin njerëzit, ishte një gropë e madhe me pluhur, me baltë e me dëshpërim? Si?
Ndërkohë që sot, ne jemi përpara një zgjedhje shumë të qartë dhe ju jeni përpara një zgjedhjeje shumë të qartë dhe të gjithë banorët e Shqipërisë janë përpara një zgjedhjeje shumë të qartë. Cfarë do bëjnë me 14 maj? Do mendojnë se si të ecin më tutje dhe vetëm përpara duke i gjetur punës njeriun dhe duke i vënë në dispozicion vetes fuqinë mbështetëse për të bërë punët apo do mendojmë se si të rikthejmë sherrin, konfliktin, politikën e madhe brenda këtu në Këlcyrën e vogël dhe t’ua japim zyrën e bashkisë atyre që sa herë populli shqiptar u ka dhënë një zyrë për të punuar për popullin, për vendin, kanë parë vetëm punët e veta dhe kanë braktisur vendin, kanë braktisur popullin dhe e kanë lënë prapa piëkrisht atë Këlcyrë që ju përmenda, rrënim kudo! Komplet!
Ju thashë që ne kemi mundësi në çdo bashki, përveç Shkodrës ku nuk kemi pasur asnjëherë shansin që të drejtojmë, në çdo bashki kemi mundësi të themi, ja çfarë kemi bërë.
Më tregoni tani një bashki, më tregoni një komunë, më tregoni një fshat ku ata që vijnë këtu dhe kërkojnë pa pikën e turpit ta kthejnë prapa Këlcyrën duke kërkuar votën, kanë bërë një gjë për t’u mbajtur mend. Ma thoni një bashki, nga Tropoja deri në Konispol, në 31 vjet qe kur ka zgjedhje vendore në Shqipëri. Edhe Tropojën, u deshën 4 vitet e fundit me ne, Partinë Socialiste, që Tropoja të merrte komplet një pamje tjetër dhe të merrte frymë ndryshe sepse frymëmarrjen ia kishte penguar për gjithë ato vite, siç ia pengon sot e gjithë ditën Shkodrës, tifozllëku, fanatizmi, verbëria.
Të shkosh të zgjedhësh nuk është njësoj si të shkosh në stadium të bësh tifozllëk. Të shkosh të zgjedhësh do të thotë të marrësh një vendim për veten tënde, për familjen tënde, për fëmijët e tu, për komunitetin tënd se kë do marrësh në punë që kur të dalësh nga shtëpia rruga të jetë e pastër, të jetë e mirëmbajtur, të mos biesh në gropë bashkë me makinën apo që në mbrëmje kur vajzat, gratë të kthehen për në shtëpi , rrugët të jenë të ndriçuara? Këtu s’punonte një llampë. Një llampë nuk punonte këtu. Ikte drita e Zotit, atëherë secili për vete e Zoti për të gjithë. Do të thotë të vendosësh si e do çerdhen dhe shërbimin në çerdhe, në kopsht e në shkollë për fëmijët e tu dhe çerdhja e fëmijës tënd nuk mund të lihet në dorë të askujt që nuk di ta mbajë atë si duhet dhe të shërbejë aty si duhet, edhe vëllai të jetë, jo më partia.
Nuk e shikon dot me sy Partinë Socialiste? Punë e madhe fort!
Nuk e shikon dot me sy Edi Ramën? As ka problem fare. Një sustë është ajo. Bam. Ik nga ai stacion, shko aty tek syri i zorrës qorre e kënaqu, por mos ço votën e mos merr në punë njerëz të dalë nga zorra qorre. Zorrë qorre i thonë apendicitit në shqip se harrova tua shpjegoj, se e mësova kur operova apendicitin.
Tani unë e hoqa apendicitin tim. Apendiciti i Shqipërisë duhet operuar në 14 maj dhe nuk i duhet dhënë asnjë shans dhe kjo s’ka lidhje fare me të majtë e me të djathtë. Unë i respektoj shumë ata që janë të djathtë, kjo zonë ka pasur shumë familje qe kanë qenë të lidhura më parë, por po ju them që të gjithë ata gjyshër që e pësuan politikisht pse ishin të djathtë dhe që sot janë në botën tjetër, do t’i rrotulloni në varr po i dhatë votë atyre që vijnë këtu për llogari të zorrës qorre se ata nuk përfaqësojnë asnjë lloj të djathte, ata nuk përfaqësojnë asnjë lloj alternative tjetër përveç hallit të madh të dy njerëzve me drejtësinë, të një çifti që është zorra qorre e Shqipërisë.
Mbi të gjitha, kush është i djathtë, për përkufizim, vjen nga një traditë patriotizmi. Patriotizmi do të thotë që Shqipëria është përtej këtyre dallimeve. Shqipëria nuk është as e djathtë, as e majtë, Shqipëria është e të gjithëve dhe Shqipëria sot është më e respektuar se kurrë në sytë e botës. Shqipëria sot ka arritur gjëra të paimagjinueshme ndërkombëtarisht, të drejtojë OSBE-në, të jetë e ulur atje në Këshillin e Sigurimit bashkë me fuqitë më të mëdha të botës, të jetë mikpritëse e Samitit të parë të Bashkimit Europian jashtë kufijve të Bashkimit Europian, të mikpresë pas disa muajsh Samitin e Berlinit dhe kështu me radhë dhe si mundet dot që të çosh votën për t’i lënë Shqipërisë në qafë akoma një individ nongrata? Cfarë duhet më?
Se mirë, dakord, ia falën atë gjysmën e jetës që e kishte kaluar me partinë e atyre që vranë, prenë e sakatuan por tani prapë? Unë mendoj që është e tepërt ta diskutojmë këtë gjë dhe duhet të dini këtë; nëse në këto vitet e fundit kemi parë shumë gjëra të mira të ndodhin për Këlcyrën, për Përmetin, për gjithë qarkun e Gjirokastrës, në vitet që vijnë do bëjmë dhe do shohim edhe më shumë sepse i kemi hedhur themelet, i kemi forcuar themelet, jemi në një kthesë historike për ekonominë shqiptare.
Megjithëse kemi pasur një vargmal me probleme të paparashikuara; tërmeti, pandemia, lufta, inflacioni, kriza e çmimit të energjisë që vazhdon të jetë i njëjti që ishte para luftës sepse në faturat që vijnë në shtëpitë tuaja nuk ndryshon asnjë qindarkë, por jo sepse çmimi është po ai, por sepse ne paguajmë që familjeve të mos i rëndohet. Ua kemi bërë zero taksën biznesit të vogël që të ketë më shumë ekonomi familjare, të ketë më shumë forcë kushdo që do të jetojë me punë këtu në Shqipëri dhe nuk është rastësi që mijëra e mijëra biznese të reja të vogla janë hapur vetëm vitin e kaluar. Dhjetëra mijëra madje, jo mijëra.
Ndërkohë që, rrogat kanë filluar të hyjnë në një proces rritjeje historike. Ne sot vijmë nga një periudhë e gjatë reformash, e vështirë, e mundimshme.
Na është dashur të bëjmë disa kthesa brenda kthesës për shkak të forcave që na janë vënë përballë dhe na kanë detyruar të vendosim shumë para për të rindërtuar mijëra e dhjetëra mijëra shtëpi. E kështu me radhë për energjinë.
Nga ana tjetër, sot ne kemi nisur procesin e rritjes së pagave për të kaluar brenda harkut nga tani deri prillin e ardhshëm pagën mesatare në Shqipëri nga 530 në 900 euro. Kjo nuk është gjithçka, por kjo është një arsye shumë e fortë, ky është një argument shumë i fortë, ky është një fakt përpara syve për të kuptuar që jemi në rrugën e duhur, për të kuptuar që e ardhmja është shumë më e mirë se e sotmja ndërkohë që e sotmja nuk krahasohet me të shkuarën.
Më thoni tani, si mundet që midis nesh dhe të ardhmes të rivendosen ata që kanë mbetur në të shkuarën? Për cfarë? Për të na kthyer mbrapa? E kanë interpretuar shqetësimin tim si kërcënim por nuk është aspak kërcënim, është fakt.
Nëse Këlcyra kthehet mbrapa, do të jetë e pamundur për të pasur mbështetje nga ne, jo se ne nuk do duam ta mbështesim, por sepse këta kandidatë që janë shpërndarë nëpër Shqipëri për të sjellë këtu renë që është mbi kokën e nongratës nuk kanë ardhur për të vazhduar punët e mira.
Kandidatë që premtojnë ujë falas nëpër çezma duhen hedhur në lumë e duhen larë mirë e mirë me ujë të ftohtë e pastaj u duhet thënë “Ec andej nga ke ardhur” sepse këta sjellin përsëri atë që kanë sjellë gjithmonë, frymën e Sudes dhe Rrapush Xhaferrit e nuk duan t’ia dinë fare, nuk kanë asnjë respekt për njerëzit, kap ça të kapësh, mblidh vota dhe hajde se kushedi po e kapim dhe po e zaptojmë bashkinë.
Këta i shikojnë bashkitë si kështjella për t’i marrë peng, këta i shikojnë zgjedhjet si mundësi për t’iu dhënë një mision, një punë njerëzve të tyre, ne i shikojmë si një detyrim për t’i gjetur çdo pune njeriun dhe këta njerëz këtu, Alma, Klementi janë njerëzit që i duhen punëve këtu.
Nuk ka mundësi të bashkëpunosh me ata sepse nuk të japin mundësinë, nuk e duan punën, janë dembelë, janë njerëz që duan sherr, janë njerëz që duan konflikt, janë njerëz që duan t’i kthejnë bashkitë nëpër barrikada që të luftojnë me qeverinë.
Çfarë ju duhet ju kjo punë? Çfarë i duhet të djathtit më të djathtë të së djathtës këtu që të fillojë bashkia sherrin me qeverinë dhe të mos shohë asnjë mbështetje nga qeveria? Edhe njëherë, jo sepse ne nuk duam, por sepse nuk mundemi.
Shikoni Shkodrën. Ne kemi bërë shumë për Shkodrën, por kemi bërë vetëm ato gjëra që nuk kishin asnjë lidhje me bashkinë, kemi bërë rrugën deri lart në majë të malit, në Theth, por sepse nuk kishin lidhje me bashkinë. Kemi bërë stadiumin, por sepse nuk kishte lidhje me bashkinë, kemi bërë teatrin, por sepse nuk kishte lidhje me bashkinë, kemi bërë muzeun, por sepse nuk kishte lidhje me bashkinë, kemi bërë rrugën Shkodër-Velipojë sepse nuk kishte lidhje me bashkinë, por nuk mjafton. Sa herë që është nevoja për bashkinë nuk ka mundësi sepse nuk mbushin, e kupton? Si do merrni ju njerëz që nuk mbushin t’i merrni në bashki këtu?
Po, Ballaban (rrugën) në Berat do ta bëjmë, por jo falas. Po e deshët falas, merrni ata të tjerët dhe jo të merrni rrugët, por merrni Noc Rrokun pastaj.
Shumë faleminderit të gjithëve! Ne do vazhdojmë të mbjellim disa pemë.
Ne, siç e shikoni dhe po e shihni gjatë gjithë këtyre ditëve, nuk bëjmë zhurma me skena. Do na duhet mbase të vëmë ndonjë skenë në fund për këto takimet e mëdha, por këto paratë që harxhohen për skena, sfonde e foni, i kemi vënë në dispozicion qe të blejmë pemë dhe t’ia lëmë cdo qyteti ku shkelim.
Duam që të shkojmë mbi 25mijë pemë deri në fund të fushatës që të paktën diçka të mbetet nga e gjithë kjo.
Faleminderit!