ANGAZHIMI YNË: Mbështetje kërkimit shkencor duke konsideruar progresin shkencor si paraprirës të zhvillimit shoqëror, ekonomik, kulturor, konsolidimit demokratik dhe pjesë themelore të imazhit të Shqipërisë europiane
ZOTIMET TONA:
- Krijim i Fondit Kombëtar për Shkencën si burim i financimit të kërkimit shkencor, zbatimit të projekteve dhe rritjes së autonomisë.
- Kombinim i burimeve publike dhe private në shërbim të financimit të kërkimit shkencor.
- Mbështetje zhvillimit të shkencës që përfshin subvencionimin e institucioneve akademike e shkencore në funksion të punës kërkimore.
- Zhvillim i mundësive kërkimore në vend me anë të ripërtëritjes tërësore të hapsirave studimore dhe laboratorëve kërkimorë.
- Mbështetje Akademisë së Shkencave për t’u kthyer në forcë shtytëse të veprimtarisë kërkimore e shkencore në vend dhe përfaqësuese e denjë e komunitetit shkencor.
- Ripërtëritje dhe transformim i ambienteve e mundësive për aktivitete kërkimore e studimore të Bibliotekës Kombëtare dhe Arkivit Qendror të Shtetit.
- Rehabilitim dhe ndërtim i bibliotekave publike në të gjithë bashkitë e komunat ku ato mungojnë.
- Krijim i Indeksit të Integruar Online të Arkivave e Bibliotekave Shqiptare me qëllim mbështjen dhe lehtësimin e punës kërkimore në vend, studiuesve vendas dhe të huaj.
- Sigurim i sinergjisë midis zhvillimit shkencor dhe programeve të zhvillimit kombëtar.
- Demokratizim i drejtimit të instituteve shkencore.
- Mbështetje forumeve e grupimeve të kërkuesve shkencorë me synim institucionalizimin e ndërhyrjes së tyre në politikat e shtetit për shkencën.
- Mbështetje sintetizimit e koordinimit të kërkimit shkencor në vend me zhvillimet ndërkombëtare në këtë fushë.
- Mbështetje bashkëpunimit mes kërkuesve shkencorë vendas dhe të huaj.
- Mbështetje angazhimit në vend të kërkuesve shkencorë shqiptarë që punojnë në universitetet e huaja, në kuadrin e programeve shtetërore dhe bashkëpunimit efektiv të institucioneve shtetërore me organizatat ndërkombëtare.
- Garantim i sinergjisë midis zhvillimit të shkencës dhe arsimit.
- Sigurim i pavarësisë së punës kërkimore dhe përforcim i profilit të kërkuesit shkencor.
- Vendosje e rregullave të pacënueshme për të gjithë aktorët e sistemit, me synim skualifikimin e mediokritetit dhe mashtrimit në punën shkencore.
- Sigurim i kualifikimit korrekt dhe transparent të personelit akademik.